Shqipëria në NATO: “Next time”

Fatos Tarifa July 24, 2013 08:17

Shqipëria në NATO: “Next time”

(Vijon nga dje)

Kujtimet e ambasadorit

2002, PRANIMI NË NATO ― “A REASONABLE CHANCE”

White House, 7 nëntor 2002. Për darkë, njerëzit e Protokollit më kishin caktuar të ulesha në të njëjtën tavolinë me z. Daniel Fried dhe ambasadoren e Bullgarisë, Elena Borislavova Poptodorova. Fried ishte në atë kohë Ndihmës i Posaçëm i Presidentit Bush dhe Drejtor për Europën dhe Euro-Azinë në Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Ai kishte qenë më parë, në administratën e Presidentit Bill Clinton, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Poloni, arësye kjo për të cilën ne, ambasadorët e akredituar në Uashington, e konsideronim atë një koleg tonin dhe i drejtoheshim me fjalët “Ambassador Fried”, ose thjesht Dan (për Daniel), në mënyrë konfidenciale. Kur në administratën e dytë të Presidentit Bush, në pranverë të vitit 2005, Kondoleezza Rice u bë Sekretare e Shtetit, ajo e mori ambasadorin Fried në Departamentin e Shtetit si Ndihmësin e saj për Europën dhe Euro-Azinë.

Në pjesën më të madhe të kohës, biseda me ambasadorin Fried dhe ambasadoren Poptodorova pati për temë Samitin e NATOs, i cili do të mbahej në Pragë dy javë më vonë. Dan Fried do ta shoqëronte Presidentin Bush në Pragë. Ai ishte zyrtari kryesor në Këshillin e Sigurimit Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë që ishte marrë me axhendën e atij Samiti dhe të vizitës së Presidentit Bush në Europë atë muaj.

Ndërsa Bullgaria ishte siguruar se do të merrte ftesë në Pragë, temë të cilën kolegia ime shumë e respektuar, Elena Poptodorova, e kishte refren të bisedës së saj atë mbrëmje, unë, Ivan Grdesic i Kroacisë dhe Nikola Dimitrov i Maqedonisë, me kërkesën tonë të përbashkët, ishim takuar një javë më parë, më 1 nëntor, me Ambasadorin Fried në zyrën e tij për t’i komunikuar atij dy kërkesa tonat.

E para kishte të bënte me gjuhën që do të përdorej në fjalën e Presidentit Bush dhe në deklaratën përfundimtare të Samitit të Pragës për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Ne i kërkuam ambasadorit Fried që Komunikata përfundimtare që do të miratonte Samiti i Pragës të përmbante, për secilin nga vendet tona, një paragraf të veçantë, i cili të vinte në dukje progresin e bërë në kuadër të integrimit në NATO si edhe të rikonfirmonte politikën e dyerve të hapura të kësaj Aleance, duke u dhënë një shans real tre vendeve tona për të marrë ftesën në samitin e parë pas Pragës.

Kërkesa e dytë lidhej me mundësinë e një takimi, gjatë Samitit të Pragës, midis Presidentit Bush dhe presidentëve Alfred Moisiu, Stipe Mesic dhe Boris Trajkovski. Një takim i tillë, argumentuam ne, do të ishte një mesazh shumë pozitiv dhe një inkurajim i mëtejshëm për demokracitë tona të reja.

Të njëjtat kërkesa, unë dhe kolegët e mi Grdesic dhe Dimitrov, ia kishim bërë të njohura po atë ditë, zyrtarisht, edhe Zëvendës Sekretarit të Shtetit Richard Armitage, për çka shkruaj më poshtë.

Atë mbrëmje, gjatë darkës, Dan Fried më tha se iniciativa që kishim ndërmarrë unë dhe kolegët e mi ambasadorë të Kroacisë dhe Maqedonisë ishte në kohën e duhur dhe mbartte mesazhin e duhur. Kërkesat tona të një jave më parë ishin marë shumë seriozisht në Shtëpinë e Bardhë dhe, sipas tij, një takim midis Presidetit Bush dhe presidentëve të tre vendeve tona në Pragë kishte një “reasonable chanse”, u shpreh ai, të realizohej.

Elena Poptodorova, e cila kishte më pak se një vit që kishte mbërritur në Uashington, ishte bërë shumë shpejt ndër më aktivet në radhët e ambasadorëve të vendeve të grupit Vilnius 10. Nëse Bullgaria arriti ta bindë Administratën amerikane dhe Senatin e Shteteve të Bashkuara që të merrte ftesën e anëtarësimit në NATO në Samitin e Pragës, kjo, në një masë të madhe, i detyrohet përpjekjeve energjike dhe talentit diplomatik të ambasadores së vet në Uashington, Elena Poptodorova.

Atë mbrëmje, ndërsa ajo, Dan Fried dhe unë bisedonim mbi Pragën dhe perspektivat që çelte zgjerimi i NATO-s me shtatë demokraci të reja për forcimin e paqes e të sigurisë në Europë dhe më gjerë, Elena do të ishte një përkrahëse elokuente e kandidaturave të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.

“Dan”, i tha ajo në një moment ambasadorit Fried, “dhjetë vendet tona kanë punuar së bashku për këtë ditë. Në Uashington, ne kemi qenë gjithnjë dhjetë ambasadorë, jo shtatë. Ne i kemi dhënë fjalën njëri-tjetrit, siç janë zotuar edhe qeveritë e vendeve tona në Vilnius, dy vjet më parë, se çështja jonë nuk do të konsiderohet plotësisht e fituar derisa edhe Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia të anëtarësohen në NATO”.

Trupvogël dhe i imët siç është, Dan Fried dëgjonte me vëmendje.

“Mua më pëlqen ky solidaritet”, tha ai. “Unë e kam vënë re atë në çdo rast këtu në Uashington. Madje, më kanë bërë përshtypje fjalët e Ambasadorit Tarifa në Kongres, në maj të këtij viti, kur ka thënë se ‘Në qoftë se ne nuk marim ftesë në Pragë, vëllezërit tanë të grupit Vilnius duhet ta marin atë. Ata, gjithashtu, do të jenë aleatë shumë të mirë. Për ne, suksesi i çdo demokracie është sukses dhe frymëzim për të gjitha demokracitë’. Gjithnjë i kujtoj këto fjalë”, tha Dan Fried duke më rënë lehtë miqësisht në parakrahun e djathtë.

BUSH: SHQIPËRIA NË NATO, “NEXT TIME”

Presidenti Bush mbajti atë mbrëmje një fjalë të shkurtër. Pas darke, duke përfituar nga fakti që ai, si zakonisht në të tilla raste, kërkoi të bëjë foto me çdonjërin nga ambasadorët e pranishëm, unë kisha një motiv të veçantë të qëndroja më gjatë me të për t’i shprehur këto fjalë, të cilat i kisha menduar mirë:

“Urime për zgjedhjet, Z. President!”.

“Thank you, Mr. Ambassador!”.

“Shqipëria është një vend i vogël, por një mik i vërtetë i Amerikës, i popullit amerikan dhe i Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ju mund të mbështeteni tek qeveria dhe populli shqiptar. Në Shqipëri, ju keni pothuajse 100 për qind mbështetje për NATO-n, 100 për qind mbështetje për Shtetet e Bashkuara”.

“Ju falem nderit”, tha përsëri Presidenti Bush. “Ju jeni miqtë tanë të mirë dhe Amerika është aleati tuaj”.

“We know that, Mr. President”, vazhdova unë. “Qeveria shqiptare është informuar se Shqipëria nuk do të ftohet në Pragë, pas dy javësh, për t’u anëtarësuar në NATO. Edhe pse dëshira jonë është që, ne, së bashku me Kroacinë dhe Maqedoninë, të merrnim ftesë në këtë samit, fakti që nuk do ta marrim atë nuk na deziluzionon, nuk na dekurajon dhe nuk do na demoralizojë. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona …”

Pa më lënë ta mbaroja fjalën, me një gjest shumë miqësor, Presidenti Bush më qëlloi me grusht në supin e djathtë duke më thënë:

“Next time, Mr. Ambassador! You’ll get there!” (Herën tjetër, z. ambassador. Ju do ia arrini qëllimit).

Nga të gjitha fotografitë që ruaj kujtim nga takimet me Presidentin George W. Bush, fotoja e asaj mbrëmjeje, e cila u fiksua nga kamerat dixhitale të fotografëve zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, është e vetmja që nuk më ra asnjëherë në dorë. Protokolli i Departamentit të Shtetit ishte gjithnjë i vëmendshëm që fotot me Presidentin Bush, ose ato me Sekretarin e Shtetit Powell, t’u dërgoheshin sa më parë, në shenjë kortezie, ambasadorëve të akredituar në Uashington. Një foto e atij takimi, me goditjen miqësore në sup nga ana e Presidentit Bush, sidoqoftë, nuk mbërriti asnjëherë në adresën time.

 

TË GJITHË PËR TË GJITHË

Shqipëria nuk mori ftesë për t’u anëtarësuar në NATO në samitin e kësaj organizate, i cili u mbajt në Pragë, më 21 dhe 22 nëntor 2002. Në fillim të vitit 2002, sidoqoftë, në Uashington besohej se vetëm tre vendet balltike (Estonia, Letonia dhe Lituania) e kishin të sigurt marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në samitin e Pragës. Në 16 janar 1998, presidentët e këtyre tre vendeve kishin nënshkruar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara William J. Clinton, Kartën e Partneritetit midis SHBA-së dhe vendeve balltike (“A Charter of Partnership among the United States of America and the Republic of Estonia, Republic of Latvia, and Republic of Lithuania”). Veprimtaritë e përbashkëta, bashkëpunimi i këtyre vendeve me Shtetet e Bashkuara dhe arritjet e tyre në fushën e reformave politike dhe ushtarake, në kuadër të kësaj Karte, kishin bërë që këto tre vende të gëzonin një emër të mirë në Uashington, sidomos në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. Këto trI ish-republika sovjetike jo vetëm kishin mundur të siguronin një mbështetje të gjerë në rradhët e njerëzve më me influencë në Kongresin amerikan, por edhe kishin dërguar në Uashington ambasadorë, të cilët, mision kryesor të tyre, siç m’u shpreh një herë kolegu im nga Letonia, Ambasadori Aivis Ronis, kishin që të lobonin në Administratën dhe në Kongresin amerikan për të siguruar anëtarësimin e vendeve të tyre të NATO.

Për të venë në lëvizje mendjet në Capitol Hill dhe për të siguruar mbështetjen e njerëzve më me influencë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin e Shteteve të Bashkuara, të dhjetë ambasadorët e vendeve të Grupit Vilnius kishim muaj që takoheshim me shumë prej tyre. Ne kishim kuptuar se, të organizuar së bashku, si ambasadorë të dhjetë demokracive të reja, ne bënim përshtypje shumë pozitive kudo në Uashington. Më 17 prill 2002, të dhjetë ne, ambasadorët e këtij grupi bendesh, kërkuam takim me Senatoren republikane nga shteti Texas, Kay Bailey Hutchinson, dhe u pritëm prej saj po atë ditë, në zyrën e saj në 284 Russell Senate Office Building. Hutchinson ishte, në atë kohë, një ndër anëtarët republikanë të Senatit që e kundershtonte zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s. Ajo, ndër të tjera, pritej te ishte anëtare e delegacionit të Senatit amerikan ne Asamblenë Parlamentare të Aleancës, e cila do të mblidhej pak kohë më vonë në Sofje.

