Shqipëria, një brengë botërore

May 24, 2015 11:00 Updated

Shqipëria, një brengë botërore

Libri “Nga Alpet në Egje”, botuar në vitin 1920 nga gazetari dhe shkrimtari i  njohur amerikan, Edwar Alexander Powell na sjell një panoramë të viseve dhe gjendjes shoqërore e politike të atyre viteve në Itali, Dalmaci, Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni, Turqi, Rumani, Hungari dhe Serbi. Ajo është dëshmia e një gazetari e shkrimtari të mirënjohur amerikan, i cili fitoi famë për udhëtime e tij thuajse në të gjithë globin dhe për stilin e veçantë e të vërtetë të përshkrimit të jetës në rajone të ndryshme.  Ja disa pjesë të librit:

Tmerri i Vlorës, mushkonjat dhe malarja

…Nga Tivari deri në Vlorë, me anë të detit, është afërsisht aq larg sa prej New York-ut deri në Albany, duke kaluar nga Hudson, kështu që duke lënë portin malazez në mëngjes herët, ne nuk patëm vështirësi të arrinim atë shqiptar para perëndimit të diellit. Para luftës Vlora, e cila, meqë ra llafi, shënohet si Avlona në pjesën më të madhe të hartave amerikane, ishte një fshat i parëndësishëm peshkimi, por pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia ajo u bë një bazë e rëndësishme ushtarake. Kurdo që ta preknim në udhëtimin tonë bregun e saj ne ishim paralajmëruar për vizitën tonë në Vlorë, për shkak të rrezikut ndaj etheve. Qyteti qëndron në buzë të një kënete që kufizohet me bregun dhe duke qenë se nuk është bërë asnjë përpjekje për të tharë moçalin ose për të pastruar qytetin, rreth 60% e trupave të vendosura atje vuajnë në mënyrë konstante nga një formë virale e malaries, e ngjashme me ethet Çarxhes të Istmuth-it. Rreziku i infektimit konsiderohej haptas shumë real, prandaj para se ne të bënim një orë në banesat e caktuara për ne, oficerët filluan që të vijnë me mjete ruajtëse të një lloji ose një tjetri. Njëri solli rrjeta për gjithë dritaret; një tjetër siguroi mbulesa kundër mushkonjave për krevatet; një i tretë na solli disa dezinfektues në formë kubash, të cilët duhet t’i digjnim brenda secilës ditë për disa herë rresht në dhomën tonë; një i katërt na bëri dhuratë pilula kinine, dy prej të cilave duhet t’i merrnim çdo orë; ndërsa një tjetër prej bujtësve tanë u shfaq me një duzinë shishesh me ujë mineral dhe na paralajmëroi që të mos pinim nga uji i vendit dhe më në fund, për të na siguruar përkundrejt ndonjë ngacmimi prej ndonjë vagabondi vendas, dy roje u vendosën pranë dritareve tona…  Matanë rrugës, ku ndodhej ndërtesa në të cilën ishim strehuar, ishte një xhami e madhe, e cila, duke gjykuar nga skela e ndërtimit rreth saj, ishte nën riparim. Por edhe pse dukej si një xhami e madhe dhe e rëndësishme, rreth saj nuk punohej. Komentova rreth kësaj gjëje një ditë tek bisedoja me një oficer me të cilin po bëja një copë udhë. “A i shihni ata lejlekët atje lart?”, më pyeti ai, duke më treguar dy shpendë këmbëgjatë që qëndronin pranë folesë së tyre në kubenë e xhamisë. “Lejleku është shpendi i shenjtë i Shqipërisë dhe nëse ai ndërton një fole në një ndërtesë e cila po ndërtohet, e gjithë puna ndërpritet për aq kohë sa lejlekët qëndrojnë aty. Puna për një barakë të cilën ne po e ndërtonim, zgjati me muaj, pasi një lejlek vendosi që të ndërtonte çerdhen e tij mbi të, dhe pasi e panë këtë gjë, punëtorët vendas hodhën mjetet e punës dhe u larguan”. “Në vendin tim është komplet e kundërta”, vura në dukje unë. “Atje, kur lejlekët vijnë, në vend që të lënë punën, fillojnë të ndërtojnë një dhomë fëmijësh

 

Fatkeqësi! Ky vend i lashtë, pak njohje e vlerësim nga bota e qytetëruar

10Ky udhëtim, përmes një prej territoreve më të egra e më të panjohura në gjithë Europën, ishte rregulluar aq thjesht, sa mund ta rregullonte, për hir të së vërtetës, një nëpunës në një agjenci turistike një udhëtim me motor përmes Malit të Bardhë. Me përjashtimin e vetëm të një apo dy devijimeve në itinerar, të detyrueshme për shkak problemeve me gomat, udhëtimi u krye pikërisht ashtu si gjeneral Piacentini e planifikoi dhe aq tërësore ishin rregullimet saqë ushqimet dhe vendet ku do të flinim ishin përgatitur edhe në male e katunde të cilët s’i kishim dëgjuar kurrë. Deri në pushtimin e saj nga italianët në 1917, Shqipëria nuk ishte vetëm vendi më i pak i njohur në Europë, por ajo ishte një nga vendet më pak të njohura në botë. Në vështrimin e Italisë ajo ishte më pak e njohur se shumë zona të Azisë Qendrore apo Afrikës Ekuatoriale. Dhe ajo vazhdon të jetë edhe sot një vend i ashpër, një tokë që ka ndryshuar pak që nga ditët e Konstandinit dhe të Dioklicianit, një tokë që për më shumë se 20 shekuj nuk ka njohur padron dhe deri në ardhjen e italianëve nuk kishte njohur ligj. Para pushtimit italian nuk ka pasur një qeveri në Shqipëri, në sensin që bota e sotme e përdor këtë, dhe nuk ka as tani një qeveri civile, por ka organizime fisnore të cilat mund të krahasohen me ato që ekzistojnë në Skoci nën Mbretin Stjuart. Termi “albanian” do t’u duket i panjohur shumicës së banorëve, të cilët e quajnë veten e tyre “shqiptarë” dhe vendin e tyre Shqypni. Ata janë – siç bien dakord shumica e etnologëve – me sa duket, raca më e lashtë në Europë. Ka çdo arsye të mundshme për të besuar se ata janë pasardhës të drejtpërdrejtë të atyre Arjanëve aventurierë, që lanë shtëpitë stërgjyshore në brigjet e Kaspikut, kapërcyen Kaukazet dhe hynë në Europë në agimin më të hershëm të historisë. Një nga fiset e kësaj morie migruese përhumbi në këto lugina të vetmuara, duke u vendosur atje të grumbulluar bashkë, duke jetuar të njëjtën jetë si më parë, duke folur të njëjtën gjuhë, duke ndjekur të njëjtat tradita si paraardhësit e tyre Arianë, totalisht indiferentë ndaj ndryshimeve të mëdha që kryheshin në botën përtej mureve të tyre malore. Një gjë është e sigurt, se Shqipëria ishte prej kohësh një komb i lashtë, kur historia greke filloi. Në ndryshim me popullsitë e tjera primitive të Gadishullit Ballkanit, të cilat me kalimin e kohës u helenizuan, latinizuan ose sllavizuan, shqiptarët kanë ngelur pothuajse të paprekur nga influencat e huaja. Më bën përshtypje si një gjë e çuditshme, që trimëria dhe vendosmëria me të cilën kjo racë e shquar e ka mbajtur veten në malet e saja si fortesë ndër kohëra, si dhe përballimi i ashpër dhe i palëkundur të cilin e ka treguar kundër pushtuesve të panumërt, të ketë ndjellë kaq pak vlerësim dhe admirim në botën e jashtme. Historia nuk ka këngë epike të tilla si ato të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, më mirë i njohur si Skënderbeu, i cili me ushtrinë e malësorëve të tij të keqarmatosur dërrmoi njëzet e tre ushtri otomane, njëra pas tjetrës. Malet e saj besohet se përmbajnë hekur, qymyrguri, ar, plumb dhe bakër, por gjendja e brendshme e vendit e ka bërë të pamundur hetimin e burimeve minerare të saja, e aq më pak zhvillimin e tyre. Me përjashtim të Vlorës, e cila është zhvilluar në brendësi të një gjiri deri diku të mirë, nuk ka porte të tjerë më të mirë se Durrësi, Saranda dhe Shën Gjini, që janë në radë dhe janë pothuajse të pambrojtur nga erërat detare. Nuk ka hekurudha në Shqipëri dhe indiferenca e qeverisë turke, korrupsioni i udhëheqësve lokalë dhe gjakmarrja me të cilën njerëzit janë vazhdimisht të zënë, kanë sjellë si përfundim mungesën totale të rrugëve të mira. Kjo gjendje është riparuar nga italianët gjithsesi, të cilët me qëllim që të lehtësojnë operacionet e tyre ushtarake, kanë ndërtuar një sistem rrugësh shumë të përngjashëm me ato që ata kanë ndërtuar në Alpe. Ndonëse pjesa më e madhe e vendit nuk e njeh plugun, pjesët e pakta të cilat janë nën kultivim prodhojnë vaj ulliri të shkëlqyer, verë të një cilësie të pranueshme, një duhan të fortë por të mirë dhe sasi të konsiderueshme gruri; Shqipëria, pavarësisht nga metodat e saja primitive të agrikulturës, plotëson nevojat më të mëdha për drithëra të brigjeve dalmate.  Njerëz të çuditshëm shqiptarët.

