Shqipëria jote dhe Shqipëria ime

July 14, 2016 10:01

Shqipëria jote dhe Shqipëria ime

Nga Genc Melonashi 
Ti ke Shqipërinë tënde, ndërsa unë timen.
E jotja është një Shqipëri politike me shumë probleme, e imja, një Shqipëri e bekuar si e ka dashur Zoti, me gjithë bukurinë e vet.

Ti ke Shqipërinë tënde të sajuar, me programe dhe konflikte. Unë kam timen, plot ëndrra dhe shpresa.
Qofsh i ngopur me Shqipërinë tënde, siç jam unë i lumtur me Shqipërinë e lirë të imagjinatës time.
Shqipëria jote është një nyje politike, të cilën koha përpiqet ta çmpleksë, e imja një gjerdan malesh e kodrinash që lartësohen krenare dhe të madhërishme drejt qiellit të kaltër.
Shqipëria jote është një problem ndërkombëtar që ende nuk po zgjidhet, e imja janë luginat e qeta e të magjishme, ku ndihet simfonia e zogjve, këmbanave dhe shushurimës së përrenjëve dhe lumenjve nga

Çamëria tek ne, nga Maqedonia në Kosovë e Mal të Zi.

Shqipëria jote janë të ngujuarit në gjakësi dhe veriorë e jugorë në alergji, e imja një lutje me flatra që mëngjeseve, përkëdhel në fluturim, barinjtë që çojnë grigjat në kullotë dhe në mbrëmje, fshatarët që kthehen nga fushat dhe vreshtat.

Shqipëria jote s’është veçse një listë votash për karrierën tënde të pangopur, e imja, një mal i kthjellët mes fushash dhe detit, si poeti mes dy çastesh përjetësie.
Shqipëria jote është një tufë politikanësh, që mes tyre ndjejnë befasinë e dhelprës kur ndeshet me hienën dhe përdorin dredhinë e hienës kur ndeshet me ujkun.
E imja, një kurorë kujtimesh të fëmijëve që luajnë nën dritën e diellit dhe të virgjëreshave që këndojnë dhe kërcejnë nën dritën e hënës, lëmenjëve dhe shtrydhjes së rrushit.
Shqipëria jote është një lojë shahu që luhet mes teje dhe politkanëve të tjerë, mes jush dhe politikanëve dhe diplomatëve të botës, e imja, një tempull, ku gjen strehë shpirti im i lodhur nga ky qytetërim që vrapon mbi rrota që kuisin.

 

Për ty, Shqipëria s’janë veçse dy vetë, njëri që paguan taksat dhe tjetri që kujdeset për t’i futur ato në arkë dhe në xhepa.
Shqipëria ime janë njerëz që mbështesin kokën në krahun e vet, nën hijen e lisave dhe rrepeve madhështorë e të shenjtë, të harruar nga gjithçka, përveç se nga Zoti dhe nga drita e diellit.
Shqipëria jote janë ndërtimet, bisnesi, tregu, ku mbushen xhepat e tu. E imja, një mendim endacak, një ndjenjë flakëruese, një fjalë hyjnore, që përshpërin nga toka në veshin e Hapsirës dhe Perëndisë.

 

Shqipëria jote përbëhet nga njerëz me poste, nëpunësa dhe drejtues bullafiqë me pantallona të shkurtëra dhe pa libreza pune, e imja janë djelmosha që i rrit puna, djersa dhe gjaku që derdhin, duke ndërtuar Shqipërinë dhe metropolet e botës.

 

Shqipëria jote s’janë veçse përfaqësues, komitete, këshilla mbikqyrës, komisione tenderash, hetimorë e te tjerë parlamentarë.
E imja, një tërësi njerëzish të mbledhur rreth një flakadani në netë furtunash, ku errësira fashitet nga pastërtia e shpirtit të tyre të bardhë si bora.

 

Shqipëria jote janë partitë, shoqatat, çamët, kosovarët, emigrantët dhe të përndjekurit, që nga xhepi, herë i nxjerr e herë i fut, për interesat e tua. Timen, e përbëjnë rioshë që majat ngjisin e përshkojnë male, fusha, përrenj, lumenj, detra e oqeanë. E përbëjnë çamët e mençur dhe punëtorë, kosovarët martirë, emigrantët shpirtplagosur dhe të përndjekurit e mohuar.

 

Për ty, Shqipëri janë mitingjet, fjalimet, konferencat dhe debatet, për mua, këngë bilbilash, fëshfëritje degësh nëpër shkurre, melodi barinjsh ndër lugina.
Shqipëria jote është diçka e shpërbërë, diçka që s’bëhet, Shqipëri me ide të huazuara dhe të rreme.
Shqipëria ime është e vërteta e thjeshtë dhe e përbërë, që ti s’e sheh, s’e kupton dhe sa të jesh ti dhe të tjerë si ty, ajo vërtetë s’do të bëhet.
Shqipëria jote është është e ndërtuar nga ligje, rregulla, dokumente dhe karta diplomatike, që të interesojnë vetëm ty.

E imja rri puqur me sekretet e jetës që i njeh në mënyrë të vetëdijshme. Ajo është një dëshirë plot ndjenjë që arrin skajin më të largët të së padukshmes, duke e menduar atë si një ëndërr.
Për ty, shqiptarët s’janë veçse ca pleq vetullngrysur, që fërkojnë mjekrën dhe mendojnë vetëm për veten. Shqiptari im është një djalosh i drejtë si një kullë që buzëqesh si agimi i mëngjesit dhe mendon për të tjerët si për vehten.

 

Shqipëria jote është siç të do qejfi ty, herë etnike, herë Kosovë, herë Çamëri, herë në Maqedoni, herë në Mal të Zi e herë në Europë.
Shqipëria ime as nuk zmadhohet, as nuk zvogëlohet, as nuk ndahet e as nuk bashkohet, ajo është një.
Për ty, Shqipëria janë turma që turren kundër njëra-tjetrës, nën çjerrjen e megafonëve të liderëve kacafytës.

Për ty, Shqipëria janë vetëm “gadiatorë” që bëjnë sikur ndeshen dhe pika gjaku s’lëshojnë.
Për ty, Shqipëria janë të huajt, para të cilëve përgjërohesh gjithë servilizëm, që të të përkëdhëlin pakëz kokën dhe të të thonë një fjalë të mirë.

Shqipëria ime janë Skënderbeu, Ismail Qemali, Noli, Nënë Tereza e shumë të tjerë, janë mijra gra e burra të mençur dhe idealistë, që ti i ke mënjanuar dhe izoluar me para të pista dhe dredhi të poshtra, janë ata, me të cilët ti ke frikë të përballesh se qelbesh erë.
Për ty, Shqipëria janë ca ngastra vetëm blu dhe rozë, ku gëlojnë dhe vegjetojnë militantët e tu të babëzitur, me në krye ty e të tjerë, o kryetëbabëzitur.

Për mua, Shqipëria janë lulishte me gjithë ngjyrat që Zoti ka dhuruar, ku me nder dhe djersë, jetojnë bijtë dhe bijat e sajë, që janë shqiptarë të vërtetë.
Ti ke Shqipërinë tënde, unë timen.
Po kush janë bijtë dhe bijat e Shqipërisë tënde?
Më lejo të të them realitetin e tyre, më lejo të të them si janë katandisur që kur je shfaqur ti, o politikan i ri.

Janë ata, shpirti i të cilëve kish lindur këtu dhe u gëdhi një ditë dhe, papritur gjeti plumba, prona të shpërbëra e të djegura, çdo gjë të shprishur, shpirtra, ndërgjegje, vullnete, virtute…
Fjeti në gomone, mes dallgësh kobndjellëse, kallashin tek koka dhe drogën përgjumëse dhe vdekjeprurëse. Bijtë dhe bijat e reja të Shqipërisë tënde po lindin dhe kurohen spitaleve të huaj, nën kujdesin e kopracëve që luajnë rolin e bujarëve.
Bijtë dhe bijat e Shqipërisë tënde valëviten si degë elastike sa majtas-djathtas. Dridhen mëngjeseve dhe mbrëmjeve në pronat dhe ahuret e botës, por si për inatin tënd mbeten vitalë.

Ata janë si anija pa tra e timon përballë dallgësh të tërbuara. Timoni i saj është dyshimi, ndërsa porti, e panjohura dhe humbëtira. Bijtë dhe bijat e Shqipërisë tënde ndihen të fortë dhe elokuentë midis tyre dhe të heshtur mes europianëve.
Ata janë liridashës dhe pasionantë, por vetëm për mediat dhe podiumet që i drejtojnë të huajtë për interest e tyre.

Ata janë si skllevërit që e konsiderojnë veten të lirë vetëm sepse prangat e vjetra e të ndryshkura janë zëvendësuar me të tjera të shndritëshme. Këta pra, janë bijtë dhe bijat e Shqipërisë tënde, sa të mëdhënj në sytë e tu, aq të vegjël në sytë e mi.

Tani më lejo të të tregojë bijtë dhe bijat e Shqipërisë sime.

Ata janë të vendosur dhe fisnikë si shkëmbijtë e maleve tona të larta, janë të embël, të kthjelltë e të pastër si ujrat e burimeve tona.
Janë të vrazhdë dhe të bukur si riviera jonë.
Në dejet e tyre rrjedh i njëjti gjak, gjaku i pastër i të gjithë shqiptarëve.
Lotët e syve të tyre janë lotët e syve të Shqipërisë.
Buzëqeshja në buzët e tyre është buzëqeshja në buzët e Shqipërisë.
Janë bujqit dhe punëtorët që e kanë kthyer këtë tokë të ashpër në kopshte e livadhe.
Janë ata që kanë ngritur dhe ngrenë vilat ku vegjeton egoizmi yt i shfrenuar.
Janë poetët, këngëtarët, valltarët, piktorët, skulptorët që derdhin shpirtrat e tyre në vargje, këngë valle, piktura e skulptura, që zgjojnë nga gjumi i indiferencës dhe mosbesimit, metropolet e Europës koprace.
Janë pra, ata që me xhepat bosh, kanë braktisur Shqipërinë, për të shkuar në vende të tjera, me zemra të ndezuar nga entuziazmi dhe të vendosur për t’u rikthyer në atdhe me kurora dafinash në ballë dhe dëshmitë e suksesit të tyre.
Ata ecin me hap të sigurtë drejtë të vërtetës, bukurisë dhe përsosmërisë.

Dhe tani, më thuaj ti, o politikan i sotëm, çfarë do t’i lesh Shqipërisë tënde dhe bijave e bijve të saj pas njëzetë vitesh, pas njëqind vitesh?
Më thuaj pra, ç’do t’i lesh trashëgim veç fodullëkut, falsitetit dhe budallallëkut?
Mos vallë beson se në jetë të jetëve nuk do të ruhen fantazmat e vdekjeve dhe psherëtimat e varrezave që ti ke mbjellë?
Apo korrupsioni, prostitucioni, vëllavrasja, kriminaliteti, analfabetizmi dhe shkatërrimi i çdo të mire materiale e morale që ti ke sjellë?
Apo diplomat, çertifikatat, dëshmitë false që ti ke marrë?
Ja ku po ta them se edhe pema e një ulliri të vetëm të mbjellë në një kodrinë nga një katundar, do të jetojë më gjatë se bëmat e tua dhe fjalori yt i denjë vetëm për një rrugaç.
Ja ku po ta them përsëri, se ai që tërheq parmendën, apo ai që vjel perimet në një shpat mali shqiptar, vlen më shumë se llomotitjet e tua dhe të lidershipit tuaj. Mos harro se je një hiç, je një mjeran!
Dhe kur të kthjellohesh për varfërinë tënde njerëzore, sjellja ime armiqësore dhe e bashkatdhetarëve të mi e të tu, në ballafaqim me ty dhe të tjerë si ty, do të kthehen në mirëkuptim dhe dashuri. Dhe ky është një mëkat i imi dhe i bashkatdhetarëve të tu, që ti nuk e kupton dhe s’ke për ta kuptuar kurrë.

July 14, 2016 10:01
Komento

5 Komente

  1. epiriiiii July 14, 10:22

    EKSELENT, pershkrimi EKSELENT i Shqiperise se Popullit te thjeshte dhe i Shqiperise se Politiklesheve

    Reply to this comment
  2. Ilir Mborja July 14, 10:39

    Një hymn i jashtëzakonshëm midis realitetit dhe ideales për Shqipërinë e sotme.
    Kur lexon këtë kupton se arti i të shkruarit nuk është vetëm një kënaqësi estetike, por edhe mision edukimi, mision atdhetar… Urime autorit Genc Melonashi!..

    Reply to this comment
  3. Lufter July 14, 14:49

    Bukur, shume bukur,e shkelqyer, i ke bere autopsine politikes me te ndyre ne Shqiperi.

    Reply to this comment
  4. kris 1 July 14, 15:48

    Shqiperia ime,
    ti je si pasqire,
    perpara shkelqim
    dhe mbrapa e nxire

    Reply to this comment
  5. Diana July 14, 22:28

    Bravo,bravo,bravo
    Oh sa bukur i ke thene te gjitha.
    Lotet dhe zemerimi po me marin frymen ….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*