Shqiptarët kanë iluzione, duan të pasurohen shpejt

Entela Resuli March 11, 2015 13:57

Shqiptarët kanë iluzione, duan të pasurohen shpejt

Ditën e sotme në kinema Millenium ka premierën dokumentari “Marramendje”, prodhim i Radio-Televizionit Shqiptar, një realizim i autores Donika Mustafaj, i cili trajton një temë të ndjeshme të shoqërisë shqiptare, atë të parasë.

Ajo është fokusuar më tepër tek ai momenti që i mori mendjen më shumë se gjysmës së shqiptarëve; firmat piramidale dhe dëshirën e madhe për t’u pasuruar në një kohë shumë të shkurtër.

Gruaja që kemi përballë është bashkëshortja e shkrimtarit dhe politikanit, Besnik Mustafaj. Ajo punon në TVSH, pranë departamentit të prodhimit.

Donika, prej vitesh vazhdon hulumtimet e saj artistike për të kuptuar dhe shpjeguar marrëdhëniet e ndërlikuara dhe plot ngërçe të shqiptarëve të sotëm me lirinë.

Për ta zhvilluar qasjen e saj artistike ndaj temës, autorja zgjedh qëllimisht ato elemente që kanë munguar tërësisht në jetën e shqiptareve para vitit 1990 dhe që sot janë tregues thelbësorë të mirëqenies.

Në këtë dokumentar, duke ju përmbajtur gjithnjë metodikës së saj për të zbërthyer një çështje, kuptojmë se sa janë shqiptarët të përgatitur kulturalisht për ta ndërtuar dhe administruar mirëqenien që sjell liria, Donika Mustafaj i drejtohet mirëfilli parasë si një simbol dhe si një realitet.

Ardhja e lirisë i dha fund njëherë e mirë barazitizmit poshtërues, në të cilin kishin jetuar shqiptarët për afro gjysmë shekulli.

Njerëzit nuk e kishin njohur magjinë e parasë për arsyen se vetë puna nuk ishte e shpërblyer. Shqiptarët kishin nëpër duar aq para sa për të plotësuar ditë pas dite nevojat e tyre minimale jetike.

Siç u pa më pas, ky barazitizëm në varfëri kishte shkaktuar frustracione të thella në mbarë shoqërinë. Paraja u bë shumë shpejt mishërim i përmbajtjes së vetë lirisë. Në filmin e ri të saj “Marramendje” Donika u drejtohet firmave piramidale, që lulëzuan dhe u gremisën në mënyrë dramatike në Shqipërinë e mesit të viteve ’90.

Ndryshe nga ç’është thënë e shkruar në mijëra faqe për këtë fenomen, Donika Mustafaj nuk merr përsipër të analizojë dobësitë e sistemit politik e financiar, që lejuan ekzistencën e këtyre piramidave dhe as profilin e atyre që njihen tashmë si “bosët e piramidave”.

Origjinaliteti i kësaj vepre qëndron në qasjen e shqiptarit si individ, duke shtruar pyetjen çfarë ndodhi në psikikën e tij, si e mundi ëndrra e pamundur për pasurim logjikën njerëzore në atë masë sa ky njeri të dorëzonte me vullnetin e tij të lirë të gjitha kursimet e veta.

Donika Mustafaj shmang me kujdes të madh rolin e gjykueses për atë që ka ndodhur. Ajo respekton dhimbjen e humbësve dhe madje e justifikon atë nga ana njerëzore.

Ishte një brez i paduruar për të fituar kohën e humbur dhe që gaboi në zgjedhjen e rrugës për ta fituar këtë kohë të humbur në ndërtimin e mirëqenies për vete dhe për familjen e vet. Autorja mban mirë parasysh faktin se filmin po e bën afro 20 vjet pas dramës.

Ajo zbulon tek personazhet e veta mësimet që ata kanë nxjerrë nga ato gabime dhe fuqinë e re morale dhe kulturore që ata kanë fituar, në atë masë sa tani janë të aftë të hedhin një vështrim plot humor mbi këtë periudhë të jetës së tyre.

Humori është treguesi më i qartë i pjekurisë që ata kanë fituar dhe njëherësh i jep dritë veprës, për ta kapërcyer zymtësinë që do të duhej të ngjallte një zhgënjim i madh. Personazhet e Mustafajt nuk janë të zhgënjyer me lirinë.

Përkundrazi. Ata sot janë ndërtues të shëndetshëm të lirisë. Ne e kemi ftuar znj.Donika në Dita, për të kuptuar pak më shumë mbi paranë në kokën e shqiptarëve, aq shumë të lakmuar nga të gjithë.

