Shqiptarët e Kavallës

September 12, 2020 13:32

Shqiptarët e Kavallës

Xhevdet Shehu

Ka ikur koha e reportazheve apo mbresave nga udhëtimet jashtë shtetit që lexoheshin me aq ëndje nga shqiptarët dikur. Me hapjen e Shqipërisë ky mentalitet ka rënë. Jo vetëm se gati gjysma e atdheut është jashtë shtetit, që nga Amerika në Kinë, por edhe ata që kanë vendosur të jetojnë këtu kanë udhëtuar aq shumë jashtë shtetit saqë duket një përpjekje e kotë e atyre që na tregojnë nga udhëtimet dy javore apo mujore që bëjnë rregullisht në vende të ndryshme, askush nuk çuditet. Madje duket sikur bezdisen kur dëgjojnë ca tregime të stërnjohura. Mund të flasësh për Amerikën, Italinë e Francën, po me aq kuriozitet sa për Kavajën, Belshin apo Kurbinin. Kjo ka një shpjegim të thjeshtë: T’u thuash shqiptarëve të sotëm se ke qenë në Kanada, apo në Kinë, është njëlloj sikur t’u kesh thënë se ke qenë në një ditë pushimi në Lushnjë, në Roskovec apo në Pukë.

Shqiptarët kanë kuptuar thelbin. Nuk janë pamjet vizuale mahnitëse ato që përcaktojnë gjithçka. Janë mënyra e jetesës, janë mënyra se si janë përshtatur dhe si kanë mbijetuar në rrethanat që u janë krijuar.

Po i referohem një rasti, një qyteti në Greqinë fqinje, Kavallës, ku jeton prej vitesh një komunitet shqiptarësh i cili është përshtatur me jetën dhe kushtet e atjeshme. Kavalla i ngjan Sarandës sonë, duke qenë njëherësh krejt e ndryshme në shumë aspekte. E bukur si Saranda, si një vetull buzë detit, por me tjetër harmoni, me tjetër koncept jetese dhe bashkëjetese, me një tjetër arkitekturë mbresëlenëse, e pa prekur nga modernizmi i pashpirt me shumëkatëshe dhe përbindësha gjoja artistikë.

Kavalla ka ruajtur të pa cenuar bukurinë e saj. Dhe këtu e ruan magjinë e saj tërheqëse. Si rrallë qytete të tjera në Greqi. Ishulli Thasos përballë është një vlerë e shtuar për bukuritë e Kavallës.

 

Mehmet Ali Pasha

Qyteti i Kavallës në Greqi mund të renditet ndër më kryesorët që nuk mund të shmanget. Jo vetëm në Greqi, por edhe në shumë vende të tjera. E them këtë pa ngurrim dhe do të përpiqem ta argumentoj këtë në vijim të këtij reportazhi. Për shumë arsye. Jo vetëm se Greqinë e kemi fqinjen tonë më të afërt jugore, me të cilën ende nuk jemi të qartë të themi se ç’na lidhin më shumë:miqësitë apo armiqësitë.

Pasi e kam vizituar disa herë këtë qytetet të bukur dhe mbresëlënës të Greqisë, pasi kam njohur histori të lashta dhe të reja, pasi jam takuar me shumë shqiptarë dhe grekë bashkëkohës, anoj nga mendimi se me këtë vend më shumë na lidhin miqësitë se armiqësitë. Kavalla është një qytet me histori dhe që çuditërisht historinë e ka të lidhur me shqiptarët. Të djeshëm dhe të sotëm. Më është krijuar kjo bindje prej shumë vitesh. Kam vënë re se edhe grekët e kanë këtë mendim, pavarësisht se nuk e shprehin haptaz atë.

Në Kavalla ka buste dhe memoriale për grekë të shquar të këtij qyteti. Por monumenti i vetëm që ngrihet në lagjen muzeale të qytetit, në pjesën lindore të tij është monumenti i Mehmet Ali Pashës, shqiptarit të famshëm me origjinë nga Zemblaku i Korçës që u bë sundimtar i Egjiptit. Është një monument i ngjashëm me atë të Skënderbeut në mes të Tiranës.

Grekët kanë të drejtë të krenohen me një shqiptar të tillë të famshëm si Mehmet Ali Pasha, atij që udhëhoqi kryqëzatën osmane për të nënshtruar Egjiptin dy shekuj e ca më parë. Dhe pasi e nënshtroi, u vetëshpall mbret dhe u shkëput nga Perandoria Osmane. Egjiptianët e konsiderojnë atë si një nga figurat më të rëndësishme të historisë së tyre, si themelues të Egjiptit modern, ashtu si amerikanët nderojnë Xhorxh Uashingtonin, apo si ne që nderojmë Skënderbeun dhe Ismail Qemalin. Kështu vazhdoi për dyqind e ca vjet historia e mbretërve shqiptarë të Egjiptit, i fundit nga të cilët ishte Faruku që mbretëroi deri në vitet 50 të shekullit të njëzetë.

Çajupi

Le të kthehemi tek shtëpia e Çajupit, aktualisht Bashkia e Kavallës. Ja e vërteta rreth saj, sipas disa dëshmive që unë arrita të mbledh gjatë qëndrimit në Kavalla. Ndërsa shqiptarët e atjeshëm, që në të vërtetë janë emigrantë të dekadave të fundit, por edhe shqiptarë më të hershëm që kanë ruajtur gjuhën dhe traditat, e quajnë me thjeshtësinë më të madhe: “Shtëpia e Çajupit”, duke ia veshur pronësinë poetit. Kur në të vërtetë ajo ka qenë pronë e babait të tij, Haritos. Grekët e Kavallës që kam takuar dhe i kam pyetur për këtë ndërtesë, në emrin dytësor që përmendin për Bashkinë e Kavallës, janë më të saktë kur më kanë thënë: “Ajo ka qenë shtëpia e një shqiptari që merresh me industrinë e duhanit…” Ndoshta nuk ia dinë emrin pronarit, as të birit të tij poet të shquar në Shqipëri, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi kushedi çë. Por edhe këtë e thonë me gjysmë zëri, jo publikisht…

Ndërtesa e Bashkisë Kavallë i takon vitit 1890.  Është ndërtuar nga një tregtar hungarez duhanesh me emrin Piere Herzog. Në vitin 1921 është shitur nga djali i Piere Herzog,  Moris Herzog dhe është blerë nga Firma Anonime e Duhaneve të Lindjes. Në vitin 1937 doli në shitje dhe është blerë nga Bashkia Kavallë në atë kohe dhe qysh atëherë aty janë zyrat e bashkisë. Kryebashkiaku që ka bërë këtë blerje ka qenë Athanasios Balianu.

Ky është informacioni zyrtar.

Shumë të dhëna, edhe pse të mëpasshme janë zhdukur. Bëhet fjalë për Firmën Anonime të Duhaneve të Lindjes. Ky besohet është momenti që shfaqet Harito Zakoja, (babai i Andon Zakos) në Kavallë. Ky është momenti që dhe Kavalla filloi të kishte një industri duhani dhe jo vetëm prodhuese e tij. Harito Zakoja e ka zotëruar këtë shtëpi nga viti 1921 derimë 1937.

Kjo është dhe arsyeja sepse zagoritët që bënin kurbet në Greqi njihnin më shumë Kavallën se sa pjesët e tjera të fqinjit tonë jugor. Këtu kishin punën të siguruar tek bashkëkrahinasi i tyre që kishte monopolin e kultivimit dhe industrisë së duhanit të Thrakës.

