Shtëpia e Bardhë, histori dhe legjenda

July 14, 2014 15:43

Shtëpia e Bardhë, histori dhe legjenda

Ndërtimi i Shtëpisë së Bardhë nisi më gurin e parë të themelit në korrik 1790 pa asnjë ceremoni formale. Ndaj dhe ka kontradikta për datën e ndërtimit të saj. Ca thonë ka filluar ndërtimi më 1 korrik 1790, disa të tjerë e shtyjnë edhe për dy javë të tjera, dmth, më 13-14 korrik. Rezidenca kryesore, si dhe themelet e shtëpisë u ndërtuan kryesisht nga punonjës skllevër dhe të lirë afrikano-amerikanë, si dhe nga evropianë të punësuar. Pjesa tjetër e punës u krye nga emigrantët, të cilët s’kishin akoma shtetësinë. Ndërtimi fillestar u zhvillua në një periudhë prej tetë vitesh.Pastaj u ndryshua projekti. Kur përfundoi ndërtimi, muret e ndërtuar me gurë ranorë u lyen me një përzierje gëlqereje, kafeine dhe plumbi duke i dhënë shtëpisë ngjyrën e saj karakteristike dhe emrin. Shtëpia e Bardhë ishte gati për banim rreth datës 1 nëntor 1800.

 

Emri

Ndërtesa fillimisht mbante disa emra, si “Pallati i Presidentit”, “Rezidenca Presidenciale”, apo “Shtëpia e Presidentit”. Të dhënat më të hershme të emrit “Shtëpia e Bardhë” janë të regjistruara në vitin 1811. Ekziston një legjendë sipas të cilës, gjatë rindërtimit të strukturës u aplikua bojë e bardhë për të maskuar dëmtimin që kishte shkaktuar zjarri. Ndërsa një tjetër thotë se e ka origjinën nga shtëpia e Martha Custis Washington, së shoqes së  George Washingtoni, e cila kishte një shtëpi të bardhë në vendine saj të lindjes në Nju Kent, Virxhinia. Presidenti Theodore Roosevelt vendosi emrin formal “White House – Washington”.

 

Ndërtime dhe rindërtime

John Adams u bë presidenti i parë që banoi në Shtëpinë e Bardhë. Adams nuk jetoi gjatë në shtëpi dhe menjëherë pas tij ishte radha e Thomas Jefferson, i cili dha idetë e tij se si duhej të ndryshohej Shtëpia e Bardhë.  Sot, kolonadat e Jefferson lidhin rezidencën me Krahun Perëndimor dhe atë Lindor. Në vitin 1814, gjatë Luftës së vitit 1812, trupat britanike i vunë zjarr Shtëpisë së Bardhë dhe një pjesë e madhe e Uashingtonit u prek nga zjarret. Vetëm muret e jashtme mbetën dhe ato u desh të shembeshin dhe të rindërtoheshin pasi ishin dobësuar nga zjarri. Pas zjarrit, të dy arkitektët, Benjamin Henry Latrobe dhe Hoban kontribuan në skicimin dhe rindërtimin e Shtëpisë së Bardhë. Portiku jugor u ndërtua në vitin 1824, gjatë presidencës së Jamrs Monroe, ndërsa ai verior u ndërtua gjashtë vite më vonë. Në vitin 1948, u deklarua rreziku i pashmangshëm i shembjes së shtëpisë, duke bërë që presidenti Truman të urdhëronte një rindërtim të plotë dhe të vendosej në shtëpinë “Blair House” nga viti 1949 deri më 1951. Pas rindërtimit u shtua dhe ajri i kondicionuar me sistem qendror, dy pjesë shtesë tuneli, si dhe vend për t’u strehuar në rast bombardimi. Ndërkohë që struktura e shtëpisë nuk ndryshoi, shumë prej punimeve të brendshme e humbën vlerën historike. Jacqueline Kennedy, bashkëshortja e presidentit John F. Kennedy kreu një restaurim të zgjeruar dhe historik të shtëpisë me mobilie dhe vepra arti.

 

Shtëpia e Bardhë sot

Në Krahun Perëndimor ndodhet zyra e presidentit (Zyra Ovale) dhe zyrat e stafit të tij të ngushtë, prej rreth 50 vetash. Krahu Perëndimor gjithashtu përfshin Dhomën e Kabinetit, ky presidenti kryen mbledhjet e punës dhe ku takohet kabineti i SHBA-së. Kjo pjesë e ndërtesës është përdorur për filmimin e serialit “The West Wing”.

Krahu Lindor, i cili ka hapësirë shtesë për zyra, i është shtuar Shtëpisë së Bardhë në vitin 1942. Aty ndodhen zyrat për stafin e Zonjës së Parë dhe Zyra Sociale e Shtëpisë së Bardhë. Në Shtëpinë e Bardhë janë 132 dhoma, 35 banjo, si dhe 8 palë shkallë. Në shtëpinë zyrtare të presidentit të SHBA gjenden gjithashtu 412 dyer, 147 dritare, 28 oxhaqe, si dhe tre ashensorë.

