Shtyhet afati i plotësimit të dokumentacionit për marrjen e tapive

October 25, 2014 12:58

Shtyhet afati i plotësimit të dokumentacionit për marrjen e tapive

Afati i fundit për të plotësuar dokumentacionin e fitimit të pronësisë, do të jetë 31 dhjetori i vitit 2015. Ky afat aktualisht ka përfunduar që në prill të këtij viti. Sipas relacionit të qeverisë që shoqëron projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin

e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”, rezulton se komisionet e ndarjes së tokës në fshat, në shumë raste, nuk kanë plotësuar dokumentacionin e fitimit të pronësisë (AMTP).

Fenomeni i mungesave në plotësimin e dokumentacionit të pronësisë mbi tokën bujqësore është masiv në zonën verilindore të vendit, veçanërisht në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Dibrës e Lezhës, por ka raste edhe në disa fshatra të qarqeve të tjera.

Këshilli I Ministrave bën të ditur se nga informacionet shkresore, të paraqitura nga komunat dhe bashkitë rezulton se kanë aplikuar për plotësimin e dokumentacionit të pronësisë mbi tokën bujqësore një numër i vogël njësish të qeverisjes vendore, si komunat Dajt e Vaqarr – Tiranë, Golem e Synej – Kavajë, Tomin, Zerqan, Kastriot e Kala e Dodës – Dibër, Nikël – Krujë, Bushat – Shkodër, Çërravë – Korçë, Bradashesh – Elbasan, Rrapë – Pukë, si dhe bashkitë Bulqizë, Himarë, Orikum dhe Rubik. Sipas relacionit, arsyet që shumë komuna apo bashki të vendit nuk përmbyllën në afatin ligjor këtë proces shumë të rëndësishëm janë të ndryshme, por një nga kryesoret është edhe vonesa në korespondencën administrative, e shkaktuar nga institucionet e përfshira në këtë proces. Për rrjedhojë, një pjesë e madhe e komunave apo bashkive, të cilat kanë pasur në juridiksionin e tyre tokë bujqësore me origjinë nga ish-kooperativat bujqësore, ende nuk kanë përfunduar procesin e plotësimit të dokumentacionit të pronësisë. Ndërsa subjektet e përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, ndonëse e përdorin faktikisht tokën bujqësore nuk disponojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë mbi të, ç’ka pengon në formalizimin e tyre, përfitimin e subvencioneve nga buxheti i shtetit, kryerjen e transaksioneve etj. Me miratimin e këtij projektligji, pritet që të bëhet e mundur zgjidhja e problemeve të mbartura në vite në lidhje me plotësimin e dokumentacionit ligjor në territoret e ish-kooperativave bujqësore. Qeveria sqaron se projektligji i propozuar nuk do të ketë efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.

October 25, 2014 12:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*