‘Shumakeri i Gjirokastrës’ që goditi policin në Elbasan, targa e fenelinë në makinë! Dyshime se hodhi drogën dhe armën

February 7, 2020 00:06

‘Shumakeri i Gjirokastrës’ që goditi policin në Elbasan, targa e fenelinë në makinë! Dyshime se hodhi drogën dhe armën

Aldiron Shehu, i cili mëngjesin e 4 shkurtit 2020, vuri në lëvizje dhe alarmoi komisariatet e Devollit, Korçës, Pogradecit, Prrenjasit, Librazhdit dhe Elbasanit, kishte në makinën e tij 4 targa shqiptare, 1 targë greke dhe 1 fenelinë policie me kordon.

Shehu, dy ditë më parë aksidentoi rëndë efektivin e policisë së Elbasanit Eugen Abdyrrezaku, i cili së bashku me kolegët e tij, Gëzim Leka, Kristi Pepa dhe Erion Balla, kishin organizuar një postobllok policor për ndalimin e Aldiron Shehut.

I vetë cilësuar si “Shumakeri i Gjirokastrës”, Shehu ishte vënë në ndjekje policore nga një patrullë rrugore e komisariatit të Devollit, pasi në fshatin Cangonj, kjo patrullë i ka bërë shenjë të ndalojë për shkak të shpejtësisë së madhe të lëvizjes së automjetit.

Por Aldiron Shehu, nuk ka ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të Korçës.

Shehu është ndalur vetëm në Elbasan, ku 100 metra pasi kishte çarë postbllokun e policisë rrugore dhe goditur një efektiv policie, automjeti që ai drejtonte është përplasur me një makinë të rastit në rrugë, dhe për pasojë është përmbysur.

Vetëm në këtë moment, Aldiron Shehu, që i ishte shmangur ndjekjes së policisë nga zona e Devollit, është arrestuar.

Gjatë kontrollit të makinës së tij të përmbysur, policia konstatoi dy targa AA 155 DP që i përkasin një personi nga Shkodra, dy targa të tjera DR 0701 A, që i përkasin një personi nga Durrësi, një targë greke IEH 3922 dhe një fenelinë policie me kordon.

Grupi i hetimit tha për mediase ka shumë dyshime se Aldiron Shehu, ka qenë në zonën e Devollit për të transportuar lëndë narkotike me qëllim trafikimin e saj në Greqi.

Policia ka ngritur dyshime të forta se ai mund të ketë pasur dhe armë me vete, por duhet ta ketë hedhur gjatë rrugës në ndjekje e sipër nga policia.

Kjo gjë, beson policia, ka ndikuar që Shehu të mos i bindet asnjë postblloku policie nga Devolli deri në Elbasan.

Gjatë marrjes në pyetje në prani të oficerëve dhe prokurorit të çështjes, Shehu, ka pohuar se është përdorues i kokainës.

Pritet që këtë të premte gjykata e Elbasanit të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë të “arrestit me burg” për Shehun, ndaj të cilit është ngritur akuza e “Vrasjes së punonjësve të policisë së shtetit mbetur në tentativë”, “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë plagosjen e 5 personave” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”.

Për veprën e fundit penale, Shehu rezulton se është marrë i pandehur edhe nga prokuroria e Gjirokastrës, ku çështja është ende në hetim.

 

d.a. / dita

 

February 7, 2020 00:06
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim