Shtatoret e ngrira të maltuzezve shqiptarë

February 23, 2021 13:13

Shtatoret e ngrira të maltuzezve shqiptarë

-Tire Alldervishi e Sanatoriumit Tiranës, dhe Edvin Prifti i kardiokirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza” nuk janë maltuzja a nazisti i parë, as nuk do të jetë e fundit, shkaktare e shtatoreve të ngrira nga shërbimi shëndetësor në Shqipëri-

 

Kjo botë me Perëndi të rreme,

Të vret të drejtën të jetosh,

Shuhen rrahjet e një zemre,

Në qiell me ëndrra mbeten bosh…

( Nga një poezi e Hysni Milloshit, 2008)

 

Nga Ndoc Logu

 

Kur po punoja për një libër, në shkurt të vitit 2013, u dha një lajm nga disa gazeta të huaja për arrestimin e një mjekje nga Brazili: Virxhinia Soares de Souz, e cila që nga viti 2006 kishte vrarë 20 pacientët e vet. Vrasjet e pacientëve, mjekja, e kishte realizuar: “… nëpërmjet heqjes së oksigjenit nga aparatura e frymëmarrjes artificiale, si dhe përmes injektimit të farmaciontikëve në doza të larta…”. Kur filloi hetimi ndaj saj, u zbuluan mbi 300 vdekje të tjera të dyshimta, që i atribohen kësaj mjekeje dhe bashkëpunëtorëve të saj. Po në vitin 2006, në Britaninë e Madhe, mjeku Harold Shupman, qe dënuar për vrasjen e 15 pacientëve të vet me këto metoda, por edhe për lidhjen e tij edhe për 260 raste të tjera vdekjesh të kësaj natyre.

Këtë të vërtetë tronditëse e mësova kur po studioja kartelën klinike të poetit dhe vdekjen e tij të mistershme. U trondita deri në shpirt, dhe e pyeta veten: “ Si ka mundësi që të arrijnë mjekët deri në këtë pikë, e në gjakftohtësi, të vrasin njerëzit që me besimin e një fetari tek Perëndia, ja kanë dorëzuar fatin e jetës për t’i sjellë shëndetin në normalitet, pikërisht atij që e vret?” Kur lexova këtë lajm tronditës, menjëherë më shkoi mendja edhe tek vdekja e mbushur me të panjohura e poetit Hysni Milloshi. Të ketë arritur krimi i bluzave të bardha edhe tek ne në Shqipëri? Në qoftë se po, atëherë duhet të pranojmë se, Doktrina e Maltuzit për pakësimin e popullatës, ku përzgjidhen së pari kundërshtarët, edhe teoria e Klauseviçit për “Domodoshmërinë e luftës” paska filluar të zbatohet edhe këtu, tek ne në Shqipëri.

Krejt natyrshëm më lind e drejta të dyshoj se, vrasja e njerëzve me metoda të sofistikuara, tërësisht të zhveshura nga çdo ndjenjë njerëzore, qenka futur në sistem. A nuk po dalin përditë fakte tronditëse edhe në ushqime, tek buka, bulmetrat, zarzavatet e mishi si shumë të rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e popullit. Krahas armëve edhe nga këto forma po kërcënohet jeta e cilitdo. Nga po vijnë tërë këto vdekje? Tani as në spitale, as në duart e mjekëve, jeta, asgjëkundi nuk është më e sigurtë. A thua edhe poeti u eliminua me këto forma?

Tirja nuk është as e para, as nuk do të jetë e fundit maltuze që i kthen të sëmurët e vet në viktima, në shtatore të ngrira. Pas vitit 1990, raste të tilla, janë bërë të shpeshta. Pandemia e Kovid-19 vetëm sa i hoqi petën lakrorit- siç i thonë. Madje vdekjet e stimuluara, braktisja e shërbimit, tentoi t’i legalizojë edhe ministria e shëndetësisë O.Manastirliu kur ju drejtua shqiptarëve, nga faltorja e Kuvendit: “… Zbatoni rregullat, ndryshe do të na detyroni të bëjnë seleksionimin…” Mesazhi i saj është i qartë përçka mund të ndodhë në të ardhmen. Por edhe dëshmi e asaj se, kjo mund të ketë ndodhur pas vitit 1991 në spitalet tona. Faktet që do të paraqesë, janë të vërteta tronditëse familjare. Janë fakte në kohë e afate të ndryshme. Janë fare pak nga ato çka kanë ndodhur në të vërtetë, dhe akoma më pak, çka kam unë në shënimet e mia.

1. Me datën 23 prill 2012, në orën 17.oo, poeti Hysni Milloshi, u shtrua në Sanatoriumin e Tiranës, nga shërbimi i urgjencës. U vendos në pavionin e parë, dhoma N/1, krevati i mesit, pa numër, me kartelë me numrin 1263, ku mjek kurues ka qenë Roland Kore, e mbi të një zhgarravinë si firmë. Baxhanaku i Hysniut, Lirim Deda, më ka treguar se: Sapo hyri në spital poeti filloi ironia dhe përbuzja e personelit “… He e, e na paska ardhur për të na futur PKSH… Po do ta shohim…” Atë e vranë duke mos i dhënë shërbimin e duhur shëndetësor…! – ka thënë Lirim Deda. Dihet se formula e antikomunizmit pas vitit 1991, u bë udhërrëfyese dhe maska e zezë dhe e përgjakur, më e preferuar për tërë tradhëtarët e vjetër e të ri, e hajdutëve e imoralëve, e kriminelëve e politikanëve, e qeveritarëve e administratës dhe të jo pak mediave. Kjo murtajë u fut në shkolla dhe institucione, deri tek shërbimi shëndetësor. Edhe në spitale: Dhjetë paragrafet e betimit të Hipokratit, u zëvendësuan me antikomunizmin, edhe pse antikomunizmi, nuk është atdhetari. Por indoktrinim dhe ideologji fashiste që ju shitet injorantëve si: vlerë, demokraci, përparim e atdhetari!. Edhe poeti Hysni Milloshi, e të tjerë pas tij, si duket, u bënë viktima të qëndrimeve të veta atdhetare, nga ata që tradhëtuan, shkatërruan e poshtëruan popullin dhe Shqipërinë.

Duke lexuar me kujdes kartelën e poetit të sëmurë, vërtetohen plotësisht ato çka thotë baxhanaku i tij. Me datën 23 prill, edhe pse ishte shtruar urgjent, nuk i jepet asnjë shërbim i specializuar. Më datën 24 po të prillit, një ditë pas shtrimit, në orën 16:30 minuta, pacientit i ngrihet temperatura në 39 gradë. I japin vetëm një paracetamol 05, dhe aty gjenden dy emra A. Çuko dhe O. Nuredini. Orët e para të datës 25 prill, pacientin Hysni Milloshi e gjetën të vdekur!

Kaq shpejt! Nga se vdiq? Në rreth 36 a 37 orë? Çfarë ndodhi me jetën e poetit? Cilët ishin ato shkaqe a indivit që e kthyen trupin e poetit të vargjeve të zjarrta atdhetare në një shtatore të ngrirë, në një cikël kohe prej një dite-nate e gjysmë kohe? I vetmi shpjegim e akuzë është kartela e poetit të sëmurë. Por edhe pse fakte pak dhe të manipuluara, janë të mjaftueshme që dikush, apo disa, po të kishte shtet dhe organe drejtësie, duhet të ishin akoma në qelinë e ftohtë të burgimit të përjetshëm. Aq të trasha, me nxitim e frikë bashkë janë bërë shënimet në kartelën e poetit të vdekur sa janë shkruar dy orare vdekje. Një orë vdekje është shkruar në orën 5 e 20 minuta, kur mjekja thotë: “…U gjet me ekstrimitete të ftohtë, pa puls, pa tension. Ndërsa ora tjetër e vdekjes është vënë në 6 e 10 minuta. Kjo orë është vënë kur u manipulua kartela dhe u bënë veprime mbi trupit e poetit të vdekur.

Në të vërtetë, poeti, ka vdekur para orës 5: 00 të mëngjesit të datës 25 prill 2012. Kjo vërtetohet nga kartela. Mjekja e rojes Ornela Nuredini ka shkruar: “… Në orën 5 e 20 minuta thirrëm urgjent nga infermieret (nuk thuhen emrat), pacienti (u gjet) me ekstrimitete të ftohtë, e gjej pa puls, pa tension…” Me ekstrimitete të ftohta (duart, koka dhe këmbët) pa tension e pa luls, gjendet vetëm një i vdekur. Dhe i vdekuri ftohet për 4,5 deri në 6 orë pas vdekjes, në varësi edhe të kohës. Pra sipas mjekut specialist, që u konsultua për kartelën e poetit të vdekur, i sëmuri duhet të ketë vdekur 4 deri 5 orë më parë se sa na thotë mjekja në kartelë Ornela Nuerdini. Vdekja ka ndodhur pa pasur asnjeri të gjallë pranë, i braktisur nga tërë punonjësit që e kishin për detyrë që t’i shërbenin. Tërë shënimet e tjera, të lëna në kartelë, apo veprimet, në se janë bërë, janë shënuar dhe bërë në trupin e një të vdekuri, thjeshtë, për të justifikuar e dekomentuar një vdekje të dyshimtë, e të një të sëmuri krejtësisht të braktisur nga personeli mjekësor. Këtë manipulim e firmosin edhe dy mjekë të tjerë A.Çuko dhe një tjetër që s’ka emër, ku asnjëri nuk ka qenë prezent kur ka vdekur poeti. Gjithsesi qofshin këto manipulime, janë kriminelë. Por akoma me të dënueshme janë në se është vepruar si me poetin si ajo mjekja braziliane, e cila u akuzua për rreth 320 vrasje, nëpërmjet heqjes së oksigjenit nga aparati i frymëmarrjes arificiale, dhe përmes injektimit të farmaciotikëve me doza më të larta.

Dy diagnozat e shkruara në kartelë si shkaqe vdekje të poetit si: Fibrozë polmunare, e me pas goditje kardiake, edhe mund të ndodhin në trupin e një 64 vjeçari. Por është e pabesueshme? Ai nuk ishte në atë gjendje. Po a ndodhën në të vërtetë dhe në ç’rrethana? Në çfarë ore? Ku ishte i sëmuri? Kush ishte pranë tij? Kush e pa? Kush ia dha ndihmën e parë? Tërë shënimet në kartelëm e poetit të vdekur janë bërë me dinakëri për të maskuar shkaqet e vërteta të kësaj vdekjeje, dhe gjoja për të paraqitur dinamikën e ndjekjes së të sëmurit sa më reale. Këtë na e vërteton edhe mjeku specialist i vetë Sanatoriumit, gjatë konsultimit me kartelën e të vdekurit. Këta të pa fytyrë nuk harrojnë për të marrë edhe deklaratën e të afërmëve të poetit, sipas së cilës “Nuk paraqesim ankesë për shërbimin mjekësor të kryer ndaj familjarit…”

Vdekja e poetit Hysni Milloshi në këto rrethana të paqarta, dhe me jo pak elementë të figurave kriminale, vinte pas katër atentateve ndaj tij, gjatë viteve 1992-2010. Nga të katër atentatet që i janë bërë, dy prej tyre i dinte. Dy të tjerët jo. Por një gjë e di mirë nga poeti. Ai kishte frikë shtrimet në spitale dhe shërbimet shëndetësore tek të panjohurit. Nuk e di a lidheshin dy atentatet e tjera me shërbimet shëndetësore apo jo? Siç duket, poeti, paska pasur të drejtë! Do të ketë ndjerë veten i rrezikuar. Poezia e tij për vdekjen është një parandjenjë:

 

Para vdekjes do të shtroj një banket,

Ku do të mbaj një fjalim prefektik,

……………………………………..

Jetës asgjë, askujt s’i kam zhvatur,

Asgjë s’do të zhvas tani që po vdes,

Varrin, që komunalja ka hapur,

Ja fal shtetit të poshtër borgjez….

(Materiali i plotë për këtë ngjarje gjendet tek libri “Amanetet e poetit” në faqen 561-586 botuar në Tiranë në prillin e vitit 2013).

 

2.Nuk kaloj shumë kohë, në vitin 2016, 4 vjet mbas vdekjes së Hysniut, në këtë spital, në Sanatoriumin e Tiranës, u shtrua edhe baxhanaku i Hysniut, poeti tjetër Lirim Deda. Sapo më thanë se është shtruar shkova menjëherë. U futa me mjaft vështirësi në atë kuvli që quhej reaminacion, e cila, realisht, ishte dhoma e paramorgut të errët e të ftohtë. Personeli maltuzjan i këtij spitali, në emër të sigurisë së shërbimit shëndetësor, larg syve të të tjerëve, realizonin rrënimin e ngadalshëm jo vetëm të shëndetit, po edhe të vetë jetës të sëmurëve.

Sapo më pa poeti i shpëtuan lotët.

-Erdhe- më tha. Mirë bëre… Të lutem: dëshmo këto që po shikon vetë me sy… Këto që po të them unë… Shikoje ku më kanë futur… Unë ika… Mora fund… Kaq e pata… Askush nuk pyet më për mua… Më kanë braktisur…Duan të më vrasin… Këtu është Ferr… Unë nuk dal më i gjallë që këtej… më tha duke ju dridhur zëri. U trondita së tepërmi nga gjendja e pashpresë e poetit.

-Ndërsa poeti tregonte tmerret që po përjetonte, mua më kujtoheshin vargjet e poemës së Lirimit:  “Letër nga Ferri për në Parajsë“ një bisedë poetike, imagjinare, me ish Kryeministrin Mehmet Shehu, miqësia me të cilën, poetin e internoi në moshën më të bukur. Është e çuditshme se, poeti, në poemë, veten e vendos në Ferr, edhe pse i gjallë dhe në internim. Ndërsa ish –Kryeministrin (në poemë) e vendos në Parajsë. Ndërsa unë i kujtoj katër vargjet nga kjo poemë:

Se në ato mote kish dhe ca,

Që me etje pinin qumësht gjarpëri.

Për xhepin e tyre punonin ata,

Ndaj toka jonë e bekuar u kafshua nga hasmi…

Ky është Ferri i vërtetë- më tha.Tani e kuptoj se atje po shkoj… po më çojnë ata që pijnë qumështin e gjarpërit… që punojnë për xhepin e vet… jo për jetën time… Për t’i shprehur këto fraza të shkurtëra fjalësh, të cilat shprehnin fundin fatal të jetës së poetit, u deshën jo pak minuta. Ai fliste ngadalë, por ishte i qartë dhe i vetëdijshëm se ç’po ndodhte me jetën e vet. Asgjë nuk kishte në atë të quajtur reaminacion. Aty kishte vetëm një krevat metalik, ca rroba të vjetra gjumi, të ndyra që ju vinte era dhe tubat e oksigjenit të vendosur në organet e frymëmarrjes të të sëmurit, me porosinë kërcënuese: “Mos i lëviz se ndryshe vdes”- më thotë poeti.

Ai ishte dobësuar më tepër nga mungesa e ushqimit se sa sëmundja në mushkëri. Buzët i kishte të rreshkura dhe i kishin filluar të plasariten, sepse as ujë nuk kishte për t’ia lagur. Trupi kishte filluar t’i paralizohej nga qëndrimi gjithmonë në një pozicion: i shtrirë në krevat si Krishti  i gozhduar. Gjatë 30 minutave të fundit që munda të qëndroj me poetin Lirim Deda, minutat më kritike të jetës së tij, disa herë erdhën maltuzet me bluza të bardha, dhe kërkonin të më nxjerrin përjashta me dhunë. Madje, duke e kërcënuar edhe poetin që të mos flasë, se gjoja dëmton shëndetin dhe ndërprerjen e oksigjenit. Kur më detyruan të dal përjashta, edhe me policinë, nuk besoj se lashë fjalë më të ndyrë çka përmban fjalori i padenjë, në adresë të atyre që pashë dhe tërë atyre që punonin e drejtonin në atë pavion dhe atë spital, me të tilla sjellje kriminale. Çdo përpjekje e imja për të shtuar kujdesin më të mirë për shëndetin e poetit rezultuan të padobishme. Kërkesa dhe vërejtjet që ju bëra, personelin e këtij spitali i revoltonte, i bënte agresiv, ashtu siç kishin edhe shpirtin pa pikë ndjenje humane e njerëzore.

Kurrë në jetën time, nuk kam provuar tronditje të tillë për një njeri jashtë rrethit tim familjar se sa në këtë rast, me poetin Lirim Deda. Poetin e shkëlqyer të Labërisë dhe ndër më të mirët e Shqipërisë, e shihja tek vuante kështu dhe nuk e ndihmoja dot! Një rast të ngjashëm e kisha përjetuar edhe me një poet tjetër, vite më parë, me poetin tragjik Frederik Reshpja. Edhe Fredin e gjeta në një nga ditët e fundit të jetës, të mbështjellë sa një grusht në shkallët e Gjykatës së Tiranës, në kërkim të drejtësisë. Atij pas një sëmundjeje të rëndë e të gjatë, i rrëmbyen shtëpinë botuese, shtypshkronjën me gjithçka kishte. Kishte mbetur rrugëve, pa shtëpi, prona të rrëmbyera, pa bukën e gojës, me ca rroba të vjetra zhele-zhele, për të ardhur gjynah. I ngjante një endacaku të braktisur nga të gjithë, në prag të varrit. Ai rrinte me ditë e me net pa asnjë lloj ushqimi. I fola. Ai nuk më njohu, nuk shikon. Edhe sytë i kishin zbritur deri në limitet e fundit. Edhe pse i persekutuar politik, nuk e përkrahu askush. Madje as Ramiz Alia, as Ali Spahia, as Pjetër Arbnori që e kishin bashkëqytetar, as shteti, as drejtësia e padrejtësive kriminale.

Edhe tani që kujtoj fatin dhe fundin tragjik të tre shokëve të mi poetë, më zë trishtimi. Përse dhe kush u shkroi këtë përfundim të trishtë e të pamerituar! Që të tre këta poetë vdiqën të braktisur nga shërbimi shëndetësor shqiptar, në 15 vitet e fundit. Por edhe të braktisur, të fyer e poshtëruar, edhe në të gjallë të tyre, nga tërë qeveritë e pas viteve 1990.

Ka një konçidencë ironike se: Vdekja e dy poetëve, e Hysni Milloshit dhe Lirim Dedës, kanë ndodhur në Sanatoriumin e Tiranës, ku drejtor është Perlat Kapisyzi, djali i Gjeneralit të nderuar Qazim Kapysyzi, me të cilin kishin punuar në Shkodër dy poetët e mësipërm, si drejtues rinie dhe gazetar të shtypit ushtarak. Kjo ka qenë edhe arsyeja, se pse dy poetët e fatit tragjik, zgjodhën të kurohen në pavionin e Perlatit.! Por, edhe këtu ka një ironi tjetër të çuditshme. Tërë manipulimet (pas vdekjes) në kartelën e Hysni Milloshit, djali i gjeneralit në cilësinë e shefit, tani drejtor i rilindjes, i ka firmosur. As Hysni Milloshi, as Lirim Deda, tërë jetën e tyre, nuk patën asnjë armik personal, megjithëse ata bënë një jetë mjaft të vështirë, në të dy kohët, dhe patën një fat mjaft tragjik. Që të dy ishin ushtarakë besnikë të atdheut, gazetarë të përkushtuar, poetë mbresëlënës që i kënduan popullit, vlerave të tij dhe atdheut.

3. Në Spitalin e Shkodrës, ky lloj biznesi, me realisht, ky hordhëk horranësh, është më i “moderuar”. Por edhe më të hershëm, janë më të parët në Shqipëri. Ashtu si për “demokracinë“ që vranë katër viktima dhe ka 30 vjet që na i shesin si heronj! Në Spitalin e Shkodrës nuk të pranojnë fare në se nuk parapaguan. Edhe në se je shtruar të nxjerrin jashtë. Shko vdis ku të duash, por jo në spital. E kam provuar vetë me një të afërm timin. E takova të sëmurin bashkë me mjekët kurues. Në sytë e të sëmurit më thanë: “Ky është me kancer… Shumë shpejt do të vdesë. E lexova vetë kartelën. Ashtu ishte. “Do ta nxjerrim nga spitali- më thanë. Ç’ta mbajmë këtu… thjeshtë për sadaka… Kanë ndryshuar kohët… Jemi në kohë të tjera…”

Keni të drejtë- iu përgjigja. Nuk ka socializëm më… I varfëri duhet të vuajë dhe të vdesë… I pasuri duhet të pasurohet dhe të jetojnë në lukse edhe vitet e viktimave të veta…

Kjo i revoltoi dy vagabondët me pseudonimin mjek që janë shkolluar dhe paguhen me taksat e popullit. Ata prisnin lekë nga unë ose i sëmuri. Por i sëmuri nuk kishte as bukën e gojës. Ai kishte vetëm mustaqet, por edhe ato i kishte të shkurtëra, dhe nuk i mjaftonin, edhe nëse ua dhuronte atyre për t’i vënë në faqe edhe ashtu të ndyra e të zea. Tek bisedoja me këta mjekë në Spitalin e Shkodrës, që Betimin e Hipokratit e kishin përdorur si leckë higjenike, më erdhi në kujtesë deklarata e një mjeku maltuz, po i Spitalit të Shkodrës, në gjyqin e viktimave të 2 prillit kur tha: “…kur ma prunë Arben Brocin të vrarë në spital ju thashë “Çojeni në shesh, ashtu të vrarë që të revoltohet populli”. Ja se deri ku ka arritur puna. Viktimat e vrara pabesisht, mjeku maltuz, i përdorë për qëllime politike! Ky është vlerësimi për jetën e njeriut dhe respekti për të vdekurin e pafajshëm. Njësoj si mjekët Hitlerin që bënin eksperimente me oficerët rus të kapur robër. Duke kujtuar këtë mjek, dhe duke shikuar dy të tjerët që i kisha përpara mendova: “Këta qenkan mostra si ai i vitit 1992, shit, si Tirja e Sanatoriumit, si Prifti i Kardiokirurgjisë në Tiranë”.

U largova për t’u kthyer në shtëpi. Isha nën trysninë e hallit njeriut tim. “Të paktën ta mbanin në spital edhe ca ditë mbase do t’i zgjatej jeta edhe disa muaj” – mendoja. Vendqëndrimin e autobusit ma tregoi një çalaman. Ai duke mbajtur njërën këmbë me dorë, që e kishte më të shkurtër se tjetra, iu tregonte njerëzve autobusin e Tiranës kundrejt pagesës.

Hipëm në autobus me shumë se kishte vende. Njërëz e thasë me mallra. Kishte edhe pula e kaçile me vezë. “Babëzia qenka bërë epidemi në Shkodër”- mendova me vete.

Vazhduam rrugën me autobus, e ai, vazhdonte të mbushej me njerëz, sa as në këmbë nuk kishte ku rrije. Në segmentin e rrugës midis Shkodrës dhe Lezhës, dikush thirri me të madhe:

-Ndaloje autobusin o shofer…

-Ç’ka -pyeti ai.

-Vdiq- ishte përgjigja.

-Mos bre, ç’po thua. Një trishtim i përshkoi tërë njerëzit në autobus. Ju theri deri në shpirt. Ju dhëmbi deri në zemër. E kujt nuk ju mbushen sytë me lot në ato çaste.

-Shikoje edhe njëherë a mos është gjallë… Ta çojnë në spitalin e Lezhës- shtoi një tjetër…Por, jo…ai kishte vdekur në prehrin e nënës. Trupi i tij i njomë ishte kthyer në një shtatore të ngrirë, në të ftohtin e atij janari!

-Si ndodhi kështu kjo vdekje… Kush ishin, nga janë, ç’moshë kishte vogëlushi- ishin pyetjet e udhëtarëve. Tani çdo gjë e diskutim ishin të padobishme. Tragjedia kishte ndodhur në autobusin tonë. E patëm bashkëudhëtarin më të vogël… Ishte djalë… Edhe pak ditë do të mbushte 2 vjet.

Prindërit e vogëlushit të porsa ngrirë në prehrin e nënës, ishin larguar nga një fshat i thellë i Pukës. Kishin blerë një copë tokë dhe ndërtuar një kasolle, me shumë mundime, në një fshat, diku midis Krujës dhe Durrësit, në afërsi të Kepit të Rodonit. Ata ndodheshin të tek prindërit për të kaluar Vitin e Ri. Papritur ju sëmuret djali. U nisën ca më këmbë e ca me mjete të rastit për në Spitalin e Shkodrës. Gjendja e djalit të vogël ishte tepër e rëndë. Krahas mjekimit i duhej vënë edhe oksigjen. Por rubinetin e oksigjenit e mbante një pervers jashtë mureve të spitalit edhe pse oksigjeni vinte për të sëmurët.

-Duhet të shkosh ti vetë që ai ta hap oksigjenin- i thanë babait të fëmijës së sëmurë! Duhet të vinë ata të spitalit – i përgjigjet kuçedra e oksigjenit, duke e shikuar nga duart se sa lekë do t’i jepte. Po ku kishte lekë ky i varfër. Edhe këpucët i kishte të çara si Luli i Vocër i Migjenit.

Edhe disa ecejake të tjera të prindit të vogëlushit që po vuante, dështuan. Oksigjeni nuk hapej pa paguar. Vogëlushit po i rrezikohej jeta. Shkurt dyert e Spitalit të Shkodrës nuk hapen lehtë. Ato hapen vetëm me para në dorë, ose me kallashnikov tek koka, si në vitin 1997. Indiferentizmi, rryshfeti, korrupsioni edhe me jetën e njeriut, është shfaqur i egër, i pa cipë deri edhe për një fëmijë dy vjeç, që nuk vlen asgjë përpara një dore më  parë. Në shëndetësinë shqiptare është hequr bluza e bardhë e humanizmit dhe kanë veshur pelerinën e zezë të vdekjes.

Në këto rrethana, prindërve të vogëlushit, nuk ju mbeti rrugë tjetër vetëm të nisen drejt spitalit tjetër: Lezhë a Tiranë me djalin në thonjtë e vdekjes. Për të marrë ndonjë mjet të shpejtë nuk kishin para. U detyruan të udhëtojnë me autobus- siç edhe e thamë më lart. Komentet, për këtë ngjarje në autobus, janë nga më të ndryshmet. Medet – po sikur të më ndodhi edhe mua- thotë një grua- duke qarë. Një student i vitit të fundit, në degën juridik, nga ata të persekutuarit, ngrihet në këmbë në mes të autobusit dhe pyet: “Kush e shkaktoi këtë viktimë? Kush e ktheu fëmijën në një shtatore të ngrirë? Kush duhet të mbajë përgjrgjësi? Unë nuk po ja vë emrin se do ta akuzojnë për komunist! Por edhe unë, edhe djali në autobus, edhe tërë pasagjerët, edhe tërë ata jashtë autobusit në fshatra e qytete, e dinë mirë se, fajtorët nuk janë anonimë. Janë konkretë. Janë pjesë e jetës sonë. Vogëlushi dy vjeç, ashtu si dy poetët në Sanatoriumin e Tiranës, ashtu si shumë të tjerë, ashtu si inxhinieri dhe ushtaraku i lartë që vdiqën në infektivin e Tiranës, ashtu si “Tezja” e Tires në Sanatorium, janë viktima të rendit të ri me emrin e vjetër, që i thonë kapitalizëm, që jetën e njeriut e vlerëson me pak se një dorë para. Vdekja e vogëlushit në rrugë, midis dy spitaleve, akuzon tërë zinxhirin e shërbimit shëndetësor në Shqipëri.

Shtatoret e ngrira, si e dy poetëve, si e djalit 2 vjeç, ju përkasin ju, ju të shërbimit shëndetësor, ju të qeverisë. Janë të njëjta “bukuri që vrasin” të kohës së Migjenit. Ndaj kishte plotësisht të drejtë poeti kur iu drejtohej pushtetarëve atëherë: “Merreni dhe çojeni në qytet këtë shtatore. Vendoseni në një shesh! Kushtojani atij që ka merita… për këtë vend. Po ndonjë ministri a deputeti o ndokujt tjetër…”

Kur vdiq poeti i madh rus A. S. Pushkin më 1837, ndër të tjera, edhe nga ingritat e Monarkisë, një poet tjetër rus, Mihail Lermontov, shkruante:

“… Po ju shpirtëzinjë plot helm e poshtërsi,

Zogj etrish të këqinj plot hel e poshtërsi,

Që një tuf servilësh iu keni bërë varrë,

Ju rrini tërë etje e s’ngopeni përreth Fronit,

Xhelat të Lirisë, e të zullumit e Gjeniut…

………………………………………

“…Ju  nuk e lani dot me gjakun tuaj të pistë,

Gjakun e shenjtë të poetit….

 

Shkurt, 2021

February 23, 2021 13:13
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim