Shtyhet për në mars zbardhja e krediteve të fituara

Pranvera Kola January 22, 2015 15:08

Shtyhet për në mars zbardhja e krediteve të fituara

Sigurimi i krediteve të përcaktuara nga ndjekja e programeve të edukimit në vazhdim është një ndër detyrimet bazë që duhet të përmbushin të gjithë profesionistët e shëndetit qofshin këta mjekë, stomatologë apo farmacistë, në mënyrë që të mos rrezikojnë vendin e punës. Për pesë vite me radhë, këtyre profesionistëve u është kërkuar që të ndjekin këto aktivitete të akredituara për të siguruar në fund të programit të ricertifikimit (që u mbyll në dhjetor të 2014-s) 150 kredit për mjekët, dhe 100 kredite të kërkuara për stomatologët dhe farmacistët. Ekspertët e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim po kalojnë në “sitë” ligjshmërinë e krediteve të fituara nga secila prej këtyre kategorive. Proces ky që kërkon kohë të përfundojë, ccka do të thotë se duhet të presim edhe dy muaj të tjerë për të mësuar se cilët janë profesionistët që largohen pasi neglizhuan programin e kualifikimit, si dhe atyre që do të mbajnë vendet e punës me kushtin që brenda 6 muajsh nga shpallja e rezultateve të programit të kenë kaluar edhe provën e testimit. Publikimi i listave zyrtare të ekspertëve që kanë realizuar kreditet është shtyrë për në fund të muajit mars. Pikërisht në këtë kohë do të zbardhet lista e personelit mjekësor që do të vijojë të ruajë vendet e punës pasi ka grumbulluar kreditet e kërkuara, si dhe atyre që duhet të testohen pasi kanë më pak kredite se sa pragu minimal i vendosur, teksa do të ketë një listë zyrtare edhe për punonjësit që do të ndërpresin kontratën e ofrimit të shërbimeve, pasi në të gjitha vitet e zbatimit të programit nuk kanë marrë mundimin që të fitojnë as edhe një kredit të vetëm. “QKEV është duke përpunuar të dhënat përfundimtare për çdo profesionist dhe ky proces përfundon në fund të muajit Mars, si rrjedhim dhe listat emërore me kreditet do të publikohen në të njëjtën kohë”, bëhet me dije nga Qendra e Edukimit në Vazhdim. Para zbardhjes së këtyre të dhënave është menduar që të realizohet edhe testimi kombëtar i njohurive të personelit mjekësor, dhe atij infermieror, i shpallur rreth dy javë më parë nga Ministria e Shëndetësisë. Ndonëse një pjesë e mirë e mjekëve kanë arritur të sigurojnë kreditet e duhura, ata sërish do t’i nënshtrohen provimit të planifikuar nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë ndjekja e programeve të akredituara gjatë këtyre muajve mund të sigurojë kredite, por këto të fundit nuk merren parasysh në programin e ricertifikimit të fazës së parë, i cili është mbyllur tashmë.

Sigurimi i krediteve

Programi i Ricertifikimit ka nisur në vitin 2010 për të përfunduar në dhjetor të 2014-s. Numri i kërkuar i krediteve të edukimit në vazhdim është 100 për farmacistët dhe stomatologët. Secila kategori duhej të siguronte të paktën 20 kredite për çdo vit kalendarik. Ndërsa për mjekët është kërkuar që të sigurohen 150 kredite, 30 kredite për çdo vit kalendarik. Për kategoritë që janë punësuar pas nisjes së programit të ricertifikimit, edhe detyrimet për kreditet duhet të nisin po nga ky vit. Çka do të thotë se një mjek që është punësuar gjatë vitit 2011 në fund të programit, për të mos rrezikuar vendin e punës duhet të kenë konfirmuar nga QKEV plotësimin e 130 krediteve. Në rast se kreditet e fituara do të jenë më pak, atëherë mjekut i duhet që brenda 6 muajsh t’i nënshtrohet provimit të shtetit për të vijuar mbajtjen e vendit të punës. Infermierët janë të përjashtuar nga detyrimi për sigurimin e krediteve.

Pezullimi dhe kushtet e rifitimit të licencës

Sipas udhëzimit më të fundit të dikasterit të shëndetësisë, profesionistët që në përfundim të ciklit të parë të ricertifikimit kanë 0 kredite, vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca. Që prej ditës kur njoftohen nga QKEV, drejtuesit e institucioneve shëndetësore kanë përgjegjësinë për shpalljen e vendit të lirë, çdo tre muaj brenda vitit, deri në paraqitjen e një kandidature të përshtatshme. Njëkohësisht, urdhri profesional përkatës pezullon licencën. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. “Profesionistët me më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar, do të vazhdojnë punën, por duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve që prej ditës kur njoftohen nga qendra. Në të kundërt, pas 6 muajsh edhe këtyre profesionistëve vendi i punës u bëhet vakant, teksa u pezullohet edhe licenca. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. E njëjta procedure do të ndiqet edhe nga profesionistët e punësuar në sektorin mjekësor privat”, theksohet në udhëzimin e MSH-së.

Pranvera Kola January 22, 2015 15:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*