Shqiptar, edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri!…

Prof. Genc  Luarasi June 22, 2014 15:54

Shqiptar, edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri!…

Të flasësh për një staturë të tillë poliedrike, është mrekullisht e vështirë, aq më tepër kur ke dëgjuar për të që në moshë të vogël dhe ruan një respekt për të dhe pasardhësit e tij që jetojnë edhe sot. Aq më tepër kam një detyrim moral karshi babait tim, Thoma Luarasi, diplomat karriere i periudhës 1930-1945, mik dhe shok i ngushtë për një jetë të tërë i personazhit të këtij shkrimi, Rauf Ficos, të cilin ai nuk e lëshonte nga goja në çdo bisedë që binte rasti. Fjalët e mia, sado të kërkuara dhe të kujdesshme, janë të pakta dhe të varfëra për të përshkruar këtë njeri, këtë kolos të punës dhe diplomacisë shqiptare, për të cilin Konica ka thënë se Rauf Fico ishte shqiptar edhe atëhere kur nuk kishte Shqipëri.

Duhet thënë që në fillim se qyteti i lindjes së Rauf Ficos, Gjirokastra, është pa dyshim një nga pikat e referuese e intelektualizmit historik shqiptar, produkt i së cilës ishte edhe vetë Fico, i cili, sipas traditës, ishte investuar në diplomaci, duke arritur më pas majat e saj në përfaqësimin e shtetit shqiptar si ministër i Jashtëm në kohën e Republikës dhe Monarkisë Shqiptare. Vepër e tij është ndërtimi i strukturës dhe hartimi i Ligjit Organik të saj, me pranime me konkurs, për t’u ngjitur më pas, sipas atij ligji në funksione, vjetërsi dhe detyra karriere, rrugë që ndoqi edhe im at, Thoma Luarasi, falë të të cilit kam edhe këtë njohje të punës dhe të jetës së Rauf Ficos.

 

Kush ishte Rauf Fico

Lindur  nga prindërit Tahmaz dhe Hava në Jamen, në atë kohë nënTurqinë, familjarisht kthehet në Shqipëri. Arsimohet gjate viteve në shkolla me emër të madh, në Shkodër në Ruzhdie, në Stamboll në Idadien Mylqije, shkollën e lartë Administrative po Mylqije, që e përfundon me vlerësimin ”Shkëlqyeshëm” në vitin 1903, duke u emëruar si stazhier në administratën e vilajetit të Janinës dhe pasi e përfundon dekretohet si kajmekam (nënprefekt). Pas tre vitesh merr detyrën e kajmakamit në Konicë. Në moshë të re ai bëhet veprimtar i lëvizjeve atdhetare me figura si Bajo Topulli, Menduh Zavalani, Sali Butka etj., duke përfaqësuar në 1908 me Bajo Topullin Gjirokastrën në Kongresin e Manastirit. Për këtë veprim Xhonturqit e transferuan larg Stambollit, në vilajetet e Sivashit e me tej në ate të Anadollit. Në vitin 1909 rikthehet në Shqipëri, në Himarë e me tej në Margëlliç të Çamërisë, ku në një rast festiv osman, fjalimin e mbajti në shqip, duke u konfliktuar përsëri me administratën turke, sigurisht për detyrën e kajmakamit që mbulonte, duke e trasferuar 70 km në jug  tutje Ankarasë (jo dënuar, pasi në atë Perandori, që ishte ashtu siç ishte, vlerat e nëpunësit ishte e pazëvendësueshme nëse nuk kishe faje të rënda).

 

Pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet historike të kohës

Me shpalljen e Pavarësisë, në qeverinë e përkoheshme të Ismail Qemalit është ndër funsionarët e parë të saj, si këshilltar në Ministrinë e Brendshme dhe më pas më 1913 kryen detyrën e Prefektit në Berat. Me ngritjen e administratës së Mbretit Vied, Fico emërohet shef i kabinetit të Kryeministrit. Gjatë pushtimit austro-hungarez, në shkurt 1916 dekretohet nënprefekt i Tiranës. Vitin 1917, me iniciativën e tij, duke shfrytëzuar edhe postin e nënprefektit, ai ngre në Tiranë Strehën Vorfnore me fëmijët jetimë.

