Shtesa mbi pagë, mësuesit që do testohen për shkallën e kualifikimit

January 31, 2018 19:35

Shtesa mbi pagë, mësuesit që do testohen për shkallën e kualifikimit

Pranvera Kola- Dita 

Provimi i kualifikimit për mësuesit e arsimit parauniversitar do të zhvillohet në datën 21 prill. Rezultatet e këtij testimi kushtëzojnë edhe rritjen e pagës së arsimtarëve sipas vjetërsisë së punës, rritje që do të jetë në masën 5, 10, si dhe 20 për qind të pagës aktuale.

Sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara, mësuesit e këtij viti do të hyjnë në testim me pikë bonus, të siguruara nga dorëzimi i portofolit profesional, ku evidentohet eksperienca e punës, si dhe kualifikimet që mësuesi ka kryer.

Urdhri i miratuar dy ditë më parë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, përcakton se që të gjithë mësuesit e vitit shkollor 2017-2018, që plotësojnë kriterin e vjetërsisë së punës për të hyrë në testin e shkallës së kualifikimit, duhet të përgatisin dosjen e dokumenteve të kërkuara dhe ta dorëzojnë atë pranë drejtorisë rajonale të arsimit që mbulon shkollën ku ata japin mësim.

Afatet e dorëzimit të portofolit profesional 

Sipas afateve të vendosura në këtë urdhër, mësuesit kanë kohë deri në datën 20 shkurt për të dorëzuar portofolin e kualifikimit, nëpërmjet të cilit do të sigurojnë një sasi të përcaktuar pikësh, krahas atyre që do të fitojnë nëpërmjet provimit me shkrim.

“Provimi me shkrim për kategoritë e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2017-2018, do të zhvillohet në datën 21 prill, në orën 10:00 në kryeqytet në mjediset e planifikuara nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit. Deri në mbyllje të javës së ardhshme, që të gjitha drejtoritë arsimore të vendit duhet që të vënë në dispozicion të mësuesve kandidatë për testim programet e kualifikimit ku gjenden të detajuara temat nga ku do të merren pyetjet e provimit. Mësuesit që janë kandidatë për këtë testim duhet të plotësojnë formularin e aplikimit për të marrë pjesë në procedurat e kualifikimit, si dhe të dorëzojnë portofolat profesionalë, sipas profileve lëndore për të cilat do testohen, brenda datës 20 shkurt”, detajohet në urdhrin e MASR.

Mësuesit që kanë të drejtë të hyjnë në testim 

Në provimin e kualifikimit kanë të drejtë që të hyjin që të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar që kanë mbi 5 vite eksperiencë pune, si në shkollat publike, ashtu edhe në ato private. Tre janë shkallët e kualifikimit, për të cilat edhe këtë vit do të zhvillohet testimi kombëtar që siguron rritjen e pagës.

Konkretisht, provimit të kualifikimit i nënshtrohen kandidatët që janë me vjetërsi pune në arsim me të paktën 5 vite deri në 31 dhjetor të vitit të shkuar, të cilët testohen për kategorinë “mësues i kualifikuar”. Ndërsa mësuesit që kanë të paktën 10 vite punë në arsim do të testohen për kategorinë e kualifikimit “mësues i specialist”, si dhe ata që kanë mbi 20 vite testohen për kategorinë “mësues mjeshtër”. Mësuesit do të përfitojnë rritje page sipas shkallës në të cilën kualifikohen, çka do të thotë se shtesa për kategorinë e mësuesve që kanë të paktën 20 vite pune në arsim do të jetë më e larta (20 për qind rritje page). Kjo gjithmonë nëse arrijnë të marrin pikët kaluese në testimin e kualifikimit, i cili pritet të zhvillohet në 21 prill.

Edhe për kualifikimin e 2018-ës, para hyrjes në testim mësuesit duhet të sigurojnë edhe pikët e portofolit profesional, në të cilën detajohen nëpërmjet dëshmive përkatëse të gjitha arritjet që mësuesi ka fituar përgjatë viteve që jep mësim. Të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret e mësipërme, duhet të kenë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit, të cilat janë të barasvlershme me 18 orë trajnimi të pasqyruara me 6 kredite. Gjithashtu bëhet e ditur se për punonjësit, të cilët mund të kenë mospërputhje sa i takon vjetërsisë së punës në arsim dhe kategorisë së kualifikimit, ata duhet të kualifikohen për kategorinë më të ulët që nuk e kanë fituar ende.

Si do jetë provimi me shkrim  

Teza e provimit të kualifikimit përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet rreth njohjes së dokumenteve zyrtare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, si dhe aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë do të përfshijë pyetjet rreth përmbajtjen shkencore të lëndës që mësuesi zhvillon në shkollë me nxënënsit e tij.

Për t’i ardhur në ndihmë përgatitjes së arsimtarëve, janë shpallur edhe 22 programet orientuese me temat që duhet të përvetësojnë për testimin e kualifikimit mësuesit e arsimit parashkollor, fillor, arsimit special, lëndës së artit pamor, biologjisë, edukimit fizik, ekonomisë, filozofisë, arsimit profesional, gjuhëve të huaja, fizikës, gjeografisë, letërsisë dhe gjuhës shqipe, historisë, kimisë, matematikës, muzikës, psikologjisë, qytetarisë, sociologjisë, shkollave artistike, si dhe Informatikës. Krahas përmbajtjes specifike të lëndës që është e detajuar në mënyrë specifike sipas llojit të lëndës që mësuesi jep, njohja e dokumenteve zyrtare është shumë e rëndësishme.

Njohja e legjislacionit të arsimit, si dhe drejtshkrimi

Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara urdhrat, udhëzimet, ligjet dhe dokumentet në funksion të veprimtarisë mësimore, nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e testit.

Sa i takon gramatikës, mësuesi duhet të dëshmojë në test njohjen e rregullave të drejtshkrimit të standardit të gjuhës shqipe.

Ndërsa në pyetjet rreth etikës mësuesi duhet të dijë si të përshkruajë parimet themelore mbi të cilat është hartuar Kodi i Etikës së Mësuesit, të dallojë sjelljet e mësuesit që burojnë nga parimet themelore, të hartojë vetë një kod të thjeshtë sjelljeje që bazohet në parimet dhe standardet e Kodit të Etikës, të përshkruajë sjelljet model që duhet ta karakterizojnë, në varësi të funksionit që ka në komunitetin e shkollës, si dhe të dijë të sillet në përputhje me rregullat e etikës dhe të sjelljes në marrëdhënie me drejtuesit, stafin pedagogjik, nxënësit, prindërit dhe komunitetin gjatë punës së tij brenda dhe jashtë institucionit arsimor.

Portofoli personal i mësuesit duhet të përfshijë këto dokumente:

  • “Curriculum me fotografi
  • Vlerësimin e fundit të performancës që ka marrë kandidati nga drejtuesi i institucionit arsimor.
  • Fotokopje e noterizuar e certifikatave me kredite.
  • Fotokopje e noterizuar e dëshmive të titujve, apo gradave shkencore (nëse ka).
  • Fotokopje e noterizuar e dëshmive të mbrojtjes së gjuhëve të huaja që di dhe që i ka të faktuara.
  • “Një plan i një aktiviteti me nxënësit e një klase të caktuar, në kuadër të shkollës si qendër komunitare.
  • Një test përmbledhës sipas profilit përkatës, objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull (në një lëndë dhe klasë të caktuar).
  • Një planifikim të një mësimi model (ditar), duke u bazuar në mësimdhënien që ka në qendër nxënësin, si dhe një plan të një projekti kurrikular së bashku me përshkrimin e realizimit të tij.

 

Ligjet dhe udhëzimet që arsimtarët duhet të mësojnë për provimin

  • Ligji Nr. 69/2012 për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar.
  • Urdhri për miratimin e Dispozitave Normative për arsimin parauniversitar (DN), nr 343, datë 19.08.2013.
  • Udhëzim nr. 25, dt. 17.08.2015 për vitin shkollor 2015-2016 në sistemin arsimor parauniversitar.
  • Korniza kurrikulare, 2014.
  • Kurrikula bërthamë.
  • Udhëzimi nr. 44, datë 16.10.2014 “ Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 21 datë 23.07.2010 “Për normat e punës mësimore-edukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar”.
  • Udhëzimi“Për zhvillimin e provimeve të maturës shtetërore”, 2016.
  • Udhëzim nr. 5 datë 25.02.2013 “Për standardet e mësuesit”.
  • Udhëzimi nr. 26 datë 15.08.2015 “Zhvillimin Profesional të Punonjësve Arsimorë”.
  • Udhëzimi “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”, 2016.
  • Udhëzimi nr.34, dt.11.09.2015 “Për vlerësimin e nxënësve për kurrikulën me kompetenca, në arsimin bazë”.
  • Udhëzimi Nr.38, datë 06.10.2015 “Për procedurat e lëvizjes paralele, emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet arsimore publike të sistemit arsimor parauniversitar”.
  • Karta e performancës së shkollës.
  • Standardet e shkollës si qendër komunitare.

 

January 31, 2018 19:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*