Shqipëria një vend që ende pret të zbulohet

September 21, 2018 13:18

Shqipëria një vend që ende pret të zbulohet

Prof. Fatos Tarifa

  (vijon nga numri i kaluar)

Mark Evans: Unë kam kënaqësinë që në studion e emisionit “Mark my Words” të vazhdoj bisedën me një mysafir jashtëzakonisht interesant, ambasadorin Fatos Tarifa. Në pjesën e parë të emisionit tonë, ne përmendëm lidhjet tuaja me Karolinën e Veriut, si për shkak të shkollës që keni kryer këtu dhe të doktoratës që keni fituar në Universitetin e Karolinës së Veriut, në Chapel Hill, ashtu edhe për ekspozitën që djali juaj, Sidrit Tarifa, ka çelur sonte në Kolegjin e Sandhills. Ai studion aktualisht në Hollandë, vend në të cilin ju keni shërbyer më parë si ambasador. Ne po flisnim pak më parë për disa shtete të Europës dhe unë dëshiroj t’ju pyes diçka mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian. A mund të na thoni se çfarëzhvillimesh ka në këtë drejtim?

Fatos Tarifa: Është një fakt i njohur se Shqipëria, ashtu si vendet e tjerë të Europës Lindore që ranë nën sundimin komunist, u la jashtë zhvillimeve të pjesës perëndimore të kontinentit europian për afro gjysmë shekulli. Aktualisht, të gjithë këta vende, përfshirë edhe Shqipërinë, po “kthehen” sërish në Europë, ku të gjithë së bashku kemi origjinën dhe të ardhmen tonë, jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht, kulturalisht e politikisht.

Tendenca kryesore e Bashkimit Europian në kohën e sotme është zgjerimi i tij në lindje të kontinentit me anëtarë të rinj. Siç mund ta dini, dy muaj më vonë, në maj të këtij viti, Bashkimi Europian do të zgjerohet me dhjetë shtete të rinj anëtarë. Shqipëria nuk është në listën e këtyre vendeve. Por, së bashku me vende të tjerë të Ballkanit, si Rumania, Bullgaria, Kroacia e Maqedonia, Shqipëria po bën përpjekje që të anëtarësohet në Bashkimin Europian në një të ardhme jo të largët. Europa është origjina dhe destinacioni ynë i përbashkët. Vendet tanë kanë qenë pjesë e Europës dhe popujt tanë kanë qenë e mbeten popuj europianë. Megjithatë, siç përmenda edhe më parë, një varg rrethanash historike i kanë lënë Shqipërinë dhe vendet e tjerë të Ballkanit jashtë “Europës” për një kohë të gjatë.

Një ndër arsyet pse ne shqiptarët dëshirojmë të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian është se Shqipëria sot po konsolidohet si një shtet demokratik dhe Unioni Europian përfaqëson një bashkësi vendesh demokratike. Nuk ka asnjë arsye për ne, shqiptarët, ose për Bashkimin Europian, që Shqipëria dhe vende të tjerë të Ballkanit, përfshirë edhe Turqinë, të mbetenjashtë institucioneve të kësaj bashkësie vendesh demokratike të Europës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për NATO-n. Shqipëria është jo vetëm një vend aspirant, por edhe një vend kandidat për t’u anëtarësuar në NATO.

Edhe pse NATO do t’i zgjerojë përsëri radhët e saj, në maj të këtij viti, duke pranuar shtatë demokraci të reja nga Europa Lindore, Shqipëria ka çdo shpresë se do të marrë ftesën për t’u anëtarësuar në këtë organizatë në një të ardhme shumë të afërt, së bashku me Kroacinë dhe Maqedoninë. Zgjerimet e NATO-s e të Bashkimit Europian janë dy lëvizje historike shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendeve tanë dhe të krejt kontinentit europian. Këto lëvizje historike nuk mund të pengohen. Të gjithë vendet e Europës Lindore e shohin të ardhmen e tyre të lidhur ngushtë me komunitetin transatlantik të kombeve demokratike. Politikisht, Shqipëria është sot një vend demokratik,ekonomikisht është një treg i lirë, vibrant dhe i hapur ndaj botës. Si një vend demokratik, ne ndajmë të njëjtat vlera politike, morale e kulturore me demokracitë e tjera, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë. Për këtë arsye, ne jo vetëm dëshirojmë, por edhe meritojmë plotësisht të jemi pjesë e të njëjtit komunitet kombesh të qytetëruar.

Evans: Vetëm disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme për këdo që ka studiuar historinë e vendit tuaj, ose historinë e Rumanisë, që të besonte se vendet tuaj do të bashkëpunonin një ditë me NATO-n e do të bëheshin anëtarë të saj. Kjo është diçka e mahnitshme, apo s’është kështu?

Tarifa: Krejtësisht e mahnitshme. Por këto ëndrra dhe shpresa i kanë mbajtur gjallë popujt tanë dhe i kanë shtyrë ata të fitojnë gjithçka që kanë arritur deri më sot. Shqipëria ka rilindur. Shoqëria shqiptare është sot një shoqëri tepër dinamike. Vitin e kaluar ne nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizimit e të Asociimit me Bashkimin Europian. Ne vazhdojmë të kryejmë çdo detyrë e të përmbushim çdo kriter për të fituar anëtarësinë e vendit tonë në Bashkimin Europian.

Evans: Ç’mund të na thoni mbi zhvillimet më të fundit, siç janë, fjala vjen, qëndrimi i Shqipërisë ndaj luftës kundër terrorizmit dhe luftës në Irak? Shqipëria ka luajtur një rol interesant në këtë drejtim. Për shembull, ne kemi dëgjuar mbi divergjencat lidhur me përjashtimin e ushtarëve amerikanë nga detyrimi për t’iu dorëzuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Shqipëria, me sa di unë, ishte vendi i parë që e mbështeti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara.

Tarifa: Keni të drejtë. Qeveria shqiptare ishte e dyta qeveri në Europë, pas qeverisë rumune, që nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, mbi bazën e së cilës vendi ynë merr përsipër të mos dorëzojë asnjë qytetar amerikan në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Kjo marrëveshje, që ka të bëjë me Paragrafin 98 të Traktatit të Romës, u nënshkrua në maj të vitit 2003 nga Kryeministri i Shqipërisë dhe nga Sekretari i Shtetit Colin Powell gjatë vizitës së kvtij të fundit në Tiranë. Sidoqoftë, Parlamenti i Shqipërisë ishte i pari parlament në Europë që e ratifikoi një marrëveshje të tillë, duke votuar unanimisht për të (108 vota pro dhe 1 abstenim). Kjo vështirë se mund të ndodhë në ndonjë vend tjetër. Edhe nëse qeveri të tjera në Europë mund të dëshironin ta nënshkruanin një marrëveshje të tillë bilaterale me Shtetet e Bashkuara, parlamentet e tyre vështirë se do ta ratifikonin atë, për shkak të presioneve politike që vijnë nga krahë dhe segmente të ndryshëm të spektrit politik. Asnjë parlament në Europë nuk e ka bërë këtë deri më sot. Dhe, ngaqë asnjë vend anëtar i Bashkimit Europian nuk e ka nënshkruar një marrëveshje të tillë dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, marrëveshje të cilën formalisht e parashikon vetë paragrafi 98 i Traktatit të Romës, Shqipëria është bërë poligon i kritikave dhe i presioneve të ndryshme nga Bashkimi Europian. Presioni mbi qeverinë shqiptare për të mos e nënshkruar këtë marrëveshje me Uashingtonin ka qenë i madh, veçanërisht nga Franca, por edhe nga qeveri të vendeve të tjerë.

Shqiptarët, nga ana e tyre, e konsiderojnë veten miqtë më të mirë dhe aleatët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit. Qysh të nesërmen pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit mbi Nju Jork dhe Pentagon, Shqipëria u rendit pa asnjë kusht përkrah Shteteve të Bashkuara ndër vendet e koalicionit kundër terrorizmit ndërkombëtar. Shqipëria ka qëndruar vendosmërisht në krah të Amerikës në këtë koalicion. Vitin e kaluar, Shqipëria ishte një ndër tri vendet e para, krahas Britanisë së Madhe dhe Australisë, që u rendit në krah të Shteteve të Bashkuara në operacionin “Liria e Irakut”. Ushtarët shqiptarë luftojnë sot krah për krah me ushtarët amerikanë në Irak. Ata shërbejnë, gjithashtu, në Afganistan dhe në Bosnjë, si ruajtës të paqes e të sigurisë. Ne besojmë se kjo është një detyrë e rëndësishme për të gjithë vendet demokratike, pavarësisht madhësisë së territorit ose të popullsisë së tyre. Është e rëndësishme që të gjithë popujt liridashës dhe qeveritë e tyre kudo në botë të marrin pjesë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, sepse terrorizmi është një kërcënim dhe rrezik real për të gjithë, jo vetëm për Amerikën. Dhe luftën kundër tij nuk mund ta bëjë vetëm Amerika. Kundër terrorizmit duhet të luftojmë të gjithë së bashku.

Evans: Na tregoni, ju lutem, diçka për vendin tuaj nga pikëpamja e asaj që mund të gjejnë atje amerikanët që duan të vizitojnë Shqipërinë. Unë kam dëgjuar që Shqipërinë e përshkruajnë si Zvicrën e Ballkanit.

Tarifa: Kjo është, ndoshta, tema rreth së cilës unë kam më shumë dëshirë të flas, si ambasador i vendit tim. Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i bukur dhe, në një masë të madhe, ende i pazbuluar. Edhe pse tani vendi është i hapur për këdo që dëshiron ta vizitojë, nga çdo anë e botës, për të parë bukuritë e saj, Shqipëria vazhdon të mbetet një sekret ende i pazbuluar. Unë do t’ju sugjeroja që, në një ndër emisionet tuaja të ardhshëm, ju të ftoni këtu ku jam ulur unë sonte ambasadorin David Funderburk dhe gruan e tij, Betty, të cilët e vizituan Shqipërinë për herë të parë vitin e kaluar, për të ndarë me ju eksperiencat e tyre nga vizita në vendin tonë. Ata vizituan pjesën jugore të vendit, por më kanë premtuar se do të vijnë përsëri në Shqipëri në verë të këtij viti.

Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe një shoqëri e hapur. Edhe pse jo të shumtë në numër, turistë të huaj kanë filluar ta vizitojnë. Çfarë gjejnë ata në Shqipëri janë plazhet të patrazuara, bukuri natyrore të pashoqe, një popull shumë miqësor e mikpritës, një kulturë jashtëzakonisht të pasur. Shqipëria është një vend që ende pret të zbulohet. Unë do ta quaja atë, pas asnjëhezitim, the best kept secret in Europe. Këto nuk janë thjesht fjalët e një ambasadori, i cili përpiqet t’ua shesë vendin e tij turistëve që eventualisht mund ta vizitojnë atë. Unë nuk jam këtu në rolin e një “salesman”. Unë vetëm po ju them se ç’është Shqipëria në të vërtetë dhe si e shoh unë të ardhmen e saj. Shqipëria ka një të ardhme të bukur. Ju përmendët Zvicrën. Unë do të dëshiroja të përsërisja për ju fjalët me të cilat miku im, Peter Lucas, një gazetar veteran i Boston Herald dhe Boston Globe, ka shkruar disa vite më parë për Shqipërinë. Ai është shprehur se Shqipëria ka gjithçka që i nevojitet asaj për t’u bërë “a great little country”, ose “a little great country” në Europë.

Evans: Dhe ç’mund të thoni mbi argëtimet dhe artin në vendin tuaj? Po për median, televizionin, për shembull. Mua gjithmonë më intrigon fakti se ç’ndodh me televizionin dhe ç’zhvillime ndodhin në këtë medium.

Tarifa: Shqipëria ka vetëm një televizion publik, i cili është më i madhi. Përveç tij, sot ka rreth 80 stacione private televizivë apo radiofonikë, prej të cilëve 5 ose 6 në frekuenca që mbulojnë krejt territorin e vendit; të tjerët kanë shtrirje lokale. Mediat në Shqipëri janë të lira, absolutisht të lira. Shumë gazeta të përditshme dhe revista qarkullojnë në mijëra kopje.

Shqipëria sot po përjeton njëfarë ringjalljeje kulturore. Gjatë dhjetë apo dymbëdhjetë viteve të fundit shumë artistë, studiues dhe shkencëtarë janë larguar nga vendi, duke shkaktuar një “hemorragji të trurit”, e cila, në një masë të caktuar, vazhdon edhe sot e kësaj dite. Natysisht, emigrimi i njerëzve profesionalisht të kualifikuar është një dukuri historikisht e njohur. Në kohët moderne, Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend që ka mbledhur fuqinë krijuese të trurit njerëzor nga kombet e tjerë. Vendet e tjerë të industrializuar, si Gjermania, Britania e Madhe, Franca apo Suedia, kanë qenë dhe janë deri diku në gjendje qët’i balancojnë—të paktën numerikisht, nëse jo edhe cilësisht—humbjet e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara, duke fituar nga vende më pak të zhvilluar, si India, Koreja e Jugut, Kina, Tajvani. Humbësit e vërtetë janë vendet e pazhvilluar. Shqipëria, nga ana e vet, nuk mund ta përballojë dot humbjen e djemve e të vajzave të saj të talentuara, veçanërisht sot, kur shoqëria shqiptare ka më shumë se kurrë nevojë për ta, në të gjitha sferat e aktivitetit ekonomik, kulturor e shoqëror.

Historia ka provuar se humbja e njerëzve të talentuar, të kualifikuar e me përvojë është, për çdo vend, nga pikëpamja e së ardhmes, po aq serioze sa edhe pakësimi i thesarit të tij. Zhvillimi dhe begatia e ardhshme ekonomike e sociale e Shqipërisë kushtëzohen nga dituria që vendi ynë ka në dispozicion. Sepse progresi mbështetet në diturinë dhe dituria përdoret nga truri dhe zhvillohet e rritet me të. Pushteti i trurit njerëzor është çelësi i së ardhmes.

Ajo që vëmë re në Shqipërinë e sotme, pasi është arritur një stabilitet i qëndrueshëm politik dhe një ekonomi që rritet me ritme të larta, është një prirje qërikthen në Shqipëri shumë djem e vajza të reja, të cilët kanë mbaruar universitetet dhe kolegjet apo kanë fituar grada shkencore në Shtetet e Bashkuara ose në Europë. Vihet re, gjithashtu, se kultura po zë përsëri vendin e saj të merituar në shoqërinë shqiptare. Tirana, veçanërisht, ka sot një jetë kulturore vibrante e dinamike, me një teatër dramatik të gjallë, opera klasike dhe balet.

Pas një dekade stanjacioni e përhumbjeje, kinematografia shqiptare ka filluar përsëri të prodhojë filmat e saj, disa nga të cilët janë çmuar në festivale të huaj. Letërsia po njeh një zhvillim të ri dhe po kështu është rritur numri i librave të përkthyer nga gjuhët perëndimore. Një vend i vogël, me resurse të kufizuara, Shqipëria përkthen ndoshta më shumë literaturë të huaj për frymë të popullsisë sesashumë vende më të zhvilluar të Europës, përfshirë edhe Hollandën ose Norvegjinë, qytetarët e të cilave mbahen si lexuesit më të zellshëm në Europë. Nuk mund të lë pa përmendur se Shqipëria ka sot një ndër shkrimtarët më të shquar në botë, Ismail Kadarenë, i cili ka qenë disa herë dhe mbetet në listën e shkurtër të kandidatëve për Çmimin Nobel në letërsi. Ai vlerësohet si një gjigand i letërsisë moderne në shumë vende të Europës. Veprat e tij janë përkthyer në mbi 40 gjuhë dhe, pothuajse të gjitha, janë botuar në anglisht. Ata që na ndjekin në këtë emision sonte mundet fare thjesht të interesohen në librarinë Barnes & Noble më të afërt.

Evans: Ju faleminderit. Dhe a mund të na thoni cila është mënyra më e mirë për të udhëtuar në Shqipëri?

Tarifa: Ka shumë mënyra dhe është e thjeshtë. Mund të udhëtosh me avion, me anije, ose edhe me automjet. Kushdo që dëshiron ta vizitojë Shqipërinë mund ta gjejë mundësinë dhe mjetin më të përshtatshëm. Mënyra më e mirë, sidoqoftë, do të ishte udhëtimi me avion nga një sërë kryeqytetesh të Europës, si Viena, Roma, Athina, Budapesti, ose qytete të tjerë, si Frankfurti, Milano apo Beogradi. Ka gjithashtu anije e tragete që udhëtojnë çdo ditë drejt Shqipërisë nga portet e Italisë, të Greqisë apo të Sllovenisë.

Evans: Shqipëria ndodhet në bregun lindor të Adriatikut, pranë Italisë dhe Greqisë dhe ka fqinjë disa vende, të cilëve, në të kaluarën u referoheshim si Jugosllavi.

Tarifa: Pikërisht. Shqipëria ka një pozicion gjeografik shumë të favorshëm. Ajo ndodhet vetëm 80 milje larg nga Bari i Italisë. Fqinjët e saj janë Greqia në jug, Maqedonia në lindje, Kosova në verilindje dhe Mali i Zi në veriperëndim. Ju përmendët Adriatikun dhe unë dëshiroj të them, për ata që na ndjekin sonte, se emri i detit Adriatik është bërë emërues i përbashkët për tri demokracitë e reja të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Në 2 maj 2003, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia nënshkruan në Tiranë “Kartën e Adriatikut”. Kjo dëshmon se sa ngushtë bashkëpunojnë këto tri demokraci të reja me Shtetet e Bashkuara për të realizuar të gjitha ato reforma që duhen për pranimin e tyre në NATO në një të ardhme të afërt.

Evans: Kjo është vërtet diçka shumë pozitive. Në pjesën e parë të emisionit tonë ne folëm pak për djalin tuaj, Sidritin, i cili është një artist i ri. Dëshiroj të kthehem përsëri tek ai dhe të flasim pak për pikturën e tij. Ai vazhdon të studiojë në Hollandë, në Hagë, por në veprën e tij ka sigurisht influenca amerikane, hollandeze dhe shqiptare, apo s’është kështu?

Tarifa: Arti është universal. Ai, ashtu si edhe shkenca, nuk ka atdhe. Unë e kam vështirë të dalloj, ose të them ç’është shqiptare, ç’është amerikane ose ç’është hollandeze në pikturat e tij. Si prind, sigurisht, jam shumë i lumtur të shoh se djali im mundi të hapë ekspozitën e tij të parë, veçanërisht ngaqë kjo ekspozitë po hapet këtu, në Karolinën e Veriut. I jam mirënjohës ambasadorit Funderburk dhe Kolegjit Sandhills ngaqë ishin pikërisht Dr. Funderburk ai që ndërmjetësoi për çeljen e kësaj ekspozite dhe Kolegji që bujarisht ofroi sallën e bibliotekës dhe galerinë e tij për të ekspozuar pikturat e tim biri. Jam lumturuar duke parë se sa shumë njerëz e kanë vizituar sot ekspozitën e Sidritit. Si prindi i tij, suksesi i kësaj ekspozite të parë të tij më shkakton një ngazëllim të vërtetë. Sot pata rast të lexoj disa nga shënimet që kanë lënë shumë vizitorë në librin e përshtypjeve të kësaj ekspozite. Unë shpresoj se ai do të ketë të ardhme si artist. Nuk di ç’të them tjetër. Jam shumë i gëzuar, pasi çelja e kësaj ekspozite të parë të djalit tim është një ngjarje emocionuese. Natyrisht, punët e ekspozuara këtu janë ende të një forme eksperimentale për Sidritin. Unë besoj se, në të ardhmen, ai do të krijojë art të vërtetë. Ai është i talentuar; këtej e tutje i duhet të punojë më shumë.

(vijon nesër)

 

September 21, 2018 13:18
Komento

2 Komente

  1. Arber iliri September 21, 19:23

    Ky doli me i zoti se Sevoja .

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D(Dh Xhoga) September 21, 23:33

    Dipllomat BABANE-Gjyshit po i ngjan..!

    Thenia eshte- beme e boba te te ngjaj! Po dihet Niperit ju ngjane shume Gjysherve, pra Sidriti eshte nje Sevo Tarifa ne rinine e tij,pa tjeter ne profilin e tij te Piktures.
    Ju urojme gjithe te mirat TRE-shes;gjush-djale-Nip,sa te gjithe familiesTarifa-Artista te vertete, qe kanaqin tere dashamiresit e tyre, mrodhesi.
    MRODHESI dhe vetem MBRODHESI.
    Ne rrespekt te nje jete, njohur gjyshin;
    Pasuesi veteran 83 vjecar;

    Toronto21-09-2018 Guri Naimit D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*