Shqiptarët e ikur, jeta dhe puna e tyre në vendet ku jetojnë

December 29, 2017 11:45

Shqiptarët e ikur, jeta dhe puna e tyre në vendet ku jetojnë

Idriz AHMETAJ

 Aeroplani i Alitalia preku lehtë e butë pistën e aeroportit “Leonardo Da Vinçi” të Fiumiçinos në Itali atë pasdite me diell të atij fund tetori. Pasagjerët filluan të zbrisnin me të shpejtë posa u afruan shkallët dhe u hap dera e aeroplanit. Secili donte të arrinte sa më shpejt për aty ku ishte nisur: dikush kishte punë në ambasadë, për të rregulluar ca letra, një tjetër kthehej, nga Shqipëria pasi kishte inspektuar biznesin e vet atje, disa kishin ardhur për të takuar fëmijët e të afërmit; të tjerë po ktheheshin nga shtëpitë e tyre në vendlindje, pasi u mbaronte leja e kohë qëndrimit dhe nxitonin të ktheheshin në punë.

Shumica e pasagjerëve atë ditë qenë italianë. Këtë e mora vesh kur hipëm në autobus për të hyrë në ndërtesën e aeroportit ku do të kryheshin procedurat e nevojshme. Pas kalimit të cechk-up-it, vonesa e pajustifikuar  për vulosjen e pasaportave u bë shqetësuese. Në vend të shtatë sporteleve, shërbenin vetëm dy. Vargu i gjatë i udhëtarëve që shtohej vazhdimisht nga arritjet e aeroplanëve të tjerë zvarritej ngadalë si një qerthull që nuk dihej ku mbaronte. Zhurma e valixheve me rrota që tërhiqnin njerëzit e shtonte monotoninë si ai shiu i vjeshtës që godet mbi çatinë prej llamarine. Udhëtarët nuk flisnin, po vështronin atë që kishin përpara dhe vepronin  si ai duke hedhur edhe një hap të ngadaltë. Në krye ishin dy karabiniere femra që i drejtonin njerëzit tek sportelet. Pasi e kryem  verifikimin dhe vulosjen e dokumenteve tona, ishim të lirë dhe vrapuam drejt daljes. Aty na priste djali me makinë dhe pa e zgjatur, si u përqafuam, u nisëm për në shtëpi. Pa hyrë në Romë, morëm majtas drejt veriut. Edhe këtu dita ishte e kthjellët. Dielli kishte marrë rrugën e perëndimit. Rrezet e tij ndriçonin me një ngjyrë si të kuqërremtë, pemët anës rrugës me gjethet e zverdhura, kupolat e çative, shtyllat e larta dhe rreshtat e gjatë të pemë që jeshilonin fort, pasi ishin kryesisht ullinj. Si ecëm 30-40 kilometër me makinë, përpara na u shfaq një kullë e lartë mesjetare e një kështjelle mbi të cilin shpalosej nga era e lehtë flamuri tringjyrësh italian. Arritëm pranë Fiano Romanos, një kala mesjetare, ku ishte qendra dhe zyrat e komunës, një komunë “e vogël, që varej nga e “madhja”, ajo e Romës. Aty pranë ishte edhe një kishë, siç janë të shumta në Romë dhe gjithë Italinë. (Arsyet, dihet, siç ndodh në vendet arabe e Turqi; bile edhe në vende të tjera ku ka besimtarë myslimanë. Në Prizren, për shembull, kam numëruar plot 11 minare xhamish). Para komunës dhe kishës ishte një shesh i rrethuar me ndërtesa  jo të larta, gjithashtu të stilit mesjetar. Në to përveç pak vendasve banonin  me qira emigrantë. Në një të tillë ka banuar edhe im bir nja 15 vjet.

Pastaj morëm majtas, duke iu ngjitur një pjerrësie, ku rruga ngushtohej e shoqëruar kudo me rrënjë ullinjsh të shumtë e pemë të tjera. Ecëm edhe nja 4-5 km. Përpiqesha të risillja ndërmend ndonjë gjë, pasi kisha qenë këtu edhe njëherë më 2013 nja një muaj, në pranverë. Thuajse asgjë nuk po më përqasej në kujtesë. Pasi iu ngjitëm edhe pak një maloreje të lehtë, filluam të zbrisnim në krahun tjetër të kodrës. Gjelbërimi na shoqëronte kudo. Bile pylli, në mund të quhet i tillë,  ishte në gjendje të virgjër, ashtu si zhvillohet në lirinë e tij, pa ndërhyrë dora e njeriut. Anash rrugës përveç tabelave të qarkullimit rrugor, kishte dhe të tjera që tërhiqnin vëmendjen për gjuetinë, siç ishte ndalimi gjuajtjes së drerit; si vazhduam edhe pak zbritjen, u gjendëm befas para një vile trekatëshe të mbajtur mirë. Në oborr kishte një kaktus të stërmadh të krasitur me kujdes, të cilit i ishte dhënë forma e një buti vere. Djali na priu brenda. Aty gjithçka ishte kthyer në kantier pune. Vendoseshin pllakat, bëheshin instalimet e reja elektrike, të ngrohjes dhe të gazit, suvatohej, lyhej me bojë…

-E kam blerë me kredi,-tha djali.-  pasi u ulëm, duke parë në sytë tanë habi. -Ne, si çift i ri, na është bërë ndërmjetës e garant shteti  për marrjen e kredisë. Këtu shteti ndërhyn shpesh për t’iu krijuar kushte lehtësuese familjeve të reja, sidomos për strehim. Por më parë duhet siguruar një punë.

