Shullazi dhe grupi i tij kërkojnë shkarkimin e gjyqtares Dollani nga OMN, avokati: Po mban peng procesin

June 12, 2019 20:58

Shullazi dhe grupi i tij kërkojnë shkarkimin e gjyqtares Dollani nga OMN, avokati: Po mban peng procesin

Emiljano Shullazi dhe të pandehurit e tjerë të grupit kanë dërguar një letër Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (OMN), ku kërkohet shkarkimi i gjyqtares Saida Dollani, për shkelje të rëndë proceduriale.

Letra është firmosur nga Blerim Shullazi, Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela.

Në të thuhet se Gjyqtarja e Krimeve të Rënda Tiranë, ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtën themelore të mbrojtjes nga një avokat.

Ata e akuzojnë Dollanin se ka zhvilluar procesin gjyqësor ndaj tyre, duke u mohuar të drejtën e mbrojtjes me avokat dhe për më tepër pa prezencën e tij.

Kjo është hera e dytë që brenda një kohe të shkurtër, të pandehurit e dosjes ankohen për gjyqtaren dhe kërkojnë përjashtimin e saj edhe nga trupa gjykuese.

Nëpërmjet kërkesës zyrtare drejtuar ONM dhe madje KPK-së, ata kanë argumentuar se e kanë humbur besimin tek Dollani, që ajo të mund të tregohet e paanshme.

Sipas tyre, Dollani ka shfrytëzuar autoritetin e saj si kryetare e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda dhe jo vetëm ka shkelur ligjet për procedurat e krijimit të trupës gjykuese, por edhe ka ushtruar presion mbi gjyqtarët, që shqyrtojnë kërkesat për përjashtimin e saj.

Teksa theksojnë se edhe çështja e tyre s’ka filluar të gjykohet, ndonëse janë zhvilluar 11 seanca, në dokumentin 10 faqesh, grupi Shullazi ka listuar një sërë shkeljesh ligjore, nga ana e gjyqtares dhe kërkojnë nga ONM dhe KPK që të nisin hetimet.

Kërkesa e tyre përfundon duke ngritur dyshime mbi motivet që kanë çuar sipas tyre, kryetaren e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, të “insistojë” që të marrë me çdo kusht shqyrtimin e kësaj çështje.

Ata theksojnë se një insistim i tillë vjen me qëllim që Dollani të marrë rolin e “heroit”, për të “marrë merita shtesë, ose për të kompensuar të metat e saj”, aq më tepër kur pas pak kohësh pritet që të përfshihet në procedurat e Vettingut.

Pjesë të letrës, më poshtë:

“Me veprimet e saj insistuese përtej arsyes dhe kërkesës së ligjit, gjyqtarja ka krijuar dyshime thelbësore se motivimi i saj nuk është thjeshtë kryerja e detyrës, por marrja e një pozicioni “heroiko-stoik”, duke synuar të jetë me çdo kusht gjyqtarë në këtë çështje, ku të pandehurit gjerësisht dhe në cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë janë stigmatizuar tashmë si element me ngarkesë të fortë kriminale.

Mesa duket gjyqtarja në fjalë, në një kohë kur është në pritje të përfshihet në procedurat e vetingut, synon të marrë “merita” shtesë, apo të kompensojë mangësi të tjera, duke marrë flamurin e deklarimit fajtor dhe dënimit përfundimtar të të pandehurve në këtë çështje. Ç’ka na krijon dyshime serioze se ajo jo vetëm ka paragjykuar çështjen, por e ka paragjykuar atë në kurriz të të pandehurve e të drejtave të tyre për një proces të drejtë dhe të rregullt ligjit”.

Avokati Meçe: Gjyqtarja po mban peng procesin, e bën për të kapërcyer Vettingun

Mbrojtësi ligjor i grupit të të pandehurve shpjegon arsyen e letrës së dërguar organizmave më të lartë të reformës në drejtësi. Meçe shprehet se gjyqtarja ka kryer një shkelje proceduriale dhe klientët kanë humbur besimin.

Për këtë shkak, prej muajit dhjetor të vitit të kaluar, të pandehurit i kanë drejtuar disa letra njëra pas tjetrës institucioneve si KPK dhe KLGJ dhe së fundmi edhe OMN.

Seanca tjetër është caktuar për më 18 qershor, teksa gjyqtarja Saida Dollani nuk pranon të largohet nga trupa gjykuese.

Më poshtë intervista me avokatin Meçe dhe shpjegimi që ai jep për letrën dhe motivet që kanë klientët që ai mbron.

Në letrën që i është drejtuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit, nga grupi i personave të pandehur që ju mbroni, theksohet kërkesa për largimin e gjyqtares Saida Dollani. Ku buron pakënaqësia e tyre ndaj kësaj gjyqtareje dhe pse i drejtohet Komisionit të Vettingut?

Vladimir Meçe: Në një nga kërkesat paraprake që bëhen në fazën e hetimeve, kjo gjyqtare ka hetuar njërin prej tyre, për një kërkesë përjashtimi dhe e ka zhvilluar pa prezencën e avokatit. Unë mund t’ua u sjellë edhe që ta dëgjoni se si ka ndodhur ajo seancë dhe transkriptin e asaj seance.

Në momentin që ajo u shfaq ishin vetë-përjashtuar disa të tjerë, për shkak të papajtueshmërisë që kishin gjykuar çështje më parë. Në atë moment ky djali…. u ngrit dhe tha: Unë nuk dua të më gjykoni juve, sepse ju më keni gjykuar pa avokat dhe këmbënguli pikërisht tek kjo arsye, që “unë nuk kam besim tek paanshmëria juaj, për sa kohë ju më keni injoruar, më keni ofenduar në thelb dhe më keni mohuar të drejtën time të mbrojtjes”.

Pas kësaj kanë vazhduar me radhë kërkesa përjashtimi, janë bërë diku tek 9 kërkesa për përjashtimin e kësaj gjyqtareje. Madje ky djali ka bërë dhe kallëzim penal për “shpërdorim detyre” në Prokurorinë e Tiranës, ka bërë dhe padi për kallëzim dëmi dhe ajo përsëri qëndron atje stoike dhe thotë: “Mua më ka caktuar ligji për të qenë gjyqtare dhe për të qenë në atë vend”, por ajo nuk plotëson kushtet për të qenë gjyqtare e paanshme në atë proces.

Cilat janë arsyet sipas jush?

Tashmë është majisur aq shumë procesi mes saj dhe pjesës tjetër, sa ajo po mban peng procesin, duke mos u larguar në një kohë që nuk ka asnjë arsye pse të kapet kaq fortë, përveç faktit që do ta përdori këtë fakt për t’u heroinizuar e për të kapërcyer atë Vettingun e famshëm.

Në fund të fundit, për sa kohë mungon besimi i kësaj gjyqtareje.. sepse ajo nuk mund të pretendojë që këta dyshojnë që unë do t’i dënoj (gjyqi nuk ka filluar), sepse që këta të dyshojnë se ajo do t’i dënojë, do të thotë që ajo të jetë shprehur, ta ketë paragjykuar çështjen, që është një tjetër arsye që ajo mos të jetë pjesë e këtij trupi gjykuese. Kjo është e në thelb historia!

Kjo çështje është regjistruar në datën 13 dhjetor të vitit shkuar dhe jo për shkak/faj të personave që paragjykohen, por për faj të vetë gjyqtarëve që kanë pasur ose çështje në Gjykatën e Apelit Krujë, si zëvendësues në çështje që kanë pasur për objekte ish-hotel që bënte për ta papajtueshmëri, ose kanë gjykuar në fazën e tyre paraprake dhe për këtë arsye kanë dhënë dorëheqjen ata, mbi 6 gjyqtarë kanë dhënë dorëheqjen dhe çështja zvarritet padrejtësisht. Mund të vij çdokush tjetër që ka këtë lloj papajtueshmërie.

Është kthyer në një betejë ndoshta personale të këtyre djemve dhe kësaj gjyqtares, por dhe të asaj ndaj këtyre, ç’ka e bënë akoma dhe më të papajtueshëm pozicionin e saj si gjyqtare në këtë çështje.

Dhe këta djem i janë drejtuar edhe njëherë më parë KPK dhe KLGJ dhe sot kanë bërë këtë letër që e kemi sjellë nga burgu për ONM, KPK dhe KLGJ, pak a shumë aty janë shprehur gjithë ato çfarë ata dhe ne mendojmë.

Në rastin në fjalë është një kokëfortësi në rastin e kësaj gjyqtares, që bie ndesh me çdo lloj parimi dhe norme.

A është caktuar datë gjykimi?

Po, seanca tjetër është në 18 qershor!

June 12, 2019 20:58