Shqiptarët populli më optimist në rajon

August 4, 2015 16:19

Shqiptarët populli më optimist në rajon

Opinioni publik shqiptar vazhdon të ruajë tendencën e fortë të optimizmit ndaj të ardhmes në shumë prej pikave kyçe si ekonomia, punësimi apo impakti i krizës ndaj punësimit. Ndonëse forca e optimizmit e evidenton qartazi nga vendet e tjera në rajon, elementë thelbësorë manifestojnë një perceptim goditës ndaj institucioneve të brendshme kombëtare dhe besimit ndaj tyre. Çfarë konstaton vëzhgimi i fundit i Komisionit Evropian nëpërmjet EB-83, dhe çfarë problematikash tërheqin vëmendjen ?

Ky vëzhgim e rendit Shqipërinë si ndër popujt më optimistë në rajon. Kjo tendencë vazhdon të ruhet e njëjtë edhe në raport me vëzhgimin e parafundit (EB-82). KE monitoron sistematikisht opinionin publik të vendeve anëtare që prej vitit 1973, si edhe vendet kandidate që aspirojnë anëtarësimin në të. Sa optimistë shfaqen shqiptarët në raport me fqinjët në rajon dhe sa të interesuar janë ato për çështjet që lidhen me BE-në ?

Vëzhgimi në lidhje me opinionin publik shqiptar, shfaqet interesant pasi shfaq doza të rëndësishme optimizmi në lidhje me të ardhmen në fusha të caktuara. Ky optimizëm e dallon ndjeshëm Shqipërinë nga fqinjët e saj, që janë gjithashtu vende kandidate për në BE. Përtej optimizmit si element thelbësor i ruajtjes së shpresës dhe gjenerimit të nevojshëm të motivacionit, vëmendje tërheq dhe perceptimi i hidhur i realitetit mbi institucionet e brendshme kombëtare. Perceptim, që ndryshon ndjeshëm përballë besimit ndaj institucioneve evropiane.

Ekonomia

Shqiptarët e vlerësojnë në shumicë (64%) tërësisht të keqe, situatën ekonomike kombëtare, Gjithsesi vërehet një zbehje apo rënie (- 6) nga vëzhgimi i fundit i vjeshtës 2014 (EB-82). Por ky vlerësim negativ përmbyset përballë perceptimit pozitiv të situatës financiare familjare (59 %) e cila vlerësohet si tërësisht e mirë, si edhe situatës personale në lidhje me punën, e cila perceptohet gjithashtu si pozitive (48%).

Papunësia (55%), renditet gjithashtu si çështja më e rëndësishme, që po përballet vendi aktualisht, ndërsa ekonomia vlerësohet (38%) si fenomeni i dytë shqetësues në rang kombëtar. Shqetësimi i tretë i opinionit publik shqiptar (32%) lidhet me rritjen e çmimeve, inflacionit dhe kostos së jetesës.

Bashkimi Evropian

Por, çfarë përfaqëson për shqiptarët Bashkimi Evropian ? Vlerësimi kryesor shkon ndaj prosperitetit ekonomik (59%), i cili dominon nga vëzhgimi i fundit, në të cilën kryesonte liria për të udhëtuar, studiuar dhe punuar kudo në BE. Kjo e fundit është zhvendosur me një diferencë të vogël me 1% në vend të dytë, ndërsa konsiderimi i tretë, specifikon mbrojtjen sociale (43%).

Si qëndron raporti i besimit të opinionit publik shqiptar, ndaj Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij ? Në një shumicë absolute (68%) opinioni publik shqiptar ka tendencë t’i besojë Bashkimit Evropian.

Por, situata shfaqet tërësisht e përmbysur, kur publiku vlerëson besimin apo tendencën e besimit, ndaj institucioneve të brendshme kombëtare. Ky besim është në shumicë absolute negativ, në mënyrë të veçantë ndaj Parlamentit Kombëtar (62%) dhe ndaj Qeverisë, pak më e ulët, vetëm në (53%).

Qytetarët shqiptarët mbartin gjithashtu në shumicë (75%) një vlerësim pozitiv përballë imazhit të BE-së, ndonëse me një rënie të lehtë (-5) nga vëzhgimi i fundit. Ky imazh pozitiv bashkëshoqërohet me një vlerësim ndaj vlerave të BE-së, ku theksohen në vend të parë, të Drejtat e Njeriut (50%), Respekti për jetën njerëzore (39%) dhe Sundimi i Ligjit (38%).

Optimizmi

Një vëmendje e veçantë në këtë vëzhgim, shkon drejt tek tendencës optimiste, të opinionit publik shqiptar, sidomos në krahasim me fqinjët e tij.

Ky optimizëm, shfaqet dukshëm ndaj ekonomisë kombëtare, ku vlerësohet në (46%) se përgjatë 12 muajve në vijim, ajo do të jetë më e mirë. Një vlerësim, që është dukshëm i ndryshëm nga perceptimi mbi të ardhmen i qytetarëve serbë, të cilët gjykojnë se situata do të jetë e njëjtë (36%) dhe i atyre maqedonas, që gjykojnë se situata ekonomike për 12 muajt në vijim do të jetë e përkeqësuar (38%).

Predominimi i optimizmit tek qytetarët shqiptarë shfaqet edhe ndaj situatës së punësimit për 12 muajt në vijim. Ky optimizëm vlerëson se, kjo situatë do të jetë më e mirë (42%), në ndryshim nga qytetarët serbë, të cilët vlerësojnë se, situata do të jetë më e përkeqësuar (40%) mbi të ardhmen e afërt. E njëjta tendencë shfaqet edhe ndaj situatës së ardhshme personale të punës, në të cilët shqiptarët shprehen në shumicë (45%) se ajo do të jetë e mirë, në raport me pesimizmin e qytetarëve maqedonas (50%), që shprehen negativisht mbi këtë pikë, si edhe mendimit të qytetarëve serbë, i orientuar drejt mos ndryshimit të situatës në (39%).

Por, a mund ta konsiderojmë optimizmin në vetvete, si dozë naiviteti, mosnjohje faktesh, mungesë gjykimi kritik, që mohon vlerat e një realiteti ekzistues edhe kur ai shfaqet tejet i pashpresë ?

Kjo do të ishte e saktë, vetëm në rast se kjo dozë optimizmi do të konstatohej edhe ndaj perceptimit aktual të realitetit. Pra, nëse doktrina lajbniciane se, “realiteti që jetoj është realiteti më i mirë i mundshëm”, do të mbizotëronte, atëherë hapej një fushë për interpretim, ndaj mundësisë për mungesë kritike në gjykim dhe në perceptim. Por, është pikërisht ky moment, ku kemi një ndarje të fortë logjike mes perceptimit të opinionit publik shqiptar, ndaj situatës aktuale dhe shpresës ndaj të ardhmes. Perceptimi i publikut shqiptar ndaj një sërë elementësh, që lidhen me situata, vlerësime institucionesh dhe fusha të ndryshme, është real duke transmetuar edhe doza të një perceptimi tejet të hidhur. Optimizmi, që shfaqet ndaj të ardhmes dhe që në tërësi karakterizon shoqërinë dhe individin shqiptar, duhet parë më tepër nën filtrin e një elementi të nevojshëm. Element, që ndërvepron mes disa përbërësve, si gjykimi kritik, evidentimi i fakteve dhe realitetit konkret dhe nga ana tjetër nevojshmërisë për mohimin e tyre, nën prizmin e një mekanizmi mbrojtës. /im.ta/

August 4, 2015 16:19