Qëllimi i atij takimi ishte ta informonim Senatoren Hutchinson mbi përpjekjet e vendeve tona për antarësim në NATO, në mënyrë që të siguronim mbështetjen e saj dhe të disa senatorëve të tjere me influencë në votimin e ardhshëm që pritej të bëhet në Senat për zgjerimin e Aleancës së Atlantikut Verior. Në atë takim, ne shprehën vullnetin dhe aspiratën e të gjitha vendeve të grupit Vilnius për anëtarësimin në NATO. Theksin e vumë në përpjekjet e vendeve tona për arritjen e standardeve të parashikuara në Samitin e Uashingtonit, në prill të vitit 1999 dhe, sidomos, në përgatitjet e qeverive të vendeve tona në kuadër të Samitit të Pragës. Theksuam, ndër të tjera, jo thjesht dëshirën e vendeve tona për të qenë pjesë e arkitekturës së sigurisë kolektive që garanton NATO, por, veçanërisht, vullnetin e qeverive tona për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në Europë, sidomos në kuadër të rolit të ri që dukej se kishte marrë përsipër Aleanca e Atlantikut Verior pas ngjarjeve të 11 shtatorit të një viti më parë.

Senatorja Hutchinson na shprehu besimin e saj mbi kontributin real që mund të jepnin dhjetë vendet tona për forcimin e Aleancës, sidomos në kontekstet e reja të krijuara pas 11 shtatorit, kur Aleanca mund të kishte jo vetëm një mision mbrojtës, por edhe sulmues e paqeruajtës. Hutchinson vërejti se para zgjerimit të parë të NATO-s me tre vende ish-komuniste (Poloninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke) ideja ishte që të vendoseshin rregulla dhe kritere strikte për anëtarësimin, në të ardhmen, të anëtarëve të rinj në këtë organizatë. Përveç kritereve politike, të tilla si konsolidimi i demokracisë dhe forcimi i shtetit ligjor, duhej të mbaheshin parasysh, rast për rast, edhe kriteret ekonomike dhe ato ushtarake. Vetëm mbi këtë bazë, sipas saj, do të vendosej nëse NATO duhej të zgjerohej më tej dhe, nëse po, me cilat vende. Në fund të bisedës me ne, Hutchinson u shpreh se ajo vetë do të mbështeste në Senat çdo vendim që do të merrnin vendet anëtare të NATO-s për zgjerimin e saj, e bindur se zgjerimi i shërben jo vetëm forcimit të Aleancës, por edhe eliminimit të  “xhepave te terrorizmit” në ndonjë nga vendet aspirante.

 

MAJ-QERSHOR, 2002

Në maj të vitit 2002 u duk se listës së vendeve që eventualisht mund të merrnin ftesë për anëtarësimin në NATO në Samitin e Pragës iu shtuan edhe dy vende të tjera: Sllovenia dhe Sllovakia. Në qershor 2002, Rumania dhe Bullgaria, ashtu si edhe tre vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia) dukej se kishin fare pak gjasa ta merrnin këtë ftesë. Situata duket se ndryshoi gjatë verës, më saktë, pas Samitit të vendeve të grupit Vilnius-10 që u mbajt në Riga të Letonisë, nga 4 deri më 6 korrik 2002.

