Shtëpi-muze në letra, në realitet janë shkatërruar

Ervin Sanja November 19, 2012 16:01

Shtëpi-muze në letra, në realitet janë shkatërruar

Zbulohet banesa e Kristoforidhit, e braktisur që kërkon ndërhyrje. Deliana: Është më karakteristikja e lagjes Kala, meriton të jetë Muze

 

Banesat tradicionale të Elbasanit në listën e monumenteve të kulturës dhe me vlera të rëndësishme për arkitekturën dhe historinë e qytetit po shkojnë drejt zhdukjes. Nuk do të jetë e largët dita kur nga shtëpitë e vjetra karakteristike të mbeten vetëm fotografi, pasi shumë prej tyre ose janë shkatërruar ose janë në rrënim të vazhdueshëm.

 

Pronarët i kanë lënë në disa raste në gjendje rrënoje, të interesuar që ato të shkatërrohen plotësisht, dhe në disa raste të tjera banesa me vlera të mëdha janë zhdukur tërësisht. Të paktë janë ata që i kanë restauruar vetë dhe vazhdojnë të mbajnë me fanatizëm tiparet e vjetra të banesës të trashëguar brez pas brezi.

 

Në një vështrim në disa prej objekteve monument kulture vumë re se shumë nga këto banesa tradicionale nuk ekzistojnë më, ndërsa tek të tjerat problemet janë të mëdha për mbijetesën e tyre dhe ruajtjen e vlerave.

 

Ka ende shtëpi që nuk janë vlerësuar duke u lënë në harresë, edhe pse ato cilësohen karakteristikë për lagjen e vjetër dhe nuk janë prekur në stilin e tyre. Brenda në Kala janë disa të tilla, por që çdo vit numri pakësohet dhe tjetërsimi është i dukshëm.

 

Shtëpia e Bibajave, tipike elbasanase, flet stërnipi i Kristoforidhit

Shtëpia e Mimë Bibasë, që ishtë dhëndri i vetëm i Kristoforidhit, ruan të gjitha karakteristikat e shtëpive të lagjes Kala. Që të gjitha ato janë ndërtuar në një truall shumë të vogël, sepse popullata ishte e madhe dhe ishte e detyrueshme që të mos largohej nga Kalaja. Për rrjedhojë ato bëheshin 2-katëshe dhe kishin shumë pak oborr. Ishin shumë të rralla ato që kishin hapësirë përpara ose pas ndërtesës.

 

E tillë ishte edhe shtëpia e Mimës, emri i vërtetë i të cilit ishte Dhimitër Bibaja. Shtëpia ka katin përdhes të pajisur me një hapësirë poshtë ndërtesës dhe në një pjesë të rrethuar që shërbente si qur. Ky ishte një ambjent që përdorej për të mbajtur gjërat e ndryshme dhe të nevojshme të shtëpisë. Përmbi këtë ndodhet kati i parë. Sipërfaqja e saj zihet nga një çardhak i madh i rrethuar nga parmakë. Çardhaku që zë më shumë se gjysmën e sipërfaqes së katit të dytë, është i ndërtuar në tri nivele, për t’i dhënë atij një bukuri. I gjithë ky është i drejtuar nga jugu, siç janë të drejtuara të gjitha fasadat e shtëpive të Kalasë.

 

Kjo për arsye që në çardhak të binte drita e diellit. Në pjesën e pasme të tij ndodhet ajo që në lagjen “Kala” quhej shtëpia e zjarrit, që në të vërtetë shërbente si kuzhinë, ku gatuhej, si ambjent ku rrinte familja dhe ku priteshin miqtë. Ajo është e madhe dhe ka një ndarje të vogël që është vazhdim i një korridori që lidh çardhakun me këtë mjedis të familjes. Ka përmasa të mëdha dhe poshtë tij ndodhet quri.

 

Në përgjithësi shtëpitë e lagjes “Kala”, me qëllim që ta rritnin mjedisin e tyre, kur pronari kishte mundësi ekonomike, ndërtonte një kat të tretë, i cili ndodhej pjesërisht i futur në çati. Ky bëhej pa mure, por vetëm me dru e “çatma”. Këto ishin të lehta dhe rezistente ndaj tërmeteve.

 

Një të tillë ndërtoi edhe Mima kur do martohej, aty nga 10-vjeçari i fundit i shekullit të 19-të. Në të ngjitesh nëpërmjet shkallëve që nisen nga kati i dytë dhe përfundojnë në një sallon të madh të katit të tretë, i cili siç thamë pjesërisht është i zhytur në hapësirën poshtë çatisë. Nga ky sallon kalohet në dy dhoma të vendosura njëra pas tjetrës, por që secila komunikon me sallonin.

 

Dhoma veriore nuk merr dritë nga asnjë drejtim, sepse është e zhytur në çati, kurse tjetra që ndodhet në jug të saj, ka dritare nga jugu dhe nga lindja, kështu që është një dhomë plot dritë dhe ajër.

 

Mima këtë dhomë e përdorte si dhomë pritjeje dhe e kishte zbukuruar shumë bukur. Kjo dhomë në lagjen “Kala” mbahej si shembullore për nga pajisjet të cilat në pjesën më të madhe ishin të zbukuruara e të qëndisura nga e shoqja e Mimës, Kleopatra, që ishte e bija e Konstandin Kristoforidhit.

 

Shtëpia edhe sot e kësaj dite i gëzon të gjitha këto cilësi prandaj me plot gojën mund të themi që ajo është më karakteristikja e Kalasë.

 

Rudolf Deliana, stërnip i Kristoforidhit, flet për gazetën “Dita” dhe thotë se në këtë shtëpi ka jetuar edhe vetë Kristoforidhi, sidomos në vitet e fundit të jetës së tij, kur ishte plak dhe vizitonte të bijën. Ai pohon se flitet që kjo ka qenë shtëpi e vetë Kristoforidhit që ia ka dhuruar dhëndrit, por për këtë nuk ka ndonjë dokument. Megjithatë këtë e pranon edhe i biri, Filip Kristoforidhi, i cili ka thënë: “Këtu ndë kët shtëpi lindi /Konstandin Ndelka, mbë 1830. Ose Kristoforidhi. Pseudonim që përdori për veprat e tij.

 

…Te shtëpia e Mimës, atje ku leu, mbas mendjesë s’ime, do jet mirë të ngulen përjashta, ke dera ose në murë, një pllakë me fotografim e kësaj shtëpie të vjetërë.

 

“Afëroh-u, o vëlla, që të them se kush jam!/Mbë quajn Konstandin Kristoforidh.

Linda ndë kët shtëpi mbë 1830. Vdiqa nd’ Elbasan mbë 1895 ke shtëpia Taq Budës. Ato qi më ngulën këtu, duan t’ju dëftejn se për gjithë jetën punova me pendën ndë dorë dhe përdava mbë katër anët’ e Shqipërisë farën ‘  e diturisë për ndriçimin e gjuhësë dhe rilindjen’ e Kombit t’onë.

Dhe ti, o vëlla, qofsh shqiptar ose i huaj, puno pa kursim për të mirën e kombit, dhe,, mo sprit ndonji shpërlbim për këtë detyrë atëdhetare. Udh’ e mbarë!”

 

Madje, ka edhe persona të tjerë sot të moshuar, rreth të 90-tave që e pranojnë këtë fakt. “Pavarësisht nga kjo, – thotë Deliana, – kjo ndërtesë duhet patjetër të merret në mbrojtje. Ajo duhet sa më shpejt të meremetohet sepse është braktisur nga pronarët dhe do të jetë simboli më i bukur dhe më i saktë i vetë Kristoforidhit”.

 

Përmasat e saj dhe format e saj janë shumë të përshtatshme për të vendosur aty të gjitha materialet e shtëpisë-muze të Kristoforidhit.

 

Banesat jashtë Kalasë, drejt shkatërrimit të plotë

Një rast tipik e një banese të kategorisë së parë në listën e Monumenteve të Kulturës është banesa dykatëshe e Sul Shahinit. Ajo nuk ka vetëm tiparet e sarajeve me çardak, por edhe historinë e saj me vlera të padiskutueshme. Kjo shtëpi u la testament nga Rrapush Demeti për arsimin. Jo vetëm që amaneti nuk shkoi në vend asnjëherë, por edhe shtëpia, ndër mrekullitë e traditës elbasanase, është drejt rrënimit të plotë.

 

Tavanet thuajse janë shkatërruar, kati i parë është transformuar tërësisht nga banuesit, ndërsa kati i dytë ka çardakun me dru, dollapët karakteristikë, një derë të brendshme të punuar, pak ornamente tek shkallët, dritaret me kornizë druri dhe shtyllat e parvazët prej druri. Kaq ka mbetur nga kjo shtëpi që ka vite që nuk është parë nga Instituti i Monumenteve, të paktën siç deklarojnë banorët e kësaj shtëpie. Ata thonë se kjo shtëpi duhet të hiqet nga lista, pasi për vite nuk është ndërhyrë dhe është drejt shkatërrimit të plotë.

