Shqipëria, ndër 10 vendet e para në botë, për kreditë e larta me probleme

May 12, 2017 10:58

Shqipëria, ndër 10 vendet e para në botë, për kreditë e larta me probleme

 

Shqipëria renditet ndër 10 shtetet e para në botë që kanë kredi më të larta të pakthyera në afat, në raport me totalin e huasë që është dhënë në vend, nga 120 shtete për të cilat raportohet ky tregues nga Banka Botërore.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, që i përkasin vitit 2015, me 18.2% të kredive që janë problematike, Shqipëria renditet e nënta pas San Marinos, Qipros, Greqisë, Sierra Leone, Ukrainë, Serbi, Djibouti, Taxhikistan.

Edhe në fund të vitit 2016 Shqipëria vijoi të kishte të njëjtin nivel të NPL-ve në 18.2%, që arriti të ulej vetëm në muajt e fundit të vitit, si rrjedhojë e fshirjes së huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen në banka, teksa në kusht treguesi ishte rritur sërish në 21.4%. Megjithatë në mars, treguesi zbriti në 17.3%, por kjo sërish nuk e largon Shqipërinë nga dhjetëshja. Më shumë se rënia reale ka qenë fshirja e kredive me probleme (që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen), ajo që ka dhënë ndikimin më të lartë në uljen e këtij treguesi.

Ndryshe nga Shqipëria, vendet e rajonit e kanë ulur ndjeshëm treguesin e NPL-ve në 2016-n, sidomos Serbia dhe Mali i Zi, që dikur kishin hua problematike më të larta sesa Shqipëria.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Europian, Mali i Zi kishte në fund të vitit 2016 hua të pakthyera në afat sa 10.3% e totalit. Shteti fqinj, pak vite më parë e kishte këtë tregues në mbi 22%, por pas një strategjie të ndërmarrë nga banka qendrore e Malit të Zi, ku i jepej përparësi ristrukturimit të korporatave, ai është ulur me shpejtësi.

Edhe Serbia, që në 2015-n ishte në listën e 10 më të këqijave në botë, në 2016-n e ka çuar treguesin e NPL-ve në 17%, duke dalë nga dhjetëshja një vit më vonë.

Maqedonia, Kosova i kanë kreditë me probleme në nivel njëshifror (shih grafikun e rajonit), kurse Bosnja 12.3%.

Edhe raporti i fundit rajonal i Fondit Monetar Ndërkombëtar e rendit Shqipërinë të dytën në Europën Qendrore Lindore dhe Juglindore, për nivelin e lartë të NPL-ve, ku na e kalon vetëm Ukraina, që e ka këtë tregues gati 30%. Ndërsa mesatarja e Europës Qendrore, Lindore e Juglindore është rreth 5-6%.

Në Shqipëri, në total, në fillim të vitit 2017 ishin rreth 99 miliardë lekë, apo rreth 720 milionë euro, për të cilat bizneset apo individët i kanë vonuar pagesat e kësteve në banka për më shumë se tre muaj (periudha kur një hua fillon e klasifikohet si e keqe). Kjo shumë ka mbetur pothuajse e pandryshuar nga janari i një viti më parë, çka tregon se pavarësisht fshirjes, hua të tjera problematike i janë shtuar sistemin përgjatë 2016-s. Më e madhja prej tyre është Kurum, që shpalli falimentin në shkurt 2016 dhe që sipas Gjykatës, ka një kredi në bankat shqiptare prej 42 milionë euro, përfshirë dhe interesat.

Banka e Shqipërisë prej më se dy vitesh ka hartuar një plan për uljen e kredive me probleme, ku në fokus është ristrukturimi apo falimenti i 35 korporata më të mëdha, që kanë rreth 60% të kredive me probleme. Por, ky plan nuk është zbatuar plotësisht për shkak të vonesave në ligjin e ri të falimentin, që përfundimisht pritet të hyjë në fuqi në maj të këtij viti./Monitor

May 12, 2017 10:58
Komento

1 Koment

  1. A May 12, 19:56

    Ku ka pisllik dhe maskarallik kemi “shonsin” te zeme vendet e para ne rajon, ne Evrope dhe ne bote.
    Kjo tregon se jemi popull “i zgjuar dhe i shkathet”, ju lumte dhe ecni ne kete rruge se do te shkojme nga fitorja ne fitorje dhe nga zhvillimi ne zhvillim. Shqiperia do te behet se e gjithe Afrika. Ka lezet, se kete e arrijme me kete kllase politike prej 27-te vjetesh njerez te shkedhyere maskarenj nga te gjitha anet me ne krye SALI BERISHA, FATOS NANO, LULEZIM BASHA dhe EDI RAMA. Tung.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*