‘Shtatoret’ që 20 shkurti harroi

Nga Artan Duka February 22, 2014 15:43

‘Shtatoret’ që 20 shkurti harroi

Kur lamë pas të shkuarën, menduam se lamë pas edhe qasjen bardhë e zi ndaj ngjarjeve historike dhe personazheve të përfshira në to. 20 shkurti nuk bën përjashtim. Një datë kjo që për shkak të politikës ende nuk gjeneron kohezionin e pritshëm demokratik dhe kjo sa për shkak të referencave spekulative, ashtu dhe demagogjisë 20 vjeçare që pasoi.

Historia nuk ribëhet me inverse dhe përtej ndjeshmërive demokratike, simbolika e rrëzimit e një shtatore duhet të bashkojë dhe jo ndajë duke nëpërkëmbur ndjeshmëritë historike rreth kontributit gjysëm shekullor të një shoqërie të tërë (përpjekjet për çlirim, ndërtim, civilizim etj). 20 shkurti nuk është dita e triumfit apo revanshit të gjysmës së shoqërisë ndaj gjysmës tjetër. As dita e ‘liçensës’ për të anatemuar dhe zhbërë çdo gjë që monizmi la pas (sikundër edhe ndodhi me pasurinë publike, rrënimin e vlerave qytetare etj). 20 shkurti është dita e lënies pas së tabuve dhe miteve në politikë (për paradoks monizmi vakumin e adhurimit hyjnor e kishte zëvëndësuar me kultin ideologjik). Si i tillë, mesazhi i 20 shkurtit ishte piedestalet i takojnë qytetarit dhe se politika duhet të përulet para tij.

Por koha tregoi se tabutë që ranë u zëvëndësuan me të tjera dhe për ironi vetë 20 shkurti po ‘privatizohet’ politikisht nga ‘shtatoret’ e tranzicionit që në një ritual të përvitshëm demagogjie po e shpërdorojnë si alibi për të provokuar tensione dy dekada më pas.

 

Çfarë duhet mbajtur mënd dhe çfarë duhet harruar nga ajo ditë 

Përtej simbolikës së ngadhnjimit të qytetarit në shesh, ‘linçimi’ deri në degradim i shtatores më pas nuk i shtoi pikë demokratike ditës më tej dhe provokoi reminishenca të së shkuarës si psh. hedhja në erë e varrit mbretëror. Nuk është as traditë dhe as zakon shqiptar. Por ndërsa mund të pritet nga një shesh në delir dhe spontanitet, e papranueshme është referenca e ‘zvarritjes’ që politika e PD lançon ende sot ndaj rivalit politik (‘neobllokmen’, ‘bijtë e etërve’ etj). 20 shkurti duhet të mbahet mënd për zbritjen e monumentit në tokë dhe jo për zvarritjen e tij dhe t’i bësh jehonë zvarritjes sot, i bën jehonë mentalitetit që ajo ditë presupozohet se la pas.

Sfida e demokracisë nuk janë shtatoret por simbolikat që përfaqësojnë. Për më tepër që ajo shtatore, edhe pa u hequr dhunshëm, ishte e pavënd në ato përmasa, në atë koncept, në atë pozicion (ndryshe nga ai i Gjirokastrës që ishte më natyral në paraqitje, përmasa dhe vëndndodhje). I atillë ai shërbeu veçse si ‘rrufepritës’ i mirëkalkuluar për një ditë të ‘keqe’ dhe një ‘çertifikatë’ para perëndimit se ‘timoni’ i politikës u kthye pakthim.

 

Historia nuk bëhet me ‘photoshop’

Ndonse demokracia nuk është shtatoremani, historia nuk bëhet me vakume ndaj dhe ashtu sikurse monumenti i monarkut zuri vënd në funksion të memorjes historike, rivendosja eventuale e shtatores së Hoxhës nuk ka përse të shihet si provokim demokratik por plotësim i mozaikut historik që është në vetvete standart në demokraci. Dhe kjo sepse sa hyrja në histori, ka rëndësi fakti nëse hyhet për mirë apo për keq. Sa prania e një shtatore, rëndësi ka ‘mbishkrimi’ që koha dhe brezat i vënë më pas.

Në monizëm u bënë shumë gjëra keq. U bënë edhe shumë gjëra mire dhe nëse përmëndja pa komplekse e arritjeve të bën ‘enverist’, ashtu qoftë. Standarti i demokracisë nuk është bardhë e zi dhe për më tepër etiketime të tilla nuk kompleksojnë kur bëhen nga një takëm politikanësh që duke i bërë bisht ligjit notojnë në pasuri të pamerituara duke nëpërkëmbur standartet demokratike, deri interesin kombëtar.

Përkujtimi i 20 shkurtit presupozon moral demokratik që PD me qeverisjet e saj nuk e dëshmoi. Çdo kushtrim prej saj për protestë, përveçse demagogji, provokon edhe dinjitetin qytetar teksa lyp mbështetje për një politikë që në CV qeverisëse ka Gërdecin, 21 janarin, abuzimin me Rrugën e Kombit, nëpërkëmbjen e votës, deri nëpërkëmbjen e sovranitetit kombëtar siç ishte marrëveshja detare me Greqinë (ndërkohë që Hoxha nuk përmëndet të ketë ardhur në pushtet apo mbijetuar në të duke futur kufirin në lojë) etj.

 

20 shkurti mbetet test për të gjithë

Përballë sfidës së protestës, qeveria nuk ka përse të përgatitet për skenare dhune dhe as nuk duhet të përcjellë këtë përshtypje. Përballë qytetarit në protestë, Kryeministria nuk ka nevojë për kordona policash pa armë, qofshin edhe femra. Dhe nëse të tillë ata duhet të jenë me kurriz sa nga turma po aq dhe nga ndërtesa sepse sesa objekti, siguria e qytetarit në protest vlen më shumë.

Institucioni duhet të ruhet siç ruhet çdo ditë. Nga personeli i zakonshëm i shërbimit. Dhe nëse turma dëshmon agresivitet dhe mësyn institucionin, dinjiteti i një shteti nuk qëndron tek mosprekja e institucionit por ndëshkimi ligjor më pas i kujtdo që nëpërkëmb sovranitetin e institucionit. Shteti nuk ka përse të ruhet nga shtetasit e tij dhe nëse turma përdoret si dekor nga provokatorët , precedentët e së shkuarës dëshmojnë se reagimi aty për aty policor vetëm komplikon më tej. Sa kohë nuk rrezikohen jetë njerëzish nga të dyja palët, pllakat dhe mobiljet vihen sërisht në vënd më pas. Ndërkohë drejtësisë i shtohet një dosje më shumë.

Qeveria Rama ka marrë përsipër shumë reforma por nëse opozita luan jashtë ‘ringut’ demokratik, fati i tyre dhe shmangja e sindromës së qeverisjes së Nolit (ndonse e ardhur në pushtet me revolucion), kalon nga zbatimi i ligjit njëlloj për të gjithë. Më 20 shkurt ra shtatorja por ‘shtatoret’ që polli tranzicioni bëjnë ende karshillëk. Dhe deri tani nuk ka ende ‘kavo’ për to.

 

Nga Artan Duka February 22, 2014 15:43
Komento

1 Koment

  1. Asllan Loka February 22, 22:14

    E vetmja gje qe nuk mund te pranohet eshte rikthimi i cfardo simboli qe lidhet me Enver Hoxhen. Aresyeja kryesore per te mos ndodhur kjo eshte se komunizmi sot eshte perseri aktiv , ideatoret , financuesit , zbatuesit dhe perfituesit ose pasardhesit e tyre jane aktive ne politike , neper institucionet e shtetit . Per kete shkak pjesa historike qe lidhet me periudhen e komunizmit nuk eshte akoma historike . Sa per ate qe artikullshkruesi shpreh se shtatoret e gjalla te diktatures se pas 20 shkurtit tejkaluan Hoxhen deri dhe me veprime antikombetarte sic ishte shitja e detit Greqise etj , eshte e vertete qe edhe keta ishin komuniste te ish partise se Enverit , ishin dora e zgjatur e serbizmit qe pershkon tejendane gjithe gjatesine politike te asaj partie perfshi edhe Enverin vete , por jane edhe deduksione te ngjashme historike . Zollumet e ketyre te fundit jane paksa me te vogla se te Enverit pasi partizanet komuniste kryen veprime realisht kolaboracioniste duke luftuar perkrah formacioneve serbe per te pushtuar vendin e tyre(nenkupto tokat jashte kufirit londinez te cilat qene bashkuar me Shqiperine nga italo-gjermanet). Te djathtet shqiptare qe mbizoteruan skenen politike te 7 prillit 1939 dhe me pas nuk mund ti quash kolaboracioniste sepse ata nuk ndihmuan italianet per te pushtuar vendin e tyre . Italia pushtoi dhe vendin e komunisteve te cilet nuk ishin gjekundi duke luftuar kunder saj ate dite dhe ne rastin me te keq , nga shume dokumente arkivore vertetohet se vete kreu komunist Enver Hoxha ka qene informator i sherbimit sekret zogist e italian me pas . Neqoftese kerkojme te rehabilitojme nje figure politike problematike dhe me njemije e nje dritehije , do te lindin kunderreagime te tmerrshme pasi plaget qe i shkaktoi ai shqiperise akoma kullojne gjak . nuk di nga e mer gjithe kete guxim artikullshkruesi , por duhet ta kuptoje qe eshte thjeshte nje bumerang per ate dhe linjen qe perfaqeson ketye mendim politik .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*