Si do kryhet kontrolli i Policisë dhe strukturave të Ministrisë së Brendshme

April 30, 2014 18:49

Si do kryhet kontrolli i Policisë dhe strukturave të Ministrisë së Brendshme

Qeveria miraton pr/ligjin e shërbimit për ankesat dhe çështjet e brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sipas draftit, ky ligj ka si qëllim të përcaktojë misionin, organizimin, funksionimin, rregullimin e pozitës juridike të Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme, si dhe karrierën, detyrat, të drejtat e përgjegjësitë e punonjësit të këtij shërbimi. Shërbimi për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme e ushtron veprimtarinë e tij ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, strukturës përgjegjëse për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe  të objekteve të rëndësisë së veçantë dhe strukturës së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin. Misioni i Shërbimit është garantimi i zbatimit të ligjit dhe interesave të publikut, mbrojtja nga veprimtaria e mundshme kriminale dhe e kundërligjshme e kryer nga punonjës të veçantë të strukturave pavarësisht nga funksioni dhe grada.

Në nenin 5 përcaktohet veprimtaria e Shërbimit ku përfshihet: parandalimi, zbulimi dhe hetimi i veprave penale si dhe i shkeljeve të ligjit të kryera nga punonjësit e strukturave gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj, pranimi, administrimi dhe zgjidhja e ankesave ndaj punonjësve të strukturave për mospërmbushje të detyrës sipas standardeve të miratuara me akte normative, për vepra penale dhe shkelje të tjera të ligjit. Gjithashtu përfshihen inspektimi për verifikimin e respektimit të ligjshmërisë, në përputhje me legjislacionin dhe standardet e miratuara me akte normative, ruajtja e integritetit të punonjësve të strukturave, kontrolli i pasurisë së pajustifikuar të personave, objekt hetimi, për goditjen e veprimtarisë korruptive dhe kriminale dhe analiza, studime dhe rekomandime të përgjithësuara në bazë të inspektimeve dhe hetimeve për aspekte të rëndësishme të organizimit e të funksionimit të strukturave dhe pritshmërisë së publikut në drejtim të sigurisë publike. Në draftin e miratuar në mbledhjen e Qeverisë parashikohet që kjo strukturë funksionon e pavarur nga strukturat, në përputhje me ligjet, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, vepron pa diskriminim, duke respektuar asnjanësinë politike, ruatjen e informacionit të klasifikuar dhe në mënyrë transparente.

Organizimi dhe struktura

Shërbimi është organi i centralizuar dhe organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e Përgjithshme përbën nivelin qendror të Shërbimit, ndërsa në nivelin vendor strukturat organizohen në drejtori dhe sektorë. Struktura dhe organika e Drejtorisë së Përgjithshme dhe strukturat vendore miratohen nga ministri, me propozimin e drejtorit të Shërbimit.Shërbimi drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm. Drejtoria e Përgjithshme përbën nivelin qendror të shërbimit dhe ka këto përgjegjësi:

a) Organizon, planifikon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë e drejtorive dhe sektorëve të saj, në nivel vendor;

b) Mbikëqyr kryerjen e funksioneve e të detyrave të Shërbimit të drejtorive e sektorëve të saj, në nivel vendor;

c) Bashkërendon kryerjen e funksioneve dhe të detyrave të njësive organizative të varësisë;

ç) Kryen detyra në zbatim të këtij ligji, ligjeve të tjera dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tyre.

Strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme ngrihen, në përputhje me realizimin e misionit dhe objektivave të veprimtarisë së Shërbimit, në territoret ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre strukturat, subjekt i këtij ligji. Strukturat qendrore të Shërbimit kryejnë, për shkelje të ligjit dhe të standardeve të punës të miratuara, verifikime brenda juridiksionit të tyre lëndor dhe territorial.

Në draftin e miratuar përcaktohet se Ministri është autoriteti më i lartë përgjegjës për organizimin dhe veprimtarinë e Shërbimit. Ministri përcakton objektivat vjetorë strategjikë të kryerjes së detyrave të Shërbimit në përputhje me politikat shtetërore. Ministri siguron bashkëpunimin ndërmjet këtij shërbimi me agjencitë dhe strukturat e tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucionet e zbatimit të ligjit, institucionet e tjera brenda vendit, si dhe institucionet homologe të vendeve të tjera, në bazë të marrëveshjeve të ndërsjella.

Kontrolli mbi Shërbimin

Në draftin e miratuar nga Qeveria përcaktohen institucionet që kanë të drejtën e kontrollit, llogaridhënies apo raportimit të Shërbimit. Kështu kjo strukturë kontrollohet, raporton dhe jep llogari para Kuvendit, Kryeministrit, Ministrit, Prokurorit të Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë dhe Struktura të tjera të ngarkuara me ligj. Personat e autorizuar për të kontrolluar veprimtarinë e Shërbimit duhet të jenë të pajisur me certifikatë sigurie për nivelin e klasifikimit të informacionit që aksesojnë, të lëshuar nga autoriteti kompetent.

Ruajtja e informacionit të klasifikuar

Punonjësi i Shërbimit ka detyrimin:

a) të sigurojë mbrojtjen dhe mospërhapjen e paautorizuar të informacionit të klasifikuar, për të cilin ka marrë dijeni gjatë ose jashtë kryerjes së detyrës, detyrim ky që vazhdon edhe pasi ai ndërpret marrëdhëniet e punës me Shërbimin;

b) të mos e përdorë informacionin e mbledhur gjatë ushtrimit të detyrës për qëllime të tjera, jashtë atyre të përcaktuara me ligj;

c) të sigurojë mbrojtjen dhe mospërhapjen e të dhënave  personale dhe të atyre që lidhen me veprimtarinë profesionale të personave, të mbrojtura sipas ligjit, me të cilat njihet gjatë ushtrimit të detyrës.

Transparenca dhe përjashtimi nga publikimi

Shërbimi ka detyrimin të ushtrojë detyrën me transparencë dhe të realizojë procedura transparente, në masën e lejuar dhe të nevojshme, me qëllim që të krijojë kushte për ushtrimin e kontrollit të saj nga publiku, duke balancuar të drejtën e publikut dhe palëve për informim me mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Shërbimi përjashtohet nga detyrime, në bazë të të cilave kërkohet publikimi i dokumenteve e i të dhënave që përbëjnë informacion të klasifikuar, si dhe burimeve të të dhënave, mjeteve e metodave të punës. Shërbimi ka të drejtë të publikojë çdo informacion të deklasifikuar, sipas së drejtës së publikut për informim dhe në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Në projektligj përcaktohet se punonjësit e shërbimit nuk ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda ose jashtë orarit zyrtar, apo të shprehë publikisht bindjet dhe preferencat e tij politike; nuk mund të  jetë anëtar i një partie apo organizate politike dhe me veprimtarinë e tij nuk duhet të cenojë natyrën e depolitizuar të institucionit; ka detyrimin të nënshkruajë deklaratën e depolitizimit, si dhe t’i ushtrojë funksionet jashtë ndikimit të bindjeve politike; në rast se kandidon në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë apo për organet e qeverisjes vendore, detyrohet të kërkojë lirimin nga detyra dhe nuk mund të ripranohet më në shërbim; nuk ka të drejtën e grevës.

Organizimi/ Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit dhe kriteret e emërimit

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit, në vijim drejtori i Shërbimit, emërohet në detyrë dhe lirohet nga ministri. Drejtor i Shërbimit emërohet personi, që, përveç kritereve të përcaktuara në nenin 80, të këtij ligji, duhet të përmbushë edhe këto kritere:

a) Të ketë shërbyer për një periudhë jo më pak se 14 vjet, në sistemin e drejtësisë (prokuror, gjyqtar), në Shërbim, strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Shtetit ose në strukturat informative në SHISH, nga të cilat jo më pak se 3 vjet në pozicione drejtuese;

b) Të ketë integritet dhe figurë të pastër morale;

c) Të mos ketë qenë i dënuar për vepër penale;

ç)  Të mos ketë konflikt interesi me detyrën;

d) Të mos ketë punuar në detyrën e mëparshme në kabinetet e drejtorëve të strukturave.

Drejtori dhe zëvendësdrejtori i Shërbimit:

a) emërohen për një periudhë pesëvjeçare, me të drejtë riemërimi edhe për një periudhë dyvjeçare;

b) kur plotësojnë mandatin e qëndrimit në detyrë ose kur përfundojnë marrëdhëniet e punës sipas shkronjës “d”, të nenit 20, emërohen në strukturat, subjekte të këtij ligji, apo institucione të tjera të administratës shtetërore, në përputhje me funksionin dhe gradën, të ekuivalentuara me vendim të Këshillit të Ministrave me gradat e Policisë së Shtetit;

c) në mungesë të funksioneve organike, dalin në dispozicion me pagën sipas gradës, për një periudhë 2-vjeçare.

