Shumë shtëpi të dyta, pak blerës

Deada Hyka May 1, 2016 19:03

Shumë shtëpi të dyta, pak blerës

Në fillim blenë një shtëpi në bregdet, në Durrës Vlorë apo Sarandë. Më pas u zhvillua tregu i vilave në periferi të Tiranës. Shumëkush nxitoi të blejë atje, (duke mbajtur për komoditet dhe apartamentin e parë në Tiranë) disa prej të cilëve nxorrën në shitje dhe shtëpitë në bregdet, që nuk po i shfrytëzonin sa duhet. Tani kanë dalë në modë vilat në Gjirin e Lalzit, apo shtëpitë luksoze në jug të vendit. Shumë ofertë, ndërkohë që blerësit e një shtëpie jo primare mbeten të kufizuar, (kategoria e njërëzve me të ardhura mbi mesataren) ndërsa interesi i të huajve nuk është ai i pritshmi edhe për shkak të krizës ekonomike globale.

Tregu i shtëpive të dyta të banimit është kthyer në një dhembje koke për ndërtuesit, një peng për “investitorët” në zonat pa kushte infrastrukturore dhe një kalvar për agjencitë imobiliare për të shitur sa më shumë.

Një situatë që vjen nga mungesa e analizës së tregut, pohojnë ekspertët, çoi drejt një bumi ndërtimesh të pashitura ende, e cila bashkohet me mungesën e dokumentacionit të rregullt.

Nga viti i fundit kur është bërë Censusi, rezulton që 22% e apartamenteve janë të pabanuara, një rritje e konsiderueshme duke marrë në konsideratë se në Censusin e vitit 2001 ky raport ishte 11.3% e tregut.

Nga të dhënat e fundit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, rezulton se stoku i banesave të pashitura në shkallë vendi është mbi 9 mijë.

Sipas Arben Dervishit, sekretari i SHNSH, banesat e pashitura ndodhen kryesisht në bregdetin e Durrësit, të Vlorës dhe Sarandës. Ndërsa, për kryeqytetin, në zona periferike si Kashar, Linzë etj., i pyetur për arsyet se pse kanë mbetur të pashitura, ai përgjigjet se bëhet fjalë për apartamente pa dokumentacionin e rregullt dhe në zona pa infrastrukturën e duhur.

N.q.s. u referohemi banesave brenda Unazës në Tiranë, sasia e apartamenteve të pashitura është thuajse e papërfillshme. “Objektet brenda unazës shiten të gjitha dhe çmimet për to janë rritur. Duke qenë se kërkesa është e lartë dhe sasia e ulët, janë rritur çmimet. Kjo pasi shumë pak leje janë dhënë në këto zona”,- tha z. Dervishi.

Ajo që po shihet si një filiz e re në sfondin e tregut të shtëpive të banimit është rritja e kërkesave të shqiptarëve: duan shërbime, infrastrukturë, kushte të mira. Dhe për këtë, jo pak syresh po bëjnë “kurban” investime të mëparshme në zona jo të mira dhe po drejtohen drejt shtëpive me të gjitha kushtet, sidomos në bregdet.

Golem e plazh, të gjithë duan të shesin

Sa i përket zonës së Durrësit, sekretari i SHNSH tregon se stoku i madh i pashitur ka ardhur nga mungesa e infrastrukturës dhe i ndërtimeve krejtësisht pa kriter.

“Sot nuk po shesin vetëm investitorët në këtë zonë, por edhe blerësit e parë, të cilët kanë nxjerrë në shitje apartamentet e tyre. Bëhet fjalë më tepër në zonën e Plazhit dhe atë të Golemit. Shumica prej shitësve janë emigrantë që kishin investuar kohë më parë për blerjen e një shtëpie të dytë dhe që tashmë e shohin si jo efektive këtë banesë.

Shqiptarët kanë nisur të kenë kërkesa më të larta, sidomos n.q.s. bëhet fjalë për shtëpi në bregdet. Ata priren të investojnë te rezidencat me kushte të mira”,- pohon z. Dervishi.

Ndonëse fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë, arsyeja kryesore se pse shqiptarët sërish blejnë apartamente dhe dëshirojnë të kenë shtëpi të dyta është mungesa e alternativave të investimeve.

“Kryesisht shqiptarët që blejnë shtëpi të dyta janë ata refugjatë, por edhe banues në Shqipëri. Ndonëse ka rënë fuqia blerëse dhe ekonomia e shqiptarëve, duhet pasur parasysh se ato pak kursime që kanë, shqiptarët ose i depozitojnë në banka që të marrin interesa nga to, ose investojnë në pasuri të patundshme. Nuk kanë alternativa të tjera apo fond të mirëfilltë investimi sikurse ka në botë”,- sqaron z. Dervishi.

Këshilla e Shoqatës së Ndërtuesve

Një politikë e mirë me taksat do të ulë çmimet, si dhe hapja e lejeve të ndërtimit do të japë një frymë çliruese sektorit. Por, thekson Arben Dervishi, jo në zonat ku është ndërtuar gabim. Një këshillë nga eksperti është që qeveria t’i përdorë këto zona ku kanë stok të konsiderueshëm për të pastrehët, kështu realizohen dy qëllime në një.

Çmimet e apartamenteve në bregdet, sipas zonave:

Shëngjini: 350 – 500 euro/m²

Durrësi (zona e plazhit, Golemi): 350 – 500 euro/m²

Gjiri i Lalëzit (fshatra turistikë): 900 – 1200 euro/m²

Qerreti (fshatra turistikë): 800 – 1100 euro/m²

Vlora: Mbi 800 euro/m²
Saranda: 780 – 1100 euro m2

Uji i Ftohtë: 450 – 700 euro/m²

Orikum – Radhimë: 650 – 1000 euro/m²

Dhërmiu: 800 – 1100 euro/m²

Himara: 700 – 900 euro/m²

(Burimi: Agjencitë kryesore imobiliare në vend) / Me shkurtime nga Monitor

Deada Hyka May 1, 2016 19:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*