 

Donika Mustafaj duke folur për DITA

Donika Mustafaj duke folur për DITA

Zonja Donika, jemi takuar shpesh për dokumentare… ky është i vetmi angazhim i juaji?

Unë jetoj profesionalisht vetëm me këtë punë. Unë sapo mbaroj një film, filloj tjetrin. Në këto kohë po përgatitem për një film për Justin Godartin. Justin Godart është një politikan i njohur francez, i zgjedhur senator në Lion gjatë viteve ‘10 e ‘20 të shekullit të kaluar. E veçanta e tij mbetet një lidhje e fortë me Shqipërinë deri në fund të jetës. Ky fakt merr një kuptim të veçantë në kontekstin historik kur Franca dhe klasa e saj politike ishin në përgjithësi mbështetëse të Serbisë.

Meqë jeni fokusuar në një dokumentar për raportin “shqiptarët dhe paratë”, pse e zgjodhët këtë temë?

Si gjithë bota, qenia njerëzore e kërkon pasurimin e shpejtë sepse asnjërit nuk i pëlqejnë vështirësitë, por problemi është se si e kërkojnë. Shqiptarët janë më iluzionistë se sa të tjerët, mendoj unë edhe për shkak të varfërisë ku kanë qenë, dhe për shkak të një trashëgimie kulturore orientale që duhet ta kemi.

Pse i futën qytetarët kursimet e tyre në firmat piramidale? Çfarë ndodhi me ta nga ana psikologjike?

Nga ana psikologjike u zgjua një iluzion i madh dhe shqiptarët u bënë robër të një iluzioni të jashtëzakonshëm. Nuk treguan se janë më të dobët se të tjerët, sepse para nesh kishte ndodhur edhe në disa vende të tjera të botës ish-komuniste si Rumania. Më parë ka ndodhur në vende perëndimore me ekonomi tregu të konsoliduar, një gjë që i ndodh njeriut, më vjen keq që i ndodh dhe sigurisht na vjen të gjithëve keq, por e rëndësishme është që të nxirren mësime që të mos përsëriten më. Unë dëgjoj herë pas here nëpër lajme kronika ku thuhet se po zhvillohen përsëri embrione të firmave piramidale ku njerëzit japin e marrin para me interes. Ndërkaq që kemi një sistem bankar të zhvilluar në Shqipëri. Kjo është shqetësuese për mua. Dhe jo pse u bë atëherë, kjo i përket historisë.

Sa kohë keni punuar për këtë dokumentar dhe cilët janë personazhet që keni përfshirë në të?

Unë kam punuar afro dy vjet për këtë dokumentar që nga lindja e idesë deri tek realizimi. Personazhet që flasin në filmin tim dokumentar janë zgjedhur qëllimisht nga unë që kanë një farë pjekurie, një farë distance nga ngjarjet, mbajnë shpesh një qëndrim ironik ndaj atyre, ku ironia është forca më e madhe shpirtërore e njeriut. Janë personazhe që kanë një distancë, janë gjithë të shkolluar, nuk janë viktima të injorancës as atëherë e as tani, nuk janë thjesht produkt të kulturës, por kultura ka rëndësinë e vet për të arritur në përfundimin se këta e kanë marrë një distancë dhe unë dua t’i shërbej si modele që njerëzit të mbajnë distancë me dhimbjen e tyre dhe me telashet që kanë kaluar. Ata që nuk arrijnë të mbajnë këtë distancë ose i mbyt halli ose e përsërisin atë. Personazhet e mi janë ata që as nuk do e përsërisin më dhe as nuk i ka mbytur halli. Janë bërë njerëz shumë të suksesshëm në fushat e tyre.

Çfarë pasojash ka lënë futja e parave në firmat rentiere?

Mendoj se ka lënë një kujtim të keq dhe mendoj se njeriun e shoqëron një kujtim i keq dhe kjo është një pasojë, një pasojë jo e vogël. Kujtimet e këqija e rëndojnë të kaluarën e njeriut, duke llogaritur se janë më shumë se një në dy shqiptare që kanë futur para në firmat piramidale sipas statistikave të dhëna nga FMN në vitin 2000. Një pasojë tjetër është që një pjesë e madhe janë varfëruar e se nuk e kanë marrë akoma veten dhe kjo është një dëm. Dhe e treta, u shkatërrua një pjesë e ekonomisë kombëtare. Kombi pësoi një dëm edhe si kolektivitet. Pas atyre trazirave që ndodhën vendi u shkatërrua.

