Si do organizohen studimet e ciklit të tretë? Afatet e aplikimit në publik e privat

August 8, 2018 13:26

Si do organizohen studimet e ciklit të tretë? Afatet e aplikimit në publik e privat

Me mijëra kandidatë që kanë mbaruar studimet e nivelit të dytë janë në pritje të udhëzimeve përkatëse nga dikasteri i arsimit në lidhje me hapjen e programeve të ciklit të tretë. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, cikli i tretë i studimeve përfshin programet e studimeve “Master ekzekutiv”, programet e studimeve specializuese afatgjata, si dhe “Studimet e doktoratës”.

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, i miratuar vetëm pak ditë më parë, i jep “ok” hapjes së aplikimeve për pranimet e reja që do të zhvillohen në programet e ciklit të tretë, të emërtuara si “Master ekzekutiv”. Në këtë udhëzim konfirmohen procedurat dhe afatet e aplikimit për të gjithë kandidatët e interesuar.

Ndërsa për hapjen e studimeve të doktoratës ende nuk është publikuar ndonjë afat konkret në lidhje me aplikimet, apo kuotat e pranimeve që do të realizojnë për këtë cikël institucionet e arsimit të lartë publik.

Afatet e aplikimit në publik e privat

Sipas udhëzimit të MASR aplikimet në programet e ciklit të tretë “Master ekzekutiv” me kohë të plotë për të gjitha kategoritë e kandidatëve do të bëhen në sekretaritë mësimore të fakultetit, në të cilin kandidati kërkon të ndjekë.

Pranimi i kërkesave për këtë cikël studimesh për rastet kur konkurohet në degët e universiteteve publike do të lejohen deri në datën 12 tetor. Ndërsa në rastet kur kandidati kërkon të ndjekë të njëjtin cikël studimi, por në një universitet privat, pranimi i aplikimeve do të lejohet deri në datën 19 tetor. Kështu, fakultetet në dy javët e fundit të muajit shtator do të afishojnë në vende të dukshme afatet dhe hapat se si do të zhvillohen aplikimet për këtë cikël.

Dikasteri i arsimit udhëzon që fakultetet publike duhet të shpallin listat e kandidatëve fitues brenda datës 22 tetor, ndërsa ato private brenda datës 29 tetor. Në këto programe studimi kanë të drejtë që të aplikojnë që të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet në një program të ciklit të dytë “Master shkencor”, si dhe “Master i arteve”, i cili rezulton të jetë i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe i akredituar në momentin e diplomimit të tij.

Gjithashtu në garë do të përfshihen edhe kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program të ciklit të dytë që është i licencuar dhe i akredituar. Në rast se këta kandidatë do të jenë pjesë e listës së fituesve duhet që deri në mbyllje të muajit dhjetor të kenë përfunduar edhe procesin e njehsimit të diplomës pranë strukturave përgjegjëse të MASR dhe QSHA-së.

Si konkurohet

Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzimin e MASR, kandidati për këtë cikël studimesh duhet të paraqitet personalisht, ose nëpërmjet një personi të autorizuar ligjërisht prej tij për të kryer aplikimin pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse.

Gara edhe për këtë cikël studimesh do të zhvillohet me anë të dosjes. Kështu në dosjen e aplikimit duhet që të përfshini diplomat, ose fotokopjet e noterizuara që tregojnë përfundimin e studimeve të nivelit të dytë, diplomat përkatëse dhe listat e notave të studimeve të kryera në ciklin e parë “bachelor”, vërtetimin për njohjen e një prej 5 gjuhëve të huaja të BE-së, sipas testeve ndërkombëtare të aprovuara nga MASR. Në rast se kandidati ka fituar më parë një diplomë të një programi studimi të kryer në këto gjuhë diploma e fituar shërben si dëshmi për njohjen e gjuhës së kërkuar.

Pjesë e dosjes duhet të jetë edhe formulari i aplikimit i plotësuar, fotokopja e dokumentit të identifikimit, si dhe dy fotografi personale. Ndërsa për shtetasit e huaj kërkohet edhe dëshmia e njohjes së gjuhës shqipe.

Kandidatët me statusin e jetimit duhet të dorëzojnë edhe fotokopjen e noterizuar të dokumentit që vërteton këtë status,personat me aftësi të kufizuara duhet të dorëzojnë edhe fotokopjen e librezës të lëshuar nga SHSSH, apo kopje të vendimit të KMACP-së. Ndërsa kandidatët nga komuniteti rom, egjiptian duhet të dorëzojnë edhe vetëdeklarimin, ose një dokument tjetër që konfirmon se i përkasin këtij komuniteti.

Vijimi i studimeve të doktoratës

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë të ndryshuar, institucionet e arsimit të lartë, që ofrojnë studime të doktoratës duhet të hartojnë projekte kërkimore-shkencore dhe zhvillimi për këto studime. Këto institucione mund të aplikojnë për financim pranë AKKSHI-t apo institucioneve të tjera financuese.

Konkretisht bëhet e ditur se studimet e doktoratës zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë ose me kohë të zgjatur në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë, apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar.

Në rastet kur studimet e doktoratës zhvillohen në bashkëpunim midis institucioneve të arsimit të lartë, pjesë të procesit kërkimor, mund të zhvillohen pranë institucioneve bashkëpunuese. Numri i studentëve doktorantë përcaktohet nga njësia bazë dhe projekti kërkimor i çdo doktoranti përcaktohet në varësi të projekteve kërkimore të kësaj të fundit.

Për kryerjen e studimeve të doktoratës, studenti mund të përfitojë edhe financime nga subjekte të tjera apo të vetëfinancohet. Drejtuesit shkencorë të doktorantëve duhet të kenë titullin “Profesor” ose “Profesor i asociuar” dhe mund të udhëheqin, respektivisht, një numër të caktuar doktorantësh në të njëjtën kohë.

Ky numër përfshin të gjitha udhëheqjet që personeli akademik i kategorisë “Profesor” ndjek në të gjitha institucionet e arsimit të lartë ku ai është i angazhuar dhe përcaktohet në Kodin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Në rastet kur një pjesë e studimeve të doktoratës kryhet në një institucion të arsimit të lartë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, SHBA-ve dhe Kanada-së, bashkudhëheqësi në institucionin pritës mund të jetë me gradën shkencore “Doktor”.  Kriteret që duhet të përmbushë kandidati për fitimin e gradës shkencore “Doktor”, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Kriteret e pranimit në programet e ciklit të tretë

  • Pranimi në programet e ciklit të tretë të studimeve është i mundur vetëm për kandidatët që kanë fituar diplomën “Masteri shkencave” ose “Master i arteve”dhe plotësojnë kriteret e veçanta të pranimit, të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë. Kriteret e pranimit në programet e ciklit të tretë përcaktohen nga njësitë bazë, në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë. Këto kritere bëhen publike nga universiteti përkatës dhe më pas i përcillen QSHA-së, si dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin.
  • Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të tretë është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, e vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtare, në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin.
  • Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri. Lista e të diplomuarve në programet e ciklit të tretë përcillet nga institucioni i arsimit të lartë në ministrinë përgjegjëse për t’u pasqyruar në regjistrin shtetëror të gradave shkencore dhe titujve akademikë.

Pranvera Kola -DITA

August 8, 2018 13:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim