Shqipëria me 150 “lazaratë” e qindra krime, të krijuar prej varfërisë…

November 30, 2012 23:48

Shqipëria me 150 “lazaratë” e qindra krime, të krijuar prej varfërisë…

 

Nga Përparim Halili

Afro 1 javë më parë, polciia arrestoi në Tiranë, një grup trafikantësh droge. Njeri prej tyre, me psudonimin “GJYSHI”, deklaroi në në seancën e masës së sigurisë në gjykatë kështu: “Me arrestimin tim, keni lënë 100 familje pa bukë”!
Pothuajse, përditë dëgjojmë njoftime që dalin nga Ministria e Brendëshme, nëpërmjet të cilëve publikohen “kapje rastësore” ose me “aksione speciale” të kultivuesve, transportuesve e tregëtarëve të drogës. Së fundi këto kapje sasie droge, nuk janë me gramë e kilogramë, por me kuintalë e ton. Nuk janë me një autor, por me “banda droge”. Nuk janë me autorë “rrugësh”, por dhe me zyrtarë e specialistë të sektorit të luftës kundër drogës e krimit, punonjës të Ministrisë së Brendshme. Sipas këtyre njoftimeve të muajve të fundit, konfirmohet se droga nuk është më vetëm dukuri “Lazarati”, por një dukuri e shpërndarë në pothuajse krejt vendin. Përveçse nga “Ferma Lazarat”, droga del si “prodhim” dhe nga zona të tjera të vendit, ku kultivohet, paketohet, transportohet e tregëtohet në destinacionet e konsumimit brena e jashtë vendit. Ata që e prodhojnë drogën janë “fermerë”. Ata që e transportojnë, ose e shesin, janë “çirakë”. Ndërsa ata që e blejnë dhe e rishesin si produkt, janë trafikantë. Po ndalemi tek prodhuesit. Duke shfletuar për historinë 20 vjeçare të drogës së Lazaratit dhe (gjoja) luftën e shtetit kundër këtij “prodhimi vrasës”, lexova katër prononcime të bëra prej krye-komunarit të fshatit “rebel” Lazarat, zotit Dashnor Aliko bërë në gusht 2002, në janar 2005, në tetor të vitit 2007 dhe në shtator 20012. Pothuajse pa asnjë ndryshim, ai i përgjigjej shtetit kështu: – Lazaratasit nuk e kultvojnë drogën si krim, por si mundësi jetese, mbasi janë të varfër, pa punë, pa tokë, me toka të “vdekura” dhe me popullsi në rritje, me shtim familjesh të reja”. Këtë qëndrim, e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë edhe shumë kryetarë komunash të dshatarve ku kultivohet drogë në Shkodër, Lezhë, Përmet, Fier, Berat, Elbasan, Vlorë, Tepelenë, Korçë, Mallakastër etj. Ata e përligjin kultivimin në zonat e tyre, me varfërinë ekstreme që kanë banorët e zonave dhe kjo skamje ekonomike, sipas tyre, i detyron disa banorë e familje të kultivojnë “bimën vrasëse”, që në fakt sipas ligjit shqiptar përbën “krim”.
Pa u bërë palë me kultivuesit e drogës, mendoj të them mendimin tim, sipas këndvështrimit tim, mbi shkakun që nxit kultivimin e drogës, prej familjeve e individëve që jetojnë në mjerim ekonomik. Nuk mund të mohohet, që në afro 60% të zonave fshatare në qarqet ku kultivohet drogë, njerëzit janë në skamje të plotë, në pamundësi për të siguruar mjetet e jetesës minimale. Tokat e tyre, janë ose të pamundëshme për prodhim, ose nuk punohen për shkak të çmimeve të larta të shërbimeve, madje deri tek çmimi super i lartë i ujit për vaditje, madje edhe deri tek mungesa e këtij uji në afro 70% të zonave fshatare. Sipas një “harte” që ka evidentuar Ministria e Brendëshme, në Shqipri janë afro 150 qendra të prodhimit të drogës. Pra, janë 150 “Lazaratë” që “ushqehen” me prodhim-shitjen e drogës, si e vetmja bimë për të mposhtur varfërinë ekstreme që i ka pllakosur, për shkak të braktisjes prej shtetit në aspektin e mbështetjes me politika sociale-ekonomike e investuese. Realisht, në këto “qendra” që kultivojnë drogë mungon puna, mungon mbështetja sociale për mbijetesë, mungon gjithçka. Në mungesë të gjithçkaje, në prezencë të bllokimit e të mohimit të mundësive për të mbajtur frymën gjallë, pjesa masive e “varfanjakëve” shqiptarë, detyrohet dhe nxitet të kërkojë rrugë të tjera për të siguruar të ardhurat për mbijetesë. Një nga këto rrugë ata e kanë zbuluar dhe e kanë zgjedhur për zbatim tashmë: kultivimin e drogës. Madje kjo “rrugëzgjidhje”, në fshatin Lazarat ka marrë formën e plotë të nje “ferme droge fshatçe” edhe në aspektin e punësimit, mbasi atje shkojnë e punojnë si “fermerë droge” shumë “varfanjakë” nga qytetet Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj e Këlcyrë, të cilët paguhen me mëditje.
Ka një fakt: Të gjithë kultivuesit e drogës që kapen prej policisë e gjykohen, deklarojnë se tek droga e mbjellë dhe e shitur tek trafikantët, ata kanë parë si zgjidhje “shpëtimin nga varfëria”. Këtë na e kanë thënë në biseda të lira dhe banorët fshatrave të zonës së Lumit të Vlorës, Fierit, Mallkastrës, Sarandës, Shkodrës, Beratit, Lezhës, Laçit, Tiranës, Mirditës, Dibrës, Elbasanit, Përmetit etj. Sipas Ministrisë së Brendëshme, “harta shqiptare” ku mblidhet drogë, tashmë përfshinë afro 150 fshatra e qindra familje, me “seli qëndrore” Lazaratin. Ata deklarojnë, se droga është kthyer në “bimë të zakonëshme ekonomike” për familjet e atyre që e prodhojnë, transportojnë apo shesin, mbasi njerzit duhet të jetojnë, të ushqejnë veten, të veshin, të shkollojnë e të mjekojnë fëmijët”. Të ardhurat për këto nevoja jetike ditore nuk i kanë. Në rastin konkret, duke dëgjuar këtë “justifikim” të banorëve të “fermave” e parcelave të drogës, shtrohet natyrshëm një pyetje e thjeshtë: Çfarë duhet të bëj një individ, një familje, në lgje, një fshat, një popull i zhytur në varfëri, që nuk ka as bukë thatë për t’u ushqyer?! Në mënyrë të pashmangshme këto punë do të bëjë, se ndryshe vdes. Ndaj disa kanë zgedhur “kultivimin e drogës dhe mpishtin varfërinë. Prej varfërisë disa vrasin, disa plaçkisin, disa grabisin në rrugë me e pa maska, disa vendosin gjoba dhe bëjnë pengmarrje bisnesmenësh, vjedhin banka, makina, banesa, firma private, shkolla, spitale, agjenci turistike, madje vjedhin edhe xhepat e qytetarëve në autobuzët e linjave urbane. Këto rrugë u ka ofuar varfëria e instaluar prej pushtetit. Ja çfarë tha transportuesi i drogës me pseudonimin “Gjyshi”, i kapur në 1 javë më parë në Tiranë: – “Me arrestimin tim, ju latë pa bukë 100 famlje”!
Ka një të vërtetë të madhe, reale e aktuale në këtë deklarim të “Gjyshit”. Po të shfletosh dosjet e krimeve të tilla, në të gjithë deklarimet përsëritet i njëjti shkak: E bëra nga varfëria, nga mungesa e bukës! Logika fundore këtu të çon. Nëse ai nuk ka punë, nëse nuk ka bukë, nëse nuk ka mjekim, nëse nuk ka libra për fëmijët, nëse nuk nëse nuk ka strehë, por fle rrugëve, nëse nuk ka minimum jetik financiar zyrtar për të mbajtur frymën gjallë… detyrimisht që vuan, sëmuret, vdes! Dhe vdekja e tij nuk shqetëson as kryeministër Sali Berishën e as ministrat e tij. As kreytaren e kuvendit Jozefina Topalli e as deputetët e saj. Nuk shqetëson e hidhëron as kryefamiljarët Sali Berisha e Jozefina Topalli e as deputetët, ministrat, politikanët, diplomatët dhe zyrtarët të lartë të shtetit. Sepse ata janë në “Olimp” të jetës së luksit. Sepse ata janë të punësuar në punëra që paguhen me miliona. Kanë në zotërim poste e detyra shtetërore të larta, me firmat dhe vulat e të cilave “prodhojnë” miliona. Kanë të punësuar gratë e burrat, fëmijët, nipërit, mbesat, madje dhe gjyshet, gjyshërit e stërjgyshërit tyre në zyrat e pushtetit e të shtetit, në 3-4 borde të ministrive e kompanive private, duke siguruar jetë në luks e me pasuri pa fund.
Po ata mijëra individë e familje, që nuk janë pjesë e mundësive klanore e nepotike që të krijon pushteti, çfarë duhet të bëjnë?! Me çfarë dhe si të jetojnë?! Të përpëliten në varëfri?! T’u vdesin foshnjat për një pikë qumësht e për një lugë supë, për një ilaç e vizitë mjekësore? T’u mbeten fëmijët analfabetë, t’u punojnë si skllevër, apo të rropaten rrugëve, duke lypur e duke fjetur natën rrugëve? Atëherë, zoti kryeministër, zonja kryetare e Kuvendit, ju kollarexhinj deputetë, ministra zemër gurë, qafë e tru trashë, na thoni: Cila është rrugëzgjidhja e këtyre njerëzve për jetën? Cila është mundësia e tyre e vetme, që u mbetet për të mbijetuar përballë mizerjes sociale dhe varfërisë ekonomike që ju keni instaluar barbarisht e në mënyrë kriminale në shoqërinë shqiptare? Cila është alternativa e vetme, që ata kanë “në dorë” për të mos vuajtur e për të mos vdekur për një copë bukë? Përgjgija dihet: rruga e vetme është ajo që bëjnë në mungesë të mundësive financiare e sociale për të përballuar vafërinë: droga, krimi, prostitucioni! Kreyministri del e broçkullit, se shqiptarët janë “populli më i pasur dhe më i lumtur i botës, mirëqenie e stabilitet ekonomik, me punësim rekord, me paga e pensione më të larta se vendet e BE, shërbim shëndetësor me të mirë se në SHBA, me arsim më të zhvilluar ne në ANGLI, me kushte jetese 10 herë më të larta se në GJERMANI. Po ateherë, përse “varfanjakët” e Lazaratit, të maleve të Tepelenës, Përmetit, Elbasanit, Matit, Librazhdit, Tiranës, Vlorës, Mallkastërës e Dibrës, mdjellin drogë?! Përse adoleshentët dhe të rinjt e Tiranës, Durrësit dhe qyteteve të tjerë të Shqipërisë, bëjnë krime të të gjithë llojeve, me motiv të vetëm varfërinë ekstreme?! Lexoni dosjet e krimit dhe përgjigja është aty, me dy fjalë: “Jemi pa bukë”! këtë përgjgije kanë marë edhe ndërkombëtarët që kanë shkaur e kanë inspektuar zonat e “drogës” në Lazart dhe në të 150 “lazaratët” e vendit. Afro 60% e shqiptarëve janë pa bukë. Me varfërinë e instaluar dhe me braktisjen sociale totale, qeveria i nxit njerëzit dhe komunitetet masivisht drejt rrugëve të paligjëshme për të mbijetuar, siç është rasti “Fermës së drogës Lazarat”. Pra, droga mbillet dhe kriemt e tjera sociale-ekonomike bëhen, sepse njerëzit janë pa bukë. U është hequr e drejta e punës, e drejta e ndihmës ekonomike normale. Po tallen përditë me mashtrime e premtime boshe për jetë luksi, për punësime, për investime, për mirqenie ta lartë. Janë 112 mijë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike lëmoshë nga 20 deri në 60 dollarë në muaj, fuqia e të cilës, nuk përballon dot as ushqimin minimal të 2-4 ditëve. Janë 120 mijë familje të tjera, të cilat kanë braktisur zonat e tyre e janë vendosur në Tiranë, durrës e qendrat e prefekturave të mëdha nga varfëria maksimale dhe nuk trajtohen me ndihmë ekonomike, sepse “kështu është ligji”. Janë 800 mijë të papunë që vijnë vërdallë, ose bëjnë “punë të pista” për çuar në darkë një copë bukë tek fëmijët. Janë 600 mijë pensionistë, që marrin një pension mujor, i cili nuk u mjafton as për ilaçet dhe kafet e muajit. Janë afro 230 mijë të rinj që kanë braktisur vendin nga mungesa e mjeteve dhe kushteve minimale të jetesës, të cilët nuk dëshirojnë të kthehen më në Shqipëri. Qeveria e di shumë se përse mbillet drogë në Lazarat dhe në 150 “lazaratët’ e tjerë në mbarë vendin. Qeveria e di mirë, se përse çdo muaj largohen e nuk kthehen më në Shqipëri afro 200 familje. Qeveria e di mirë, se përse adoleshentët rrëbejnë varëse e çanta dhe vrasin gra në mes të bulevardit. Qeveria e di mirë se përse vetëm në Tiranë, janë të punësuar e shfytëzohen si skllevër afro 30 mijë fëmijë të moshës 10-14 vjeç. Qeveria e di mirë, se përse çdo vit, 100 nëna braktisin foshnjat e tyre. Qeveria e di mirë, se përse çdo vit, 500 familje shkojnë në dyert e gjykatave për divorc. Qeveria e di mirë, se përse çdo muaj ndodhin afro 150 krime ekonomike e fizike në të gjithë vendin. Qeveria e di mirë, se përse në Tiranë e në rrethe janë hapur e funksionojnë lirshëm qendra prostitucioni. Qeveria e di mirë, se përse dalin e grabisin maskat në rrugë. Sepse… ka varfëri ekstreme!

November 30, 2012 23:48
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*