Qytetarë që kanë humbur kursimet në firmat piramidale

Qytetarë që kanë humbur kursimet në firmat piramidale

Në gjykimin tuaj ndikon paraja në personalitetin e njeriut? Është më mirë të dish apo të kesh?

Sigurisht që paraja ndikon në personalitetin e njeriut. Mund të ndikojë për mirë, mund të ndikojë për keq, kjo varet nga personaliteti i çdo individi dhe sidomos nga karakteri. Unë megjithatë në filozofinë time dhe në moralin tim, i besoj këtij proverbi shqiptar që thotë: “më mirë të dish se sa të kesh”. Sepse ai që di mund të bëhet edhe i pasur, ndërsa ai që ka nuk bëhet doemos i zgjuar, i ditur thjesht se ka para. Unë do preferoja më mirë të dish se të kesh.

Po ju zonja Donika si i keni raportet tuaja me paranë?

Unë jam dibrane dhe ne dibranët e kemi pak qejf paranë. Kemi qejf më shumë të fitojmë se të harxhojmë (qesh).

E keni ndjerë ndonjëherë mungesën e tyre?

E kam ndjerë edhe unë mungesën e parave gjatë jetës time. Herë më shumë e herë më pak.

Po bashkëshorti juaj, Besniku, si i ka këto raporte?

Besniku raportin me paranë e ka si poet, si shkrimtar. Megjithëse ai fiton më shumë para se unë, nuk harxhon më shumë se unë.

Kush e mban portofolin në familjen tuaj?

Portofolin në familje e mbaj unë. Besniku përdor aq para sa i duhen, pra përfundimisht buxhetin e familjes e menaxhoj unë. Besniku harxhon aq sa i duhen për vete.

A keni nxjerrë një konkluzion në fund të dokumentarit?

Sigurisht që unë e kam njohur më mirë atë realitet nëpërmjet punës për dokumentarin. Kam nxjerrë një konkluzion se paraja nuk është iluzion, por realitet dhe në realitet duhen shmangur gabimet për të punuar si me realitetin për faktet. Ky është konkluzioni.

Men Sitting Along Railroad TracksKush janë më të dhënë pas parasë, meshkujt apo femrat?

Në radhë të parë unë mendoj se varet nga individi, por dihet që termi “shopping” (pazar) u shkon grave. Nuk thotë njeri për burrat që bëjnë pazar, por për gratë. Fakti që pazarin e bëjmë ne femrat do të thotë që më të dhënat pas parasë jemi ne femrat, sepse për të bërë shopping duhet të harxhosh. Rrallë flitet për një mashkull që u martua me një grua të pasur, pavarësisht nga mosha, paraqitja apo kultura e saj, dhe ka shumë femra që martohen me burra vetëm se janë të pasur, që për mua është një gabim shumë i madh, sepse në shkëmbim ato marrin paratë. Unë nuk jam për këtë lloj obsesioni që kanë shpesh disa femra për paranë.

Ju dhe zoti Besnik jeni bërë edhe gjyshër, si është kjo ndjesi për ju?

Të qenit gjyshe është një lumturi e madhe, por do përfitoja akoma më shumë sikur ta kisha këtu përditë Gjergjin tim të vogël, por shyqyr që e kam.

****

Jeta pa politikë e Besnikut

Donika dhe Besnik Mustafaj jetojnë në fshatin Priskë, 13 kilometra larg Tiranës. Ata ndihen mirë dhe kanë gjetur paqe e qetësi në këtë vend. Është një ambient që i frymëzon edhe për krijuarin e tyre, por nga ana tjetër i mban larg stresit artificial që shpesh ta jep qyteti. Në këtë pjesë të bisedës, Donika tregon se është një grua tradicionale dhe respekton kërkesat dhe lirinë e bashkëshortit të saj. Respekti ka qenë reciprok dhe kështu shpjegohet kjo martesë e suksesshme dhe e shëndoshë. Janë njohur bashkë që studentë dhe prej atëherë dashuria mes tyre vetëm është shtuar. Është në paqe me veten dhe nuk e shqetësojnë rrudhat në fytyrë. Ajo e ka shijuar jetën. Përpara tre vitesh është bërë gjyshe e një nipi të vogël, ndërsa për vete thotë se…po ndien mungesën e një vajze.

Zonja Donika, sa iu ka ndihmuar të qenit gruaja e Besnik Mustafajt, në punën tuaj?