Zyrtarisht thuhet se për hir të vështirësive financiare përpara të cilave u gjend firma e duhaneve, ky objekt doli në shitje të detyruar. Ka pasur dhe dëshmi nga njerëz që kanë jetuar deri vonë që këmbëngulnin se ajo është shtetëzuar me programet e kompensimeve që u bënë pas lëvizjes së popullsive midis Turqisë dhe Greqisë. Me sa duket me kalimin e viteve ideja e blerjes predominoi duke e dobësuar ndofta qëllimisht versionin e marrjes si kompensim. Nuk ka ndonjë shenjë që Andon Zako të ketë banuar në Kavallë, por nuk mund të thuhet se s’ka kaluar këtej. Mund të thuhet se kjo vizitë (ndoshta e fundit) e Andon Zakos në Kavalla ka ndodhur rreth vitit 1927 kur ka qenë për herë të fundit në Zagori. Poeti ynë i madh vdiq në 11 korrik të vitit 1930, në moshën 64 vjeçare.

Në Ëikipedia për poetin tonë shkruhet përmbledhtas kështu:

U lind në Sheper të Zagorisë, i biri i Harito Zakos, një tregtari duhani i cili punonte në Kavallë dhe Egjipt. Andon Zako, i njohur më vonë me emrin letrar Çajupi marrë nga emri i një mali në krahinën e Zagorisë, mori mësimet fillore në shkollën greke në Nivan të Zagorisë. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite tek Sainte Catherine des Lazaristes. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avokatë të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë në Zvicër, ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vite në këtë disiplinë. Atje takoi bashkëshorten e tij të ardhshme, Evgjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin. Nga viti 1892 vdiq Eugjenia, që për të qe humbje tragjike.

U kthye në Egjipt ku iu përkushtua lëvizjes kombëtare, duke u bërë një ndër figurat qendrore të kolonisë shqiptare në atë vend. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Karriera juridike mori fund për shkak të një gabimi strategjik që bëri duke mbrojtur një shoqëri franceze kundër interesave të princit të Egjiptit, më pas iu përkushtua letërsisë. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur “Klubi i Selanikut”, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.

Më tregon Niko Suli, një nga veprimtarët më të shquar shqiptarë në Kavalla:

Para disa vitesh erdhi këtu në Kavalla ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi. Shqiptarët e këtushëm që e njihnin shumë mirë këtë personalitet të shquar, nuk e linin asnjë çast vetëm. Dhe ai i takonte dhe bisedonte përzemërsisht bashkatdhetarët e tij. Mirëpo lajmi se këtu në Kavalla ndodhej për pushime ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, mori dhenë edhë ndër grekët. E morën vesh edhe zyrtarët e këtushëm. Dhe kryetari i Bashkisë i organizoi një pritje zyrtare në bashki me të gjitha nderet që i takonte. Pritja u bë në shtëpinë e Çajupit, domethënë në Bashki…

E pyeta më vonë Profesor Servetin dhe ai ma konfirmoi një fakt të tillë.

 

Turku me emrin Kosta

Po. Ka edhe të tillë me emra “kaurësh” që në Greqi konsiderohen turq. Një nga këta është edhe Kosta, i cili ka një histori të çuditshme. Sa herë shkoj në Greqi, domethënë në Kavalla, do ta rezervoj një drekë ose darkë me Kostën. Edhe të dua t’i shmangem, nuk mundem, për arsyen e thjeshtë se ai është ndër grekët e rrallë që rri gjatë gjithë kohës me shqiptarët. Ai nuk di asnjë fjalë shqip po studimet e larta i ka kryer në Londër për elektronikë dhe me shqiptarët merret vesh për bukuri. E pyes se pse e ka këtë simpati për shqiptarët dhe, pasi mendohet pak, ma kthen:

– Sepse janë të mirë, besnikë dhe të zotë. Unë ndaj të njëjtin fatin me ta. Dhe e di përse? Unë jam nga grekët e Izmirit, nga ata një milionë e ca grekër që i përzuri Mustafa Qemali një shekull më parë. E megjithëse ka kaluar një shekull, grekët e mi këtu në Greqi më thopnë “ai turku”. Vete në Turqi më thonë grek e më shikojnë me dyshim… Ja kështu edhe shqiptarët që kanë ardhur këtu. Nuk kanë për t’u bërë asnjëherë tamam grekë. Për shembull, Berti është miku im më i mirë. Është mësuesi im. Hi is my teacher…

– E ke fjalën për Dhimitrin? – e pyes unë, ngaqë e kam në tavolinë.

– Po. Kot i kanë ndërruar emrat shqiptarët këtu. Unë e kuptoj pse e kanë bërë. Por, gabim, gabim…

 

Shqiptarët aktualisht

Nejse, le të kthehemi tek historia që desha të tregoj dhe që ka të bëjë me shqiptarët e sotëm të Kavallës. Edhe këta shqiptarët e sotëm në Greqi kanë historinë e tyre dhe nuk janë të paktë ata që edhe kanë bërë emër dhe janë integruar me dinjitet në shoqërinë greke. Atje ka disa klube shqiptarësh, ku ata mblidhen pas pune mbrëmjeve, takohen me njëri tjetrin e duke pirë ndonjë birrë a ndonjë gotë verë recine, me ndonjë pjatë xaxiqe e me ca cironka që në Kavalla i gjen me bollëk dhe lirë, qajnë hallet, bisedojnë për punët e përditshme. Kërcet muhabeti shqip për shtatë palë qejfe në ato lokale ku nuk të duket vetja se je në Greqi. Tregohen barcaleta e historira nga Shqipëria, flitet për politikën e Tiranës ndoshta më saktë e më qartë se në Tiranë. Sepse ata ndjekin lajmet me imtësi, ndjekin emisionet me debate televizive, zemërohen e inatosen kur nuk dëgjojnë lajme të mira, sikur të ishin në Shqipëri. Pavarësisht se mund të jenë nga Shkodra apo nga Vlora, nga Mirdita apo Pogradeci, nga Lushnja apo Gjirokastra, pra nga e gjithë Shqipëria, janë miqësuar aq shumë me njëri-tjetrin sa nuk dallojnë. Këtu jemi një të gjithë, të thonë. Këtu jemi shqiptarë dhe pikë. Dhe i gjenden njëri-tjetrit. Ai që ka punë, shikon si të sistemojë edhe ndonjë tjetër.

E pasi ngrohen pak, bëjnë edhe humor, shpotitin njëri-tjetrin.

Në fillim ishim të gjithë njëlloj. Nuk njihnim gjuhën, nuk njihnim zakonet e vendit, por atëherë ishte mirë Greqia, kishte lekë, grekët na ndihmonin shumë për punë e strehim. Edhë këtu ka një Omonia. Atje mblidhen shqiptarët e papunë dhe presin. Vijnë afendikonjtë e thonë kam nevojë për ustallarë të kësaj e asaj pune, kush vjen?

Hë, tani tregoje atë historinë tënde Bedri, i thanë shokët një kuçovari që kishte qëndruar në heshtje deri atëherë.

– Më quajnë Andrea, – tha Bedriu. – Dhe jam nga Vorio Epiri, – shtoi gjithë seriozitet kuçovasi.

– E e, e dimë që të quajnë Andrea dhe që je vorioepirot. Po na trego njëherë atë historinë me aeroportin e ta marrin vesh të gjithë se kush je, – tha Qemali që aty e thërrisnin Qirjako.

Dhe Bedriu që na qenkësh një njeri me humor dhe i zgjuar, filloi të tregojë një histori që do na bënte të shkriheshim së qeshuri mua dhe të tjerët që u ndodhën aty.

– Po ja, – nisi të më tregojë Bedriu. – Ishte viti 2001. Unë kisha katër vjet në Greqi. Kam ardhur në 97-n në kohën e rrëmujave që ndodhën në Shqipëri. Kam punuar mësues fiskulture njëmbëdhjetë vjet në një fshat midis Kuçovës dhe Beratit, po në 92-shin na erdhi një drejtor shkolle demokrat dhe mua më hoqën nga puna me atë nenin 24/1. Më thanë se këta fëmijë fiskulturë bëjnë gjithë ditën kur vijnë e ikin nga shkolla. Nuk kemi nevojë për ty. Dhe erdha këtu me gjitha grua dhe me dy kalamajtë. Herë me punë e herë pa punë, falë këtyre shokëve që shikon këtu, jam sistemuar dhe nuk jam keq. Të paktën jam më mirë se atje në fshat ku vuaja për bukën e gojës kur më hoqën nga puna. Po të kishte qenë më mirë atje, nuk do të vija këtu. E kisha muhabetin në vitin 2001. Kishte nja dy muaj që kishte ndodhur ajo hataja e madhe në Amerikë, domthënë ato sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë u gjenda tek Omonia. Kur një ditë, pasi kishte kaluar ora njëmbëdhjetë dhe ne i kishim humbur shpresat për atë ditë, vjen një burrë e thotë: Më duhet një person për disa ditë punë në aeroportin e Aleksandropulosit, një njëqind e ca kilometra larg Kavallës në drejtim të Ksanthit. Vij unë thashë, dhe dola përpara. Ai më pa nga koka te këmbët. Si duket ia mbusha syrin. Më pa drejt e në sytë e mi që e lusnin të më merrte në punë dhe më tha: “Mirë. Po vij nesër në mëngjes në orën shtatë të të marr këtu.”

Të nesërmen dola një çerek ore para tek Omonia, pasi mezi prisja të gjeja një punë të qëndrueshme. Puna në aeroport ishte punë e fisme, jo si ndërtimi ku të bie bretku me llaç e tulla gjithë ditën. Kisha hyrë edhe në borxhe. Se ne shqiptarët e këtushëm këtë bëjmë, japim e marrim me njëri-tjetrin. Ai që ka i jep atij që s’ka. Nuk ia fal, por ky që i merr ia kthen një ditë kur të gjejë punë. Edhe këtu në klub këtë bëjmë: Nuk vëmë re se kush qeras. Atij që i ndodhen lekë në xhep, nuk i lë të tjerët të paguajnë. E, mua fati me sa dukej më kishte ndihmuar. Kushedi, ai aeroporti paska qenë fati im. Isha menduar gjithë natën dhe megjithëse nuk e dija se çfarë pune do të bëja i thashë vetes: puno mirë që ta zgjatësh sa më shumë afatin e kohës së punës. Dhe grekët e kanë këtë: Kur të shikojnë se je punëtor dhe i drejtë, të duan. Përderisa kërkojnë punë, do të thotë se ka. Bëja hyzmetin vetes…

Afendikoi erdhi fiks në orën shtatë dhe pa zbritur nga makina më tha të hipja në sedilen krah tij dhe u nis menjëherë. Rrugës duke ikur në drejtim të aeroportit nisëm të bisedonim. Kur i thashë se më quanin Andrea dhe se isha vorioepirot, grekut i ndriti fytyra. Paskam qëlluar në shenjë, mendoi. Pak më tutje më pyeti se si ishte gjendja në Shqipëri. Me sa marr vesh, nuk shkojnë mirë, nuk ka punë, prandaj kemi ardhur këtu. Edhe kjo përgjigje duket se e kënaqi. Kur ishim në mesin e rrugës, më pyeti se në cilën pjesë të Shqipërisë binte vendlindja ime. Për këtë isha menduar mirë se e dija që do të më pyesnin, prandaj pa u menduar fare, i thashë: Në Shqipërinë e jugut. Edhe atje ka një aeroport të vogël ushtarak, i shpjegova. Ai ktheu kokën dhe më pyeti: Po ç’punë ke bërë atje? Unë për të rritur pjacën e muhabetit, po edhe paratë që do të më jepnin ndoshta, iu përgjigja prapë hazër-xhevap dhe gjithë tangërllëk: “Aviator”. Ai u nxi në fytyrë sikur ta kisha sharë nga nëna. Nuk foli më, ngadalësoi shpejtësinë dhe në rrethrrotullimin e parë e ktheu makinën mbrapsht për në Kavalla. Kur desha ta pyesja pse u ktheve, ai ma preu shkurt, se ka dalë një problem… Nuk e zgjati. Më la atje ku më kishte marrë e nuk më tha as mirupafshim.

Shokët që e kishin marrë vesh se unë atë ditë do të filloja punë në aeroport, hapën sytë kur më panë. Nuk e mora vesh si ndodhi. Po shkonim për bukuri drejt aeroportit dhe fillova t’u tregoj muhabetet që kisha bërë me grekun gjatë rrugës. “Budalla” më thanë këta. Po ti ia paske bërë vetes, o budalla. Po si more i ke thënë se je aviator me zanat, dy muaj pasi ishin rrëmbyer avionët në Amerikë dhe ndodhën ato që ndodhën? Po sikur të rrëmbeje ti ndonjë aeroplan nga këta të Aleksandropulosit e t’i turreshe Athinës e ta bëje plugur e hi gjysmën e qytetit? E kush pa, ti, që nuk di t’i japësh as makinës. Nuk të ka faj greku…

Ja kjo ishte e gjitha. Mësues fiskulture vëlla, me emrin Bedri, mysliman. Po të isha më shumë i mençur unë do kisha studiuar për matematikë, mbase dhe për filozofi e mund të isha bërë deputet. Po kaq mend kam, tani le të tallet greku me mua. Më rroftë tangërllëku… Rri këtu tani te klubi i Vasilit e bëj gallatë me shqiptarët…

Unë kisha filluar të qeshja me të madhe dhe tok me mua dhe ata shqiptarët e Kavallës që, megjithëse e kishin dëgjuar kushedi sa herë, qeshnin prapë sikur ta dëgjonin për herë të parë atë histori.

September 12, 2020 13:32
Komento

8 Komente

  1. demo September 13, 22:44

    shume shpejt do grekezohen.

    Reply to this comment
  2. Zgalem September 14, 01:15

    Nje komunitet i shendoshe , ndertuar nga nevojat ekonomike te sejcilit . Xhevdeti i ka hyre ne palce problemit . Bukur . Zgalem

    Reply to this comment
  3. ?!! September 14, 11:48

    I nderuar Xhevdet , me gjithëse në dhe të huaj, jetojnë normalisht sepse nuk i rjep shteti grek me supertaksa kusarie si ne shqipëtarët në vëndin tonë qeverisur jo nga shtetar por hajdutë profesionistë. Fatura dritash dhe uji paguajnë edhe ata, edhe taksa, por nuk u bëjnë këmbët të kthehen në vatanin e mallkuar nga shpirt kazmët , armiqtë e popullit dhe tradhëtarët e betuar të vëndit, Sali Berisha , Fatos Nano, Ilir Meta dhe horri qeverisës aktual Edi Rama që po i bëjnë shqipëtarët, që të jetojnë si njerëz, të ikin nga sytë këmbët nga shtëpitë e tyre me qindra mijë vetëm këto 10 vjetë e po të sundojnë këta kafshë, do jenë edhe qindra mijë të tjerë që do të ikin 10 vitet e tjerë dhe shtëpitë e shqipëtarëve në fshat do të ken rrotul jo lule por ferra dhe do të jetojnë gjarprijntë, minjtë dhe kukumjaçkat. që me siguri Edi Ramat do tu kërkojnë taksën e trruallit, taksën e banesës, taksën e gjelbërim pastrimit ……..kjo është perspektiva në Shqipëri që garantojnë bijët dështak të marksist- leninistit Ramiz Alia që janë kapitalistëtkusarët dhe qeveritarkusarët e sotëm është. Në Kavallot e Greqisë, Italisë, Gjermanisë…………… nuk rrohet keq po të punosh me ndershmëri, këtu të rjep lëkurën Edi Rama me faturat e dritave dhe të ujit dhe kusarbiznesmeni me faturat e blerjeve në supermerkatot e dyqanet që i gjen në çdo pes metër në qytete e Shqipëris. Sa futesh në një lokal kusarbiznesmeni ynë të shikonnë sy duke bluar në mëndje “Sa do ti vjedh këtij klienti”. Ky është kusar biznesmeni , produkt i kalimit paqsor të zyrtarëve të partisë dhe administratës socialiste në kapitalistët dhe qeveritarët sotëm. Ndakort i nderuar Xhevdet, jetohet mirë në Kavallo, po nisem edhe unë se nuk jetohet më këtu!!!!! Këtu më duan vetëm për t’më vjedhur!

