Shqiptarët që krahasoheshin me kozakët (PJ.II)

Shaqir Vukaj June 19, 2015 15:33

Shqiptarët që krahasoheshin me kozakët (PJ.II)

Vijon nga numri i kaluar

Në Ukrainë jeton një komunitet prej rreth 5 mijë shqiptarësh, por ata nuk kanë asnjë lidhje me pasardhësit e atyre shqiptarëve që luftuan përkrah ushtrisë ruse ose si pjesë e saj kundër Turqisë dhe që emigruan në Rusi. Sipas përcaktimit të sotëm zyrtar ukrainas, shqiptaret e Ukrainës janë një pakicë kombëtare shqiptare e njohur zyrtarisht, që kanë dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e krahinës së Novorusisë. Sipas shumë burimeve dhe studimeve, kryesisht të autorëve sovjetikë, por edhe sipas shumë të dhënave dhe tregimeve të këtyre banorëve që edhe sot e quajnë veten shqiptarë, paraardhësit e tyre kanë shkuar nga rajoni i Korçës, fillimisht në Bullgari (në rajonin e Slivenit), më vonë janë sistemuar në afërsi të Varnës dhe prej andej, nëpërmjet Rumanisë, kanë shkuar dhe kanë zënë vend në Perandorinë Ruse, në rajonin e Karakurtit (afër Izmaillovit, jo larg Odesës). (Si student në Moskë, unë kam pasur shokë dhome dy studentë nga Karakurti, njëri shqiptar i pastër nga nëna dhe babai, ndërsa tjetri, kushëri i tij, me nënë shqiptare dhe baba bullgar).

Në vitet 1861-1862 një pjesë e shqiptarëve të Karakurtit janë larguar dhe janë vendosur në Zaporozhje, ku jetojnë edhe sot. (Në vitin 2000 kam takuar në Shën Peterburg një shqiptar nga Zaporozhja, Profesor i Fakultetit Juridik të Universitetit të këtij qyteti, i cili shprehej me krenari për origjinën e tij dhe në pasaportë ruante kombësinë shqiptare). Që nga vitit 1991, mbas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe krijimit të shtetit të pavarur të Ukrainës, ata janë shtetas ukrainas, por si shqiptarë, përpiqen të ruajnë gjuhën e zakonet e të parëve, pavarësisht nga vështirësitë, mungesa e shkollës në gjuhën shqipe, e gjuhës së shkruar etj.

Ndërmjet shumë materialeve të shkruara për batalionin shqiptar nuk kam gjetur asgjë, qoftë edhe një ide apo mendim, që të lidhë historinë e shqiptarëve të këtij batalioni me shqiptarët e Karakurtit e Zhaporozhjes.

 

Shqiptarë, grekë..?

Sipas disa autorëve, historia e shqiptarëve të këtij batalioni duhet parë e lidhur me disa të dhëna të tjera rreth vendbanimeve shqiptare përreth qytetit të Odesës, ose me trashëgiminë e mbetur deri në kohën e sotme në këtë qytet. Bën përshtypje fakti se në shumë artikuj e studime për batalionin shqiptar të Ballakllavit, pranohet në mënyrë kategorike faktori shqiptar, por në disa prej tyre, megjithëse përmendet ky faktor, përmendet emërtimi për ta si grekë. Disa autorë bëjnë sikur shqiptarët e grekët nuk dallohen dhe i quajnë me një emër të përbashkët, disa të tjerë i quajnë herë shqiptarë herë grekë, madje ndonjë i përmbledh me një emër si grekë-arnautë, ndërsa ndonjë tjetër i quan grekë shqiptarë. Sipas disa studiuesve rusë, në ato kohëra, me emrin grekë nuk kuptohej kombësia, sepse me këtë emër nënkuptoheshin edhe shumë popuj e kombe të tjerë të besimit ortodoks, ku përfshiheshin dhe ortodoksët e Shqipërisë.

Në shumë shkrime të studiuesve rusë e ukrainas, thuhet se emigrantët shqiptarë e grekë që kishin përfunduar në rrethinat e Odesës, kishin trajtim të posaçëm, madje u bëheshin shumë favore. Sipas një studimi të I.Ivanenkos, botuar në “Ruskie. Org”, dt.22.4.2014, me fondet e shtetit, atyre u ndërtoheshin shtëpi, kisha, spitale, për 20 vjet ata liroheshin nga taksat. Secilit i jepej një shumë parash si dhe ushqim falas për një vit etj. Atyre u krijohej mundësia për të shërbyer në ushtrinë ruse, madje u lejohej të krijonin njësinë e vet ushtarake, që e krijuan dhe që u quajt Trupa Ushtarake Shqiptare e që komandohej nga oficerë shqiptarë e grekë. Kjo trupë, në kohë paqeje ishte nën juridiksionin e guvernatorit të Azovit, ndërsa në kohë lufte, të Kolegjit Ushtarak (që në atë kohë luante rolin e Ministrisë së Mbrojtjes). Për kompletimin e Trupës parashikohej regjistrimi vullnetar si dhe rekrutimi i personave të kombësive shqiptare dhe greke, qoftë në gubernat ruse (gubernë-ndarje territoriale-administrative në Perandorinë Ruse) qoftë jashtë shtetit (në Greqi, Shqipëri, Dalmaci etj.). Sipas disa studiuesve, Trupa Shqiptare, për nga favoret që i bëheshin nga organet shtetërore ruse, mund të krahasohet me Trupat Kozake, që kishin një trajtim të posaçëm në Perandorinë Ruse.

Mbas bashkimit të Krimesë me Rusinë (1783), për Perandorinë Ruse mbetej problem kontrolli mbi popullsinë vendase, për nënshtrimin e së cilës u përdor edhe Trupa Shqiptare (në dokumentet ruse thuhet se në vitin 1779 ja kishin ndryshuar emrin dhe quhej regjimenti grek, por pavarësisht nga emri i ri, në qarqet ushtarake dhe në popull vazhdonte të njihej si Trupa Shqiptare) që në vitin 1784 u transferua në Ballakllav, nga ku edhe mori emrin Regjimenti Këmbësor Grek i Ballakllavit. Sipas dekretit të posaçëm të Careshës Ekaterinë, regjimenti përbehej nga 1762 vetë, por sipas regjistrit të pagesave, në vitin 1784, pa filluar lufta ruso-turke, paguheshin 587 ushtarakë. Në vitet 1784-1785, krahas shqiptarëve dhe grekëve në këtë regjiment u përfshin edhe armenë, italianë dhe tatarë të Krimesë. Sipas dokumenteve të arkivave ushtarake ruse, me fillimin e luftës ruso-turke të viteve 1787-1791 u rrit numri i vullnetarëve shqiptarë dhe grekë.

Në një artikull, të botuar më 19 qershor 2012, në revistën e Shoqatës Ndërkombëtare Ushtarako-Historike, historia e këtij batalioni përshkruhet si më poshtë:

“Trupa luftarake greke (shqiptare).

Më 28 mars 1775 u formua Trupa Luftarake Shqiptare nga shqiptarë dhe grekë, të cilët gjatë luftës ruso-turke kanë shërbyer në flotën ruse dhe u vendosën në rrethinat e kështjellave Kreç dhe Enikalle.

3 gusht 1779, Trupa Luftarake Shqiptare u shndërrua në regjiment grek.

19 prill 1795, ushtarakët e divizioneve të lira greke dhe të regjimentit grek u transferuan në Odesë dhe prej tyre u shkëputen shqiptarët, prej të cilëve u formua Divizioni Shqiptar.

20 maj 1797, Divizioni Shqiptar u transferua në lagjet e jashtme të Odesës dhe u shpërnda.

22 tetor 1803, nga ushtarakët e Divizionit Shqiptar të shpërndarë u formua Batalioni Grek i Odesës, ndërsa Batalioni Grek ekzistues u quajt i Ballakllavit.

24 nëntor 1819, të dy batalionet u bashkuan në një.

1859, Batalioni i Ballakllavit u shpërnda”.

 

odesaGojëdhënat dhe Elena Saranda

Sipas disa autorëve, gjatë 80 vjetëve të ekzistencës së tij, batalioni shqiptar konsiderohej si një njësi unikale luftarake në përbërje të ushtrisë ruse. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm për kolonizimin dhe asimilimin e Krimesë dhe të Kaukazit. Në ditarin luftarak të batalionit përshkruhen gjashtë fushata luftarake, në të cilat ka marrë pjesë Rusia në shekujt XVIII-XIX. Për heroizmat e këtij batalioni janë thurur legjenda, prandaj edhe i është dhënë Urdhri i Gjergjit Fitimtar, urdhri më i lartë ushtarak në Rusinë e atyre kohëve, rivendosur përsëri në vitin 1992 nga presidenti Jelcin.

Nuk e di në se është legjendë apo e vërtetë, por disa herë është shkruar për një njësi ushtarake të përbërë nga vajza, motra dhe bashkëshorte të shqiptarëve të këtij batalioni. Në shumë studime e shkrime flitet për një vizitë që ka bërë Caresha Ekaterinë në Krime, ku krahas Sevastopolit etj, ajo shkoi dhe në Ballakllav. Aty e përshëndeti dhe një njësi, e quajtur “Njësia e Amazonave”. Siç kanë shkruar shoqëruesit e saj, ato ishin motrat, vajzat apo bashkëshortet e ushtarakëve shqiptarë të Batalionit të Ballakllavit. Autori i përshkruan “amazonat”, “të veshura me kostume shqiptare, të qëndisura me ar dhe gajtanë, me zbukurime ari dhe pendë mbi koka, me fytyra që rrezatonin hirësi të papërshkrueshme” që i pëlqyen shumë Ekaterinës, prandaj i dha gradën “kapitene e amazonave” dhe i dhuroi një unazë me brilante komandantes, Elena Sarandës (bën përshtypje mbiemri i saj, Saranda).

Ndërsa princi i Austrisë, Sharl Jozef de Linj, që e shoqëronte Ekaterinën, si i ftuar nderi, shkruante më vonë: “Unë nuk pashë këtu fytyra të pambuluara grash, me përjashtim të batalionit të Shqiptareve që ishin vendosur në Ballakllav: 100 gra dhe vajza të armatosura me pushkë, bajoneta dhe heshta na dolën përpara për të na nderuar”.

Ndërmjet shumë materialeve që lidhen me historinë e shqiptarëve të këtij batalioni më ka tërhequr vëmendjen libri “Tregime historike për Krimenë”, botuar në vitin 1887, i autorit A.Umanca. Ndërmjet tjerave, kur shkruan për grekët-arnautë, autori bën një shënim, ku thotë se ata ishin shqiptarë që emigruan në Rusi dhe u vendosën në Ballakllav, ku krijuan “Trupën Luftarake Shqiptare”. Ndërmjet tjerave, ai përshkruan me hollësi se si komandantët rusë angazhonin shqiptarët (në këtë kapitull autori i quan shqiptarë) të luftonin nëpër pyje e shkëmbej (si njerëz që ishin rritur nëpër pyje e male, atje ku rusët nuk mund të luftonin) kundër tatarëve. Ndërmjet të tjerave ai bën edhe një shënim për lexuesin, ku shpjegon se nuk duhen ngatërruar shqiptarët me grekët që jetonin prej shumë vitesh në Krime.

 

Isadora Dunkan

Shumë studiues shkruajnë se batalioni shqiptar fillimisht u caktua për ruajtjen e kufijve. Gjatë kërkimeveisadora-duncan-sergei-yesenin për këtë batalion, kam hasur një të dhënë interesante: Në një dyqan antikuarësh dhe librash të vjetër në Moskë, është ekspozuar dhe një gravurë e vitit 1837, e autorit francez O.Raffe (një ndër piktorët-litografë francezë të shquar të shekullit XIX) titulluar “Shqiptarët – rojat bregdetare, Ballakllav”. Ndërsa shkrimtari i njohur polak Josef Kashevski, që para 150 vjetësh kishte shkuar në Odesë, ndërmjet tjerave i kishte bërë përshtypje të veçantë paraqitja e shqiptarëve, për të cilët shkruante kështu: “Këtu shikon shqiptarë me fustanellë të bardhë, jelek ngjyrë shege, çorape të zeza dhe këpucë me majë”.