 

Ata mandje nuk e hapin derën e një prej dhomave duke deklaruar se është e rënë dhe e shkatërruar. Shtëpia e Sul Shahinit (pronarit që e mori nga shteti pas çlirimit) në lagjen e njohur atëherë me emrin “Karavelie”, sot “Partizani”, vazhdon të jetë monument i kategorisë së parë ku nuk duhet të ndërhyhej si nga Brenda, ashtu edhe nga jashtë.

 

Jashtë kalasë ka edhe monumente të tjera kulture të kategorisë së parë. Ndër shtëpitë që kërkova të shikoja, ishte ajo e vëllezërve Kopili, por në vendin ku ka qenë një prej ndërtesave më me vlerë tashmë ishte ngritur një godinë e re, moderne me shumë kate. Banorët më thonë se shtëpia e vjetër është shkatërruar rreth 10 vjet më parë.

 

Nga shtëpia që është në listë për ruajtje të plotë, nuk ka asnjë gjurmë.

 

Fatin e saj e kanë ndjekur edhe shumë banesa të tjera të cilat nuk duhet të modifikoheshin. 20 vitet e demokracisë, thonë banorët, bënë të vetën dhe të gjithë i trasformuan pasuritë kulturore që ishin edhe monumente, duke iu përshtatur kohës. E vetmja banesë që i shpëtoi transformimit, është Shtëpia e Sejdinëve, po jashtë Kalasë, pasi u mor në administrim dhe në mbrojtje nga shteti.

 

Muzeu etnografik, banesë e Sejdinëve

Muzeu Etnografik i Elbasanit është ndërtuar në një shtëpi karakteristike me çardak, që i takon shek. XVIII. Elbasanasit e njohin si Shtëpia e Sejdinëve. Ajo është një shtëpi e cila, nga mënyra e ndërtimit dhe arkitektura, është e veçantë në llojin e vet në trevën e Elbasanit. Në planin kompozicional dhe në përgjithësi me konceptimin e saj funksional dhe arkitektonik, kjo banesë u ngjan shumë banesave me çardak që gjenden në zonën e Beratit dhe të Shkodrës. Banesa përbëhet nga dy kate.

Kati i parë përdorej si magazinë e produkteve bujqësore dhe përbëhet nga këto mjedise: korridori, dhoma e leshrave, dhoma e metaleve; dhoma e tabakëve.

 

Kati i dytë, ka qenë përdorur si vend banimi dhe përbëhet nga këto mjedise: korridori; dhoma e punës e vajzave; dhoma e grave; dhoma e burrave; dhoma e nuses dhe dhëndrit. Kjo banesë është restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në vitet 1983-1985 dhe në vitin 1986 mjediset e saj u përshtatën në muze etnografik.

 

Në fondet e këtij muzeu ruhen rreth 900 objekte origjinale të kulturës popullore dhe etnografisë. Është ndër të paktat objekte që ruhet në gjendje të mire, por tashmë e ka humbur një pjesë për shkak të problemit të madh të pronësisë.

 

Shtëpitë me hajat, thuajse të zhdukura

Në rrethinat e Kalasë kanë ekzistuar edhe shumë banesa tradicionale, tipike elbasanase të kohës turke të quajtura Dollmallije. Dollmallija ka në ballë hajatin e madh me shtylla druri, me sofë, me ambjente të tjera tipike si: divitja, dhoma e zjarrit, qyri ku shkohej nëpërmjet buharit, ambjentet e tualetit etj. Në pjesën e jashtme të banesës në disa raste kishte pjesë ambjenti shtesë qysh në hyrje. Në banesat me hajat karakteristikë ishte hyrja me dy palë dyer dhe në derën e parë vendosej ambjenti për burrat etj.

 

Ky tip banese thuajse është zhdukur. Dollmallijet kanë qenë kryesisht të familjeve myslimane me shumë prona e pasuri. Ky tip kërkonte shumë tokë e hapësirë përreth. Shtëpi të tilla ka pasur familja Ceka, por edhe shumë familje të njohura. E vetmja banesë që përfaqëson një tip të ruajtur të banesës me hajat në Elbasan është shtëpia e Hajrie Skiljes.

 

Megjithëse e transformuar, ende në këtë shtëpi gjen elemente të banesës me hajat. E restauruar dhe e modifikuar disi për shkak të kërkesave të kohës, shtëpia e Skiles trashëgohet nga e bija, Sofije Tollumi. Kjo banesë njihet ndryshe si shtëpia e Kol Tollumit. Ndodhet në lagjen me emrin e vjetër “Sulejmanie”, sot “Aqif Pasha” në anën verilindore të Kalasë.

