Shqiptarët të “uritur” për internet

June 19, 2018 10:07

Shqiptarët të “uritur” për internet

 

Çdo shqiptar ka përdorur mesatarisht 2.66 gigabajt internet nga celulari në 3 mujorin e parë 2018 duke regjistruar rritje si në raport me tremujorin e fundit të vitit të kaluar ashtu edhe në raport me të njëjtën periudhë të 2017-ës. Statistikat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë se sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celulare gjatë T1 2018 ishte rreth 15 Milion gigabajt.

“Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 2.66 GB Internet në muaj në T1 2018, që përbën një rritje me 15.9% në krahasim me T4 2017 dhe një rritje 46.6% krahasuar me T1 2017” thuhet në raportimin e AKEP.

Por “urinë” për internet e reflekton jo vetëm përdorimi nga aparatet celular. Të dhënat për pajtimtarët me akses broadband(bandë të gjerë) përmes rrjeteve fikse tregon gjithashtu për rritje të interesit.

“Numri i pajtimtarëve më akses Broadband në internet nga rrjete fikse në T1 2018 arriti në rreth 314 mijë, që përbën një  rritje me 6.7% në krahasim me tremujorin e mëparshëm dhe një rritje me rreth 18.1% në krahasim me të njëjtin tremujor në vitin 2017” vlerëson Autoriteti I Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Treguesit e tjerë

Tremujori i parë i këtij viti ka regjistruar një tendencë rritjeje në të gjithë elementët që lidhen me komunikimin dhe kompanitë celulare apo ato fikse.  Sipas shifrave zyrtare konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T1 2018 ishte: 182 minutadalëse, 38 SMS dhe 2.66 GB Internet. “Krahasuar me T4 2017, konsumi mesatar i thirrjeve pati një rritje me 20.9 %, konsumi mesatar i SMS-ve dhe konsumi mesatar i internetit pati rritje respektivisht me 18.1% dhe me 15.9%” thuhet në raportin e AKEP.

Lidhur me telefoninë fikse numri i pajtimtarëve të linjave të telefonisë fikse në fund të tremujorit të parë 2018 ishte rreth 256 mijë, që përbën një rritje me 3.46% në krahasim me T4 2017 dhe një rritje me 3.4% në krahasim me T1 2017.

l.h/ dita

June 19, 2018 10:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*