Ai që kish qenë në ballë të gjithë ngjarjeve historike, nuk mund të mos ishte edhe në ngjarjen më të madhe historike të Shqipërisë, që do të sanksiononte qeverinë e parë demokratike shqiptare, Kongresin e Lushnjës, në janar të vitit 1920, ku ai emerohet Sekretar Shteti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, me titullar Ahmet Zogun, si vijë lidhëse e detyrave të kryera edhe më parë në Turqi. Në atë dikaster punon deri në vitin 1922, kur dorëhiqet për të kandituar si deputet i Parlamentit Shqiptar.  Që në dhjetor 1923 deri në 1926 ai është zgjedhur deputet i Durrësit në Asamblenë  Kushtetuese  të Parlamentit shqiptar

 

Diplomacia për Ficon, një vend i merituar

Në viti 1926, Fico përfshihet në shërbimin diplomatik shqiptar, duke u dekretuar Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë për Turqinë dhe Bullgarinë me rezidencë në Ankara, duke qëndruar në atë funksion deri në 1928.

Një vit me vonë atij i ndodhi një incident pas dhenies së një interviste në një të gazetë të Kostancës në Rumani, ku krahu italianodashës i oborrit të Mbretit dhe diplomatët italianë e trajtuan si fyerje ndaj Mbretërisë së Italisë, gjë që nuk qëndronte, aq me tepër që Ficoja ishte një diplomat trim, por i kujdesshëm dhe e kontrollonte mirë atë që shprehte. Megjitheatë, duke qenë nëpunes i lartë i devotshëm ndaj detyrës së vendit të tij, ai dha dorëheqjen nga detyra e tij, gjë që nuk u pranua nga mbreti, i cili si kundërvenie e dekretoi në postet e njekohëshme të Ministrit të dikastereve më të zëshme të Puneve te Jashtme dhe  atij të Brendeshëm, ku shërbeu deri ne prill 1931. Nga ana tjetër gëzonte gjithnjë në detyrat e tij respektin dhe vleresimin e diplomatëve të huaj më në zë, sikundër kishte relatuar Sir  Robert Hodgson se “Rauf Fico është një nga personatitetet më tërheqës të jetës publike shqiptare dhe një burrë me një ndërshmëri dhe atdhetarizëm të padiskutueshëm”. Me bindje republikane, megjithatë ai ishte i bindur se Monarkia i duhet Shqipërisë duke i mbetur besnik N.M.T Mbretit Zog, një devizë e veçantë po të marim parasysh qenien e atëhershme të Shqipërisë, që mundohej të bëhej një shtet.

Ndër detyrat e tij diplomatike jashtë vendit ishte dekretimi si Minister Fuqiplotë i Legatës në Berlin, në vjeshtën e vitit 1938, duke plotësuar vendin vakant, të cilin që në 1936 e mbulonte a.i sekretari i parë  njekohësisht edhe me detyrën e sekretarit të Dërgatës në Lidhjen e Kombeve, Thoma Luarasi.

Adolf Hitler për Ficon: “Kam pritur një diplomat të madh të një vendi të vogël”… 

Kudo figura e tij ndriçonte në takimet  zyrtare  si një diplomat i shquar i një vendi pothuaj të panjohur siç ishte Shqipëria e atëhereshme. Zotërues  në mënyrë perfekte i tetë gjuhëve si pasojë e shkollimit tij, jetës në vende të ndryshme të perandorisë turke, sollën respekt te Adolf Hitlerit, kur Fico ishte ambasador në Berlin. Pas paraqitjes së letrave kredenciale në nëntor të vitit 1938 në kancelarinë gjermane Fico Hilerit, ky i fundit në mbrëmje ka thënë sentencën që është komentuar shumë në atë kohë, se … atë ditë kishte pritur një diplomat të madh të një vendi të vogël, krahas një diplomati të vogël të një vendi të madh”(duke bërë një paragoné në mes të Shqipërisë dhe Japonisë, për nga madhësia gjeografike dhe asaj trupore, ku  Fico me një trup madhështor dhe një paraqitje tërheqëse e fliste shumë bukur gjuhën e Fyhrerit gjatë mbajtjes gjermanisht të fjalës prezantuese).

 

Vlerësime dhe çmime nderi botërorë

 Në vitin 1922 me propozim te Ministrisë së Jashtme të Francës, për merita të veprimtarisë shoqërore dhe personalitetit të tij, i jepet dhe pranon dekoratën e lartë të “Palmës së Artë Akademike”. Në vitin 1925 Akademia Ndërkombëtare e Letërsisë dhe e Shkencës së Napolit, mbas dhënies së gradës shkencore të Doktorit të Nderit e pranon anëtar korrespondent të saj, ndërsa Akademia  Mbretërore e Italisë e nderon me dekoratën e saj të “Kryqit të Nderit për merita në letërsi e shkencë”.  Si ministër Fuqiplotë i Shqipërisë për Turqinë dhe Bullgarinë me rezidencë në Ankara, në vitin 1928, Mbreti Boris III i Bullgarise e dekoroi Ficon me “Urdhrin e Borisit”, ndërsa nga Franca në 1926 i akordohet medalja tjetë, ajo e “Oficerit të Legjionit të Nderit”. Krahas tyre ai ka marrë Grand Kordon i Franc Jozefit, nga Austro-Hungaria;  Grand Kordon i Urdhrit Leopold të Belgjikës; Grand Kordon i Rumanisë; Grand Kordon i Urdhrit Foiniks nga Greqia; Grand Kordon i Kurorës së Luksemburgut etj.

 

Im at dhe Fico, të pandarë deri në vdekje

Njohja e parë e Ficos me tim at, Thoma Luarasin, ka qenë kur Fico ishte Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë për Turqinë dhe Bullgarinë me rezidencë në Ankara, ndërsa Thomai bënte një stazh si zëvendësues në konsullatën e Shqipërisë në Sofje. Më pas atyre u ra të punonin bashkë në  Ministrinë e Jashtme, në Budapest, por më shumë në Berlin. Unë kam dëgjuar nga im at episode të shumta nga veprimtaria përbashkët me Ficon, ku, pothuajse në të gjitha ndihej admirimi dhe respekti. Këtë bashkëpunim e respekt të reciprok e kam gjetur edhe në dokumentet arkivore të Ministrisë së Jashtme sidomos në fund të karrierës së tyre në legatën tone në Berlin. Ku vihet re se titullari di të mbrojë shtetin dhe vartësin në të drejtat e tij, sikundër e thekson shkresërisht me fjalet…” Sidoqofte, Ju lutem, Zoti Ministër, të keni mirësinë dhe të jepni urdhnat e duhura, që sa i takon Z. Luarasi t’i dergohen  sa më parë resti i alokacioneve dhe rrogat e tija për tremujorin e kaluar sidhe ato të vazhduesit, pasi Z. e tij për transferimin e tij ka qenë i detyruar që deri më sot të marë borxh.”. Gjthashtu shton mënyren e dërgimit të tyre që të ekzekutohen nga banka e Berlinit. Kjo korespondence ka vazhduar me disa ec e jake letrash gjate muajve tetor-dhjetor 1938. Në 17 nentor 1938 dekretohet krijimi i Konsullates së nderit në Budapest, për të cilën Fico dhe Luarasi punuan shumë për organizimin e saj. Nga dokumentet vihet re mirëkuptimi i të dy burrave për çështje kardinale, ndimën çifutëve me viza kalimtare shqiptare, raportet dërguar qendrës,  sidomos mbi gjendjen  e përgjithëshme të Gjermanisë, qëllimet e nazistëve, marrëdhenieve ndërshteterore me shtetet kufitare dhe me Anglinë etj.