 

Sofija në një moshë të thyer tregon se shtëpinë e ka trashëguar nga nëna. “Shtëpia është mbi 200-vjeçare. Veli Skilja që ka pasur këtë shtëpi, ka qenë tregëtar. Sot ka mbetur pak nga ajo që mbaj mend nga kjo shtëpi. Banesa ka pasur divitje, sofë, qyre etj. Tavani i vjetër po prishet e po bie, divitja nuk u ruajt dot dhe po kështu pjesët e tjera. Kjo ka qenë ndër shtëpitë më të bukura të kohës. Qysh në hyrje ishin dy dyer. Pas derës së parë ishte një ambjent për burrat në festa si Bajrami që të mos shiheshin gratë.

 

Në lagjen tonë ka qenë edhe një remë me ujë që vinte nga mulliri dhe e gjithë rema ishte me ura me harqe. Ka qenë vërtet një mrekulli. Është mëkat që u shkatërrua”.

 

Duket se edhe kjo banesë që është ruajtur disi dhe është restauruar nga vetë pronarët, do të ketë fatin e shumë të tjerave për shkak se pronarët e kanë përshtatur me kohën. Sofa është ndryshuar dhe pjesët e tjera po ashtu.

 

Pronarët kërkojnë heqjen nga lista të objektit për shkak të transformimit. Sakrifica e këtyre familjeve është e madhe, pasi koha dhe sidomos nevoja për të ardhura, i dikton zgjidhje të tjera për banim.

 

Sot është mjaft e vështirë të gjesh një shtëpi dollmallije tipike. Zhdukja e këtij tipi banese është një humbje e madhe për këtë qytet që shtëpitë me hajat i kishte tipar kryesor.

 

Brenda në Kala

Ndryshe nga pjesa jashtë, ku ishin kryesisht familje myslimane, ato që ndërtuan banesa të larta, si sarajet dhe me hajat, në brendësi të kalasë dhe sidomos në pjesën ortodokse lloji i banesës i përshtatej shumë zgjidhjeve të veçanta. Shtëpitë në këtë pjesë kanë ndërtime me çardak dy deri në tri kate, me dalje në konsol të katit të dytë, dhe karakterizohen nga grup dritaresh me kornizë të gjerë druri dhe me strehë të gjerë.  Këto forma i përshtateshin terrenit të pakët dhe shtimit të banorëve.

 

Brenda në kala është një rrugicë që bën pjesë në monumentet e kategorisë së parë dhe në anë të saj banesa që vlen të marrin vëmendje. Edhe brenda kalasë ka ndodhur po i njëjti fenomen. Godina të braktisura po shkojnë drejt rrënimit, ka të tjera të transformuara dhe gjithashtu banesa të cilat kanë marrë vëmendjen e vetë pronarëve dhe vazhdojnë të ruhen.

 

Shumë banesa të tjera që duhet të ishin ruajtur nën efektin e kohës ose janë në rrënim, ose janë transformuar. Një shembull i mirë i ruajtjes dhe i restaurimit të paktën në pjesën e jashtme është shtëpia e Genc Nosit. Nëpërmjet restaurimit në këtë shtëpi është ruajtur pamja e jashtme.

 

“Kjo banesë është e Isak Xhufkës dhe është mbi 100-vjeçare. Është monument i kategorisë së dytë dhe është restauruar pjesa e jashtme”. Ky ishte një shembull i mirë i reagimit të Institutit të Monumenteve, por nuk do të gjejmë shumë shembuj të tillë.

 

Shtëpia që të bën përshtypje në një nga rrugicat e kalasë, është ajo e Llaz Papajanit. Kjo shtëpi ndër më të veçantat në shfrytëzimin e hapësirës dhe në vendosjen, megjithëse disi e modifikuar, vlen të shikohet. Pronari i sotëm Ali Çami (Halili) tregon se kjo shtëpi në një arkitra mban vitin kur është ndërtuar dhe është një shtëpi mbi 300-vjeçare.

 

“Shtëpinë e kishte dhespot Papajani dhe për këtë arsye është ndërtuar një tunel që del tek Kisha e vazhdon më tej në Krastë. Në këtë shtëpi ka pasur modifikime dhe përshtatje me kohën. Ndër ato që ruhen janë oxhaku, rozeta, forma e ndërtimit karakteristike për katet e sipërme me tulla e të tjera elemente.