Dhoma e Pritjeve Diplomatike është një prej tre dhomave ovale në Shtëpinë e Bardhë. Ajo është në katin përdhes dhe përdoret si dhomë pritjeje për ambasadorët e shteteve që prezantojnë kredencialet e tyre, ceremoni kjo që më parë është kryer në Dhomën Blu. Kjo dhomë është pjesa hyrëse në Shtëpinë e Bardhë dhe ka katër dyer që e lidhin me dhomat e tjera.

 

Kalendar (13-19 korrik)

13 korrik

1960 – John F. Kennedy e siguroi nominimin presidencial në SHBA, në kuvendin e partisë së tij në Los Angeles.

2007 – Ish-magnati mediatik, Conrad Black, u shpall fajtor në Chicago për mashtrim. Ai është duke e vuajtur dënimin gjashtëvjeçar me burgim në një burg federal të Floridës.

 

14 korrik

1789 – Gjatë revolucionit francez, qytetarët e Parisit depërtuan në burgun e Bastilles dhe i liruan shtatë të burgosurit që ndodheshin brenda.

1933 – Të gjitha partitë politike gjermane, me përjashtim të Partisë Naziste, u shpallën të paligjshme në Gjermani.

1958 – Ushtria e Irakut e rrëzoi monarkinë.

Dita Kombëtare në Malit të Zi

Dita e Republikës së Francës

 

15 korrik

1997 – Disenjatori Gianni Versace u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Miami. I dyshimti për vrasjen e tij, Andrew Phillip Cunanan, u gjet i vdekur tetë ditë më vonë

 

16 korrik

622 – Muhamedi a.s. filloi Hixhren nga Mekka në Medina, e cila ditë shënon edhe vitin e ri mysliman.

1606 – Lind piktori i famshëm holandez, Rembrandt.

1945 – Testohet bomba e parë bërthamore me 6 kg pluton në Alamagordo, New Mexico.

1969 – Anija amerikane e hapësirës “Apolo 11”, e lansuar në kuadër të programit Apolo, u nis nga baza në Cape Carnavale për në misionin historik drejt Hënës. Ekuipazhin e anijes kozmike e përbënte Neil Armstrong, Edwin Oldrin dhe Michael Collins.

1998 – Konstituohet Parlamenti i Republikës së Kosovës.

 

17 korrik 

1821 – Spanja ia dorëzoi SHBA-së Floridën.

1945 – Presidenti amerikan Harry S. Truman, lideri sovjetik Josef Stalin dhe kryeministri britanik Winston Churchill filluan takimin në Potsdam gjatë samitit të fundit të aleatëve të Luftës së Dytë Botërore.

1955 – U hap Disneyland në Anaheim të Kalifornisë.

1996 – Një aeroplan “Boeing 747” që ishte nisur drejt Parisit, eksplodoi dhe u përplas në New York, pak pas nisjes nga aeroporti ndërkombëtar “John F. Kennedy”. Të 230 personat në bord humbën jetën.

2005 – Tribunali Special për Irakun paraqiti rastin e vet të parë kundër Saddam Husseinit, për masakrën e shiitëve të vitit 1982.

 

18 korrik 

1955 –  U hap zyrtarisht parku i parë “Disneyland”, në Anaheim të Kalifornisë

 

19 korrik

1870 – Franca i shpall luftë Prusisë, një vendim që u prin luftërave franko-prusiane

1918 – Ushtritë gjermane tërhiqen nga territoret përgjatë lumit Marne në Francë, në luftimet e Luftës së Parë Botërore.

1969 – Misioni shkencor, “Apollo 11” arrin në Hënë.

 

16 korrik 1915 – U vra Çerçiz Topulli në Shkodër

Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër në vitin 1880 dhe ra dëshmor më 15 korrik të vitit 1915, ishte atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave kundër sunduesve osmanë për çlirimin kombëtar të vendit, hero i popullit. Në prill të 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë në fillim të marsit 1908 në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë. Drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars 1908.  Pas fitores së revolucionit xhonturk të 1908, Çerçiz Topulli punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 u vu në shërbim të qeverisë së I. Qemalit.Vritet nga malazestë në Fushën e Shtoit (Shkodër).

 

Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima

17 korrik 1944 – Ekzekutohen na nazistët gjermanë Heroinat e Popullit Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima

Bule Naipi lindi në vitin në 1922 në Gjirokastër. Ajo ishte anëtare e rinisë komuniste, së bashku me Qemal Stafën. Bashkë me të vëllanë, Sadon, dalin partizanë, duke dhënë kontribut të madh në largimin e pushtuesit nazist nga Shqipëria.

Persefoni Kokëdhima është Heroinë e Popullit. Lindi në Qeparo të Himarës. Që në fillim u hodh në radhët e Brigadës së 6 Sulmuese. U kap e sëmurë rëndë në fshatin e lindjes. Përballoi tortura çnjerëzore në burgun e Gjirokastrës.

Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima përfunduan në duart e armikut, i cili i vari të dyja në datën 17 korrik të vitit 1944 në sheshin “Çerçiz Topulli” të Gjirokastrës. Heroinat edhe në momentet e fundit u treguan të palëkundur përpara armikut, duke treguar një virtyt të lartë të vajzave shqiptare, edhe pse ishin vetëm 22 vjeçe në atë kohë.

July 14, 2014 15:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*