Shqipëria ime fantastike, Jugu shqiptar, të vizitosh shijen

August 28, 2014 09:55

Shqipëria ime fantastike, Jugu shqiptar, të vizitosh shijen

GJIROKASTËR

Të gjithë kemi shkuar mbi një herë në qytetin e gurtë. Por kjo është magjia: Ai qytet të josh sa herë shkon… Me shtëpitë e vjetra e të fortifikuara, me çatitë e tjegullta, do shikojmë atë kështjellën e fortë që e ngritur në shkëmb, dominon gjithë qytetin… Do përshkojmë kalldrëme të gurta e do të ndeshim monumente kulturore. Do të shijojmë atë djathin që në Gjirokastër e qajnë!

Nëse pyesim, nga se përfaqësohet tradita gjirokastrite? Gjirokastritët kanë ç’të tregojnë. “Mishin e pjekur e mbajmë për shumë të mirë dhe turistët e huaj na e pëlqejnë jashtë mase. Zahiretë e dimrit nuk vijnë pas si: Osa, petra, trahanatë, turshitë me patëllxhana, speca, domate. Dikur i përgatisnim vetë të gjitha në shtëpi edhe sot ka shumë amvisa që e bëjnë këtë gjë. Sarmatë i bëjnë edhe në dimër, duke i vënë në stiva gjethet e rrushit e duke i futur në ngrirje. Djathin që e mbajnë në teneqe e ke ç’të hash!”

Dikur, për shembull, kateve të para të shtëpive gjirokastritët u thoshin qilare. Aty viheshin bute me djathë, gjithë turshitë, vera në qelq etj. Gjirokastra nuk mbyllet me aq. Gjirokastra ka dhe shumë ushqime të tjera tradicionale. Duhet përmendur lakrori me mish, pashaqoftet, mëmëliga… dhe mos harrojmë që amvisat gjirokastrite kanë në kuzhinë një pastërti të pashoqe. E kanë edukatën të lindur. Gatimet tradicionale që nuk duhen lënë pa u shijuar, janë: Pashaqofte, byrek me spinaq, sarma, shapkat (laropitë), qifqia.

 

DARDHË

Përreth 19 kilometra larg Korçës, rreth 1300 metra mbi nivelin e detit ndodhet Dardha. Nuk do flasim për skitë e as për kurrfarë sporti tjetër dimëror, nuk kemi zgjedhur Dardhën as për blerimin e kodrave e gjelbërimin e pamasë. Jo, Dardha na ka tërhequr kësaj rradhe për një arsye krejt tjetër. Në Dardhë, për lakror me dy petë…

Mund të provosh shumë shije në tavolinën dardhare. Kërmijtë që kanë një shije me të vërtetë të veçantë, rakia e kumbullës e shkëlqyer, derisa në tavolinë mbërrin lakrori, ndërkohë që melodia e serenatave korçare të përfshin të tërin. Pas lakrorit, dy gjymka me dhallë. “Të gjithë e preferojnë lakrorin tonë”, shprehen dardharët me krenari. “Kemi shumë kërkesa për lakrorin me dy petë, kryesisht nga Tirana, Durrësi apo Vlora”. Turistët, përveç natyrës apo ajrit të pastër, shijojnë edhe kulinarinë dardhare. Në muajt korrik- gusht, numri i lakrorëve që përgatitet në atë zonë, arrin deri në 600 për vetëm dy muaj. Zhaurimat e zogjve të shoqërojnë besnikërisht. Sytë qetësohen. Minutat rrokullisen me shpejtësi.

 

PËRMET

Cili është simboli i Përmetit? Kush shkon për herë të parë thotë: “Guri i Qytetit”. Përfytyroni një shkëmb 42 metra të lartë dhe me sipërfaqe 650 metra katror, që ka “hapur” themelet buzë Vjosës. Kur e pa, Edith Durham tha: “Një nga vendet më të bukura në botë!” Të jetë shkëputur shkëmbi nga mali i Dhëmbelit? Ndoshta. Këtë thonë gjeologët, por legjenda flet ndryshe: Gur perëndie. Ka ardhur si dhuratë nga qielli, për t’i dhënë edhe emrin qytetit. Kush beson në legjenda, le të lexojë historinë. Në fakt nuk do flasim për historinë dhe legjendat, as për famën në gjithë Ballkanin, si Qytet i Trëndafilave ku janë kultivuar aq shumë lloje e soje, sa që trëndafilat lulëzojnë në çdo stinë.

Në Përmet restorantet, baret, hotelet, kafenetë janë shtuar si “kërpudhat” pas shiut. Por turistë të shumtë kërkojnë ushqimin tradicional, prandaj dhe shumica e pronarëve kanë kthyer sytë nga tradita. Vitet e fundit janë shtuar turistët: nga Italia, Greqia, Gjermania, Japonia, Austria, Franca e me radhë.

Mish të pjekur keci, përshesh me thëllëzë, peshk në tavë, tavë shqeto, lepur i egër, delikatesë me mish sorkadh mesnik, shqeto Përmeti, pulë me arra, pulë me drudhe, byrek me reshedi, trahana në formë lakrori, kaurma, kolloface, ollovaqe, bukavec, tavë me peshk Vjose, tavë pllaqi, role me vezë, thjerrëza, gjellë me presh dhe çomlek etj, gliko me arra, turshi me lëndë të para bio, raki dhe verë fshati, djathë dhie… Të gjitha nën gurgullimën e ujit të burimeve që rrjedhin si ujëvarë dhe të valëve të Vjosës… Parajsë e shkuar parajsës, në këtë cep të Ilirisë! Themi të Ilirisë, sepse po të marrësh “Shtegun e Pelës”, ngjitesh malit përpjetë dhe mbërrin në fshatin Kala, ku gjenden rrënojat e një kalaje ilire…

Të gjithë kërkojnë ushqim tradicional. Kërkesat e turistëve, nxisin kuzhinierët të “rrëmojnë” në traditë. Dhe menuja është shumë e pasur. Më të drejtë sot Përmeti mund të quhet “djepi” i kuzhinës shqiptare. Por, mos u largoni nga Përmeti pa provuar glikonë me fiq të egër a me nerënxë.   “Një drekë e mirë pa gliko, është si një vajzë e bukur pa stoli”. Mbretëreshë është glikoja e arrës…

 

BERATI

Berat,_Albania_(7182660695)Berati ndodhet 120 km larg Tiranës. Në majë të kodrës së gjelbër, ravijëzohet kalaja. Poshtë mureve të saj, për së largu, shtëpitë karakteristike të kapura fort pas kodrës, të mahnisin. Prej vitit 2008, qyteti muze është bërë pjesë e UNESCO-s, ndaj Berati, tanimë nuk i përket vetëm Shqipërisë, por gjithë trashëgimisë botërore. Në zemër të qytetit, ngrihet ndërtesa pesë katëshe, më e mirënjohura në kohën e komunizmit, “Hotel Tomori”. Këtu nis historia. Beratasit e dinë të gjithë: Prej shumë vitesh, në këtë vend, përgatitet një ëmbëlsirë e veçantë. “Mon Blan”- ky është emri i saj dhe atë mund ta hasësh vetëm në menutë e pastiçerisë së hotelit, por kurrsesi jashtë kufijve të tij! Sot, nuk është zbuluar ende një tjetër vend në Shqipëri, që e prodhon këtë ëmbëlsirë karakteristike… Në Berat, të gjithë e shijojnë Mon Blanin! Po të gjithë dinë ta shkruajnë kështu, si të jenë të informuar mbi rregullin e drejtshkrimit shqip, sipas të cilit, fjalët shkruhen ashtu si dëgjohen. Askush nuk di të përgjigjet nëse kjo ëmbëlsirë është importuar nga jashtë e nëse ka si motër “Monte Blanc”. Po kështu, të gjithë e njohin si ëmbëlsirën e qytetit, pa u futur shumë në të thella nëse Mon Blani është importuar vite më parë nga jashtë, apo është krijuar prej pastiçierëve të qytetit. Në Berat, më shumë se për origjinën, flitet për shijen. Beratasit e konsiderojnë si tradicionale ëmbëlsirën dhe një pjesë e mirë e tyre mendojnë se emri i saj vjen për shkak të malit të bardhë të Tomorit, që kapardiset si një zotni i rëndë me mustaqe përkundruall qytetit.

Mon Blani është ëmbëlsira karakteristike e këtij qytetit. Jo më kot është quajtur mali i bardhë. Është një ëmbëlsirë e lehtë dhe jashtëzakonisht e shijshme. Mon Blani preferohet shumë nga beratasit, por edhe nga të tjerë. Kërkesat më të shumta jashtë Beratit janë nga Tirana. Janë një numër i madh vizitorësh që vijnë posaçërisht këtu për ta shijuar. Shumë klientë e paketojnë për ta marrë me vete. Edhe turistët e huaj, me ta provuar, e dashurojnë këtë ëmbëlsirë të veçantë. E preferojnë turistë të shumtë evropianë, kryesisht nga vendet skandinave e deri nga Japonia e largët. E shijojnë të gjithë! Në ditë festash madje, ka aq shumë kërkesa, sa nuk mund t’i përballosh dot të gjithë.

August 28, 2014 09:55
Komento

1 Koment

  1. ori March 23, 17:30

    shume interesante

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*