 

Powell, realist në përshkrimet e tij për Shqipërinë

Edhe pse të shkruara më shumë se gjysmë shekulli më parë, librat e tij mbeten jashtëzakonisht të lexueshëm dhe tërheqës. Ai shkruan në mënyrë të qartë dhe të saktë, pa lajka ose shtirje, por përshkrimet e tij mbi vendet dhe gjendjen shpirtërore janë shumë të arrira, sidomos kur shkrimet e tij karakterizohen nga një formë e butë humori amerikan. Dhe me sa duket, falë gjithë mënyrës së tij të sjelljes së veçantë amerikane, ai lëvizi në qarqet më të larta diplomatike e të biznesit në kohën e tij, dhe njohu disa nga politikanët e ushtarakët më të famshëm dhe më famëkeq të shekullit XX.

 

Shqiptarët, racë malësorësh me shpirt të bardhë

Pikturoni, nëse mundni, një vend të mrekullueshëm e të ngjashëm në karakteristikat fizike me Rajonin Ridge të Jugut të SHBA-së, me të njëjtat stinë vere të nxehta, dimra të ftohtë, të populluar nga e njëjta varfëri, njerëz analfabetë, gërnjarë, dyshues, me armë në brez, racë malësorësh praktikues të feudalizmit dhe ju do të keni paralelen vendore më të mirë. Ndonëse gjatë muajve tejet të nxehtë të verës ditët ndiqen nga net me një të ftohtë të hidhur dhe ethet janë mbizotëruese kudo përgjatë bregdetit si dhe në disa lugina, Shqipëria është, duke nënkuptuar klimën, “një vend njerëzish të bardhë”.

 

Venizellos i “hedh syhirrën” Konferencës së Paqes

Në pranverë të vitit 1919 Konferenca e Paqes e hipnotizuar me sa duket nga M. Venizelos, i cili është një nga diplomatët më të zotë të kohës bëri gabim që lejoi forcat greke të pashoqëruara nga trupa të tjera për të zbarkuar ne Smirna. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Shqipërinë. Unë nuk kam asnjë sherr me grekët dhe asgjë nuk është më larg dëshirës sime sesa të merrem me atë që njihet si mbledhje-plehu, por unë jam duke raportuar atë që kam parë dhe që kam dëgjuar në Shqipëri, sepse unë besoj se populli amerikan duhet të vihet në dijeni të kësaj. Duke bërë lidhje edhe me sjelljen e trupave greke në Smirna në pranverën e vitit 1918 kjo duhet të na mundësojë më shumë për formimin e një opinioni amerikan mbi këta popuj.

 

Shqipëria, megjithëse në fazën pioniere, besim te SHBA

Për hir të së vërtetës shqiptarët edhe pse mjaft të papërgatitur për pavarësinë e tyre, iu kundërvunë me dhunë vendosjes nën mbrojtjen e ndonjë kombi tjetër përveçse nëse ky komb do të ishin Shtetet e Bashkuara apo Anglia, ku te të dy këta kombe ata kishin besim të patundur. Unë u habita kur mësova se disa amerikanë që kanë depërtuar në Shqipëri që nga lufta si misionarë punonjës të Kryqit të Kuq dhe një ose dy hetues të Konferencës së Paqes kanë arritur të inkurajojnë te vendasit besimin se Shtetet e Bashkuara ndoshta do të pranonin një mandat për Shqipërinë. Është gjë e madhe që të kesh parë një vend në fazën pioniere te ekzistencës së tij.

 

 “Nuk mund t’i përshkruaj dot barbaritë greke”

Është gjë e madhe që të kesh parë një vend në fazën pioniere të ekzistencës së tij. Në këtë pjesë të Shqipërisë së Jugut të njohur si Epiri i Veriut, ne udhëtuam me makinë për një ditë të tërë nëpërmjet një rajoni të pasur me ato që kishin qenë, me sa dukej qytete dhe fshatra vërtet të begatë, por të cilat janë tani pirgje gërmadhash të nxira nga zjarri. Ky shkatërrim masiv, u informova për shtangien time, ishte punë e grekëve  Edhe pse unë kam qenë në gjendje për të marrë ndonjë shifër të besueshme, konsensusi i opinionit mes shqiptarëve, zyrtarëve francezë e italianëve dhe misionarëve amerikanë e punëtorëve ndihmës me të cilët kam biseduar është se rreth 10000 deri në 12000 burra, gra dhe fëmijë u qëlluan me armë zjarri, u therën me bajoneta ose u dogjën deri në vdekje; të paktën dyfishi i këtij numri vdiq nga i ftohti dhe uria, si dhe një numër i madh – unë kam dëgjuar se shifra shkonte deri në 200000 – ishin shndërruar në të pastrehë. Rrëfimet që dëgjova mbi trajtimin ndaj të cilit ishin nënshtruar gratë shqiptare janë aq të neveritshme, sa që është e pamundur të shkruhen. Ne kaluam një natë në Leskovik, tre të katërtat e të cilit ishin shkatërruar. Nga një popullsi, e cila m’u tha se në fillim shkonte në rreth 8000 vetë, kishin mbetur vetëm 1200 vetë. Edhe pse shumica më e madhe e viktimave ishin myslimanë, mizoritë nuk ishin bërë drejtpërsëdrejti për shkaqe fetare, por ishin të frymëzuara kryesisht nga lakmia për territor. Duke lënë Korçën, një qytet i pastër dhe i mbajtur mirë me ndoshta 10000 njerëz, i cili ishte pushtuar kur ne ishim atje nga një batalion prej trupash zezakë nga Sudani francez dhe prej disa marokenësh, ne notuam nëpër kallamishte deri lart në trevat e malit Peristeri në një rrëpirë tronditëse, në një shteg të ngushtë, lart, më lart, gjithmonë më lart…

 

Kush është Edward Aleksandër Powell

Alexander-Powell-1Edward Aleksandër Powll lindi në vitin 1879, në një  familje fermerësh kuajsh. Që fëmijë prindërit e tij apasionantë, e çuan me një tufë kuajsh në Medksikë. Kur ishte ende adoleshent kthehet nëpërmjet Kubës, ku del në pah një pjesë e karakterit të tij, që do ta shoqërojë gjithë jetën, aventura e udhëtimeve. Më pas ai filloi një karrierë që do ta çonte në të gjithë botën, në disa nga zonat më të shkreta dhe më të largëta në tokë, në fushëbetejat e Luftës së Madhe dhe në shoqëri me shumë nga liderët dhe politikanët më të rëndësishëm të shekullit XX si: Theodor Rusvelt, mbreti i Begjikës Albert I, Ëinston Churchill, Lordi Northcliffe, gjeneralët Gouraud dhe Nivelle, Pancho Villa, Gabriele d’Annunzio, Shahu i Persisë, marshallët von Hindenburg dhe Pilsudski, marshalli sovjetik Tuckashevsky, Adolf Hitler dhe shumë e shumë të tjerë. Ai filloi një karrierë në gazetari dhe në shkrime aventure thuajse rastësisht dhe të paqëllimshme. Si një profesion të dytë, ai hyri në ushtrinë britanike për një periudhë të shkurtër pas diplomimit dhe u punësua edhe nga qeveria e SHBA-së në shërbimin konsullor në Lindjen e Mesme për pak kohë. Me hyrjen amerikane në luftë në prill të vitit 1917, Poëell doli vullnetar për kryerjen e shërbimit ushtarak dhe u emërua kapiten i Zbulimit Ushtarak. Pas disa detyrave, ai pësoi dëmtime në shtyllën kurrizore nga një rrëzim me kalë në Francë, në shtator 1918 dhe qëndroi në regjim pushimi deri pas armëpushimit. Ai u largua nga Forcat e Armatosura amerikane me gradën major. Pas Luftës së Madhe, ai e vazhdoi karrierën e tij gazetareske dhe si shkrimtar aventure, duke udhëtuar larg dhe jashtë vendit, duke shkruar një numër të madh librash dhe artikujsh. Vështirë se gjendet një zonë e botës të cilën Powell nuk e ka vizituar gjatë jetës së tij: ai shkoi në Azinë Qendrore ruse, Indonezi, Indi, në të gjithë Lindjen e Mesme, Etiopi, Afrikë, Persi, Bashkimin Sovjetik dhe madje arriti të hyjë edhe në Nepal në kohën kur vendi ishte ende i mbyllur zyrtarisht për të gjithë të huajt.

Powell vdiq më 13 nëntor 1958, në moshën 78-vjeçare.

 

 

 

May 24, 2015 11:00 Updated
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*