Shqiptar apo jo? Replikë me një gazetar që përbalt kombin e vet

July 11, 2018 11:33

Shqiptar apo jo? Replikë me një gazetar që përbalt kombin e vet

Donika Omari

Një shkrim i botuar në një të përditshme me titullin: Urrejtja e shqiptarit patologji që nuk duhet harruar, e vë autorin, gazetarin Ben Andoni, përpara pyetjes: Është shqiptar apo jo? Pas këtij shkrimi, i duhet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Sipas shkencës së logjikës, silogjizmi nuk lë shteg  për mëdyshje: autori ose është ose nuk është shqiptar. Ja silogjizmi i mundshëm sipas deklaratave të tij:

Patologjia e tradhtisë, urrejtjes, nëpërkëmbjes është pjesë e shenjës kombëtare të shqiptarëve.

Unë jam shqiptar.

Unë kam patologjinë e tradhtisë, të urrejtjes, të nëpërkëmbjes.

Ose:

Patologjia e tradhtisë, urrejtjes, nëpërkëmbjes është pjesë e shenjës kombëtare të shqiptarëve.

Unë nuk jam shqiptar.

Unë nuk kam patologjinë e tradhtisë, të urrejtes, të nëpërkëmbjes.

 

Me rastin e reagimit me  shqiponjën të futbollistëve shqiptarë pas fitores me Serbinë, presidenti serb Vuçiç deklaroi se Serbët nuk fyejnë e nuk urrejnë askënd, siç bëjnë shqiptarët. Përgjigja që duhet dhënë në këtë rast është  se, me sa duket, kur vrasin e përdhunojnë, këtë ata e bëjnë “pa urrejtje”.  Por ai që bën këtë deklaratë nuk është shqiptar. Po ky gazetari ynë, që jeton në Shqipëri, që shkruan shqip e boton në një gazetë shqiptare, që rron me bukën që i jep dheu shqiptar i ç’kombësie është?

Donika Omari

Ai shkruan pikë për pikë, e madje duke e tejkaluar shumë serbin, (se jep e merr të sjellë “argumente”, dhe,  duhet theksuar,  nuk është se shkruan me ironi a me ndonjë metaforë):

Shqiptarët e kanë urrejtjen në ADNnë e tyre… Urrejtja për çdo gjë është nga patologjitë tona më të mëdha…  Sipas logjikës së tij, në këtë patologji nuk bën përjashtim askush: as Noli e Konica, as kokat e kombit të plazmuara si të tilla në histori në kohën e para Luftës së Dytë botërore, etj., etj.

Pasi ka mbledhur me zell raste mosmarrëveshjesh mes shqiptarësh, çka nuk është se s’kanë ndodhur e s’ndodhin, madje shumë e shpesh, bën një “argumentim” kur nxjerr një konkluzion copë-copë që vetëm objektiv nuk është. Sepse bazohet vetëm në rastet negative ku do të mbështetej  çdo armik i kombit tonë.

Në një vepër të vet me titullin  Plagët tona, Midhat Frashëri prek me keqardhje plagët reale të kombit, që i përmend me dhimbje e me synimin që të ndreqen. Por nuk bën fajin e madh që të përgjithësojë. Se, së pari, është patriot, e së dyti nuk shkruan pa mend. Edhe e nënshkruara, në librin Kulturë e ndërprerë,  ka sjellë në vëmendje cenet e mëdha që sëmurin trupin e kombit. Por në përmbyllje shprehet:

Vetëm një pjesë e Shqipërisë është e sëmurë. Kur ta shërojmë do të mahnitemi nga bukuria e saj. Dhe synimi i këtij shkrimi ky është: të japë një ndihmesë sado të vogël që përqindja e bukurisë  dhe e shëndetit të mbizotërojë.

Ndërsa zoti Ben Andoni nuk na lë asnjë shpresë sado të vogël për të ardhmen: jemi të dënuar njëherë  e mirë tashmë. Të sëmurë përfundimisht, pa shpresë shpëtimi. Të marrë fund.

Në demokracinë e grekëve të lashtë, nuk lejohej askush të fliste e të kritikonte duke përgjithësuar, duke përfshirë kështu në kritikën e vet të gjithë athinjotët.  Duhet t’i drejtohej me emër të përveçëm atij që donte të kritikonte.  Intelektuali, shkrimtari, përkthyesi  patriot  Skënder Luarasi, e pati bërë kauzë personale fyerjen që i bënte fshatarit myzeqar një shkrimtar në një tregim të vetin. Profesor Skënderi e hodhi poshtë me forcë e me pathos përgjithësimin poshtërues që bëhej në atë tregim. Madje e denoncoi keqazi me një sarkazëm therëse autorin e tregimit.  Në një rast tjetër, kur ndodhej jashtë vendit dhe dëgjon që, nga një i huaj, shahet mbreti Zog, i del në mbrojtje këtij të fundit, megjithëse vetë ishte antizogist i vendosur. Por ndaj të huajit, vuri kombësinë përpara zgjedhjes politike, çka duhet të vlejë si shembull për politikanët e sotëm.

Sot, fatkeqësisht, nuk është i vetmi ky gazetar që përbalt  kombin e vet. Kjo gjë e shëmtuar dhe poshtëruese vërehet edhe te media e gazetarë të tjerë, madje edhe te drejtues televizivë. Dhe bashkëkombës të tjerë, ata që nuk gjykojnë me kokën e vet se u janë shpëlarë trutë, përsërisin si papagall të njëjtën muzikë, duke mos pushuar së hedhuri baltë mbi shqiptarët në përgjithësi, pa e shkuar në mendje se ajo baltë u bie drejt e në fytyrë  Është bërë si shenjë “emancipimi shoqëror”, si shenjë “niveli qytetërimi” të mos jesh patriot, të shash e të fyesh vendin tënd.

E marr me mend si do t’i shkatërronte me penën e tij therëse këta persona kaq “të ngritur” atë Gjergj Fishta.

Thesin e urrejtjes, (ku autori i deklaratës se urrejtja është në ADN e shqiptarëve nuk e mendon se fut edhe veten), ai e mbush vetvetiu me gjithçka të çmuar që kanë prodhuar shqiptarët dhe që u ka lejuar të ekzistojnë si të tillë deri në ditët e sotme: me Buzukun, që shkruan …en së dashunit të botës sanë;  me tre B-të e tjerë, Budin, Bardhin, Bogdanin, që shkruajtën pikërisht, dhe në kushte shumë të vështira, nga dashuria për vendin.  Vetvetiu aty futen edhe Variboba, Gavril Dara e De Rada, edhe vetë Gjergj Kastrioti, edhe Veqilharxhi e Kristoforidhi, edhe i ëmbli Naim, që shprehet : “Në shpirt kam dashurinë”. Futen rilindasit e tjerë frymëzues të atdhedashurisë: Samiu, Çajupi, Asdreni, etj, për të vazhduar me ata që dhanë jetën për pavarësinë e për çlirimin e vendit. Futen gjithashtu kolosët e letërsisë e të kulturës shqiptare, që e kanë lidhur fatin e tyre me fatin e atdheut, I. Kadareja e R. Qosja. E vargu i intelektualëve të ndershëm e patriotë, shkrimtarë, poetë, Fishta, Lasgushi e Kuteli, A.Buda, E. Çabej e S.Riza, që  mundën t’i kryenin punët e tyre aq të vlefshme e të bukura të nxitur jo nga urrejtja por nga dashuria. Futet vetë Nënë Tereza, simboli sublim i dashurisë. Si edhe të gjithë ata shqiptarë që e duan atdheun, pavarësisht pakënaqësive ndaj tij, ashtu siç do fëmija prindin, me gjithë shuplakat që u ka dhënë a u jep ky.

Është e vërtetë se nuk janë të pakta të metat tona, plagët tona. Por kjo nuk përligj nxirjen e plotë të realitetit.  Dhe këta nxirosës e përjashtojnë veten nga përgjegjësia për këtë gjendje. Nuk marrin mundimin të bëjnë as përpjekjen më të vogël për sugjeruar si dilet nga tuneli. E gjejnë më të udhës të përhapin demoralizim, depresion, humbje të çdo shprese.

Vetëm një solidarizim i fuqishëm kundër përbaltjes së kombit mund t’i vërë fre kësaj dukurie kaq të shëmtuar e të rrezikshme, besoj se pa shembull në botë.

 

 

 

 

July 11, 2018 11:33
Komento

10 Komente

  1. kurveleshi 1 July 11, 14:04

    Rrofshe zonje ,,,mose e ler halen pa lare se qelb dynjan….

    Reply to this comment
  2. labi July 11, 14:11

    habitem se si ke pas kohe te merresh me te.

    Reply to this comment
  3. Dhimiter M.Xhoga (Guri Naimit D) July 11, 14:53

    Atdhetare si Donika Omari,ne kete shkrin na duhen!