    Reply to this comment
    • PSE ? September 14, 19:38

      Ti ” ?!! ” e di mire qe , jo vetem ne Shqiperi , por edhe ne Greqi e cdo vend te botes paguhen taksa , por duket se ke vrer brenda vetes dhe e shfryn pa ditur c`flet ! As me thua pak , si hyri aq thelle ne borxhe Greqia , deri sa mbrriti ne ekstremin e falimentit dhe shitjes se disa ishujve , kur vjedhjet e korrupsioni lulezojne ne te githe sektoret ? A e di ti , qe ne Greqi , sipas shifrave qe ka dhene media atje , rreth 600 mije te vdekur merrnin ende pensionet e pleqerise ? Ti , ndoshta je i ri dhe nuk i ke jetuar vitet e para te tranzicionit ne Shqiperi , kur sekretari ambasades greke ne Tirane , nje kucovllah , merrte si ryshfet “te ligjshem” nje monedhe floriri , ne menyre te detyrueshme , pa llogaritur pagesen zyrtare per nje vize nje mujore ?! Kete gje e dinin te gjithe , deri tek k/ministri grek dhe e lejonin e aplikonin me nje lehtesi e cinizem te neveritshem , duke kruajtur deri ne palce shqiptaret qe jetonin ne mjerim ekstrem , per kafshaten e bukes dhe ……. e gjitha kjo , vetem qe shqiptari te punonte nje muaj ne Greqi , natyrisht ne se do te gjente pune dhe pastaj do rikthehej per te perseritur ritualin e blerjes se ndonje monedhe tjeter prej ari me leket e fituara gjate atij muaji dhe te merrte vize tjeter nje mujore ?! Na kini merzitur me kete naivitetin dhe ndjenjen e inferioritetit qe e jetoni perdite atje dhe u eshte bere pjese e personalitetit , te jetuarit e te menduarit tuaj !

