Shtyhet edhe dy vjet të tjera afati i përdorimit të bonove të privatizimit

May 10, 2018 10:05

Shtyhet edhe dy vjet të tjera afati i përdorimit të bonove të privatizimit

Dje Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj, në bazë të të cilit, parashikohet një amendim i radhës lidhur me afatin e bonove të privatizimit. Sipas këtij drafti, që duhet të kalojë në Kuvend për miratim, në ligjin për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit, të nxjerrë fillimisht në vitin 1995, “afati i përdorimit të bonove dhe lekëve të privatizimit është deri më 31.12.2020”.

Deri tani, afati i këtyre letrave me vlerë është shtyrë disa herë, pasi parashikohej që në fund të vitit 1996 ato të humbisnin fuqinë ligjore. Herën e fundit, qeveria ka shtyrë deri në fund të vitit 2018 vlefshmërinë për bonot e privatizimit. Sipas ligjit në fuqi, këto bono janë të tregtueshme midis individëve vendas dhe të huaj si dhe janë të vlefshme edhe në procesin e privatizimit të objekteve shtetërore. Po kështu, ato mund të përdoren edhe në legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë. Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera.

Këto letra me vlerë i kanë shërbyer fare pak arritjes së qëllimit dhe përmbushjes së objektivit fillestar dhe thelbësor, për të cilin u emetuan dhe u shpërndanë ato, që nga viti 1995: rishpërndarjen e pasurisë kombëtare të krijuar gjatë viteve të komunizmit, në publikun shqiptar mbi një moshë të caktuar. Gjatë viteve 1995-96 me anën e metodës së privatizimit masiv, letrat me vlerë u përdorën për të privatizuar disa ndërmarrje, ose pjesë të tyre, por këto prona të shtetit ranë në duar të firmave piramidale, të cilat pastaj u shitën sërish.

o.j/dita

May 10, 2018 10:05
Komento

1 Koment

  1. Nje shqiptar May 10, 18:46

    Keto bono jane ne duart e brezit qe nuk mori asgje nga djersa qe derdhi gjete tere jetes ne tere kantieret e vendit. Tani po blihen me 7 leke nga 100 qe eshte vlera e tryre ne tregun e Tiranes nga “dikush” qe ka mundesi te privatizoje objektet shteterore. Shteti shqiptar duhet ti grumbulloje dhe ti paguaje keto dokumenta financiare qe ka emetuar ose te formoje shoqeri shteterore aksionere publike ku te marrin pjese me bonot e privatizimit njerezit e thjeshte. Shume pushtetare te sotem u bene miliuonere duke privatizuar pasurine publike me anene e ketyre bobove te bler ne treg me 5 ose 7 leke.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim