Shqiptarët antifashistë të Australisë

Nga Mark Brunga November 26, 2014 21:33

Shqiptarët antifashistë të Australisë

Shqiptarët kanë luftuar kundër forcave fashiste jo vetëm në Shqipëri dhe Europë, por edhe në vise të largëta të botës deri në Japoni e gjetkë. Këtë fakt e mësojmë nga një informacion që marrim nga Australia. Informacion i kompletuar me shoqërimin e fotove të veçanta të cilat tregojnë se shqiptaret kanë luftuar në njësi e zona të ndryshme duke filluar nga rajonet rreth kontinentit australian deri në Guinenë e Re Papua. Sipas portalit australian “museumviktoria” një pjesë e shqiptarëve, sapo morën vesh në Australi për shpërthimin e mundshëm të luftës në kontinentin evropian, janë kthyer në shtëpitë e tyre për të marrë gratë dhe fëmijët që banonin atje.

Duke iu referuar materialit të këtij portali, kur filloi Lufta e Dytë Botërore, disa shqiptarë u rekrutuan dhe iu bashkuan përpjekjeve luftarake australiane, për shembull, në mbrojtjen e Darvinit, kryeqyteti i Territorit Verior, dhe në fushëbetejat e Papua-Guinesë së Re, Lindjes së Mesme dhe Paqësorit. Ndërsa të tjerët, veçanërisht në Kuislendin verior, u internuan si ‘të huaj të lidhur me armikun’ në fillim të viteve 1940 dhe u dërguan për të punuar në ndërtimin e rrugëve apo ferma.

Një numër burrash kanë shërbyer me devocion në luftë dhe janë dekoruar. Një prej këtyre medaljeve, “Pacific Star” (Ylli i Paqësorit) i është akorduar shqiptarit Mustafa Sherifi, (Xhejms Sherifi) për merita shërbimi në oqeanin Paqësor nga dhjetori i vitit 1941. Mustafa Sherifi shërbeu në Papua-Guinea e Re. U rekrutua në Forcën Ajrore Mbretërore të Australisë më 18 gusht 1942 dhe u lirua më 12 dhjetor 1947. Krahas tij, një foto dokument na sjell edhe një aviator tjetër, Sherif Rizi (Xhek Rizi), mes anëtarëve të ekuipazhit të skuadriljes ajrore nr.82 në Japoni. Xheku u rekrutua më 3 tetor 1942 dhe u lirua më 11 nëntor 1947. Ekzistojnë edhe foto të akteve te rekrutimit dhe të çmobilizimit të tyre nga Ministria Australiane e Mbrojtjes. Siran Zeneli mësohet se ka shërbyer në Forcat Ushtarake Australiane në Darvin. U rekrutua më 24 shkurt 1942 dhe  u lirua më 6 prill 1944. Muharem Perona shërbeu në Trupat e Xhenios të Australisë në Darvin. U rekrutua në qershor 1942 dhe u lirua më 9 dhjetor 1945. Hodo Hamiti shërbeu gjatë Luftës së Dytë Botërore në Forcat Ushtarake Australiane në Darvin. U rekrutua më 22 shkurt 1942 dhe u lirua më 13 tetor 1944. Estref Shemshedini u rekrutua në nëntor 1942 dhe shërbeu në Darvin në batalionin e 5-të të Regjimentit Skocez. U lirua më 15 mars 1943. Një pjesë emigrantësh janë izoluar si të dyshuar dhe dërguar për të punuar në fermat ushtarake për frontin. Të internuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Australi, sipas fotos së paraqitur janë (nga e djathta në të majtë): Vasfi Hymer Birangi, Gani Mehmet Floqi, Shaban Sali Suli, Servet Goskova. Të gjithë u transferua eventualisht në Viktoria.

Informacioni mbi fatin e mëvonshëm të disa luftëtarëve shqiptarë plotësohet me një përshkrim të ndryshimeve të sistemeve shoqërore në Shqipëri. Sipas këtij përshkrimi:  “Përfundimi i luftës solli vendosjen e një regjimi stalinist dogmatik dhe izolacionist në Shqipëri. Për emigrantët shqiptarë u kufizua komunikimi me familjen dhe njerëzit e afërt në ish-atdheun. Ata që u kthyen në Shqipëri në vitet fill dhe pas luftës, ranë në kurth, pa qenë në gjendje të ktheheshin në Australi. U cenua gjithashtu tradita e martesave me partnerë nga Shqipëria. Një numër i vogël i atyre që u kthyen në Shqipëri, u përpoqën të arratiseshin, por shumë pak veta ia dolën. Shumë familje pësuan ndëshkime dhe vështirësi të tmerrshme në Shqipëri në orvatjet për t’u arratisur apo thjesht për shkak të lidhjeve të tyre me botën perëndimore”. Nga shënimet në diçiturat shoqëruese të fotove mësohet se kanë qenë edhe Mehmet Osman Trungu dhe Ylmi Topi, të cilët punonin në prerje-pastrim shkurresh në Australinë Perëndimore, rreth vitit 1925. Ylmi Topi u kthye në Shqipëri në vitin 1949. Regjimi komunist shqiptar e pengoi të kthehej në Australi.

 

 

Nga Mark Brunga November 26, 2014 21:33
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*