Rastet e lirimit nga detyra të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Shërbimit

Marrëdhënia me Shërbimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Shërbimit përfundon nëpërmjet lirimit, në këto raste:

a) Kur humbet shtetësinë shqiptare;

b) Kur dënohet me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre penale;

c) Kur humbet zotësinë e plotë për të vepruar për arsye shëndetësore në kryerjen e detyrës së tij, vërtetuar nga komisioni kompetent mjekësor;

ç)  Kur mbush moshën e daljes në pension;

d) Kur jep dorëheqjen;

dh) Kur përfundon mandatin e përcaktuar në këtë ligj;

e) Pas 2 (dy) vlerësimeve të njëpasnjëshme negative të punës, të dokumentuara nga ministri, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e personelit.

Dhënia e pensionit dhe e përfitimeve suplementare

Punonjësi i Shërbimit, përveç përfitimeve që rrjedhin nga ligji për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, gëzon të drejtën e përfitimeve të tjera shtesë, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara sipas legjislacionit përkatës për sigurimin shoqëror suplementar. Për efekt të përfitimeve nga legjislacioni përkatës për sigurimin shoqëror suplementar, koha e shërbimit si punonjës i Shërbimit, nga e cila buron e drejta e përfitimeve suplementare, përfshin kohën:

a) e studimit në shkollat e larta ushtarake, të Ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit apo në shkolla të larta me natyrë të ngjashme me to;

b) kur është njohur si punonjës i SHKB-së;

c) kur është njohur si ushtarak i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si punonjës i Policisë së Shtetit e i Gardës së Republikës, si punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit, si punonjës i Shërbimit Informativ Ushtarak, si punonjës në çdo vend të administratës shtetërore ose në institucionet e drejtësisë, për periudhën që ka ushtruar kompetencat e hetimit të veprave penale;

ç) e ndërprerjes së karrierës në shërbim, për shkak të një vendimi të padrejtë, të cilësuar si të tillë nga gjykata;

d) e trajtimit me pagesë kalimtare;

dh) e njohur si pension i parakohshëm për vjetërsi shërbimi;

e) gjysmën e kohës si punonjës në sektorët joushtarakë, para pranimit si punonjës i SHKB-së;

ë) e qëndrimit në dispozicion, për shkak të pritjes për sistemim në një funksion tjetër, në përputhje me gradën;

f) e shërbimit, që njihet një herë e gjysmë, për funksione të veçanta, me vendim të Këshillit të Ministrave.

Punonjësit të Shërbimit i jepen shpërblime ose ndihmë financiare për punë cilësore, për nevoja kulturore brenda fushës së veprimtarisë së shërbimit, për raste sëmundjesh të rënda e fatkeqësish dhe raste të tjera të kësaj natyre, sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Veprimtaria e Shërbimit 

Veprimtaria informative realizohet nga personeli i shërbimit përgjegjës për fillimin, ndjekjen dhe përfundimin e procesit informativ dhe që mban gradën nga niveli i parë drejtues (hetues) e lart. Procesi informativ i Shërbimit bazohet vetëm në të dhënat e marra në përputhje me ligjet përkatëse dhe me aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tyre. Procesi informativ ushtrohet në përputhje me procedurat e miratuara nga ministri dhe prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, i cili ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi zbatimin e këtyre procedurave. Zbatimi i procedurave të sipërpërmendura rregullohet me akte nënligjore të hartuara nga drejtori i Shërbimit dhe të miratuara nga ministri.

Mbledhja dhe marrja e të dhënave

Shërbimi, në përmbushje të misionit dhe detyrave funksionale të përcaktuara në këtë ligj, mbledh, administron dhe shqyrton të dhëna për veprime ose mosveprime të punonjësit të strukturave, pavarësisht nga funksioni e grada, duke shfrytëzuar çdo burim të ligjshëm informacioni për:

a) parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale;

b) parandalimin, zbulimin dhe hetimin administrativ të shkeljeve ligjore në përmbushjen e detyrës.

Shërbimi mbledh, administron dhe shqyrton të dhëna edhe për:

a) sigurinë e veprimtarisë së Shërbimit dhe strukturave;

b) interesat dhe pasuritë e punonjësve të veçantë të strukturave, kur ka shkaqe të arsyeshme për ekzistencën apo lindjen e një konflikti interesash.

Masat për grumbullimin në fshehtësi të të dhënave zbatohen vetëm në qoftë se ato nuk mund të merren në mënyrë tjetër ose nëse marrja e tyre lidhet me vështirësi të ndryshme. Në rastet kur ekzistojnë mundësi të ndryshme për marrjen në fshehtësi të të dhënave duhet të zgjidhet mundësia që cenon sa më pak liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Punonjësi i Shërbimit ka të drejtë të hyjë, të kontrollojë dhe të marrë dokumente, evidenca dhe informacione, në formë të shkruar ose elektronike, në të gjitha zyrat, sekretaritë, kartotekat, arkivat e mjediset e strukturave ose t’i marrë ato nga çfarëdo burim tjetër informacioni, sipas rregullave të miratuara nga ministri. Për nevoja të verifikimit të një informacioni të administruar, për punonjës të veçantë të strukturave, Shërbimi kërkon deklarata për veprimtaritë e jashtme, dypunësimin, investimet, pasuritë dhe dhuratat ose privilegjet, nga të cilat mund të lindë një konflikt interesi për shkak të funksioneve të tyre si nëpunës publik.

Informimi për të dhëna dhe për vepra penale  

Shërbimet informative, strukturat dhe policia gjyqësore informojnë Shërbimin për të dhënat për vepra penale të kryera nga persona, subjekte, objekt i punës së këtij Shërbimi. Mënyra e  informimit parashikohet në udhëzimin e përbashkët të drejtuesve të këtyre institucioneve. Kur punonjësit e institucioneve të tjera shtetërore, për shkak të detyrës, vihen në dijeni për përfshirjen në vepra penale të punonjësve të strukturave, janë të detyruar të njoftojnë direkt dhe menjëherë këtë Shërbim.

Përpunimi i të dhënave personale

Mbledhja, ruajtja, përdorimi dhe komunikimi i të dhënave personale, për qëllime ligjore të Shërbimit, lejohet vetëm për parandalimin e rrezikut real ose të një vepre penale. Gjatë përpunimit të të dhënave respektohen parimet dhe rregullat e përcaktuara nga legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale.

Bashkëpunimi me individë  dhe institucionet

Shërbimi për përmbushjen e përgjegjësive dhe detyrave krijon marrëdhënie bashkëpunimi me individë, të cilët ndihmojnë hetimin e çështjeve konkrete. Procedurat e këtij bashkëpunimi miratohen nga ministri. Personi, që ka pranuar marrëdhënie bashkëpunimi me Shërbimin, është i detyruar të ruajë sekretin e këtij bashkëpunimi dhe të informacioneve të klasifikuara, derisa të përfundojë detyrimi ligjor për ruajtjen e këtij sekreti. Drafti parashikon gjithashtu bashkëpunimin me institucionet e tjera të administratës shtetërore rregullohet me udhëzime/ marrëveshje /memorandume bashkëpunimi. Shërbimi bashkëpunon me subjektet shtetërore dhe private duke marrë prej tyre asistencën e nevojshme dhe të dhënat që ato disponojnë në regjistrat, bazat e të dhënave dhe në dokumentacionin zyrtar, si dhe aksesin në to sipas legjislacionit në fuqi.   Shërbimi bashkëpunon me agjencitë e huaja homologe mbi bazën e marrëveshjeve të bashkëpunimit të miratuara nga instancat përkatëse. Marrëveshjet e bashkëpunimit realizohen vetëm me ato agjenci të huaja homologe, struktura e të cilave merr përsipër detyrimin e përpunimit e të ruajtjes të të dhënave, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke siguruar një shkallë të caktuar të mbrojtjes të të dhënave, të barabartë ose në nivel më të lartë se ajo që garantohet në ligjet e shtetit shqiptar.

 Atributet e policisë gjyqësore

Në bazë të këtij drafti, Shërbimi gëzon deri atributet e policisë gjyqësore. Personeli i shërbimit, që gëzon atributet e policisë gjyqësore, kryen veprimtari procedurale përgjatë të gjitha fazave të procedimit penal, të urdhëruar apo të deleguar nga prokurori ose me nismën e vet, sipas rregullave të Kodit të Procedurës Penale dhe ligjit për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore. Punonjësit e Shërbimit, të parashikuar në shkronjën “a”, të nenit 72, të këtij ligji, gëzojnë atributet e agjentit të policisë gjyqësore. Agjenti dhe oficeri i policisë gjyqësore, kur vihet në dijeni për vepra penale të kryera nga punonjës të strukturave, ka për detyrë të pengojë ardhjen e pasojave të mëtejshme, të kryejë hetime dhe të grumbullojë gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal. Autoritetet me kompetenca të policisë gjyqësore, në rast se kryejnë hetime, ndalime apo arrestime në flagrancë të punonjësve të strukturave, janë të detyruara të njoftojnë menjëherë Shërbimin për të bashkëpunuar.

April 30, 2014 18:49
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*