Shqipëria në listën “gri” të pastrimit të parave, ndikimi në ekonomi

March 7, 2020 09:52

Shqipëria në listën “gri” të pastrimit të parave, ndikimi në ekonomi

Shqipëria është rikthyer në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar (FAFT).

Për herë të fundit, vendi ynë kishte dalë nga kjo listë në vitin 2015, pas një vlerësimi të përbashkët, i cili merr në analizë një sërë elementësh që nga kuadri rregullator e deri te zbatimi i tyre. Por çfarë do të thotë hyrja në listën gri dhe të qenit si një “juridiksion në monitorim të zgjeruar”?

Kjo do të thotë që vendet të cilat përfshihen në këtë listë do të punojnë ngushtësisht me FAFT për të adresuar dobësitë e gjetura në regjimet e tyre sa i takon parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

“Kur FAFT vendos një vend nën monitorim të zgjeruar, do të thotë që ky vend ka marrë angazhimin që të zgjidhë me shpejtësi dobësitë strategjike të konstatuara brenda një afati të dakordësuar më parë.

Ajo që ndodh është që pranë FAFT, vendet e “listës gri” raportojnë në mënyrë periodike mbi masat e marra ndërkohë që merret në vlerësim zbatimi korrekt i kalendarit të dakordësuar për përmbushjen e angazhimeve.

Secili prej vendeve të përfshira në listën gri ka dobësitë e tij specifike, ndaj raportimi i secilit është i veçantë dhe orientimi i politikave bëhet qartësisht mbi pikat e dakordësuara më parë me FAFT. Por cilat janë dobësitë që gjeti FAFT te Shqipëria dhe që kanë nevojë për masa të shpejta?

Shqipëria do të punojë për të zbatuar planin e veprimit: duke zhvilluar analiza shtesë në thellësi për të kuptuar pastrimin e parave dhe risqet në mënyrë të mjaftueshme dhe do të zgjerojë koordinimin institucional dhe bashkëpunimin.

Së dyti, përmirësimi i dorëzimit në kohë të kërkesave për asistencë ligjore të ndërsjellët. Së treti, ngritja e një mekanizmi efektiv për të zbuluar dhe parandaluar infiltrimin kriminal në ekonomi, përfshirë këtu duke forcuar autoritetet kompetente për të marrë masat e nevojshme.

Së katërti, sigurimi i informacionit në kohë reale sa i takon pronësisë.

Së pesti, rritja e numrit dhe përmirësimi i sofistikimit të ndjekjeve penale dhe konfiskimeve për pastrimet e parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë kallëzime të bëra nga jashtë apo pastrim parash nga palë të treta.

Së gjashti, përmirësimi i zbatimit të sanksioneve financiare të targetuara veçanërisht përmes veprimeve mbikëqyrëse të zgjeruara dhe të targetuara si dhe shpërndarjes proaktive”, thuhet në shpjegimin e FAFT se pse Shqipëria u fut në listën gri.

Pasojat e futjes në listën gri të FAFT te bankat dhe tregtia

Futja në listën gri të Task Forcës për Veprim Financiar, jo rastësisht shihet me shqetësim sa herë që ndodh për një vend. Ndikimet, edhe pse nuk janë të drejtpërdrejta për qytetarët e thjeshtë, në një efekt zinxhir transmetohen në hallka të ndryshme. “The Economist”, në një artikull për vendet në listën gri, citon mes të tjerave edhe implikimet që ka një situatë e tillë.

“Të qenit në listën gri nuk imponon sanksione ekonomike, por shërben si një sinjal për sistemin bankar dhe financiar global lidhur me risqet e rritura në transaksionet e vendeve në fjalë. Industria bankare dhe ajo e jashtme me shumë gjasa preken në mënyrë më direkte. Bankat korrespondente globale apo institucionet e tjera financiare ndërmjetëse të përfshira në transaksione kërkojnë kujdes të shtuar.

Kjo në një farë mënyre shërben pozitivisht për dokumentimin dhe transparencën duke përmirësuar praktikat kundër pastrimit të parave në përgjithësi.

Por bankat do të duhet të forcojnë procedurat e tyre të pajtueshmërisë në mënyrë që të mbajnë të pa cenuar aksesin e tyre në sistemin global SWIFT, rrjeti ndërkombëtar i komunikimit të bankave dhe institucioneve të tjera financiare. Kjo do të prekte qarkullimin ndërkufitar të kapitalit, veçanërisht sektorin e tregtisë.

Kërkesat në dokumente për pagesa në eksport dhe import të tilla si letrat e kreditit mund të jenë më të vështira për t’u përmbushur duke rritur në mënyrë potenciale kostot dhe duke cenuar biznesin për kompanitë e përfshira në tregti”, raporton “The Economist” duke sjellë si shembull rastin e Pakistanit.

Po kështu, një tjetër ndikim që lakohet është ajo në mundësitë e financimit të jashtëm që mund të jenë të kufizuara. Vendosja në listën gri në vetvete mund të ketë efekte të limituara, por bashkë me një situatë të rënduar të bilancit të pagesave mund të paraqesë sfida për qeverinë.

“The Economist” nënvizon se të qenit në listën gri mund të bëjë që negociatat potenciale me donatorët apo kushtet e huadhënies të përfshijnë më shumë kërkesa dhe veprime rregullatore për çështjet e pastrimit të parave apo luftës kundër terrorizimit, ku kërkohet më shumë informacion.

o.j/dita

March 7, 2020 09:52
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim