Agjenti futi në kurth sekseren: “20 mijë euro të të çoj në SHBA”. Një hetim sekret që nisi në Shkodër

May 5, 2015 20:30

Agjenti futi në kurth sekseren: “20 mijë euro të të çoj në SHBA”. Një hetim sekret që nisi në Shkodër

Më 4 shkurt 2015, një agjent i infiltruar policie u takua në Shkodër me 50-vjeçaren Sofije Pepa dhe i kërkoi asaj ndihmë për të emigruar ilegalisht drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E akuzuara si seksere e një grupi kriminal në trafikimin e qënieve njerëzore kërkoi 20 mijë euro në këmbim.

Agjenti me emrin e koduar Arbër Koreshi u rikthye në Shkodër me paratë, por në vend të një bilete për në SHBA siguroi provat për 5 urdhër-arreste ndaj grupit kriminal që akuzohet se ka dërguar dhjetra shqiptarë në drejtim të Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Sofije Pepa u arrestua më 1 maj 2015, së bashku me Bajram Xhajën, Kujtim Eminin, Xhelil Allën dhe Mihal Gjokën. Grupi i të pestëve akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprën penale të “trafikimit të personave të rritur”, parashikuar në nenin 110/a të Kodit Penal.

Të akuzuarit ndodhen në qeli prej pesë ditësh, ndërsa Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të martën masën e “arrestit me burg” për ta.

Një dokument i hetimit të Prokurorisë, i siguruar nga BIRN tregon se të arrestuarit rekrutonin persona nga zona të ndryshme të vendit, të cilët ishin të interesuar të emigronin drejt Britanisë, SHBA dhe Amerikës.

Sipas Prokurorisë, emigrantët ilegalë i paguanin rrjetit 5 mijë euro për të shkuar në Britani dhe deri në 20 mijë dollarë për të mbërritur në SHBA ose në Kanada.

Në një investigim të mëparshëm, BIRN raportoi për një dhjetëfishim të numrit të klandestinëve shqiptarë, të cilët ishin kapur në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara gjatë dy viteve të fundit.

Sipas një raporti të Ambasadës Amerikane në Tiranë, gjatë vitit 2012 ishin kapur 56 klandestinë shqiptarë në kufi, ndërsa gjatë vitit 2013, numri i tyre ishte ngjitur në 487.

Skema e përdorur nga rrjeti i Sofije Pepës është i ndryshëm nga rrugëtimi i mëparshëm i qindra emigrantëve ilegalë të Shqipërisë së Veriut, të cilët mbërrinin në Shtetet e Bashkuara përmes Meksikës.

Ndryshe nga klandestinët që udhëtonin për më shumë se dy javë në territorin e Amerikës Latine, klientet e rrjetit të dytë të trafikut mbërrinin me avion në territorin amerikan.

Megjithatë, skemat e ndryshme të trafikimit bashkohen sërish në Shtetet e Bashkuara, ku klandestinët shqiptarë u drejtohen zyrave të Departamentit të Sigurisë si azilkërkues.

Agjenti i infiltruar zbuloi rrjetin

Agjenti i policisë, i cili në dokumentet e hetimit njihet me emrin Arbër Koreshi bëri lëvizje të shpeshta Shkodër-Tiranë dhe një mori veprimesh të tjera përpara se të gozhdonte rrjetin e dyshuar të trafikantëve. Sipas Prokurorisë, ai është ndihmuar në këtë hetim nga një agjent i dytë në mbulim.

Në takimet me Sofije Pepën, agjenti kishte mësuar se nisja drejt Amerikës do të bëhej me avion nga Italia. Ai do të udhëtonte drejt Italisë me pasaportën e vet biometrike dhe më pas do të fuste në lojë një pasaportë të falsifikuar italiane, të cilën do t’ia siguronin të dyshuarit.

Pas takimit të 2 shkurtit, agjenti i policisë u takua me Sofije Pepën edhe dy herë të tjera në Tiranë, në datat 9 dhe 15 prill 2015. Ndërsa më 22 prill ai ka udhëtuar sërish në drejtim të Shkodrës, ku ka depozituar 20 mijë dollarët për rrjetin, në një bankë të nivelit të dytë.

“Paratë janë depozituar në një llogari të hapur në dy emra; atë të agjentit dhe të Sofije Pepës. Në momentin e mbërritjes në ShBA, ajo kishte mundësinë t’i tërhiqte këto para,” thuhet në dokumentin e siguruar nga BIRN.

Tetë ditë pasi kishte depozituar paratë, agjenti i infiltruar ishte telefonuar nga Pepa dhe ishte njoftuar se do të nisej drejt SHBA-së më 1 maj.

“Më parë do të takohesh me kryesorin e kësaj pune,” i kishte thënë e akuzuara agjentit të policisë.

Më 1 maj, agjenti i policisë ka shkuar tek Ushtari i Panjohur në Tiranë, ku është takuar me dy anëtarët e rrjetit, Bajram Xhaja dhe Kujtim Emiri. Ai ka marrë prej tyre një valixhe, ku ndodheshin një set dokumentesh të falsifikuara italiane si dhe porositë e nevojshme për itinerarin që do të ndiqte.

“Ata i shpjeguan disa herë mënyrën e udhëtimit, itinerarin që do të ndiqte si dhe i dhanë dokumentet me të cilat do të udhëtonte,” thuhet në dokumentet e Prokurorisë.

Agjenti i policisë u pajis prej të akuzuarve me pasaportën italiane, kartë identiteti, kod fiskal italian, patentë dhe garanci pritësi. Ata i dhanë gjithashtu edhe 1200 euro për të blerë biletën e udhëtimit nga Italia drejt Shteteve të Bashkuara.

Pasi siguroi provat e nevojshme, agjenti i infiltruar i dha dritën jeshile operacionit të policisë.

Bujar Xhaja dhe Kujtim Emini u arrestuan tek Ushtari i Panjohur në Tiranë, ndërsa Sofije Pepa u kap në Shkodër. Paralelisht me ta, policia arrestoi edhe Xhelil Allën dhe Mihal Gjokën, të cilët dyshohet se janë implikuar në të njëjtin rrjet të trafikantëve të qënieve njerëzore.

Trafiku ilegal drejt SHBA 

Emigrimi drejt Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë është kthyer në qëllimin kryesor të një numri të madh shqiptarësh, që prej rënies së regjimit komunist në fillim të viteve ’90. Kërkesa e lartë përgjatë viteve ka krijuar terren të favorshëm për krijimin e organizatave kriminale, të cilët mundësojnë kontrabandën e qënieve njerëzore.

Paralelisht me largimet drejt Shteteve të Bashkuara, Shqipëria është përballur me një eksod të ri të shtetasve të vet në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian. Rrjeti i trafikantëve që vepronte në Shkodër dhe në Tiranë u arrestua në valën e debatit për këtë eksod të fundit të shqiptarëve.

Megjithatë, grupi i strukturuar kriminal, i arrestuar pas një hetimi 5-mujor nuk është i vetmi i goditur nga Prokuroria dhe Policia shqiptare.

Në Maj 2014, policia arrestoi 15 anëtarët e dyshuar të një rrjeti tjetër, të cilët përdornin dokumente të falsifikuara për emigrantët ilegalë që donin të mbërrinin në SHBA. Një vit më pas, vetëm pak prej anëtarëve të grupit ndodhen në qeli.

Pavarësisht mënyrës se si trafikohen në Shtetet e Bashkuara, emigrantët shqiptarë ndjekin procedura të njëjta kur mbërrijnë në destinacion.

Përgjithësisht, ata nxjerrin sërish pasaportat e tyre të vërteta dhe u drejtohen zyrave të Departamentit të Sigurisë, ku kërkojnë azil.

Statistikat e Zyrës së Emigracionit në Shtetet e Bashkuara tregojnë se përgjatë viteve 2004-2013, përfituan azil 3 782 qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, numri i kërkesave për azil konsiderohet shumë herë më i lartë / BIRN

May 5, 2015 20:30
Komento

4 Komente

  1. skifteri May 6, 05:23

    Lereni shqiptaret e mjere te largohen, te pakten me anen e ketyre organizatave kriminale , ne shqipri nuk jetohet ,parat ,vilat,lluksin,makinat,nje vende pune sot e kane politikanet vetem ata bredhin me makina te shtrenjta ,kostume te shtrenjta te llakosur dhe te parfunosur ne vilat dhe hotelet turistike ku shpenzoin shuma kolosale per orgji te shfrenuara.Kurse 60% e popullsise vuajne nga niveli shume I ulet I jeteses si pasoje e politikes shfrytzuese te shtypjes korrupsionit diskreminimit ne paga e pensione ne raportin 1-15 me shume per eliten e korruptuar .Populli eshte pa pune ,pa prespektive,vuan per buken e gojes.Largimi nga shqipria nuk eshte nje lluks por behet nga varferia dhe njerimi.Keni degjuar ju per emigrim klandestin te femijve te POLITIKANVE ?jo asne.Ka nga ata qe I dergojne femijet te kamufluar si diplomat,mbarojne shkollat ne perendim duke punuar si zyrtar ambasade shqiptare.Kjo politik po varferon popullin çdo dit.~~~~~~~~#

    Reply to this comment
  2. laveri May 6, 08:28

    Kto meritojn te dekorohen se po bajn per shqiptart e shqiprin kur mrrita shndosh e mir ne itali 20 vjet ma par djemve te vlores i urova jau prift zoti mar pshtova familjen e vedin .

    Reply to this comment
  3. Didi May 6, 09:48

    Vizat shiten prej vitesh dhe do vazhdojne te https://www.youtube.com/watch?v=CxK6e4U88OM shiten

    Reply to this comment
  4. demo May 6, 10:52

    Kapni mor te korruptuarit qe vjedhin djersen e shqiptareve,kapni drejtorat e degjeneruar,kapni kriminelet,!Ja hengret mutin Arben Imamit,qe shiti gjithe tanket dhe armatimin shqiptar,ja hani te tere Sali Berishes me te bijte qe nuk i numerohen 101 krimet dhe miljarda vjedhje nga pasuria e popullit.Prandaj eshte ky popull i varfer,detyrohet te iki nga syte kembet prej hajduteve.Keta qe shesin viza i sherbejne fukarave,qe te ikin dhe mos ju pafshin bojen!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*