    Donika Omari vertet DONIKE,emer i lakmuar per femrat shqiptare,se kane c’te perjetesojne me te, Faleminderit per sa shkruani me siper qe une,nje 82 vjecar,njeri i thjeshte, me ato mesimet e Rilindasve te mbedhej sa pasuesit,si Ju( e nderuara Donike me kete shkrim),ndihem i sherruar plotesisht,sa kaluar ne ishemi..me sa shkruani Ju, per kete problem kyc, te atdheut dhe njeriut shqiptar,jo si bejne disa, MOHIMI -KOMBIT. Kryefjala juaj kunder te tilleve ne kete shkrim .flet shume.
    Faleminderit dhe nje here zonje e nderuar e me fal se mosha sa hallet e ketyre 27 vjteve(jo se skemi patur halle me pare, po s’kemi injoruar veten,perkundrazi; ,krenohemi me paraardhesit tane ne shekuj.
    Mos ta degjoj ate pergjithesim:
    -Shqiptar apo JO ! si thoni replikoni Ju e nderuara Danika,.po e rishkruaj me germa te mbedha DONIKA.
    Me shume konsiderate,nje jete MESUES,nxenesit me te MIRE…
    Nga tej oqeani Ju shkruaj une 82 vite sa festuar,nisur ne Atdhe dhe mbyllur ketu ne Toronto te Kanadase,ku ajo qe i dallon shqiptaret eshte sa thoni JU.
    :Jam KRENAR qe jam SHQIPTAR.!
    Jam i gezuar se pasardhesit,detyruar te marin rruget e mergimit,me pasardhes ne keto vite,vine e marin EREN e ATDHEUT prinderor.(mua s’me lejon “doktori”,sa te kaloj plotesisht ate krize,pas 82 viteve mbi shpine,PO
    dihet …Do te prehem ne ATDHE.Aty te me dale shpirti.
    Ditet Njemije e nderuar Donika Omari,nje mes NXENESVE tone nje jete mes jush kaluar.
    Faleminderit per ate zgjedhie illustrimi me Flamurin kombetar, ne sfon fotografie qe flet shume…
    Mire do jete per z Andon qe ia njohim penen:
    -Ta koregjoje ate PERBALLIE te KOMBIT z.B Andoni me pasuesit.

    Pasuesi Veteran
    Mesuesi Dhimiter M Xhoga.

    Reply to this comment
  4. Po , Po July 11, 15:29

    Nje BRAVO te madhe per znj. Omari , me te cilen mund te krenohemi te gjithe ! Rrofsh e qofsh me gjithe te mirat !

    Reply to this comment
  5. ilir detari July 11, 23:18

    Perkthyese kalibri dhe shqiptare e vertete ..flm zonje

    Reply to this comment
  6. demo July 12, 06:02

    Ke te drejte zonje e fisme nga dere me cekic,por keto vemje antishqiptare si Ben Andoni i kane rrenjet tek vrimat e erreta ku bashke me mijte gelojne prifterinjte e zij orthodhokse sllave dhe greke.Kush e lejon kete vemje te flase ne emer te shqiptareve,kur nuk eshte shqiptar?Ky mund te kete lindur brenda kufijve te RPSH,por nuk eshte i ethnitetit tone,prandaj bluan nje urrejtje te trasheguar,qe nuk le rast pa e hedhur helmin greko-sllav.

    Reply to this comment
  7. Zzzzzz July 12, 09:16

    KAM MENDIMIN SE EDHE KJO ZONJA KA KALUAR NE DREJTIMIN E KUNDERT TE CESHTJES PASI KERKON TE NGREJE TE PAQENAT E KULTIT TE NJE POPULLI SIC DO TA DESHERONIN VET NJE PJESE E SHQIPTAREVE POR QE ASNJEHERE SKA QENE E TILLE PASI PJESA DOMINUESE ESHTE AJO QE E DIME TE GJITHE DHE QE ZONJA ME KOTE MUNDOHET TA MBULOJE E ZBUKUROJE ..DESHIRAT NUK JANE REALE …!!!!

    Reply to this comment
  8. Arben July 12, 10:47

    BEN ANDONI ……………..

    Reply to this comment
  9. ada July 12, 19:19

    Shumebukur Zonje te lumte jeni e mrekullueshme ne trajtimin e kesaj teme.Por per fat te keqe,Shqiperia ka shume bena ,muca,lubo,milo….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*