Si bëhet online kërkesa për transferimin e dosjes së pensionit

February 19, 2020 12:24

Si bëhet online kërkesa për transferimin e dosjes së pensionit

Edhe kërkesa për transferimin e dosjes së pensionit tashme mund të bëhet online në portalin e-albania. Në rastet e ndryshimit të vendbanimit, apo edhe qendrës së pagesës, çdo pensionist ka të drejtë të kërkojë edhe transferimin e pensionit pranë vendbanimit të ri.

Me ndryshimet e bëra, edhe kjo procedurë mund të bëhet online, ku edhe janë thjeshtuar procedurat që duhet të ndiqni. Ekspertët e sigurimeve shoqërore sqarojnë se kërkesa për transferimin e përfitimit mund të bëhet kur: “ pensionisti ndryshon vendbanimin nga një qytet në një qytet tjetër ose ndryshon qendrën paguese brenda të njëjtit qytet. Qendrat paguese janë zyrat postare të autorizuara për shpërndarjen e pensioneve”.

Si duhet plotësuar formulari online

Për të përfituar nga ky shërbim që ofrohet falas, fillimisht duhet që të identifikoheni si qytetar në portalin e-albania  www.e-albania.al dhe të zgjidhni shërbimin përkatës “ “Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi (pensioni)”. Pasi të klikoni në butonin “Përdor”do t’ju shfaqet formulari që duhet ta plotësoni me kujdes me të gjitha të dhënat e kërkuara. Në përfundim të plotësimit të formularit duhet të bëni edhe dërgimin e tij pranë strukturave përgjegjëse të sigurimeve shoqërore.

Ekspertët e sigurimeve bëjnë me dije se gjatë aplikimit online për këtë shërbim, numri juaj i sigurimit do të plotësohet paraprakisht në momentin që ju hyni në portal me kredencialet tuaja. Po me informacionin e numrit tuaj të sigurimit do të plotësohen automatikisht edhe të dhënat e tjera nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Ju duhet vetëm të plotësoni formularin sipas fushave përkatëse të mbetura.

Ndërsa numri dhe data e protokollit do plotësohet nga punonjësit e sigurimeve.  Procedura e aplikimit online ju lejon që edhe ta ruani formën si draft për të vazhduar në një moment tjetër  me përfundimin e aplikimit, ose mund ta dërgoni menjëherë për procesim në serverin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Afati për përfitimin e këtij shërbimi do të jetë brenda 30 ditësh.

Ndryshimet në dokumentet që duhet të dorëzoni

Sikundër ndodh me përfitimet e tjera, edhe në këtë rast është lehtësuar lista e dokumenteve që qytetari duhet të ngarkojë gjatë plotësimit të kërkesës online për transferimin e dosjes së pensionit. Duke filluar nga një janari i këtij viti, për dokumentacionin shoqërues të shërbimit saktësohet se pensionisti duhet të depozitojë vetëm vërtetim për fëmijët deri në 25 vjeç nga shkolla.

Ndërsa dokumentet e tjera siç janë: certifikata familjare, certifikatë personale, kontrata e energjisë elektrike, vërtetimi për pagimin e detyrimeve, vërtetim likuidimi të taksave dhe tarifave vendore, si dhe vërtetim nga zyra punës, si punë kërkues për anëtarët e tjerë të familjes, do të sigurohen nga nëpunësit e administratës . Ndërkohë që më parë, mbledhja e dokumentacionit shoqërues të përmendur më lart ishte detyrim të dorëzohej në zyrat e shtetit nga vetë aplikanti, tani është detyrë e nëpunësit të administratës ndaj qytetarit. Kështu, me dhënien e aprovimit gjatë aplikimit online, ju bini dakord që këto dokumente të sigurohen për ju nga nëpunësi i administratës.

Kur mund të kërkohet rishqyrtimi i pensionit!

Në të njëjtën formë mund të veprohet edhe për të bërë rivlerësimin e pensionit nëse jeni të pakënaqur me masën e caktuar. Autoritetet e sigurimeve theksojnë se pas marrjes së vendimit të caktimit të pensionit, përfituesi ka të drejtë të aplikojë për rishqyrtim pensioni për të dorëzuar dokumentacion shtesë, për një masë më të lartë përftimi ose për zgjatjen e afatit të përfitimit për pensionet invalid, familjar dhe suplementar të parakohshëm.

Objekt i rishqyrtimit të pensioneve janë ato përfitime që rrjedhin nga ligje apo vendime të veçanta si për kompensime, shtesa për personat në ngarkim e të tjera. Rishqyrtimet e pensioneve bëhen edhe mbi bazën e akteve të auditimit ose kur është konstatuar llogaritje gabim e pensionit, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore.  Kërkesa për rishqyrtimin e pensionit mund të bëhet online.  Në sistemin online mund të gjendet edhe shërbimi elektronik “Vërtetim pensioni”, i cili u mundëson qytetarëve të marrin online vërtetimin e përfitimit të pensionit me vulë elektronike me vlerë të plotë ligjore. Shërbimi është i vlefshëm vetëm për kategorinë e qytetarëve që përfitojnë pension.

Rastet kur përfitimi i pensionit pezullohet

Në një sërë rastesh të caktuara, organet e sigurimeve shoqërore mund të marrin edhe vendimin për pezullimin e pensionit. Konkretisht, sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e caktimit të pensioneve bëhet e ditur se pezullimi bëhet në rastet kur drejtori i përgjithshëm i ISSH-së dhe drejtori i DRSSH-së kanë fakte ose sinjalizime, kanë të drejtë të pezullojnë pensionin, mbi bazën e kontrolleve ose rikontrolleve të urdhëruara prej tyre. pezullimi bëhet edhe në rastet kur nga auditimi i dosjes rezulton që pensioni është caktuar në kundërshtim me dispozitat ligjore, vendimet, udhëzimet dhe rregulloret në fuqi, apo në rastet kur dosja kërkohet për shqyrtim në KMCAP-epror.

Po ashtu, pensioni mund të pezullohet edhe nuk tërhiqet për një periudhë mbi një vit. Në këtë rast mund të hartohet edhe urdhërmbyllje e urdhërpagesës. Ky shënim do të vendoset edhe nga inspektori përpunues në dosjen e pensionit. Pezullimi i pensionit bëhet për aq kohë sa kërkohet për verifikimin për faktet që kanë dalë deri në nxjerrjen e urdhrit për mbylljen e pensionit ose urdhrit për pagesën e tij. Kur merret vendim për mbylljen e pensionit, atëherë përpilohet urdhërmbyllja e pensionit sipas procedurave të përcaktuara, dhe urdhri përkatës i dërgohet qendrës paguese nga dega e financës.

 Dokumentet që duhet për transferimin e dosjes së pensionit

Dokumente që sigurohen nga nëpunësit e administratës
1. Certifikatë familjare
2. Certifikatë personale
3. Kontrata e energjisë elektrike
4. Vërtetim për pagimin e detyrimeve
5. Vërtetim likuidimi të taksave dhe tarifave vendore
6. Vërtetim nga zyra punës, si punë kërkues për anëtarët e tjerë të familjes

Dokumente që ngarkohen nga aplikanti

1. Vërtetim për fëmijët deri në 25 vjeç nga shkolla

Dokumentet që duhet për rishqyrtimin e masës së pensionit

Dokumente që sigurohen nga nëpunësit e administratës
1. Certifikatë familjare
2. Vërtetim nga arshiva e ISSH-së, DRSSH-së për vjetërsi në punë
3. Vërtetim për kontributet si i vetëpunësuar në bujqësi
4. Vërtetim për kohën e kryerjes së shërbimit ushtarak
5. Vërtetim nga Tatim Taksat për pjesëtarët që ka në ngarkim
6. Vërtetim nga Zyra e Punës si punëkërkues
7. Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë
8. Dëshmi penaliteti për të përndjekurit politikë
9. Vërtetim i kohës së vuajtjes së dënimit (të përndjekurit politikë)
10. Vërtetim i pagës referuese modelar nr.02
11. Vërtetim i pagës mesatare referuese modelar nr.03)
12. Vërtetim i viteve të shërbimit modelar nr.03
13. Vërtetim për derdhje të kontributit suplementar nr.08
14. Vërtetim page referuese të përfitimit shtetëror suplementar
15. Vërtetim për periudhën e shërbimit në funksion apo detyrë
16. Vërtetim për derdhje të kontributit suplementar
17. Vërtetim i pagës referuese
18. Vërtetim për periudhën e shërbimit

Dokumente që ngarkohen nga aplikanti
1. Vërtetim nga shkolla, kur fëmija është 18 vjeç – 25 vjeç
2. Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës
3. Diploma e shkollës së lartë
4. Fletëdrejtimi për në KMCAP dhe fletëdaljet nga spitali
5. Analiza mjekësore sipas diagnozës
6. Aktverifikim
7. Deklaratë individuale per punësim (e përvitshme) mod. 09
8. Deklaratë individuale që nuk jam i punësuar (mod. 08)

February 19, 2020 12:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim