Shqipëria, lobim femëror në Gjermani

June 6, 2018 10:57

Shqipëria, lobim femëror në Gjermani

 

Pak para se Gjermania të vendosë përfundimisht qëndrimin e saj mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë, Shqipëria vazhdon lobimin në Gjermani. Këtë radhë delegacionet kryesoheshin nga femra.

Dy delegacione nga Shqipëria ndodhen aktualisht në Gjermani: njëri në rang qeveritar, i kryesuar nga ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj, dhe njëri në rang parlamentar, i përbërë prej dy deputeteve të komisionit të jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë, Mimi Kodheli, PS, kryetare, dhe Rudina Hajdari, PD. Të dy kanë një mesazh: hapni negociatat.

Gjermania përkrahëse edhe në të ardhmen

Veç takimeve në Bundestag dhe në zyrën e kancelares, Angela Merkel, Etilda Gjonaj u takua të martën (05.06.) me homologen e saj gjermane, Katarina Barley (SPD). Siç bënë të ditur për Deutsche Wellen, burime nga Ministria Federale e Drejtësisë në qendër të takimit ishin lufta kundër korrupsionit, modernizimi i burgjeve dhe pavarësa e gjyqësorit.

Ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë prezantoi rezultatet e para të reformës së drejtësisë si hapin më të rëndësishëm të Shqipërisë në drejtim të Europës: rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe projektin Euralius, që financohet nga BE dhe realizohet nën udhëheqjen e institucionit gjerman, Stiftung für Internationale rechtliche Zusammenarbeit. Po ashtu mësojmë se dy ministret vlerësuan pavarësinë e gjyqësorit si bërthamën e shtetit  të së drejtës dhe si kushtin themelor për krijimn e besimit te popullsia. Ministrja gjermane i siguroi koleges së saj nga Shqipëria vazhdimin e negociatave.

Lobime për negociatat

Udhëtimin e saj në Berlin ministrja Etilda Gjonaj e shfrytëzoi edhe për të lobuar tek vendimmarrësit gjermanë për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë. Në një takim me përfaqësues të grupit të punës për çështje të Bashkimit Europian të grupit parlamentar të Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial, ministrja shqiptare, sipas një postimi të saj në Facebook, i kishte thënë deputetëve gjermanë se ritmi i realizimit të procesit të vetingut është i kënaqshëm dhe se është parashikuar që shumë shpejt do të përfundojë rivlerësimi i listës prioritare dhe më pas menjëherë mund të ngrihen organet e reja të sistemit të drejtësisë.”

Po ashtu ajo u ka prezantuar deputetëve gjermanë masat që qeveria shqiptare ka marrë për të forcuar luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe ka vënë në dukje se si pasojë Shqipëria ka dalë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit. Po ashtu ministrja, sipas të njëjtit burim, ka bërë të ditur se falë marrëveshjes së nënshkruar me Eurojust, Shqipëria mund të kryejë tashmë hetime të përbashkëta me autoritetet e tjera të vendeve të BE-së për të luftuar më mirë krimin e organizuar.

Mbështetje edhe nga parlamentaret

Mbështetje ka pasur ministrja gjatë këtij takimi edhe nga dy deputete të parlamentit shqiptar, Mimi Kodheli (PS) dhe Rudina Hajdari (PD), të cilat po ashtu ndodhen në Berlin me mision lobues. Ato gjithashtu janë duke zhvilluar takime me përfaqësues të rëndësishëm të institucioneve ligjvënëse dhe ekzekutive në Gjermani.

Kjo ofensivë lobuese që forcat politike shqiptare po e bëjnë aktualisht në mbarë Evropën është patjetër gjë e mirë, i tha Deutsche Welles Thorsten Frei, raportuesi i grupit parlamentar CDU/CSU për Shqipërinë pas takimit me dy deputetet shqiptare. Ky është një sinjal pozitiv, dhe nuk është kurrsesi i gabuar, sepse tekefundit janë 27 vende që duhet ta miratojnë rekomandimin e Këshillit të BE-së për hapjen e negociatave.

Qëndrime devijuese brenda kampit të Merkelit

Në rastin e Gjermanisë vota duhet të kalojë nga parlamenti, prandaj  edhe kancelarja do të duhet të prezantojë në samitin e  radhës në fund të qershorit në Bruksel një qëndrim që mbështetet së paku nga dy grupet parlamentare të partive të koalicionit: CDU/CSU dhe SPD.

Ndërsa Partia Socialdemokrate është shprehur pak a shumë hapur pro hapjes së negociatave, në radhët e krahut të kancelares, Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial qëndrimet janë të ndryshme. Siç bëjnë të ditur burimet  e Deutsche Welles pranë këtij grupi, qëndrimet devijojnë nga hapje pa kushte, në hapje me kushte e deri në moshapje të negociatave.

Vendimi pritet pas datës 20 qershor

Megjithatë qëndrimi zyrtar i parlamentarëve gjermanë ka shumë gjasa që të bëhet i njohur vetëm pas konsultimeve qeveritare franko-gjermane në datat 19/20 qershor. Ndërsa kancelarja Merkel deri tani nuk e ka shprehur hapur qëndrimin e saj, presidenti i Francës Emanuel Macron i ka theksuar vazhdimisht rezervat e tij ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Siç bëhet e ditur nga qarqet partiake në parlamentin gjerman, disa deputetë kanë dëshirë që qendrimi i Gjermanisë të harmonizohet me atë të Francës para se të bëhet publik.

Për një gjë janë të një mendimi kancelarja Angela Merkel, presidenti i Francës, Emmanuelle Macron dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama: që Deutsche Welle të ketë jetë të gjatë.

Ndërsa kancelarja gjermane pati rastin t’ia uronte personalisht 65 vjetorin kanalit publik të Gjermanisë për botën e jashtme, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidentit francëz Emanuele Macron, i dërguan mesazhet e tyre në një kolazh filmik, krahas personaliteteve të tjera të njohura si kryetari i Komisionit të BE, Jean Claude Juncker, diplomati Wolfgang Ischinger apo politikani dhe boksieri ukrainas, Vitali Klitschko./DW

l.h/ dita

June 6, 2018 10:57
Komento

8 Komente

  1. liri June 6, 11:33

    po ky mjekrroshi pse shef me inat. me kete qendrim do ti mbushi mendjen gjermaneve, apo e ka dergu ram-bash-bish-meta, me sabotu cdo gje?

    Reply to this comment
  2. bazo June 6, 14:31

    Reforma ne drejtesi na ka dhen nje hov te madh per anetaresimin per ne BE dhe takime qe behen nga ministra apo deputet i japin me shume rendesi kesaj reforme dhe i japin akoma me shume seriozitet

    Reply to this comment
  3. Daku June 6, 14:33

    Ajo qe realisht do ti hapi dyert Shqiperise drejt BE eshte reforma ne Drejtesi dhe mire zbatimi i saj.

    Reply to this comment
  4. Yougurteria June 6, 14:34

    Duhet then qe nje pesh te madhe rrugen e Shqiperise drejt BE e ka edhe Ministrja Gjonaj me zbatimin e Reformes ne drejtesi por edhe me zbatimin e nje sere reformash te tjera sic eshte ajo e tokes dhe reforma ne burgje. Reforma te tilla e bejn shqiperine te barabart me vendet e BE.

    Reply to this comment
  5. Llapsani June 6, 14:37

    Gjermania ka perfaqesuesit e saj ne Tirane qe kane shprehur pozitivitet ne marrjen e statusit kandidat.

    Reply to this comment
    • Lira June 6, 17:47

      Para dy muajsh e cilësuan mediet serioze Shqipërinë, si Kolumbinë e Europës..
      Kush beson se futet Kolumbia në BE…le të shohi endrra me sy hapur, përpara…

      Reply to this comment
  6. Arben June 6, 18:29

    Leshoni komentet portal i lodhur

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*