Ndërmjet shkrimeve për shqiptarët e Odesës kam gjetur një përshkrim interesant nga balerina me famë botërore, bashkëshortja e poetit të madh rus, Sergej Esenin, amerikania Isadora Dunkan, e cila shkruante: “Kam qenë në vendin e braktisur, më saktë të atyre shqiptarëve që janë bërë banorë të Odesës. Kam parë pamje tragjike, shtëpi të djegura, bagëti të grabitura nga turqit dhe kullota të shkatërruara. Atyre s’ju kishte mbetur gjë tjetër veçse të emigronin në Odesë”. (Në të gjitha jetëshkrimet dhe të dhënat që jepen për veprimtarinë e Isadora Dunkanit, përmendet fakti se ajo ka qenë në Shqipëri (në Sarandë) në vitin 1913, ku ka parë pasojat e tmerrshme të Luftës Ballkanike dhe të masakrave të bandave greke kundër popullsisë shqiptare dhe bashkë me vëllanë e saj, kanë ndihmuar refugjatët shqiptarë.

 

Rrugët arnaute

Si kujtim i atyre kohëve nga shqiptarët dhe si dëshmi e vërtetim i pranisë dhe rolit të tyre për ngritjen e qytetit të Odesës, aty ndodhen dy rrugë të quajtura Rruga e Madhe Arnaute (Shqiptare) dhe Rruga e Vogël Arnaute (Shqiptare), për të cilat, të gjithë studiuesit që janë marrë me Batalionin Shqiptar, shkruajnë se ato e kanë marrë emrin pikërisht prej shqiptarëve të këtij batalioni. Të dyja këto rrugë ndodhen në pjesën qendrore të qytetit të Odesës dhe të dyja, sidomos e Madhja konsiderohet si ndër rrugët kryesore, më të zhurmshme, më të gjalla dhe nga më të bukurat e qytetit. Ajo ka filluar të quhej zyrtarisht me këtë emër në vitin 1821, dhe gjatë viteve, në vartësi me ndryshimet politike, pushtetarët disa herë ja kanë ndërruar emrin, por në popull ajo vazhdonte të quhej Rruga e Madhe Arnaute, deri sa në vitin 1994, ja kanë kthyer zyrtarisht këtë emër që mban edhe sot. Edhe Rrugës së Vogël Arnaute, pushtetarët i kanë ndryshuar shumë herë emrin, por populli vazhdonte ta quante me emrin e vjetër dhe në vitin 1994, u quajt përsëri zyrtarisht Rruga e Vogël Arnaute.

Duket se emri arnaut apo shqiptar i tërheq banorët e Odesës dhe duke ecur në traditën e vjetër, në vitin 2013 , në qendër të Odesës ka filluar punën një hotel me emrin Arnauti (Shqiptari).

Në faqen e internetit “Forumi i Odesës” ku flitet për “Rrugën e Madhe Arnaute” ndërmjet tjerave thuhet: “Emri Arnautja e Madhe i ka rrënjët në fillim të shekulli XIX, kur midis rrugëve të sotme Belina dhe Kanata ka ekzistuar një “sllobodkë” (kështu quheshin disa qendra të banuara në Rusi para heqjes së Bujkrobërisë, sepse njerëzit aty konsideroheshin të lirë), e cila me urdhër të princit Rishelje (Francezi i njohur Rishelje mbasi iku nga Franca, për disa vite ka jetuar në Odesë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm për jetën dhe zhvillimin e këtij qyteti) u popullua me ushtarë arnautë ose ndryshe shqiptarë. Me kalimin e viteve, gjatë ndërtimeve të qytetit ajo u “tret”, por u “rrit” me dy rrugë paralele, njëra prej të cilave, për t’u dalluar, u quajt e Vogla, ndërsa më vonë mori emrin edhe Rruga Madhe Arnaute ”.

 

Themelues të Odesës dhe buka arnaute

Gazeta “Gjermania ruse” dt.2.3.2012, shkruante “Në vitin 1791, mbas luftës ruso-turke, emigrantët shqiptarë i vendosën në bregun e limanit të Thatë, që më vonë u quajt fshati i Arnautëve (sot Aleksandrovka). Një pjesë e shqiptarëve të vendosur në Odesë shërbyen në ushtrinë ruse. Nga emigrantët shqiptarë dhe grekë u organizuan tri kompani divizioni me në krye emigrantin e parë shqiptar në Odesë, kapiten Bixhilin. Shqiptarët e tjerë, në shumicë u morën me artizanat dhe tregti. Sipas të dhënave gjeografiko-historike të Odesës, që atëherë ka filluar ndarja e rrugëve Arnaute (Shqiptare) në Rruga e Madhe Arnaute (Shqiptare) dhe Rruga e Vogël Arnaute (Shqiptare). Është e vërtetë se në rrugët Shqiptare, krahas tjerave filloi të lulëzonte biznesi i hotelerisë, që vazhdon edhe sot”

Odesa është qytet relativisht i ri, themeluar në vitin 1794. Sot është porti më i madh dhe ndër tre qytetet kryesore të Ukrainës, me mbi një milion banorë. Në faqen e internetit të Bashkisë së Odesës shkruhet: “Më 2 shtator 2015 do të përkujtohet 221 vjetori i themelimit të qytetit të Odesës…. Banorët e parë të Odesës kanë qenë grekët, italianët dhe shqiptarët….” (Theksojmë se në shumë materiale të botuara për historinë e Odesës, turizmin në Odesë etj. thuhet se themeluesit e qytetit të Odesës kanë qenë grekët, italianët dhe shqiptarët).

Me rastin e 220 vjetorit të nënshkrimit të dekretit të posaçëm për sistemimin e grekëve dhe shqiptarëve në “Odessit. Ua” të dt.19 prill 20015 shkruhej: “Më 19 (30) prill 1795 ka dalë dekreti për vendosjen në Odesë të grekëve dhe shqiptarëve që i kanë shërbyer Rusisë në luftën e fundit në arkipelag. Po këtë ditë kanë dalë dekretet për krijimin e divizionit të përberë nga tri kompani….Po ashtu u formua një “Komision i posaçëm për grekët dhe shqiptarët”, për zgjidhjen e të gjitha problemeve të porsaardhurve”.

Sipas Enciklopedisë së Emigracionit Rus të vitit 1997, historiani, filologu dhe kritiku i njohur letrar, Pr.P.M. Bixhili, personalitet i shquar i Rusisë (1879-1953), është pasardhës i një familje fisnikësh shqiptarë. Për të shkruhet se ai është pasardhësi i kapedan Bixhilit, që konsiderohet si emigranti i parë shqiptar që ka shkuar në Odesë.

Është interesant edhe një fakt tjetër. Në rajonet jugore të Ukrainës është i përhapur një varietet gruri i hershëm, i qëndrueshëm ndaj thatësirës, që vazhdon të kultivohet dhe sot, që quhet “Arnaut”, për të cilin thuhet se e kanë sjellë shqiptarët e ardhur në Odesë në atë periudhë. Në Odesë dhe jo vetëm aty, përdoret një lloj buke që vendasit e quajnë “Arnaute”. Kjo lloj buke prodhohet edhe në Shën Peterburg dhe siç më ka thënë para disa vitesh, shefja e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut, Pr.G.Entrei, këtë lloj buke e kanë prodhuar shqiptarë të ardhur përpara shumë viteve nga Odesa në Shën Peterburg dhe, që atëherë është përhapur nëpër qytet dhe vazhdon të prodhohet edhe sot dhe të gjithë e njohin si bukë shqiptare, madje edhe fabrika që e prodhon quhet “Arnaute”.

Këto kam arritur të mësoj për këtë batalion shqiptar dhe pasardhësit e tyre. Natyrshëm lindin shumë pyetje për historinë e bashkatdhetarëve tanë dhe pasardhësit e tyre. Shumë pyetje e dyshime lindin edhe për faktin se perse historiografia jonë nuk ka shkruar për ta, për më tepër që këta shqiptarë ishin nga krahina shqiptare e Himarës… Dokumentet e studimet e plota nga specialistë për historinë këtyre shqiptarëve, nga njëra anë do ishin kontribut për historinë e popullit tonë, por do të ishin një dëshmi më shumë për të vërtetuar shqiptarësinë e Himarës.

 

Shaqir Vukaj June 19, 2015 15:33
Komento

10 Komente

  1. demo June 19, 15:57

    Vetem per veten nuk luftojne shqiptaret.

    Reply to this comment
  2. korcari June 19, 16:08

    C’mendime ka ” i madherishmi historjan ” Pellumb Xhufi se ai nuk ha mut kot.

    Reply to this comment
  3. Edi June 19, 17:45

    I trajtojne keto gjera si cudira. Mercenare ishin, si gjithe te tjeret.

    Reply to this comment
  4. Deli June 19, 19:50

    Per grada e lek e bene atehere, tani e bejne vetem per lek.
    Ne jemi pasardhesit e tyre mercenare te lindur qe nga koha romake..

    Reply to this comment
  5. GURI I KAMJES June 20, 07:00

    Nje studim qe ka vlere. Ne se me lejohet mund te bej nje verrejtje. Autori sqaron ngaterresen qe i behet identifikimit te kombesise me ane te besimit fetar. Eshte e njohur p.sh. teoria osmane e rum miletit . Por, autori kur flet lidhur me perberjen e trupave ushtarake permend bashkerisht greke-shqiptare qe nenkupton se identifikimi nuk eshte bere me ane te fese, por te kombesise. Eshte e mira qe te mbahet nje qendrim: ose te thuhet qe jane shqiptare, por ndonje rast quhen si greke per shkak te besimit te tyre, ose jane thjesht shqiptare ose jane shqiptare dhe greke.

    Reply to this comment
  6. stresi nga tersi June 20, 11:22

    Z. Vukaj nuk e di se edhe Mbreti Zog ka dashur t’u japë nënshtetësi shqiptare. Diktatura nuk u interesua fare dhe vetëm në vitin 1991 kryetari i selsovjetit të Zhovtnjevojes komunikoi me Institutin e K. Popullore me letër. Ai kërkonte që shteti shqiptar t’i ndihmonte për të shpëtuar nga asimilimi i plotë. Deri më sot asnjë qeveri nuk e ka venë ujin në zjarr për ata. Një grup folklorik ka ardhur edhe në Shqipëri në njërin nga festivalet folklorikë, por nuk ju bë jehonë në media!!! Një ekip i TV maqedonas ka qenë në ato fshatra dhe ka bërë një emision dhe ka botuar një libër me të dhëna për ato fshatra. Po ashtu edhe Xhunga ka bërë një emision tjetër shumë të dobët, pa përmbajtje, të varfër në fakte, pa një orieshatrantim të veçantë, thjesht për kuriozitet. Për vendosjen e njerëzve në ato fshatra ka një legjendë, që bën fjalë se janë me origjinë nga fshatrat e Korçës, Kolonjës dhe Pogradecit. Me përafërsi ata janë vendosur në ato anë rreth fillimit të viteve 1800. Fshati Karakurt sot njihet me emrin Zhovtnjevoje. Atje ka shqiptarë, gagauzë, grekë etj…z: Vukaj duhet t’i bënte thirrje qeverisë të interesohej për ata shqiptarë…

    Reply to this comment
  7. xhino June 20, 12:06

    MENDOJ SE MUND TE JAP 1 SUGJERIM SHUM TE VLEFSHEM PERSA I PERKET TERMIT \ GREK . UN KAM DHE KAM LEXUAR 2 VOLUME TE HISTORIS UNIVERSALE TE BOTUAR NGA AKADEMIA E SHKENCAVE HISTORIKE TE SORBONES NE PARIS ,,,PRA 1 NGA UNIVERSITET ME PRESTIGJOZE TE EVROPES KU ME EMRIN GREK QUHESHIN GJITHA POPULLSIT E PERANDORIS BIZANTINE NGA RESTUA E EVROPES OSE ME MIR NGA MBRETERIA E KARLIT TE MADH QE PERFESHINTE GJERMANIN E AT’HERSHME GALIN DHE 1 PIES TE ITALIS SE SOTME.
    ME 1 FJAL ESHTE 1 TEZ E VLEFSHME ,,,, PER MENDIMIN TIM . KLM.

    Reply to this comment
  8. suliot June 20, 17:43

    shkrimi ben fjlae per shqiptare apo albane, nuk arij te kuptoj pse shume here historianet i devijojne gjerat ne menyre automatike, pra do te ishte me mire te botohej shkrimi sic permenden aty pra per albane apo shqiptare, sepse emri shqiptare eshte me i vonet,

    Reply to this comment
  9. suliot June 20, 17:46

    nese nje historian shqiptar permend nje shkrim historik te hershem, pra shekulli i 14 , dhe atu permenden per albane, ata automatikisht e perkthejne shqiptare, shkrimet historike te historianeve ne shqiperi me shume anojne nga propaganda nacionaliste sesa nje e vertete,
    pra do te deshiroja te lexoja dicka me te verteet, sic permenden ne ate kohe, arnaute, apo shqiptare , apo alban,

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*