Dy javë përpara se të mbahej Samiti i Rigës, më 24 qershor 2002, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes kërkuan një takim me mua dhe atasheun ushtarak të ambasadës sonë në Uashington, Kolonelin Dhimitër Binaj. Në atë takim, për të cilin unë kisha informuar më parë Kryeministrin Majko, kërkohej nga ne që të informonim administratën amerikane mbi përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësimin e saj eventual në NATO. Pala amerikane përfaqësohej në takim nga Robert Bradtke (në atë kohë Zëvendësi kryesor i Ndihmësit të Sekretarit Shtetit për çështjet politiko-ushtarake dhe përgjegjës për çështjet e NATO-s), Janet Bogue (zëvendëse e Ndihmëses së Sekretarit të Shtetit për çështjet europiane) dhe Ian Brzezinski (djali i diplomatit të njohur Zbigniew Brzezinski, në atë kohë Zëvendës Ndihmës i Sekretarit te Mbrojtjes). Ai takim konsiderohej të ishte një hap më tej pas vizitës, pak kohë më parë, në Tiranë, të ambasadorit Nicholas Burns, në atë kohë Përfaqësues i Përhershëm i Shteteve të Bashkuara në Këshillin e NATO–s dhe kishte, pothuajse, të njëjtën agjendë bisedimesh.

Unë i kisha raportuar Kryeministrit Majko se, pavarësisht kërkesave të mia të përsëritura për informacion të hollësishëm si nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila në atë kohë drejtohej nga Arta Dade, ashtu edhe nga Ministria e Mbrojtjes, në krye të së cilës ishte venë, vetëm për pak muaj, Luan Rama, nuk kisha marrë prej tyre asnjë informacion mbi të cilin të përgatitesha për atë takim të rëndësishëm. Në memon me të cilën i drejtohesha Kryeministrit Majko me këtë rast, i shkruaja, ndër të tjera, se: “Për të prezantuar sa më denjësisht dhe në mënyrë të informuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për integrimin eventual të saj në NATO, ju luteshim të na informoni në mënyrë të hollësishme mbi këtë çështje dhe të na sugjeroni se çfarë do të dëshironte z. Kryeministër që Ambasadori të trajtojë në mënyrë të veçantë në këtë takim”. As nga zyra e Kryeministrit nuk mora ndonjë këshillë ose koment. Sidoqoftë, falë angazhimit tim thuajse të përditshëm në takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe në aktivitete me ambasadorët e tjerë të vendeve aspirante për anëtarësim në NATO, si edhe në saje të asistencës që gjeja tek atasheu ushtarak, Kolonel Binaj, mundëm që edhe në atë takim të linim një përshtypje pozitive mbi përgatitjet e qeverisë shqiptare për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut Verior.

 

 

SAMITI I RIGËS, KORRIK 2002

 

Në Samitin e Rigës, në të cilin morën pjesë kryeministrat dhe ministrat e jashtëm të të dhjetë vendeve të grupit Vilnius, mori pjesë edhe një delegacion i Senatit të Shteteve të Bashkuara, i kryesur nga Senatori Trent Lott, nga shteti Mississippi, në atë kohë kryetari i republikanëve në Senat. Duke qenë se ambasadorët e vendeve të tjera të grupit Vilnius kishin rënë dakord (dhe kishin marrë pëlqimin e qeverive të tyre) për të marrë pjesë në atë samit, në përbërje të delegacioneve të vendeve të tyre, i propozova kryeministrit Pandeli Majko që edhe unë, në cilësinë e ambasadorit shqiptar në Uashington, ashtu si nëntë kolegët e mi në kryeqyetin  amerikan, të bëja pjesë në delegacionin zyrtar të qeverisë shqiptare, të cilin do e kryesonte ai vetë. Pandeli Majko, gjithnjë i hapur ndaj sugjerimeve të mia, ra dakord.

Në samitin e Rigës, Senatori Lott theksoi se Senati i Shteteve të Bashkuara do të votonte për anëtarësimin e vendeve të reja në NATO në atë mënyrë që do të garantonte mbrojtjen e vlerave mbi të cilat është krijuar kjo aleancë dhe për të cilat ajo ekziston. Duke venë në dukje se, pas Luftës së Ftohtë, NATO ka ndryshuar prioritetet e saj, Senatori Lott theksoi se sulmet e 11 shtatorit e bënin tani të nevojshme që Uashingtoni të kishte “nevojë për aleatë të mëdhenj dhe të vegjël në luftën kundër terrorizmit”.

Në një video-mesazh të Presidentit George W. Bush drejtuar dhjetë vendeve aspirante për anëtarësim në NATO të përfaqësuara në Samitin e Rigës, ai ofronte vendeve tona shpresë për një zgjerim masiv të Aleancës në Samitin e saj në Pragë, në nëntor të atij viti. “Në Samitin e Pragës, më vonë këtë vit”, thuhej në atë mesazh, “ne mund të ndërmarrim një hap të madh duke e zgjeruar NATO-n që të përfshijë të gjitha demokracitë e Europës, të cilat janë gati të ndajnë përgjegjësitë e NATO-s”. Mesazhi i Presidentit Bush vijonte: “Ne kërkojmë një Europë të re, e cila t’i ketë varrosur tensionet e saj historike dhe që është e përgaditur të përballet me sfidat globale përtej kufijve të Europës”. Sipas fjalëve të Presidentit Bush, vendet aspirante për anëtarësim në NATO kishin bërë vërtet progres në reformat kryesore që kushtëzojnë anëtarësimin në NATO qysh nga mbledhja e tyre e parë në Vilnius, më shumë se dy vjet më parë nga ai takim në Riga. Po në atë takim, përmes video-mesazhit të tij për vendet aspirante, Kryeministri britanik Tony Blair u shpreh se e mbështeste zgjerimin e NATO-s “mbi një bazë sa më të gjerë që të ishte e mundur”.

Në Riga, veç të tjerash, organizova një takim të Kryeministrit Majko me Dr. Zbigniew Brzezinski-n, ish-Këshilltari për Çështjet e Sigurimit Kombëtar i Presidentit Jimmy Carter, me të cilin isha njohur personalisht në Uashington.

 

 

 

 

 

 

 

Fatos Tarifa July 24, 2013 08:17
Komento

6 Komente

  1. arben July 24, 09:58

    SA BURRE I ZOTI JE O TARIFA

    Reply to this comment
  2. male osdrimi July 24, 11:31

    Zoti Tarifa, duhet ta dije se amerikanet kishin nje informacion te plote per origjinen dhe kontributin familjar dhe te tijin personalisht per luften parimore dhe te principte te m-l kunder imperializmit amerikan. por si gjithmone njeriu kenaqet me majmunet e cirkut dhe cudirat qe ato shfaqin ne skene. lum ti o fatos lulja per mencurine qe ke percjelle amerikaneve. ju fole gje per pikpamjet tuaja kunder vetadministrimit ? po per luften e klasave si motorri levizes i shoqerise perpara ( perposhte me sakte ) ? mjaft me keto brockulla, se nuk te dergon njeri me ambasador.

    Reply to this comment
  3. nerro24 July 24, 12:33

    boll me shkrimet e ktij t..apit se na merzitet. ky po krahesohet me I.Qemalin!!! ka 8 vjet nuk ja kisha degjuar zerin, na mbiu kudo ky fytyra kta 2-3 jave, apo e ka mare malli te beje prape ambasadorin

    Reply to this comment
  4. Kuqale Zioshe July 24, 16:07

    Po te mos kishte qene fatos sevo tarifa ambasador ne Vashington, Shqiperia nuk do qe futur ne NATO … duhet derguar ne Bruksel tani, qe te na antarsoje ne BE.

    Bir selman i nenes, ke te lexoj me pare: kujtimet e sevos per enverin, apo ato te fatosit per nato-n?

    Reply to this comment
  5. shqipfolësi July 24, 20:53

    Estradë …pa lek…Epo si profesor në Universitetin e çilit alla -europian, e ka për detyrë të mburret nga pak. Do japë dhe ca leksione on-line!

    Reply to this comment
  6. hosteni July 24, 23:01

    ZBIGNIEW BRZEZINSKI “CONSPIRACY THEORIST”…………………….!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*