Fico dhe Luarasi patën pothuajse të njëjtë fatin e fundit të tyre. Fico, pas kthimit në atdhe, në vitin 1939, internohet në Itali nga fashistët italian ku qëndron deri afër kapitullimit të  saj, në qershor të vitit 1943. Psa kthimit në atdhe, nuk vazhdon gjatë dhe vdes më 23 janar 1944, në moshën 63-vjeçare. Ceremonia e varrimit të Ficos ka qenë një nga ceremonitë më të mëdha dhe më mbresëlenëse që ishin bërë deri atëhere në Tiranë. Më pas për të u hesht, heshtje që për atë njeri vazhdon edhe sot, pa u vendosur atje ku i takon në altarin e kombit, si një nga burrat më të nderuar të tij. Ndërsa Thomai pas kthimit në atdhe ngel pa punë, më pas, për shkak të përvojës së gjatë në diplomaci merret në Ministrinë e Jashtme për ruajten e dokumenteve, ku nuk qëndron gjatë. Tërhiqet nga jeta zyrtare dhe punon si përkthyes privat me honorare. Askush nuk u kujtua për të, jo t’i përmendte ato që ai kishte bërë për këtë vend, por të paktën t’i jepnin një pension, qoftë edhe  minimal.

 

Fico, shkollë më vete e diplomacisë shqiptare

Për Ficon nuk kishte probleme të vogla apo të mëdha, kishte qëndrime administrative, ligjore dhe diplomatike. Ndër detyrat kryesore të funksionit diplomatik të Rauf Ficos ishte integriteti i organizimit të Ministrise së Jashtme, kur ishte i dekretuar si ministër i saj, duke ruajtur strukturën e miratuar që në fillesat e saj në 1922, por edhe përshtatur me detyrat e kohës së Monarkise dhe raportet e Shqipërisë me vendet  me të cilat kishte marrëdhënie diplomatike sipas drejtorive që mbulon punët e përkatëse të këtyre marrëdhënieve, si Drejtoria Politike, me  nëndegët asaj politike, marrëdhënieve ndërkombëtare, çështjeve të kufijve dhe minoriteteve brenda e jashtë vendit, juridike, rrogave, notifikimit të akteve juriduke, ekstradim, dëbimit e riatdhesimit të shqiptarëve me rrugë diplomatike, çështjeve të Lidhjes së Kombeve me problematikën dokumenteve të traktateve e marrëveshjeve ndërshteterore, shtypit si një dritare e studimit të ndërsjelltë të tij në lidhje me Shqipërinë. Drejtori tjetër me rëndësi ishte ajo konsullore, që merrej me korrespondencën burokratike, administrative me përfaqesitë jashte vendit dhe atyre brenda vendit të shteteve të tjera, mbrojtjen e pronës të nëneshtetasve shqiptarë jashtë vendit, organizimin e konsullatave tona dhe të shkollave shqiptare jashtë, çështjet tregtare, kancelerinë e shtetit civil, kontabilitetin. Sigurisht sipas periudhave 1929, 1937, me rritjen e marrëdhenieve diplomatike u rrit kuadri dhe diversitetei i detyrave, por u ruajtën nivelet hierarkike dhe raportet e lëvizjes së kuadrit sipas gradave e periudhave., aq me tepër që shteti shqiptar ishte në vështiresi financiare dhe nuk i lejohej të fryhej dhe të përdorte fondet financiare tej limiteve dhe në raste të veçanta edhe me debite kohore.

Në dokumentacionin e arkivuar në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, janë depozituar informacione, relacione shkresa nivelesh të ndryshme, ku studiuesit mund të hartojnë studime të shumellojshme tematike, por edhe të shohin punën skrupuloze të punonjësve të asaj kohe.

 

Prof. Genc  Luarasi June 22, 2014 15:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*