U sistemuam shpejt në dhomat e rregulluara. Ndërkohë, erdhi mbrëmja. Punëtorët u larguan për në shtëpitë e tyre. Pas pak erdhi edhe nusja e djalit nga puna. Atë natë u strehuam si mundëm dhe na zuri një gjumë i qetë, se u ndjemë si në shtëpinë tonë.

Të nesërmen, djali dhe nusja që në mëngjes ikën për në punë. Ne, pleqtë u ngritëm ngadalë dhe pasi nuk kishim ç’të bënim, i hodhëm një sy vendit: shtëpia na pëlqeu si nga cilësia e ndërtimit, edhe nga sasia e ambienteve që kishte në dispozicion. Pastaj “eksplorimi” ynë vazhdoi më tej aty rrotull në tokën ose siç e quajmë ne bashtinën që rrethon shtëpinë. Aty numëruam rreth njëqind rrënjë ullinjsh jo shumë të mëdhenj dhe mbi 250 rrënjë hardhish vreshti të lidhura e të selitura për bukuri. Kishte edhe mjaft vend për të mbjellë e rritur pemë të tjera. Në mbrëmje, kur erdhën, i thashë djalit:

-Po më pëlqen shumë kjo që keni bërë. Këtu ka aq shumë punë, sa nuk di nga t’ia nisësh më parë. Kjo nuk do të thotë të mos ia fillosh fare…

-Kam blerë shtëpinë, -tha djali. Dhe kjo shtëpi ka pasur si “pajë” këtë tokën e këto pemët rreth e rrotull. Dhe jo vetëm këto. Është makina, traktori kultivatori, makina korrëse e barit, motor kompresori, aparati për karikimin e baterive të makinës dhe traktorit, depozita e gazit, mjaft lloje traponësht, motosharra, si dhe gjëra të tjera të shtëpisë, si frigoriferë, lavatriçe krevate, rroba etj.

***

Ish-pronari i shtëpisë kishte qenë një mareshall i karabinierisë, D’Alessandro, i cili meqë kishte dalë në pension në moshë të re, si merakli për punën, si italian që ishte, e kishte mbajtur shumë mirë atë vend. Duhet të them se për më se një vit aty nuk ishte punuar fare se D’Alessandro vdiq papritur dhe la të shoqen dhe një vajzë, të cilat nuk punuan. Megjithatë, ishin prodhuar nja treqind litra verë, volëm dhe nxorëm nja 70 kg vaj ulliri, se duke parë që kishte nevojë, shpirti fshatar yni u ringjall dhe volëm mjaft ullinj që ishin pjekur dhe ishin gati.

D’Alessandro kishte punuar në Izrael dhe kishte gjetur kohë për të mbajtur e qeverisur pronën e tij. Nusen e kishte  nga Mauricusi, një mësuese, që edhe këtë vit kishte shërbyer në Fiano.

* * *

Djemtë tanë aty në Fiano punojnë dhe përgjithësisht u ka duk puna. Këtu janë si një “oaz” familjarësh me lidhje gjaku. Janë kushërinj dhe kanë tërhequr e strehuar njëri-tjetrin gjatë viteve. I pari ka ardhur Graniti. Ai  është marangoz. Ka ngritur një repart zdrukthëtarie dhe prodhon bufe, rafte, dyer, dritare, tavolina, divane, kolltukë etj. dhe me këto prodhime konkurron me sukses. Aty në atë zdrukthëtarinë e tij modeste ka punësuar edhe të vëllain, Artanin, si dhe nja dy nipër Beharin dhe Florin. Graniti punon shumë dhe fiton për të mos thënë shumë, aq sa i nevojiten. Urimi deri para pak kohësh ka punuar si mirëmbajtës lulishtesh; tani punon me të kushëririn Ilirin në magazinë dhe paguhet pak më mirë. Gjatë qëndrimit dhe punës në Fiano, djemtë janë martuar dhe kanë krijuar familjet e reja. Iliri e ka nusen rumune, Urimi nga Ukraina, Vilzani nga Venezuela, Artani nga Kulumria e Pukës, Graniti nga Himara. Këtu shqip flitet pak ose aspak. Është “ndërkombëtarizuar” italishtja, aq sa edhe Ufoja, qeni i shtëpisë “kupton” italisht kur i bërtasin për ndonjë “sherr” që bën. Në këtë “oaz”-“koloni” ka edhe personazhe të tjerë. Janë emigrantët si Agostini nga Karma e Pukës, Gjoni, nga Lezha, Adili, nga Vlora, Lorenci, nga Elbasani, Miri, nga Fieri, si dhe italianët Giusseppe, Walter dhe Francesco. Këtu ka punë dhe harmoni. Këta djemtë tanë nuk i harrojnë asnjëherë familjet që kanë këtej Adriatikut dhe përpiqen t’i ndihmojnë. Ata vijnë shpesh për festa dhe gëzime, por edhe hidhërime e marrin pjesë bashkërisht në to. Kur kanë ndonjë porosi, siç është fjala për prodhime vendi, si mish i thatë, fasule, mjaltë gështenja, etj. nuk përtojnë t’i marrin dhe t’i çojnë për aty ku ua japin prindërit. Sa për t’i konsumuar, ato bëhen “viktimë” e të gjithëve.

* * *

Muaji kaloi disi pa e ndjerë dhe ne po largohemi  me mendimin për t’u kthyer shpejt…

Romë, nëntor- Pukë dhjetor 2017.

December 29, 2017 11:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*