Shqiptarët në Kanada, përpjekjet për të qenë bashkë edhe kur janë larg

February 6, 2018 09:54

Shqiptarët në Kanada, përpjekjet për të qenë bashkë edhe kur janë larg

 

Entela Resuli – DITA

Emigrimi është i vështirë për këdo që lë vendin e tij dhe kërkon të fillojë një tjetër jetë në një tokë të huaj. Shumë shqiptarë në këto 27 vite kanë zgjedhur ta bëjnë këtë dhe ia kanë dalë më së miri. Ka nga ata, që pavarësisht largësisë gjeografike nuk harrojnë asnjëherë se nga vijnë, dhe kjo është shumë e rëndësishme për një njeri.  Në vende të ndryshme ku kanë emigruar shqiptarë, këta të fundit janë kujdesur që të gjejnë forma për t’u bërë bashkë duke ruajtur traditat dhe gjuhën. Gjaku të thërret, pavarësisht se sa mirë ti integrohesh në një vend të huaj. Në jetë është shumë e rëndësishme të ndjekësh dritën, por pa harruar kurrë, rrënjët.

Sot do të ndalemi te shqiptarët të cilët jetojnë në Calgary, Alberta të Kanadasë, të cilët nuk janë pak. Kanadaja gjithmonë e më shumë ka ditur të marrë pranë vetes emigrantë të shkolluar dhe të aftë për punë. 4 mijë shqiptarë punojnë dhe jetojnë aktualisht në Calgary. Ata janë integruar shumë mirë në këtë vend dhe jetojnë aty më të drejta të plota.

Ilir Kuqi, kryetar shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Calgary, na ka treguar në këtë intervistë për Dita-n, mbi aktivitetin e saj, por edhe  mbi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës e zakoneve.

 

-Z. Ilir, ju sa kohë keni që keni emigruar në Kanada dhe si ndiheni aty?

U largova nga Shqipëria në vitin 1995 dhe lëviza me studime në Amerikë. Aty mbarova universitetin dhe fillova karrierën si menaxher për Enterprise.  Më pas me kompaninë para 8 vitesh lëviza në Kanada ku tani jetoj.  Kanadaja është një vend që i përkrah shumë emigrantët. Madje sot lexova një artikull që është listuar si vendi i dytë më i lumtur në botë për jetesë.

– Në cilin qytet të Kanadasë jetoni?         

Jetoj në Calgary, Alberta.  Është një vend me 1.4 milion banorë dhe ka disa karakteristika shumë të bukura si qytet.

-Me çfarë merreni aktualisht?

Jam drejtor i kompanisë Enterprise Holdings dhe mbikëqyr provincën e Albertas. Kam 12 zyra dhe mbi 100 punëtorë.

-Në shumë vende të botës, ku ka shqiptarë ka gjithashtu shoqata që ata i bënë bashkë. Na tregoni diçka për  Shoqatën Shqiptaro-Kanadeze në Calgary, cili është qëllimi i saj?

Shoqata ka dy vjet që është hapur dhe faktikisht nuk jam themeluesi, por këtë janar bëmë zgjedhjet e para ku u zgjodh kryesia e re dhe pjesëtarët e bordit.  Qëllimi i shoqatës është të ndihmojë shqiptarët që jetojnë në Calgary apo rreth Calgaryt të integrohen më mirë me kulturën kanadeze.  Po ashtu ka qëllime identiteti dhe t’i jap zë komunitetit tonë këtu.  Brezat tonë duhet të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën dhe të dinë nga vijnë.  Pikërisht, ne si shoqatë po përpiqemi të kultivojmë kulturën tonë dhe ta pasqyrojmë tek fëmijët tanë. Për më shumë informacione mund të vizitoni faqen tonë zyrtare:  www.AlbCanYYC.org

Ilir Kuqi, kryetar shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Calgary

Ilir Kuqi, kryetar shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Calgary

-Erdhi si nevojë e shqiptarëve që jetojnë në Calgary?

Patjetër!  Si komunitet kemi nevojë të dëgjojmë muzikë shqip, ose të flasim me njëri-tjetrin. Shumë komunitete të ndryshme, duke filluar nga italiani, greku, kinezi dhe shumë të tjerë bëjnë një punë shumë të mirë për të ndihmuar njëri-tjetrin, pse jo dhe shqiptarët. Shumë shqiptarë në Kanada kanë arritur pika shumë të larta në karrierën e tyre, dhe kur një profesion i yt mund të ndihmojë kanadezët, a ka gjë më të bukur po të ndihmosh dhe gjakun tënd?

-Cili është aktiviteti i kësaj shoqate deri më tani?

