Shteti më i ri i Evropës

Nga Mimoza Cika-Kelmendi February 16, 2014 22:50

Shteti më i ri i Evropës

Edhe pse kanë kaluar gjashtë vjet, ende pesë vende anëtare të BE -së nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. A është më i lehtë apo më i vështirë integrimi në BE?

 

Që nga 17 shkurti i vitit 2008 kanë kaluar 6 vite gjatë të cilave Kosova ka vijuar rrugën si një shtet i pavarur. Por a mund të flasim për një bilanc pozitiv të ecurisë së saj, si shteti më i ri në Ballkan dhe Europë? Në qoftë se njeriu do të ishte optimist, duhet të thoshte që po. Ngadalë, por megjithatë ka përparime. Duhet të ecin më shpejt, veçanërisht në ndërtimin ekonomik, në njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera, që më së fundi BE-ja të ketë mundësinë të përfaqësohet si një e vetme dhe natyrisht të sqarohen të gjitha çështjet teknike me Serbinë. Këto janë si të thuash çështjet më të mëdha, që duhen zgjidhur shpejt. Pavarësia e shteteve është relative nën kushtet e globalizimit. Por në Kosovë krahas globalizimit ndikojnë dhe faktorë të tjerë që nisin nga refuzimi i një pjese të konsiderueshme të aktorëve ndërkombëtarë për ta njohur juridikisht këtë gjendje të statusit të Kosovës (edhe pse mbi 100 shtete e kanë njohur). Në këto kushte, Kosova duhet të orientojë fuqitë e veta në bërjen funksionale të arritjeve në kuadër të pavarësisë. Një objektiv i rëndësishëm i vendosur nga autoritetet kosovare është integrimi në BE. Pavarësia e Kosovës në këtë aspekt është një hap përpara për arsye që lidhen me kushtet për të qenë anëtar i kësaj organizate.

Në aspektin juridik Kosova për disa  akoma nuk është një shtet

Kriteri thelbësor dhe i patjetërsueshëm i anëtarësimit në BE është zotërimi i statusit shtetëror si dhe elementi pavarësi, krahas kritereve të tjera. Ky vlerësim qëndron për 5 nga 28 shtete anëtare të BE. Kjo është një pengesë e pakalueshme për Kosovën për objektivin e saj evropian në planin juridik. Por pavarësisht kësaj gjendjeje, në radhë të parë, nga vetë BE nuk ka pasur asnjë tentativë braktisjeje të Kosovës, përkundrazi angazhimi evropian në Kosovë ka njohur vetëm rritje. Vetë dialogu i nisur prej gati një viti mes Prishtinës dhe Beogradit përmes Brukselit, tregon më së miri mbështetjen e BE ndaj këtij shteti më të ri në Evropë. Gjithashtu, Kosova nuk ka ndryshuar objektivat e saj eurointegruese. Pra, rruga e integrimit të Kosovës në BE është e përbërë nga dy drejtime, i pari që niset nga BE për në Kosovë dhe i dyti që niset nga Kosova për në BE. Në pikën e mesme qëndron marrja e statusit anëtar. Gjatësia e rrugës për të arritur këtë pikë ndryshon në varësi të arritjes së standardeve evropiane. Në këtë rrugë Kosova ka nisur udhëtimin nga 17 shkurti i gjashtë viteve më parë. Mosnjohja unanime e pavarësisë së Kosovës nga vendet e BE nuk rrezikon daljen e Kosovës nga kjo rrugë. Me këtë problem Kosova do të përballet integralisht kur të arrijë “vijën e mesme”. Për gjatë këtyre gjashtë viteve Kosova ka bërë hapa përpara në këtë rrugë. Debati i vetëm qëndron tek mundësia e avancimit të saj dhe arritjet konkrete.  Vështirësitë më të mëdha janë ato që lidhen me mirëqenien e qytetarëve të saj, dhe me këtë janë të lidhura të gjitha aspektet e jetës së një shteti, mirëqeverisja, zhvillimi ekonomik, siguria, etj. Plani institucional duhet ngritur në funksion të shërbimit cilësor të qytetarit. Kushtet e vendosura për pranimin në familjen evropiane janë në të vërtetë mekanizma për një vlerësim sa më të saktë të mirëqenies së vërtetë të qytetarit të vendeve që kërkojnë anëtarësim.  Kushti i parë është mirëqenia e qytetarit.  Kështu pavarësia e Kosovës ka rritur nivelin e përfaqësimit të interesavetë qytetarëve kosovarë, por edha ka rritur vështirësitë e menaxhimit të interesave të qytetarëve nga përfaqësuesit e tyre. Në thelb integrimi evropian i Kosovës nuk ka për të qenë asnjëherë i lehtë. Ka për të qenë e lehtë ndoshta marrja e përgjegjësive, por vështirësia në ruajtjen me sukses të përgjegjshmërisë nuk ka për t’u zvogëluar asnjëherë. Kosova është në të vërtetë prova e lakmusit për funksionimin e BE-së. Në qoftë se BE nuk arrin që problemin e Kosovës në sensin konstruktiv ta zgjidhë për të mirën e qytetarëve të saj, atëherë Kosova ka dështuar dhe nuk ka të drejtë të njihet si një aktor ndërkombëtar. Brukseli dhe Prishtina, duhet të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë. Njeriu duhet të shikojë që në Prishtinë është vendosur një shtet i të drejtave dhe që nuk ka korrupsion dhe në Bruksel të shihet që sa më shpejt të bëhet liberalizimi i vizave. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe, sepse edhe njerëzit do të kishin një ndjenjë, atë të qenies pjesë e Europës.

*Gazetare prej 20 vjetesh ne Deutsche Welle/Bon. Autore e librit „Kosova si çështje europiane“

Nga Mimoza Cika-Kelmendi February 16, 2014 22:50
Komento

1 Koment

  1. DRENICA E KUQE February 17, 08:31

    Ti ja paske futur kot moj “gazetare”! Kosova eshte çeshtje e Shqiperise dhe çeshtje shqiptare dhe Evropa e bota e kane per obligim, siq e kane ndare me marreveshje e traktate antishqiptare, ta bashkojne. T’i permiresojne gabimet e tyre ne kurriz te Shqiperise dhe shqiptareve!… Mos ta copetojme Shqiperine tone, bile, ne shqiptaret!… Kujdes,e!…

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*