Besniku e pa dokumentarin vetëm në premierë. Unë sigurisht që kam lehtësira duke qenë gruaja e tij, sepse ndoshta këto personazhe që kam sot, nuk do t’i kisha. Unë mendoj që kjo i ka shërbyer më shumë dokumentarit se sa mua. Por kjo nuk do të thotë që dokumentarin ma ka bërë Besniku (qesh).

Donika me bashkëshortin e saj, Besnik Mustafaj

Donika me bashkëshortin e saj, Besnik Mustafaj

Të ndihmon në marrëdhënie me njerëzit?

Kur bëra dokumentarin “Fëmijëria peng”, ku u futa te familjet e mesme dhe të pasura të shqiptarëve pas viteve ’90, ishte ndoshta edhe emri i Besnikut nga pas, që më ndihmoi sepse ato nuk t’i hapnin dyert. Por vetëm kaq. Sepse më thonë shpesh që “hë se të jep një dorë Besniku”. Jo, ai nuk bën dot dokumentar, ashtu siç unë nuk bëj dot letërsi.

Ju vjen keq që ju thonë kështu?

Po, edhe më vjen sepse nuk është e vërtetë. Ndonjëherë edhe Besniku më thotë që, sa keq më vjen që edhe meritat e tua i marr unë. Unë mendoj që njeriu duhet të marrë atë çka meriton. Në fillim mërzitesha, po tani nuk më bën më përshtypje, pasi kam tetë dokumentarë dhe nuk besoj se mendon njeri që të tetë m’i ka bërë Besniku (qesh).

Ju vazhdoni të jetoni në periferi të Tiranës?

Po, jetojmë në fshat, në Priskë. Kemi një shtëpi atje.

Si është jeta në fshat?

Shumë e bukur. E qetë, dhe aq më tepër për krijuesit, është parajsë pasi ka qetësi. Je larg anktheve, larg stresit. Ka ajër të pastër dhe është shumë mirë.

Sa kohë u bënë që keni zgjedhur këtë mënyrë jetese?

T’ju them të drejtën unë kam qenë shumë qytetare dhe kam qenë pro jetës në qytet, por që nga momenti që vendosëm të shkojmë në fshat, nuk e ndërroj me qytetin. Sigurisht, që punën e kemi në Tiranë dhe zbresim këtu, por më pas kur shkojmë atje, jemi komplet në harmoni me natyrën.

Entela Resuli March 11, 2015 13:57
Komento

8 Komente

  1. true March 11, 15:57

    si puna e norvegjezeve se ata duan te pasurohen shpejte madje duke perdorur metodat e mashtrimi9t.

    Reply to this comment
  2. Predha March 11, 17:04

    Shumë mirë Entela që kapni ato detaje të marëdhënive jetësore që nuk kapen nga të tjerët. Dokumentarin nuk e kam parë por sidoqoftë e krijova një farë perceptimi. Jashtë kontekstit të shkrimit tuaj mund të them se marrëzia e shqiptarëve për pasurim të shpejtë ende nuk ka përfunduar. Ka një dozë pjekurie më të madhe por po ta ngacmosh sadopak këtë marrezi menjëherë aktivizohet! Llotot dhe derivatet e kësaj shëmtie për të fituar brënda ditës janë ende shumë të përhapura. Edhe ndër tregëtarët,të cilët sapo ndjejnë një okazion të favorshëm menjëherë i ndryshojnë çmimet brënda minutit…! Duan ta nxjerin fitimin e muajit brënda një dite! Zonja që kini intervistuar,pavarësisht nga lidhja bashkëshortore m’u duk një grua me integritet profesional dhe e kendshme në prezantimin e ideve të dokumentarit të saj. Nderime Entela!

    Reply to this comment
    • Pëllumb zaimi March 11, 17:31

      Ndaj të njëjtat mendime me ” Predha” por znj. Entela i thuaj kësaj zonjës që të mos bëjë dekumentarin që ka në plan por,një dekumentar për gazetarët profesionistë të ” Dita-s” që me penën dhe mendjen e tyre të mprehtë ishin ndër dy-tre faktorët kryesorë, në mos kryefaktori, për kurorëzimin e fitores së forcave progresiste mbi ato shpellariste e kusariste më 23 qershor 2013! Nuk ka temë më interesante dhe më heroike sesa ajo e punës së këtij stafi gazetarësh që demaskuan me heroizëm e zgjuarësi një pushtet totalisht të korruptuar e të inkriminuar! Dhe jo të armatosur me “marrëzinë” e shqiptarëve për para por vetëm e vetëm me rrogat e tyre modeste! Pa qënë “Dita” në vijën e parë të sulmit e them me bindje,- zor se do të kishim një 23-qershor! Do të kishim një coptim forcash përballë lumit të parave që dispononte kusaria në krahun tjetër! Me “Ditën” paraja e humbi betejën strategjike dhe u vërtetua dobësia e forcës së parasë përballë ideve dhe moralit progresist! Nderime zonjush Entela dhe transmetoje idenë për zonjën dekumentariste!

      Reply to this comment
      • Xha Selmani March 11, 22:20

        Po, po,po ????????? Edhe unë kështu them, të bëhet një dokumentar për ‘Ditën’ nga zonja Donika. Me Entelën ta fillojë, me Thanon ta vazhdojë dhe me duartrokitjet e Koçikos, të Habilajt dhe të Shehëve ta mbyllë. Ja kështu!

        Reply to this comment
  3. SuloKapedani March 11, 18:24

    Nè mos gaboj edhe Hasan Zyko Kamberi ka shkruar bejte “Ja di kimen parasè”kuptohet pèr shtresèn e pasur tè asaj periudhe.Te flasèsh pèr parane ,ka shume mendime dhe rruge por me saktè duhet te flasin sociologèt me gradè shkencore se te ne me parè flasin hamullorèt e shqupit tè krijuar kèto 20 vjetè.Per kètè intervistè zonjè e pèrshèndes,gjithashtu edhe pèr punèn e mirè qè ka bèrè dhe vazhdon tè bèjè.Gjurmèt e mira ngelen pèr jetè.

    Reply to this comment
  4. Alban March 11, 21:28

    znj. Donika urime por keni vendosur gabim titullin. Titulli me i sakte nuk duhet ti referohet shqiptareve por Poltikqaneve te katovices. Besniku duhet ta kishte korigjuar/redaktuar kete detaj percaktues.

    Reply to this comment
  5. Une... ti.... ne te gjithe... March 11, 23:26

    Ne meselene e cakerrdisjes kolektive te shqiptareve ka dore shteti i bashtibazukeve qe zevendesoi sistemin e cuditshem “komunist” ne fillim te viteve 90.

    ilir hoxha eshte shprehur se “ne dime dhe i manaxhojme turmat”.

    1) teoria e te filluarit nga zerua.
    2) perhapja e psikozes “paraja mbi te gjitha & secili per vete zoti per te gjithe”
    3) dalja e presidentit te republikes perpara mediave kombetare dhe nderkombetare me deklaraten : “veme doren ne zjarre qe ato para jane para te pastra te shqiptareve”

    Keto dhe shume te tjera kane qene pjese e nje programi te paster te kontrolluesve te turmave per te lene damken e tyre ne viktimen e amfiteatrit politik europian.
    Firmat piramidale dhe 97a nuk duhet te harrohen dhe lihen ne heshtje pasi ato kohe dhe ngjarje jane pergjegjese per katastrofen kombetare qe transformuan po thuaj jeten e cdo shqiptari.

    Te dalesh ne publik dhe te beshe avukatesi me fjalet “pati ndodhur ne vende te tjera para se te ndodhte tek ne” do te thote se je per harrimine asaj marrezie.

    Po! Pati ndodhur edhe ne vende te tjera por pa shqepe gojen pak me shume dhe na thuaj ne cfare raporti me numrin e popullsise pati mdodhur atje.
    Po per manaxhimin e zemerimit te popullit do na veni ndonje krahasim???

    Presidenti I republikes qe na bente garantin e legjitimitetit te atyre firmave na nxori qenet e terbuar te shikut dhe policise speciale te perbere nga radhe cobanesh e katundaresh qe te na shtronin ne hu grate, pleqte dhe femijet perse protestonin per transparence dhe per kthimin e parave.

    Pra zonja ne fjale te mos na beje te zgjuaren duke na bere analiza shkencore te psikologjise kolektive se keto nuk i takojne asaj, por te pyesi bashkeshortin se cfare di per shkerdhatacionet qe politika e kucedrave i ka bere popullit per dy dekadaxe gjysem.

    Ta pyesi pak edhe se si do mund shqiperia te dale nga konferenca e vendeve islamike per te cilen zotnia eshte entuziast i zjarret.

    Reply to this comment
  6. beni March 12, 09:20

    Shqiptaret nuk din te ndertojn shtet e jo se duan te pasurohen,se pasuri kekojn te gjith!
    Shtet vetem ka emrin por esht nje anarshi e pa ndreqshme dhe kultivon vetem mos besim e cdo politikani qe vjen ne pushtet qofte te majte apo te djathte!
    Moto e ktij shteti artificial esht te rembejm sa kemi pushtet!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*