Edhe meqë jemi një shoqatë e re, kemi bërë disa aktivitete, duke filluar në festimin e festës së flamurit, pavarësinë e Kosovës, kemi hapur shkollën shqipe për dy grupe moshash dhe kemi bërë pikniqe. Gjithashtu jemi lidhur me një organizatë jofitimprurëse ku kemi reklamuar filma shqip në kinematë e Calgaryt.  Kemi dy vjet që bashkëpunojmë me European Film Festival.

-Në dijeninë tuaj sa është numri i shqiptarëve që jetojnë në Calgary?

Mendohet që janë rreth 4000 shqiptarë në Calgary.

-A janë shqiptarët një komunitet që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin?

Mendoj që po.  Fillimet janë gjithmonë të vështira, por duke krijuar mundësinë nëpërmjet shoqatës, ne shqiptarët me një organizim profesional kemi shumë aftësi. Thjesht mund të shikosh shoqatën e Torontos dhe çfarë kanë arritur ato si shoqatë.  Këtë mund të bëjmë dhe ne në Calgary.

-Çfarë do të bëhet nga ana e shoqatës, për të ndihmuar që gjuha shqipe të ruhet, po ashtu zakonet dhe traditat shqiptare?

Siç e thashë më parë, ne kemi hapur shkollën shqipe dhe për këtë jemi shumë të lumtur dhe krenarë. Kemi një grup mësuesesh që janë profesionale.  Qëllimi është të vazhdojmë zgjerimin e shkollës shqipe sepse ka shumë prindër që nuk e dinë që kjo shkollë ekziston.

-Sipas jush, sa e rëndësishme është që të ruhen disa vlera… flamuri, gjuha, përkatësia, traditat?

Ne kemi fatin si shqiptarë që e dimë nga vijmë.  Pikërisht është shumë e rëndësishme që ne t’i ruajmë traditat dhe të përpiqemi t’i pasqyrojmë ato cilësi që kemi në Kanada.  Ne duhet të jemi krenar që jemi shqiptar. Shoqata po përpiqet shumë dhe do të përpiqet t’i japim jo vetëm Shqiptarëve por çdo kombësi në Calgary të kuptojë ç’farë do të thotë të jesh shqiptar. Do të përpiqemi të ndërtojmë zonën tonë komunitare ku aktivitetet tona të njihen kudo në Calgary.

-A janë të interesuar prindërit që t’u mësojnë fëmijëve të tyre, gjuhën shqipe?

Ka plot prindër që kanë dëshirë t’i sjellin fëmijët dhe ka disa që ndoshta nuk e shohin të rëndësishme.  Duke reklamuar suksesin e fëmijëve që shkojnë në këtë shkollë, shpresojmë që edhe ata prindër që i kanë fëmijët t’i sjellin sepse gjuha është identiteti jonë.

-Me çfarë merren shqiptarët në Calgari, në ç’fushë punojnë kryesisht dhe a kanë probleme me integrimin?

Shumica e shqiptarëve këtu janë inxhinierë nafte, por kemi dhe shumë profesione të ndryshme duke filluar tek pronarë restorantesh, pronarë ndërtimi, etj etj..

-Z. Ilir, ka shumë shqiptarë që duan të emigrojnë, a keni një mesazh për ta…?

I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, mos harroni identitetin.  Ne si vend ndoshta i vogël, por kemi treguar që mund të arrijmë majat në çdo sektor jete. Duhet të lidhemi dhe të ndihmojmë njeri-tjetrin. Jeta në komunizëm ndoshta na pat bërë pak për vete në një aspekt, dhe nuk ka gjë më të bukur kur arrin të ndihmosh dikë, dhe mos të kërkosh as një falënderim.  Ky është kulmi i humanizmit.  Le të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe t’i tregojmë botës që shqiptarët janë një gen për t’u lakmuar.

 ***

Bordi

Dy javë më parë Shoqata Shqiptaro-Kanadeze në Calgary ka bërë zgjedhje të reja. Ilir Kuqi është zgjedhur kryetar i saj.

Në të njëjtën ditë (21 janar) u zgjodh edhe Bordi ri i Shoqatës.

Sipas njoftimit të bërë në faqen e shoqatës mësohet se, për kryetar u zgjodh Ilir Kuqi, nënkryetar Nebi Murseli, ndërsa financiere Ilda Budo. Anëtarë të tjerë të Bordit u zgjodhën: Bukurie Mino, Edlira Belishaku, Agim Ajdini, Gëzim Ugzmajli, Flamur Veselaj, Saimir Budo, Shaqir Duraj dhe Mariglen Aliko, Sokol Preka, Debatik Cërmjani dhe Petrit Belishaku.

February 6, 2018 09:54
Komento

1 Koment

  1. Tirona February 6, 15:06

    Haaaaa drejtor me veta

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*