 

Pasuria e kësaj shtëpie nuk janë vetëm format e dritareve, por edhe kati i parë. Ai ishte totalisht në funksion të veprimtarisë së familjes dhe nuk përdorej për të jetuar. Sapo hyn në portën tashmë të ndryshuar në njërën anë, janë dy ambjente që dikur kanë qenë dhoma të ndara me qemere të rrumbullakët dhe në fund një sterë e madhe uji. E ndërtuar 3 shekuj më parë, stera është e padepërtueshme nga uji dhe, sipas pronarit është bërë me llaç me rërë vullkanike që vinte nga Italia dhe llaçi është përpunuar me sapun.

 

Shkallët janë me pllaka guri dhe mënyra e organizimit të kësaj banese është e veçantë. Kjo banesë është një formë sesi shfrytëzohej çdo pëllëmbë tokë e Kalasë në kohën e mesjetës dhe gjatë periudhës turke. Pronari aktual thotë se ka njoftuar disa herë specialistët e monumenteve, por nuk ka ndërhyrë njëri.

 

Banesë e restauruar privatisht

Është një ndër më të veçantat dhe më të bukurat e vendosur mbi murin e vjetër të lagjes Kala, ngjitur me shtëpinë e Aleksandër Xhuvanit. Nga brenda kalasë ajo ka një pamje që të mrekullon, me dritare karakteristike me veshje druri, me strehë të gjerë të çatisë, shkallë prej druri. Shtëpia e Jorgji Xhufkës është mbi 300-vjeçare. Ajo është blerë nga familja Leka.

 

Kjo e fundit pasi ka pritur më kot nga Instituti i Monumenteve duke e lajmëruar disa herë për ndërhyrje në këtë objekt pasi po shembej, ka vendosur të kryejë punimet vetë. Pronari i shtëpisë, Edmond Leka, ka njoftuar organet kompetente dhe ka marrë leje për të kryer vetë punimet. Kjo banesë e vendosur mbi murin verior të Kalasë ka një kompozicion interesant.

 

Me një kat bodrum dhe dy kate të tjera, kjo shtëpi ka shfrytëzuar murin e trashë të kalasë. Në bodrum ndodhen pasuri të tjera të kësaj shtëpie. Mjafton të hysh në njërën prej tyre për të parë fuçitë e rralla prej guri ku mbahej vaji i ullirit. Janë 4 të tilla me shkëmb të gdhendur përbrenda që përdoreshin në atë kohë për vaj.

 

Në bodrum është edhe një pjesë e murit të kalasë që duket që nuk është një shtresë turke. Familja Leka është duke përballuar vetë të gjitha shpenzimet për restaurimin e shtëpisë. Të vetëdijshëm ata kanë ruajtur pjesët më të rëndësishme të këtij objekti. Të zhgënjyer për mungesën totale të shtetit ata kanë filluar me vështirësi të ruajnë këtë pasuri që po shkatërrohej.

 

E zonja e shtëpisë thotë se shtëpinë e kanë parë specialist shqiptarë dhe italianë, por veç fotografimit nuk ka pasur asnjë reagim tjetër që t’i bënte të mundur kësaj familje përballimin e shumë shpenzimeve për ruajtjen e këtij objekti me vlerë.

 

Mbajtja e një shtëpie të tillë, shprehen ata, është mjaft e vështirë pasi gjithçka duhet t’i përshtatet formës dhe teknikës së vjetër. Të kesh një monument kulture në këtë kohë është vuajtje, dhe jo përfitim.

 

 

Banesa të kategorisë së parë

Banesa e Staf Papanikollë Papajanit në lagjen Kala, 1973 (e banuar dhe nuk ka kat të tretë)

Banesa e Sul Shahinit në lagjen “Partizani” (Karavelie) i shpallur monument më 1963-shin (pjesërisht drejt shkatërrimit)

Banesa e Hajdar Sejdinit, lagjja “Alejdine” e shpallur monument më 1963-shin (e ruajtur, muzeu etnografik)

Banesa e Hajrie Skiles, lagjja “Sulejmanie”, 1963 (e ruajtur pjesërisht)

Banesa e Ikbale Bumçit, Rr. “Kristoforidhi” më 1973 (pjesërisht)

Banesa e vëllezërve Kopili (e shkatërruar, dhe e lëvizur)

Banesa e Refie Mollohollit (e zhdukur)

Banesa e Elena Papajanit (e dëmtuar)

Banesa e Tasim Çiftes (e ruajtur pjesërisht dhe e tjetërsuar)

 

Ervin Sanja November 19, 2012 16:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*