Shqipëria ime turistike / Kështjellat shqiptare, krenaria e përjetshme!

October 6, 2016 10:34

Shqipëria ime turistike / Kështjellat shqiptare, krenaria e përjetshme!

 

-Suplement informues dhe argëtues. Botim i Agjencisë Kombëtare të Turizmitwww.albania.al

 

Ngrihen kryeneçe dhe madhështore majë shkëmbinjsh të thepisur apo lartohen në ishuj të vetmuar. Epike apo dekorative, herë-herë veç mure apo qarkojnë qytete, janë të thjeshta apo të larmishme, janë të paprekura apo rrënoja… të gjitha kanë një emërues të përbashkët: rrëfejnë historinë.

Për cilindo që do të dëshironte të njihte historinë, kulturën, të kaluarën e shekujve, do të ishte zgjedhja më e mirë që këta muaj të vjeshtës të prekte trashëgiminë kombëtare permes kështjellave, dëshmitareve të gurta të historisë.

 

1- Kalaja e Rozafës, një nga kalatë më të bukura të Shqipërisë, ngrihet mbi një kodrinë shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës.

rozafaLegjenda e famshme e Rozafës, nënës që u flijua për të shpëtuar muret e kalasë nga rrënimi, pa harruar fëmijën e saj, teksa la gjysmën e trupit jashtë murit, për ta ushqyer e përkundur beben edhe pas murosjes, i ka dhënë kalasë së Shkodrës një dimension përtej historisë.

Kalaja e Rozafës dominon ujërat e tre lumenjve: Bunës, Drinit dhe Kirit dhe qytetin e Shkodrës, duke përftuar pamje magjepsëse nga lartësia e mureve të saj.

Në kalanë e Shkodrës ka gjurmë të një kështjelle ilire, por kalaja ekzistuese u ndërtua nga Venedikasit në shekullin e 15-të dhe u fortifikua nga Turqit, një shekull më vonë pas pushtimit otoman të Shkodrës.

Për të mbërritur në kala, duhet të ecni në rrugën e përpjetë shtruar me gurë, e cila shpie tek porta e saj e hekurt.

Kalaja e Rozafës është në formë ovale dhe ka 7 kulla. Epokat e ndryshme Venedikase dhe Turke kanë lënë gjurmët e tyre më domethënëse tek manastiri dhe xhamia e ndërthurur me të. Kalaja ndahet në tre pjesë. Në pjesën e pare nuk ka objekte, në të dytën ndodhet xhamia dhe në të tretën, rrënojat e një pallati të hershëm, e kthyer nga turqit në depo municionesh, një kalim i nëndheshëm që lidhte kalanë me lumin Drin dhe cisternën që furnizonte me ujë.

 

2 – Kalaja e Krujës i ka fillesat e saj gjatë shekujve të 5-të e të 6-të.

Muret e saj u ringritën në shekullin e 13-të dhe u ringritën përsëri disa shekuj më vonë nga Turqit. Tërmeti i vitit 1617 u shkaktoi dëme të mëdha mureve, të cilat më vonë u përforcuan me9 kulla. Kalaja e Krujës ka formë eliptike dhe një perimetër prej 804 metrash.

krujeNë pjesën e saj më të lartë në verilindje, ngrihet një kullë, që më vonë u transformua në Kullën e Sahatit,e cila shërbente për vrojtim dhe sinjalizim në periudhë lufte, duke e lidhur kalanë e Krujës me kalanë e Petrelës dhe Durrësin. Nga kjo pjesë e kalasë, shpaloset një pamje e mrekullueshme. Teksa hedh vështrimin poshtë në humnerë, sheh qartë mburojën natyrore të kështjellës.

Pranë Kullës së Sahatit ndodhet Xhamia që dikur ishte Kishë Katolike, teksa janë gjetur rrënojat e një kishe me piktura murale.

Muzeu i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, i ndërtuar në vitin 1982, me një arkitekturë që të kujton formate një kështjelle, ngrihet dominues mes mureve të kalasë. Në pavijonet e muzeut, pasqyrohet historia e Krujës përmes objektesh origjinale apo kopje dokumentesh dhe objektesh, si shpata dhe helmeta e Skënderbeut, origjinalet e të cilave ndodhen në Muzeun e Vjenës, si edhe një pikturë madhështore murale, ku pasqyrohen strategjitë e përdorura nga Skënderbeunë fitoret e tij kundër ushtrive turke.

Natyrisht që nuk duhet lënë pa u vizituar Muzeu Etnografik, që ndodhet disa hapa larg Muzeut të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Muzeu Etnografik ndodhet në një shtëpi karakteristike krutane, ndërtuar në vitin 1764. Në 16 dhomat e ndërtesës, përmes objekteve të qeramikës, drurit, pambukut, leshit, mëndafshit, gurit, si edhe veshjeve folklorike, vizitori njihet me traditat e qytetit dhe fshatit, ndërsa përmes dhomave të banimit, mobilieve të drurit, qilimave të leshta, enëvetë bakrit, etj., vizitori njihet me jetën e vërtetë të fshatit.

 

3 – Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodrine me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit.

lezheFillesat e kalasë janë në periudhën Ilire, por ajo u rindërtua në shekullin e 15-të nga Venedikasit dhe sërish u rindërtua nga Turqit një shekull më vonë. Periudhat e ndryshme lanë gjurmët e tyre arkitekturore që ende ekzistojnë edhe sot.

Vlen të vizitohen rrënojat e ngrehinave osmane, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla Ilire në murin jugor.

Një pamje e mrekullueshme e Fushës së Lezhës dhe Detit Adriatik shfaqet poshtë mureve të kalasë.

 

4 – Kalaja e Petrelës ndodhet 12 km në juglindje të Tiranës. Kalaja ngrihet mbi fshatin Petrelë në majë të një kodre shkëmbore me shpate të thepisura, sidomos në anën jugore dhe jug-lindore.

petreleKalaja është ndërtuar në shekullin e 4-t para Krishtit, me qëllim për të mbrojtur rrugën drejt Durrësit. Në shekullin e 6-të, muret e kalasë u përforcuan nga Perandori Justinian, ndërsa arkitektura ekzistuese i përket shekullit të 13-të, gjatë periudhës së dominimit të Topiajve dhe më vonë kaloi në pronësi të Kastriotëve, duke luajtur një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e Kalasë së Krujës nga Skënderbeu.

Kalaja e Petrelës ka formë trekëndëshi, ka një kullë vrojtimi dhe dy cisterna uji.

 

5 – Kalaja e Prezës ndodhet në fshatin Prezë dhe ngrihet në majë të një kodrine 12 km nga Tirana, pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Kështjella u ndërtua në fund të shekullit të 14-të dhe prezeishte pronë e Topiajve.

Kalaja është monument kulture. Ajo ka katër kulla, nga një kullë në çdo anë.

Kulla e Sahatit u ndërtua në vitin 1850.

Kalaja e Prezës ka një vendndodhje tërheqëse, pasi dominon Tiranën dhe Aeroportin “Nënë Tereza”.

 

 

6 – Kalaja e Elbasanit u ngrit gjatë periudhës së Perandorit Bizantin Justiniani i Parë (483 – 565). Në shekullin e 9-të kështjella u shkatërrua nga Bullgarët dhe pas dështimit në rrethimin e Dytë të Krujës, Sulltan Muhameti i Dytë e rindërtoi kështjellën (1466-1467) me 26 kulla, 3 porta dhe një mur mbrojtës,

elbasanNë shekullin e 19-të, fisnikët vendas u ngritën kundër Turqve, të cilët shkatërruan një pjesë të kështjellës në vitin 1832, duke lënë të paprekur vetëm pjesën jugore dhe njërën nga portat hyrëse të kalasë.

Kalaja e Elbasanit është njëra nga atraksionet më interesante të qytetit, me një mjedis relaksues brenda mureve të saj, me objekte arkeologjike dhe Muzeun Historik, ku vizitori mund të shohë varrin e një ushtari Ilir, helmetën, armët dhe enët shtëpiake, si edhe dy statuja të Apolonit.

 

7 – Kalaja e Beratit ngrihet mbi një kodrinë në bregun lindor të lumit Osum dhe është e aksesueshme vetëm nga jugu, përmes lagjes Mangalem.

Pas shkatërrimit të mureve nga Romakët në vitin 200 para Krishtit, kalaja u përforcua në shekullin e 5-të gjatë periudhës së Perandorit Bizantin Theodhosiu i Dytë dhe u rindërtua në shekullin e 6-të gjatë periudhës së Perandorit Justinian, si dhe u rindërtua rishtas në shekullin e 13-të.

Hyrja kryesore në pjesën veriore mbrohet nga një oborr i fortifikuar dhe kështjella ka edhe tre hyrje të tjera tëvogla. Edhe pse e dëmtuar, kalaja e Beratit ka një pamje të mrekullueshme. Sipërfaqja e madhe që rrethon bën të mundur që brenda mureve të saj të jetojë një numër i konsiderueshëm banorësh. beratNdërtesat janë ngritur në shekullin e 13-të, prandaj ato ruhen si monumente kulture.

Në kështjellë u ngritën 20 kisha gjatë shekullit të 13-të dhe më vonë një xhami për garnizonin turk. Kishat janë dëmtuar gjatë shekujve dhe kanë mbetur vetëm disa prej tyre ku ka vepra murale, ndër të cilat edhe vepra të shekullit të 16-të të piktorit Nikolla, djalit të piktorit të famshëm, Onufri.

Pranë hyrjes së kalasë, ngrihet Kisha e Shën Todhrit, në muret e së cilës ndodhen afreske të Onufrit.

Më interesantja është Katedralja e Shën Nikollës, tanimë e kthyer në Muzeun e Onufrit, piktorit më të madh shqiptar të shekullit të 16-të, ku mund të admirohen veprat e tij, të djalit të tij, Nikolla, si edhe të piktorëve të tjerë beratas.

 

8 – Kalaja e Gjirokastrës është më e madhja në Shqipëri. Kalaja ngrihet në majë të një kodre, duke ofruar kësisoj pamje të mrekullueshme të qytetit, zonës përreth dhe Luginës së Drinit. Kalaja u ndërtua gjirokasternë shekullin e 4-t,kishte 7 kulla mbrojtëse. Ajo u rindërtua nga Ali Pashë Tepelena në vitet 1811 – 1812.

Në hyrjen kryesore të kështjellës, ndodhet Muzeu Kombëtar i Armëve, që tregon historinë e armëve Shqiptare gjatë shekujve.

Në kështjellë ndodhet një Teatër në Ajër të pastër, ku zhvillohet Festivali i famshëm Folklorik i Gjirokastrës me grupe këngëtarësh dhe kërcimtarësh nga gjithë vendi.

 

9 – Kalaja e Kaninës ndodhet në fshatin Kaninë vetëm 6 km larg Vlorës. Kalaja ngrihet në anë të malit Shushicë në një lartësi prej 380 m mbi nivelin e detit.

Kështjella e Kaninës i ka fillesat e saj në shekullin e 3-të para Krishtit, ndërsa në shekullin e 4-t u transformua në një qytet-kështjellë. Në shekullin e 6-të pas Krishtit, kështjella u rindërtua nga Perandori Justinian i Parë dhe në shekujt e mëvonshëm ka pësuar ndryshime të tjera.

kanineNga Kalaja shfaqen pamje të mrekullueshme të gjirit të Vlorës, Zvërnecit, ishullit të Sazanit, Gadishullit të Karaburunit dhe shtëpive dhe natyrës së bukur të Kaninës. Natyrisht që të magjishme janë edhe perëndimet e diellit me të papriturat e tyre në ishullin e Sazanit.

Kështjella e Kaninës është e famshme edhe për dasmën e Donika Kastriotit me Gjergj Kastriotin, që zgjati

tre ditë e tre netë dhe për rezistencën ndaj Turqve të Princeshave nënë e bijë, Komnena dhe Rugjina, gjatë 40 vjetëve.

 

10 – Kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo është një kala minimaliste ndërtuar në gadishullin e vogël në gjirin e Porto Palermos, pranë fshatit Qeparo.

ali-pashaKalaja ka formë trekëndëshi, me përmasa 150 x 400 m, me mure 20 m të lartë.

Kalaja u ndërtua nga Ali Pashë Tepelena për nder të gruas së tij, Vasiliqisë. Kjo fortesë ngrihet mes gjelbërimit mesdhetar të gadishullit dhe ofron pamje të mrekullueshme të detit Jon.

October 6, 2016 10:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*