“Shtëpia e gjetheve”, Ministria e Kulturës dëgjesë publike me ish të burgosurit politikë

August 29, 2016 22:33

“Shtëpia e gjetheve”, Ministria e Kulturës dëgjesë publike me ish të burgosurit politikë

Pas përfundimit të fazës së parë dhe të dytë të rehabilitimit të ndërtesës, Muzeu “Gjethi” – një projekt për t’u përballur me hijet e së shkuarës të terrorit komunist ka kaluar në fazën e tretë të muzealizimit . Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me një grup ekspertësh  ka qenë në bashkëpunim me ekspertë të SHISH dhe të Ministrisë së Brendshme, për të mbledhur dokumentacion dhe objekte, për të përgatitur konceptin, përmbajtjen dhe projektin e muzealizimit.

Nesër më 30 gusht do të organizohet dëgjesa e parë publike për të treguar se e keqja nuk duhet fshehur, për të mos mbajtur as ngrehina dhe as dosje të mbyllura. Pjesëmarrës në dëgjesën publike do të jetë grupi i punës : Bashkim Shehu, Gëzim Qendro, Artan Puto, Fabian Kati dhe Eldon Gjika, ndërsa janë ftuar përfaqësues të shoqatës të përndjekurve politikë, ish-të burgosur politik, të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, shoqata e të drejtave të njeriut, historianë, opinionistë, etj, raporton Shqip.

Ministria e Kulturës shprehet se do të japë kontributin e saj në ngritjen e institucioneve të kujtesës që eksplorojnë historinë e komunizmit shqiptar  nga viti 1945 deri në vitin 1989,  me synim  ngritjen e vetëdijes publike përmes materialeve të dokumentuara dhe ekspozitave  të ndryshme.  Këto institucione  do të jenë pjesë e promovimit të debatit dhe shkëmbime  idesh  mbi format e shtypjes në diktaturë, si dhe pasojat që vijnë nga persekutimi politik , me qëllim informimin e brezave të rinj me të kaluarën e vendit, por edhe ballafaqimin e atyre brezave që arritën ta përjetonin diktaturën komuniste me këtë të kaluar të vështirë.

E ndërtuar në vitin 1931, godina, fillimisht ka patur funksionin e një klinike. Gjatë luftës së dytë botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950, ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të Sigurimit. Shtëpia gjendet në qendër të qytetit, në anën e kundërt të Katedrales Orthodokse, pranë Sheshit Skënderbej dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë.
Ideja është transformimi i kësaj shtëpie, tashmë të identifikuar nga publiku si pjesë e Sigurimit, në një muze. Në qendër të kësaj ideje të muzeut është shfaqja në formën pars pro toto të kontrollit totalitar dhe kudondodhjes së tij në një formë origjinale, nëpërmjet përgjimeve dhe spiunimeve elektronike nga vendi ku ato kryheshin.

Sipas modelit të këtij Seksioni, koncepti i përgjithshëm i muzeut mund të përfaqësohet nëpërmjet tre rrathëve koncentrik. Rrethi i parë përmban aktivitetet e zhvilluara në këtë Shtëpi: përgjimi kabllor dhe kontrolli mbi korrespondencën. Arsyeja e vendosjes së seksionit teknik dhe shkencor në këtë Shtëpi qëndron në afërsinë që ajo ka me zyrat e postës qendrore dhe telefonisë. Rrethi i dytë konsiston në aspektin qëndror që ky seksion ka pasur në mbledhjen e të dhënave të përgjimit nga të gjitha seksionet e tjera të Sigurimit. Rrethi i tretë konsiston në përgjimin në përgjithësi, si pjesë e aktiviteteve të përmendura në rrathët e mëparshëm. Ky i fundit përfshin mbi të gjitha përgjimin nëpërmjet një rrjeti të gjerë informatorësh.

Përveç historisë së Shtëpisë dhe funksioneve të Seksionit Teknik dhe Shkencor, muzeu do të përshkruajë fakte dhe dimensione të tjera në lidhje me kontrollin e Policisë Sekrete. Një nga hapësirat e muzeut do t’i dedikohet edhe përgjuesve – mikrofonave të fshehur. Një hapësirë e dytë do t’i dedikohet “Mikrofonave të gjallë”, informatorëve. Një hapësirë e tretë do t’i dedikohet paradigmës së “Armikut” (objekti i përgjimit), si një mit dhe imazh paranoiak, si dhe gjithpërfshirjes së tij që e bënte të domosdoshëm gjithpërfshirjen e përgjimit.

Një hapësirë e katërt do t’i dedikohet edhe lidhjes midis idesë së armikut të brendshëm dhe armikut të jashtëm, e cila ishte veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri për arsye të vetizolimit të saj, dhe do të përshkruajë përgjimin kundrejt të huajve. Një tjetër hapësirë do të tregojë ambientet e një dhome ndenjeje tipike shqiptare të viteve 70’ me dekorime që do shihen edhe gjatë hapësirave të dedikuara për përgjuesit dhe të përgjuarit. Dhe një hapësirë tjetër do t’i dedikohet laboratorit teknik dhe shkencor të Seksionit që merrej së shumti me zbulimin e fotove dhe filmimet sekrete duke u ndëthurur kështu vizualja (pamorja) me dëgjimoren. Kjo hapësirë do të quhet “Panopticon dhe Panacusticon”.

Kjo do të jetë kurora filozofike e idesë qëndrore të muzeut, asaj të kontrollit total. Përveç shfaqjes së objekteve autentike të Shtëpisë, do të përmbajë referenca vizive (pamore) dhe tekstuale të burgut ideal, Panopticon-it, dhe nga këtu tek utopia e botës perfekte, e supozuar si shoqëria socialiste, edhe pse mori formën e një burgu në të gjithë vendin. Do të ketë edhe hapësira të tjera që do t’i shtohen kësaj me qëllim dhënien e idesë qëndrore dhe të gjitha hapësirat do të drejtojnë në drejtim të kësaj ideje qëndrore duke i lidhur ato me imazhe dhe fjalë.
Gjuha e muzeut do të jetë multimediale me një theks të fortë tek autentikja: do të konsistojë në objekte origjinale të përdorura në Shtëpi, në video, në dokumente arkivorë, në grafikë të dhënash, në tekste shpjeguese dhe sintetike, etj.

August 29, 2016 22:33
Komento

7 Komente

  1. gjermani i fundit August 29, 23:06

    Mesa di une Sigurimi i shtetit nuk ishte polici politike sic permendet ketu.Pastaj, a ia keni idene botes? Po pergjohen deri edhe telefonat e kryetareve te shteteve qe drejtojne boten, akoma s’u ka dale pija ketyre?

    Reply to this comment
  2. Olimpia August 30, 00:05

    Tregoni një vënd në botë që nuk ka patur , nuk ka dhe nuk do të ketë ,Shtëpi me gjethe, Tregoni një vënd serioz që nuk ka vēndkomandë të nëndheshme pēr kohë lufte .Mjerimi i një vēndi pasqyrohet në dēshirën idiote për tu zvarritur pērpara çdo burokrati të dorēs së fundit të huaj për marrjen e një buzëqeshje……As vëndi më i prapambetur i Afrikës apo i Amerikës Latine .ku diktaturat , kryesisht ushtarako fashiste nën ombrellën e CIA …as,…..nuk zhgarravitet para të huajve në këtë mēnyrë .Në Itali nuk ka ndonjë muze të Shërbimeve sekrete fashiste , po kështu në Gjermani , me pērjashtim të deklaratave zyrtare formale , ka një heshtje varri për nazizmin , në Japoni kryeministri viziton varrezat ku janë edhe kriminelēt më të medhenj të luftës sē ll botërore …..Shqipëria është shëmbulli më i shkëlqyer i paraqitjes të të kaluarës si një skëterrë totale e njerëzimit .?..Do ta pyesja personazhin grotesk të këtyre ideve….si do ta pasqyrosh kohën që po jetojmë , kur nuk je në gjëndje të mbash me bukë as gjysmën e popullsisë , sepse gjysma tjetër nuk di as se ku ka përfunduar ….Të gjitha këto që po theksoj jo për nostalgji të të kaluarës , e cila është komplekse , si historia e çdo populli , por për të theksuar idiotiizmin cinik të një aventurieri bulevardesh që e përdor pushtetin për qëllime komerciale , duke venë në lëvizje një tufë servilèsh.Por gjëja më e neveritëshme është servilizmi ndaj të huajve…..
    Dita , këtu ka një vlerësim personal , jo ofendim , prandaj lutem mos e censuroni.Nëse dikush nuk është dakord , le të replikojë .Këtu nuk ka asgjë pro Saliut , sepse Saliun praktikisht e konsideroj një hitlerian , feudo anarkist , armiku më i rrezikshëm që ka patur dhe ka kombi shqiptar…

    Reply to this comment
  3. Dibra A August 30, 00:14

    Te marret vazhdojne te lehin.
    Po aparaturat me te sofistikuara te pergjimit jane blere ne kohen e Sali Viçidollit , dhe per te pergjuar çfare???.Per te pergjuar kundershtaret e tij.Se per te ruajtur vendin nga agjenturat e huaja , kriminelet e kane shitur Shqiperine!
    Po ku ka shtete ne bote pa zbulim dhe kunder zbulim.
    Shihni cbehet ambasada amerikane pergjonte ministrine e jashte franceze , bile dhe vete presidentin e Frances.Merkeli ishte pergjuar nga amerikanet ne intimitetin e jetes private.
    Hajde te marre vazhdoni me shtepine e gjetheve

    Reply to this comment
  4. feniks August 30, 02:10

    E gjitha kjo eshte vetem nje propagande e ndyre!
    Po ua mbajti SUMA,Enver Hoxhen mundeni ne AERSIM,SHENDETESI,BUJQESI,SIGURINE E JETES,NDERTIMIN E FABRIKAVE ,UZINAVE ETJ PER PUNESIMIN E POPULLIT!
    Asgje nuk beni dot, ndaj merreni me keto MUFKA!
    !

    Reply to this comment
  5. kris 1 August 30, 02:16

    Mire qe behet por sa do te harxhohen dhe cte ardhura do te shtohen ne buxhet.
    Pozitive eshte qe grupi i punes perbehet nga bijte e asaj nomenklature qe vuri ne pune shtepine me gjethe apo si i thone tani shtepia me vrima.

    Reply to this comment
  6. fshatari pafshat August 30, 13:49

    “STAMBOLLI DIGJET, KURVA KRIHET” fshihet me gjthe fiku !!!!

    Reply to this comment
  7. E po kjo pune! August 30, 15:13

    tani qe mendjet jane kthjelluar dhe pasioni eshte lene pas ka ardhur koha te evidentohet objektivisht ajo kohe. Sigurimi i Shtetit ka qene ne funksion te atdheut packa se pislleqe jane bere edhe ne emer te tij. Kudo ne bote, perendim, dje sot e gjithmone do kete sherbim sekret dhe pislleqe ka plot kudo prandaj boll me denigrimi te punes se heronjeve te heshtur. Se i bie qe greku e serbi na kishin xhan dhe sigurimi shtetit ka bere nje vere ne uje sepse nuk kishte rrezik prej tyre!!! Nuk duhet te denigrohet por vleresohet objektivisht e aq me teper te behet objekt turistik sepse do jete turp per dinjitetin tone si shtet. Diktatura le te denoncohet me fakte por levat e shtetit jane leva dhe shteti mbetet shtet. Kishte ato ligje qe kishte, njesoj si perandor e mbreter dikur po qe sot prape i ke hipur maje kuajve neper sheshet e perendimit ndonse luftra e pushtime, ekzekutime kane bere pa hesap. Ishte shtet. Kush del kunder ligjit me vetedije eshte disident dhe sot nuk ka perse kerkon para!!!! por respekt. Kush e hengri pafaj meriton kompensim etj etj sikurse nga ana tjeter duhet te hapen dhe dosjet e te dalin arsyet per se u rrasen njerezit brenda apo vrane sepse me disidentin po futet ne thes dhe ordineri dhe kjo do ishte mungese respekti per disidentin e vertete.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*