Shqipja standarde dhe gjuha e politikanëve

Prof. Asoc. Dr. Valier Peshkëpia August 6, 2013 00:46

Shqipja standarde dhe gjuha e politikanëve

Rruga e gjatë, e vështirë dhe e mundimshme, në të cilën ka ecur gjuha shqipe në përgjithësi dhe ajo letrare në veçanti të jep të drejtën legjitime që herë pas here të shohësh se si përdoret ajo, në ç’ formë e në ç’mënyra realizohet ajo, se ç’hapësirë ka ajo në universin e sotëm shqiptar politik, shkencor, administrativ etj.

Rilindja Kombëtare, ashtu si edhe Rilindja Evropiane, duke qenë se ishte një lëvizje me përmasa të gjera shkencore, politike dhe atdhetare, nuk mund të bënte përpara pa vlerësuar në shumanshmërinë e vet gjuhën shqipe në përgjithësi dhe atë letrare në veçanti, e cila jo vetëm do të unifikonte trevat shqiptare të copëtuara e të fragmentizuara nën pushtimin osman, por do të ishte një shenjë civilizuese e emancipuese per shtetin e ri shqiptar. Në këto vite u hodhën themelet e një shqipeje të njësuar letrare.

Veprat letrare artistike të Naim Frashërit, Çajupit, Pashko Vasës, Ndre Mjedës, Asdrenit, të Konstandin Kristoforidhit etj, provuan dhe lartësuan vlerat e shqipes letrare, krijuan terrenin e përshtatshëm etë favorshëm për shtratin, në të cilën do të ecte shqipja drejt unifikimit të saj të plotë.

Në vijën e vlerave më të mira te Rilindjes eci edhe Pavarësia Kombëtare që me ngjarje te tilla si ato të “Komisisë Letrare të Shkodrës” dhe të Kongresit të Lushnjës, i dha nje shtysë të fuqishme zhvillimit shumëfunksional të shqipes letrare dhe të përdorimit produktiv e funksional të saj në funksion edhe të unitetit të kombit.

 

E nisur me thënien lapidar “një gjuhë, një komb” nga gjuhëtarët, shkrimtarët dhe inteligjencia kosovare, ajo mori “vulën” e vet në tubimin e rëndësishem shkencor të saj, në vitin 1972, me “Kongresin e Drejtshkrimit”, ku shqipja letrare u afirmua si një gjuhë letrare e njësuar, e mbështetur në një “sui generis”, si një bashkëveprim midis toskërishtes letrare dhe gegërishtes letrare. Në funksion të kristalizimit të mëtejshëm të saj, u realizuan një varg veprash shkencore dhe fjalorë të tipeve te ndryshëm.

 

Më pas, në vitet ‘90-të e në vijim, u krijuan mundësi dhe hapësira të reja për të gjykuar me këndvështrime dhe konceptime te reja mbi vlerat e saj, mbi përvijimet, në te cilat ajo kishte ecur, për të korrigjuar te metat dhe per t’i çelur asaj mundësi të gjera zhvillimi.

 

Me referatet, diskutimet dhe kumtesat e shumta nga autorë të të gjitha trojeve shqiptare, u nënvizua dhe u kristalizua mendimi, ideja se ende ka shumë për të bërë në fushë të përpunimit dhe të zbatimit korrekt dhe shkencor të shqipes standarde si në : publicistikë, botime të karaktereve të ndryshme, në përvetësimin aktiv dhe të qëndrueshëm në prerje të ndryshme të niveleve shkollore, në respektimin e normës letrare në stile të ndryshme të përdorimit të saj e në mënyrë të veçantë në institucionet e rëndësishme të Shtetit ku edhe efekti social, politik e ligjor është shumë i madh.

Dihet jehona dhe ndikimi pozitiv i njerëzve me pushtet politik dhe intelektual në jetën e një shoqërie, në përvetësimin dhe zbatimin e një gjuhe letrare të njësuar. Kjo është një aksiomë sot në vendet e zhvilluara demokratike si në : Francë, Kanada, SHBA etj.

 

Gjuha standarde me zhvillimet e veta ka qenë një nga mjetet kryesore të politikanëve modernë për të shpalosur konceptet, pikëpamjet e idetë e tyre politike për të ndikuar fuqishëm në mëndjet dhe në zemrat e njerëzve, për t’i afruar ata në platformat e tyre ideologjike, politike apo pragmatiste e në përfundim për të votuar pë ata, për rrugën, platformat në të cilën do të ecte vendi nën drejtimin e tyre.

 

Le të të ndalemi pak më konkretisht :

 

Po qe se analizojmë ligjërimet politike të disa prej liderëve më të shquar të bashkëkohësisë si : Bill Klinton, Toni Bler, Presidenti Obama etj. vëren se si ligjërimi i shkruar e në mënyrë të veçantë, ligjërimi i folur, dallohet për një ligjërim shprehës, emocional, për një leksik të pasur dhe me fjalë të gjetura për semantikën e tyre, çka i ka ndihmuar ata të përcjellin më mirë strategjitë e tyre politke, të krijojnë besim dhe entuziazëm tek masat votuese.

 

Në një vështrim panoramik të fushatës të realizuar në vendin tonë për zgjedhjet politike të 23 qershorit 2013, menjëherë kupton dhe bindesh për epërsinë e ligjërimeve politike apo intelektuale të liderit socialist Edi Rama. I edukuar me dashurinë për shqipen standarde dhe për rolin polivalent e funksional të saj në rrymë të viteve, nën shembullin e figurave më të mëdha të shqipes së njësuar si : Naim Frashëri, Faik Konica, Eqrem Çabej, Ismail Kadare, Rexhep Qosja etj. ai e ka kuptuar më mirë se të të tjerë liderë, rolin efektiv dhe me vlera shënuese në drejtim, jo vetëm të politikëbërjes, por edhe të realizimit të unitetit kombëtar, të harmonizimit të trevave dhe të rajoneve shqipfolëse, për t’u prezantuar përpara publikut votues edhe si erudit në përdorimin funksional të gjuhës shqipe, si gjuhë standarde, civilizuese e si bashkuese kombëtare.

 

Në Universitete homologe europiane investohen odioteka për përvetësimin e qendrueshëm të gjuhës standarde dhe kjo e realizuar nëpërmjet zërit shprehës të aktorëve më të famshëm të këtyre vendeve e këtu vlen të shtrojmë pyetjen se përse gjithë ky investim në disiplinat e komunikimit linguistik?

Në Europë dhe në SHBA gjuha nuk është vetëm mjeti shprehës e komunikativ, por mjeti “armë” për të transmetuar këndvëshrimet, idetë, opinionet, për të harmonizuar raportin e ndërsjellë midis gjuhës dhe mendimit të “fshehur” në rrjetet semantike të trurit human dhe që më pas u shoqërua me shkenca moderne si psikolinguistika, neurolinguistika etj. ku në mënyrë të veçantë politikanët nën shembullin e psikolinguistëve të themeluesit amerikan Noami Çomski, e përdorën atë si një mjet komunikimi të shëndetshëm, produktiv e dallues midis njëri-tjetrit.

 

Mjafton të dallojmë linguistikën e përdorur në këtë dekadë dhe që majën e saj arriti në këto zgjedhje politike, nga dy liderët kryesorë të politikës në vendin tonë. Në ligjërimin e Edi Ramës, të shkruar apo të folur, të duket sikur udhëton në veprat më të mira të Konicës, të ligjërimit verbal të Eqrem Çabejt mbi varrin e Bajo Topullit, në vitet ‘30 të shek. të kaluar, të ligjërimeve patetike të Memo Meto oratorit përpara pinjollëve të fashizimit, të porosisë së Androkli Kostallarit për të gjurmuar fjalën e rrallë shqipe, fjalën e brumit të saj për të efektuar njerëzit, ashtu si citonin Aleksandër Xhuvani apo poligloti Ndre Mjeda, për të bërë me vete intelektualët dyshues apo të pavendosur reth fuqisë intelektuale të liderit transformues, për të ecur në gjurmët e Ismail Kadaresë si pasurues i shqipes nëpërmjet neologjizmave, mjeteve të shumta shprehëse dhe të transmetimit të semantikave variabël etj.

 

Në krahun tjetër një model aspak kreativ në përdorimin e shqipes së njësuar, në vlerat e saj si shënuese e kombit dhe e unitetit të tij. Lexime narrative të mërzitshme, pa ndalesa, pa komunikim permanent me publikun që e ka ftuar ta dëgjojë, pa theksime logjike apo mekanike të fjalëve dhe të përbërësve të saj, çka të kujton gramatikën e “përroit të ndërgjegjes”, por që tashmë është e kapërcyer nga gramatika moderne e Çomskit, e cila është në fokus të ligjërime bashkëkohore e mbi të gjitha për polifunksionalitetin e tyre në shoqëritë demokratike e qytetëruese. Konstaton një leksik të shoqëruar me fjalë të përdorimit vulgar e negativist, larg formimit universitar dhe në kundërrrymë me dinamikën e fjalimeve të kolegeve të vendeve ku aspirojmë të bëhemi pjesë.

 

Lideri socialist në vijën e traditës më të mirë të vendit, të ligjëruesve ekselentë, të pasurisë linguistike në funksion të kontekstit politik dhe të shtresimeve sociale apo intelektuale, si një mjeshtër në raportin e tij me linguistikën, çka të kujton rëndësinë që u jepej në Europën e viteve 30-50 të shekullit të kaluar nga shkrimtarë, publicistë, psikologë, sociologë e politikanë forcës së fjalës, peshës së saj në zemrat e njerëzve të ndryshëm, krejt ndryshe, nga të gjithë të tjerët, vendos një standard të ri psikolinguistik me gjuhën standarde dhe shton bukurinë e saj, rrit funksionin e saj social dhe e përdor atë me racionalizëm për misionin e tij politik, rilindës apo ndryshues të vendit të vet në të gjithë veprimtarinë komplekse sociale, ekonomike e politike.

 

Mendoj se diskutimet për shqipen në përgjithësi dhe atë standarde në veçanti janë gjithmonë të frytshme e në mënyrë të veçantë, kur ato realizohen nga njerëz me formim të lartë shkencor linguistik, njohin mirë rrymat, shkollat dhe korrenetet linguistike në Europë e më gjerë.

 

Mendoj se gjedhja më e përsosur mund të merret krijimtaria e shkëlqyer letrare e Ismail Kadaresë, pasurimi që ai i bëri gjuhës standarde shqipe në të gjitha prerjet e saj dhe në mënyrë të veçantë në stilistikë, në neologjizma e tashmë ajo është afirmuar në dhjetra gjuhë të huaja ku shqipja standarde e përdorur prej tij është përkthyer.

 

Jam i mendimit se vetë natyra e intelektualit të vërtetë shqiptar, asnjëherë nuk ka qenë aq servile dhe aq konformiste, sa të pranojë në heshtje të plotë tipare e cilësi aq madhore sa është në këtë rast gjuha shqipe, simboli, për të cilin dashuria dhe sakrifica në shekuj kanë qenë të pamatë.

Shqetësimi i albanologëve më të njohur dhe i institucioneve të Akademisë së Shkencave e të Universiteteve e shkollave të larta rreth kësaj problematike me dimensione kombëtare është i motivueshëm dhe duhet të prekë e shqetësojë të gjithë, pasi gjuha kombëtare është pasuri dhe atribut i të gjithë shqipfolësve dhe për të në rrymë të shekujve është derdhur shumë gjak e janë bërë shumë sakrifica.

Prof. Asoc. Dr. Valier Peshkëpia August 6, 2013 00:46
Komento

2 Komente

  1. andromeda August 6, 08:16

    A dine ta lexojne e ta kuptojne mesazhin e ketij shkrimi politikanet e djathte, te cilet e kane bastarduar aq shume shqipen ne foltoren e parlamentit sa u bene te urryer edhe per kete arsye.

    Reply to this comment
  2. Flash August 6, 14:25

    Nje shkrim i konceptuar dhe trajtuar edhe vete ne menyre perfekte,ne vijim edhe te shkrimeve te meparshme te botuara nga Prof.Asoc.Dr.Valer Peshkepia,qe na percjell nje mesazh sa shkencor,aq edhe patriotiko-shoqeror;qe ben thirrje te perdorim nuancat me te holla ekspresive te embelsise,shumekuptueshmerise,rrjedhshmerise te gjuhes shqipe,qe ajo te sherbeje si mjet uniteti te popullit e kombit shqiptar,perkunder gjuhes se perdorurur nga disa lidere,qe veç pershkendijojne urat e zjarrit te dasive krahinore e fetare.Ne vend qe te perdoret gjuha e ngrohte me kolorit peizazhi,perdoret gjuha shkaterruese e matrapikut, qe te shpon timpanin e veshit.

    Faleminderit,Profesor per mesazhin qe percjell per ne e brezin me te ri ne çdo fushe te jetes ku vepron!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*