      Reply to this comment
  4. ?!! September 14, 21:54

    O PSE?, korrupsion ka gjithëandej, edhe në Greqi por në Greqi nuk vidhet nga shteti i varfëri si në Shqipëri dhe ai që s’përton të punoj, qoftë edhe emigrant , jeton si njeri atje,në Kavalla e jo si skllav pa dinjitet në Shqipëri. A e di ti që me heqien e fashos prej 300 kwh të varfërve që nuk harxhonin më pak se 300 kwh se nuk ua mbante xhepi, tani paguajnë më tepër me uljen e çmimit nga 7,5 në 9,5 (simbas matematikës moderrne të sofistit dallkauk Edi Rama) ndërsa ata që duke qënë mirë nga gjëndja dhe harxhonin më tepër se 300kwh, tani paguajnë më pak. A nuk është kjo kusari e poshtër shtetërore për të varfërit . A nuk e di ti që Edi Rama pregatiti ligjin që të tatoheshin punonjësit me rrogë më të vogël se 30 000 L të rinjë por e pengoj Erion Braçja në komisionin e ekonomisë. Më thuaj ti PSE?, a nuk është kjo një tentativë kriminale e kryeministrit tonë kusar për të grabitur më të varfërit me ligj të shtetit. Po të mos jetë kusar kryeministri këtyre fakirëve me pagesë nën 30 000 L të rinjë jo ti tatoj por tua rris rrogën pse jo edhe 20 000 l për të bër një jetë për të qën e të mos paguajnë monedhën e artë grekut për të punur si punëtor sezonal në Greqi por të punoj këtu në Shqipëri , pran familjes. More ti PSE? e ke parë faturën e ujit ku shteti taton me TVSH 20% tarifën e shërbimit prej 100 lekësh të rinjë duke realizuar një kusari të hapur duke na grabitur poshtërsisht çdo muaj 20 L të rinjë për çdo familje. A nuk e di ti që taksa e televizionit shqipëtar u bë nga 500 L të rinjë në vit në 1200 L të rinjë që do të thotë është rritur 240 %. Në botë mund të ketë rritje taksash 2% ja 5% por të rritësh taksën 240 % është kusari e pastër dhe përse, për të mbajtur qindra parazitë që vrasin miza në TV shqipëtar, ta verifikoj Kontrolli i lartë i shtetit dhe po të mos jetë e vërtetë kjo.
    PSE? a jeton këtu ti apo je nga ata që jeton te Gjiri i Lalsit dhe nuk jeton me djersën dhe mundin tënd? Ka taksa , ka korrupsion edhe në Kavalla por jo si këtu që katër kusarë po ja bëjnë jetën shqipëtarëve skëterrë dhe nuk u ka ngelur alternativë tjetër veçse të ikin për të jetur jo si kafshë por si njerëz me mundin dhe djersën e tyre jashtë. Hajde në fshatin ku banoj unë të tregoj shtëpitë që u është vën kyçi dhe u kanë birë ferrat gjithëandej, nga porta deri tek dera e shtëpisë që duken si mallkim për fshatin, janë të familjeve që nuk do kthehen më kurrë. Pse të kthehen , që të futen në radhën e njerëzve që Edi Rama do ti grabisë me faturën e energjisë elektrike dhe atë të ujit? Më sjell ti ndonjë argument tjetër , jo atë çka ndodh në Greqi por këtu në Shqipëri që unë të bindem për të kundërtën. Greqinë e njoh dhe kam punuar e jetuar në një kohë të shkurtër dhe po të mos isha larguar nuk do të ishja keq duke punuar në kompaninë “Tomas Yacht” të grekut të mirë Jani Thomaj që respektonte njerin që punonte. Duke mbështetur atë çfarë shkruan i nderuari Xhevdet nuk më harrohet që një grek me familjen e tij në buzë të detit, tek Alimos Beach i Athinës më përshëndet që larg dhe kur i thash që nuk ju njoh, më tha që jahti i tij ndodhet pas jahtit Oceanis ku punoja unë dhe më ofroj ndihmën zëmr gjërë për të nesërmen. Njerzit që shikojnë punën dhe e duan punën ingranohen me njeri tjetri pamvarsisht nga kombësia dhe le ta kthejnë si të duan qeveritarët , njerzit e thjeshtë, grekër e shqipëtarë emigrant në Kavalla do të bashkjetojnë me njëri tjetrin dhe shqipëtarët kanë zënë vend atje vetëm në saj të punës pa përtesë dhe me ndershmëri dhe janë më të respektuar në dinjitetin e tyre atje sesa këtu në rregjimin e kusarqenërqeveritarëve anti njeri (shëmbulli i trisht dhe kuptimplot i mësuesit të fiskulturës Bedri). Të mos harrojmë edhe kushtrimin e të parëve ku një pjesë e atyre që quhen grekë të parët e tyre janë gjak arvanitas dhe shpesh kjo demostrohet me përputhjen e mentaliteteve në shumë fusha të veprimtarisë njerzore.

    Reply to this comment
  5. Arben September 15, 05:03

    Osmanllinjte nuk benin kryqezata, o Xhevdet

    Reply to this comment
  6. Arben September 15, 09:21

    Që i rrafshoi projekti urupian, se për pak harruat gjënë kryesore për të thënë

    Reply to this comment
  7. Niku September 15, 10:16

    Qytet i paprishur nga ndertimet thote ky shkrimtari?!!!
    nga fotoja vetem pallate betoni duken…….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim