Si duhen kuptuar “tërmetet” në rajonin e Patos-Marinzës”

Prof. Dr. Gjergji FOTO January 30, 2014 22:54

Si duhen kuptuar “tërmetet” në rajonin e Patos-Marinzës”

Para se të trajtojmë problemin e “tërmeteve” në rajonin e Patos- Marinzës, do të vëmë në dukje disa dukuri të shkencës së gjeologjisë dhe respektivisht edhe të sizmologjisë, të nevojshme për t’u njohur nga masa e interesuar, duke përfshirë edhe banorët e këtij rajoni, për burimin e lëvizjeve të njëpasnjëshme dhe shqetësuese të tokës, që siç edhe duket, nuk janë evidentuar plotësisht nga artikullshkruesit e mëparshëm, apo edhe nga diskutimet në studiot televizive.

Së pari, kush ka mësuar shkencën e gjeologjisë, e ka në vëmendjen e tij, se gjatë nxjerrjes së mineraleve të ngurtë dhe të lëngët nga nëntoka, në atë territor prishen ekuilibrat e vendosur për kohë gjeologjike. Është, njëlloj si shemben shpatet kur hiqet dheu për të hapur një trase rruge, nga që prishet forma natyrore e qëndrueshme. Edhe nga hapja e minierave dhe galerive në nëntokë, për shkak të prishjes së atyre ekuilibrave natyrorë, njëlloj ndodh ulja graduale e Tokës dhe e sipërfaqes së tokës mbi minierë e që njihet me termin “cedim”. Për të zvogëluar në maksimum këtë efekt, bëhet armatimi i galerive apo edhe mbushja e tyre pas shfrytëzimit. Për kuriozitet, nën qytetin e Prishtinës në Kosovë, ka një vendburim shumë të madh qymyri por ai nuk mund të shfrytëzohet për aq kohë sa rrezikohet shembja e krejt qytetit mbi të. Raste të tilla, edhe në literaturë, ka me dhjetëra.

Edhe gjatë shfrytëzimit të puseve të naftës, pra kur nga rezervuari ranor naftëgazmbajtës, nxirret çfarëdo sasie nafte apo edhe rëre, prishen ekuilibrat natyrorë. Vendosja e një ekuilibri të ri e të qëndrueshëm, tentohet të arrihet, veç të tjerash, edhe nga zhvendosja e masave të dheut (shkëmbinjve) që ndodhen më sipër, nëpërmjet “plasaritjeve” (prishjeve) dhe “shembjeve” të masave shkëmbore që mbushin boshllëqet e krijuara në rezervuar, të cilat duke i u shtuar njëra–tjetrës gjatë nxjerrjes së vazhdueshme të naftës dhe rërës, arrijnë të transmetohen deri në sipërfaqe të tokës, duke shkaktuar tronditje dhe ulje të reliefit, duke dëmtuar sipas rastit objektet që gjenden mbi të.

Kush është moshatar me mua dhe që në fillim të viteve ‘60 ka punuar në Marinëz, do t’i kujtohet pusi 586, buzë shpatit të kodrës, në të majtë të vendit ku ndahen rrugët, njëra drejt, për në Veri për në sektorin e dytë dhe dekantim dhe tjetra, djathtas, në Perëndim për në zyrat e ndërmarrjes ose në fshatin Marinëz. Gjatë shpimit, në shtresat ranore gazmbajtëse, pusi, aksidentalisht pësoi një shpërthim të gazit dhe rërës nga jashtë kolonës, me presion të lartë, e që pas pak kohe, solli fundosjen e krejt kullës së shpimit dhe motorrave, në një gropë të thellë disa metrosh. Kjo dukuri, ka ndodhur edhe në një pus gazi në Divjakë, (Div-34), nga i cili pati një shpërthim shumë të fuqishëm gazi e rëre. Kjo dukuri, ndodhi edhe në pusin Ca-37, pas shpërthimit të gazit dhe naftës së lehtë nga pusi, dhe që nga shembjet e thella të Tokës, nëpër plasaritjet, u këput kolona që lidhte grykën e pusit me rezervuarin e gazit. Gazi, shpërtheu nga plasaritjet e Tokës duke e shndërruar krejt vendin në kodër flakëzash që ndriçonin qiellin. Kuptohet që këto raste që përmenda dhe shumë të tjerë, kanë ndodhur thjesht nga pakujdesia në punë dhe shkelja e rregullave dhe rregulloreve, të cilat parashikojnë çdo rast dhe përpiqen të parandalojnë gjithë këto dukuri aksidentale. Dukuria e shembjeve gjatë aksidenteve që  përmendëm është e njëjtë me atë që shpjeguam më sipër gjatë shfrytëzimit të naftës por me intensitet shumë më të madh dhe në kohë shumë të shkurtër.

 

Në rregulloret ekzistuese të industrisë së naftës, (nuk di të jenë rrëzuar apo ndryshuar), veç të tjerash, për mënyrën e shfrytëzimit të puseve në rezervuarë ranorë, ka një kusht që kufizon sasinë e rërës deri në përqindjet e para ndaj sasisë së naftës që del nga pusi dhe kjo, bëhet veç të tjerash për të zvogëluar në maksimum shembjet e masave shkëmbore të mësipërme.

Të mos harrojmë që rezervuarët ranorë të Marinzës, janë vënë në shfrytëzim qysh në vitin 1957 dhe për fatin e keq, me një shpërthim të pakontrolluar të gazit, naftës dhe rërës nga rezervuari në pusin 542 dhe pak më vonë, afër të parit, edhe në pusin 578. Pra, një shfrytëzim prej rreth  55 vitesh, gjatë të cilëve janë nxjerrë vazhdimisht hidrokarbure por edhe rërë. Pra, dukuria e “shembjes” apo “tronditjes” së Tokës, ka ekzistuar edhe para futjes së teknologjive të reja, por kanë qenë pak ose aspak të ndjeshme me teknologjitë e mëparshme. Me teknologjinë e re të shfrytëzimit,  amplituda e zhvendosjeve, natyrshëm që është rritur. Në këtë rast, shembjet i mbivendosen njëra-tjetrës, duke u transmetuar shpejt në sipërfaqen e tokës ose reliev, duke u shfaqur si “tërmete”, por me amplitudë relativisht të vogël, rreth 3 shkallë Rihter. Epiqendra e tyre, rezulton të jetë po thuaj ajo e thellësisë së shtresave naftëgazmbajtëse dhe në disa raste të tjera edhe disa kilometër thellësi, për shkak të inercisë por edhe për shkak të një zone të njohur tërmetesh të natyrshëm (shih tabelën sizmologjike në faqen zyrtare të internetit të IGJEUM).

Në gjeologjinë e naftës, ka një degë shkence që quhet “Ruajtja e Nëntokës”, e cila ka konceptet e saj  dhe teknika të detyrueshme sigurimi për zbatim. Dikur, ka pasur një hierarki të tërë, që nga ndërmarrjet e shfrytëzimit të naftës dhe gazit dhe deri në Ministrinë përkatëse, që ndiqte, kontrollonte dhe merrte masa deri edhe në ndjekje penale, pikërisht për këto probleme.

Nga kjo paraqitje deri këtu, besoj se arrihet në përfundimin se shembjet dhe rivendosja e ekuilibrave në fushat që shfrytëzojnë naftën dhe gazin, janë dukuri normale e të njohura. Intensiteti i tyre, është varësi e teknologjisë së zgjedhur, ose e anashkalimit të rregullave të hershme, lidhur me sasinë e lëndëve që nxirren nga rezervuari.

Së dyti, për të eliminuar sa të jetë e mundur dëmet nga këto dukuri, (përfshi edhe shtëpitë e sotme), që në momentin kur përcaktohet sipërfaqja e vendburimit dhe e shpimit të puseve, gjithçka shpronësohet dhe është shpronësuar, si shtëpitë, kopshtet, pemët frutore, pyjet etj. Për të kuptuar këtë, po sjell një shembull: Në Bubullimë të Lushnjës, gjatë përcaktimit të vendndodhjes së pusit Kolonjë-16 (në fillim të viteve ’80), vumë re se sheshi i shpimit, duhej të vendosej pranë një shtëpie të fshatit. Pronari i shtëpisë, së bashku me familjarët e tij, na u lut që të zhvendosnim sheshin me qëllim që të përfshinte edhe shtëpinë e tij dhe me atë rast, do të përfitonte me siguri një shtëpi të re. Sot, gjenden puse nafte, të rrethuar me gardhin e kopshtit të pronarëve të Tokës apo shtëpive, e që kërkojnë tu marrësh leje por edhe ti paguash për të kryer punime remonti në të.

Së treti, dhe me e rëndësishmja: Kompania sipas përvojës bashkëkohore, ka zgjedhur një nga të katërmbëdhjetë teknologjitë e njohura për shfrytëzimin e naftave të renda dhe ekstra të renda të rezervuarëve të Marinzës, por jo më të mirën.  Kompania para ardhëse AAP, gjithashtu përdori një teknikë të përshtatshme në përgjithësi për të tilla nafta, por që nuk pati sukses dhe nuk investoi. Sot, në botë, ka një zhvillim intensiv të teknikave dhe teknologjive të shfrytëzimit të naftave jo konvencionale, nxitur thjesht nga fakti që prodhimi botëror i naftave konvencionale, vjen vazhdimisht duke rënë dhe nuk mund të plotësojë kërkesat në rritje.

Kanadaja, Venezuela dhe më pak vende të tjerë, janë në pararojë të kërkimeve për teknologjitë e shfrytëzimit të këtyre naftave, rezervat e të cilave janë sa 2/3 e rezervave totale botërore të zbuluara deri me sot. Për mendimin tim, jemi me fat që sot, në vendin tonë, kemi me shumicë të tilla rezerva dhe që për shfrytëzimin e tyre, është ofruar një kompani nga një vend me shumë përvojë në teknologjitë e nxjerrjes së këtyre naftave. Suksesi i asaj teknologjie në rritjen e prodhimit të naftës në vendburimin e Marinzës, është i ndjeshëm.

Kjo teknologji, përdor puse me trungje horizontale, disa herë më të gjatë se trungjet e shpuar nga puset vertikale të teknologjisë së vjetër. Ky ndryshim, ka sjellë rritjen disa herë të sipërfaqes së filtrimit dhe po aq edhe të prurjes së pusit, për të njëjtën “thithje”. Pastaj, vendosja e pompave të fuqishme drejtpërdrejt përfund pusit, jep mundësinë e rritjes disa herë edhe të depresioneve në krahasim me pompat e varura të thellësisë. Të dy këta parametra, krijojnë mundësinë e sigurimit të prurjeve të fuqishme nga rezervuari, që në rastin e shkëmbit rezervuar konkret, aftësisë lidhëse të kokrrizave të rërës, e sidomos naftës viskoze, gjatë lëvizjes pështjelluese (turbulente), shkul nga skeleti shkëmbor edhe rërë. Pikërisht kjo teknologji, me e pakta, siguron prodhimin më të madh në kohën më të shkurtër. Defekti kryesor i saj, është pikërisht nxjerrja intensive e masave shkëmbore dhe fluide, duke shumëfishuar kështu edhe procesin e “shembjeve”, që mbushin boshllëqet e krijuara. Mbushja e atyre boshllëqeve, nuk mund të bëhet me ujin që mund të injektohet, për shkak të vëllimeve të pabarabarta por edhe të presioneve tepër të larta të injektimit, pasojë e përshkueshmërisë së ulët të shkëmbit rezervuar. Por, nuk janë këto injektime apo edhe shpërthime të supozuara që përdoren për të rritur përshkueshmërinë e rezervuarit, shkaku i “shembjeve”.

Kush ka punuar me mua në vitin 1961, do të mbajë mend pusin (ndoshta 586/b) në të majtë afër degëzimit të rrugëve hyrëse në Marinëz, ku është realizuar një shpërthim hidraulik i shtresës, pas të cilit, u injektua një sasi e madhe rëre kuarcore e marrë nga plazhi i liqenit të Pogradecit. Presioni i injektimit arriti mbi 700 atmosferë, por nuk u shfaq asnjë dridhje apo tronditje. Gjithashtu, në fillim të viteve ’70, kam realizuar shpërthimin e eksplozivit “tritol” në masën që merr një tub çeliku, me diametër rreth 10 cm dhe gjatësi 1metër, në thellësinë e trungut të pusit Ballshi-17, dhe nuk ka ndodhur asnjë tronditje apo shembje.

Pra, unë kam bindjen se lëkundjet dhe shembjet që ndihen sot në atë rajon e rreth tij, janë pasojë e shfrytëzimit prej rreth 55 vitesh por që janë intensifikuar e rritur në dendësi e madhësi si pasojë e shfrytëzimit me teknologjinë aktuale të  zgjedhur nga investitorët dhe të miratuar prej nesh.

Pse nga investitorët e huaj, është zgjedhur pikërisht kjo teknologji?., Së pari, për mendimin tim, sikur unë të isha investitor i huaj, në kuadrin e ekonomisë së tregut, do të bëja po atë zgjedhje. Në themel të aktivitetit do të kisha jo vetëm kthimin e investimit por veçanërisht, të siguroja fitimet shumë të dëshiruara në këtë treg të shtrenjtë nafte.

Nga gjithçka që lexojmë sot për veprimtarinë e industrisë së naftës në ekonominë e tregut të lirë, në kërkime, zhvillim dhe nxjerrje të naftës, kërkesa e parë e një investitori e sidomos atij të huaj, është kuadri ligjor, ai fiskal, qiraja e tokës, dëshira e vendasve për të bashkëpunuar me këta investitorë por sidomos stabiliteti politik i vendit. Do të duhej kurajë për të investuar në një vend si yni, ku ligjet dhe vendimet e rëndësishme në përgjithësi, janë miratuar shpesh, vetëm me 71 vota parlamentare. Pikërisht kjo situatë, ka kushtëzuar futjen e kompanive “trime”, që marrin përsipër një risk shumë të madh. Kompania në fjalë, mundohet të mbijetojë në këtë situatë të paqëndrueshme, ndonjëherë edhe duke fshehur diçka nga fitimet e saj. Në kushte të tjera të situatës në vend, jam i bindur se kompania do të zgjidhte edhe një teknologji me të përshtatshme; ndoshta edhe nga ato që ne, i kemi rekomanduar në studimet dhe projektet përkatëse të viteve të fundit. Së dyti, Kompania në fjalë, ka qenë mjaft e kënaqur kur ka marrë miratimet përkatëse të projektit të saj, hallkë pas hallke.

Por, vlen të diskutohet se sa të bindur shkencërisht kemi qenë ne specialistët vendës në zgjedhjen e metodës së shfrytëzimit të këtyre naftave, në momentin kur u formuluan kushtet e kontratës së firmuar me investitorët. A janë pasur parasysh gjithë aspektet me të cilat lidhet teknologjia e zgjedhur nga projektuesit, si sigurimi i mjedisit dhe ruajtja e nëntokës.

Ky projekt zhvillimi i zgjedhur nga investitorët, normalisht është paraqitur në Këshillin Tekniko-Shkencor të Kompanisë “Albpetrol”, i cili pas miratimit, e ka kaluar për shqyrtim në Këshillin Mbikëqyrës të Kompanisë i cili pasi e ka shqyrtuar teknikisht dhe ekonomikisht, e ka miratuar dhe e ka përcjellë në Drejtorinë përkatëse të ish Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Këtu, përfundon shqyrtimi teknik dhe fillon vendimmarrja, e cila duke u mbështetur mbi vendimet paraardhëse, sheh kryesisht anën e efektivitetit financiar dhe bën miratimin përfundimtar.

Nuk jam i bindur që përgatitja e Këshillit Tekniko-Shkencor në kompaninë “Albpetrol” ka qenë në nivelin më të lartë të mundshëm. Jam plotësisht i bindur se anëtarët militantë partie të Këshillit Mbikëqyrës në kompaninë në fjalë nuk kanë qenë të aftë për të marrë një vendim të bazuar. E njëjta situatë ka qenë edhe me specialistët jashtë fushe e militantë partie, që kanë mbuluar sektorin e hidrokarbureve në ish METE. Këto hallka, kanë qenë të pa afta për të formuluar një kontratë sa më efektive në favor të vendit. Për fat të keq, kjo ka ndodhur edhe me oponentët e Fakultetit të Gjeologjisë, të cilët patën rastin të përfaqësojnë te të huajt, nivelin bashkëkohor të specialistëve dhe punonjësve shkencorë e mësimorë të naftës. Dhe ky, është problem madhor më vete.

Së katërti: të paktën vetëm njëri nga mësimet që duhet të nxirren nga çfarë kaloi dhe që nuk kushton asnjë qindarkë investim, por që siguron të mos ndodhin më dukuri të tilla është: Që organet që vendosin, të heqin dorë nga emërimet me prapavijë politike, gjoja për të qenë më të sigurt dhe sidomos atje ku prodhohet, atje ku përgatiten politikat e zhvillimit të ekonomisë e sidomos naftës, atje ku duhen analizuar, kontrolluar dhe rekomanduar zhvillimet e mëtejshme, siç do ishte Instituti i Gjeoshkencave pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, por që nuk ka asnjë njësi të tillë, apo që merr pedagogë krejt jashtë fushës së naftës për të përgatitur specialistë nafte, në Fakultetin përkatës etj.

Akademia e Shkencave, megjithëse me një emër të madh, por edhe me një njësi të posaçme të “Projekteve të Kërkimit & Zhvillimit të Teknologjive & Informacionit”, në anëtarësinë e vet dhe të kandidatëve akademikë, ka me shumicë matematikanë, arkeologë, historianë, kimistë dhe fizikanë, por jo nga ata që kanë kontribute dhe që mund të kontribuojnë ende edhe në shkencën origjinale të gjeologjisë së vendit e që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin dhe mirëqenien e popullsisë. Kjo përbërje e akademikëve e ka lënë këtë institucion, jashtë problemeve madhore që ka vendi. (Shih raportin  e veprimtarisë dhe përbërjen e Akademikëve për vitin 2012 në Internet). Akademikët dhe kandidatët akademikë aktualë secili individualisht, e konsiderojnë, të kryer detyrën për fushën përkatëse të tyre, dhe deri tani, ndonjëherë i ka bashkuar vetëm ndonjë thirrje e karakterit politik.

 

Nga kjo akademi, duhet të marrin nismën dhe argumentet gjithë programet dhe rekomandimet për një zhvillim intensiv në të gjitha fushat potenciale, për të cilin ka nevojë të ngutshme vendi dhe nga duhet të kthejnë sytë dhe vëmendjen edhe partitë, qeveritë apo gjithë intelektualët. Sipas mendimit tim, kjo do të ishte rruga që ato programe e rekomandime të formuluara nga Akademikët e të përvetësuara nga partitë dhe qeveritë, të bëhen të besueshme dhe mobilizuese për tërë masën e popullit dhe intelektualët e tij. 

Duke mos qenë kështu, janë të pritshme edhe ndodhi e ngjarje të tilla të hidhura dhe me pasoja për njerëzit dhe ekonominë.

Prof. Dr. Gjergji FOTO January 30, 2014 22:54
Komento

2 Komente

  1. raimondi Vlonjati February 3, 02:30

    Ky thot diku aty, qe ne jemi me fat qe na kane ardhur (dhe na vjedhin ) keta kanadezet meqense keta na qenkan ne pararoje te kerkimeve te naftes …dhe na duhet te jemi mirenjohes ketyre kanadezeve qe na i marin naften qyl fare, dhe ne na thone qe dalin me humbje ndaj duhet qe pervec naftes qe ata na vjedhin
    duhet edhe tu paguajme humbjet atyre,
    plus qe ata po na shkaterojne shtepite e qytetareve, dhe jeten e njerezve tane atje –Kete fakt te fundit ky specialisti na e justifkon qe po ndodhka edhe per shkak te 50 vjeteve te shkuara ..

    Lexojeni letren e ketij specialisti dhe te kuptoni arsyen e vertete perse ne nuk duhet t el ejojme koncesione

    Ketij specialisti nuk i vjen keq fare qe per shkak te kesaj kompanie jane pushuar me dhjetra kolege te tij nga pune

    Kjo kompani para 2 vjetesh fitoi 500 milion dollare dhe Shqieprise i dha vetem 5 milion dollare , dhe kerkonte qe ti paguanin humbjet , se gjassme kish dale me humbje kanadezi

    Nqs ne nuk i ndjekim keto kompani qe po na vjedhin ne mes te dites dhe po na shkaterojne mireqenien e njerezve tane
    atehere ne nuk e meritojme te quehmi njeres –Jemi tamam zvaranike, sic eshte ky qe ka bere kete shkrim ketu, dhe nuk meritojme te kemi shtet

    C’eshte ky shtet shqitpar qe ja vjedhin pasurite nentokes ne mes te dites dhe shteti nuk reagon aspak?

    Kjo kompani kandeze eshte nje kompani bastarte dhe sic duket i ka drejutesit e saj tamam felliqsira , qe nuk ju ruhet fare per vendin ku ata pasurohen ..

    Nuk dua te futem fare tek justifikimet bajate qe ben ky i shkrimit ne lidhje me ato termetet e vogla

    Por do ju them nje kuriozitet nga USA

    Ketu ne USA , ne nje ndeshje futbolli per shkak te zhurmes qe benin tifozet me kembet e tyre dhe me duartokitjet u prodhua nje termet 2 balle

    Televizionet amerikane e dhane kete fakt me alarm dhe specialsitet u shqetesuan ne lidhje me kete termet te prodhuar artificalisht ….
    ndersa ne na ndodhin termete 3 balle e me shume dite per dite dhe asksuh nuk e ruan

    Ndersa aty krijohen termete 3 balle here pas here, dhe askush nuk merakoset , por del ndonje si puna e ketij qe ka bere shkrimin per te na e justifikuar kete gjeme qe na ben firma kandeze

    Gjate kohes se Enverit une kam pas shoke inxhinjere qe punonin ne nxjerjen e naftes ne Vllahine dhe Gorisht–dhe asnjehere nuk i kam degjuar ata , por edhe nuk kemi degjuar atehere qe nga nxjerja e naftes te prodhoheshin termete , sic mundohet ti justifikoje ky “specia ..listi”
    Merte pusi flake nga pakujesia per shkak te gazit, por jo te kishte termete
    Megjtihate une do i marr ne telefon ata dhe te me thone si eshte problemi ne te vertete -Porse sic thashe nuk kemi degjuar ne kohe te para 1990-es , te prodhoheshin termete nga nxjerja e naftes,
    sic ben kjo firma “:trimereshe” , kanadeze, sipas ketij species se shkrimit

    Ato termete qe krijohen atje, mund te shkaktojne ndonje temret me te madh dhe ne ndonje boshllek qe mund te kete zona atje ,
    te shkaktoje fundosje te madhe dhe tu beje gjemen popullates qe banon ne ate zone

    Nejse, ne fakt flasim kot, se ne nuk kemi , mire shtet, por as media dhe shoqeri civile qe te ngrihen ne proteste dhe te kerkojne largimin Urgjentisht te kesaj frime bastarde

    Ne kemi nje media vizive dhe te shkruar qe jane besnike te partive te tyre –Jane totalisht ne sherbim te partive dhe jo te popullit ,
    kur keta palaco parate i bejne nga populli qe i lexon , jo nga politika

    Po ashtu ato organizatat e shoqerise civile jane kot fare, dhe nuke ebjne punen e tyre
    Ai Sazan Guri me Kajsine nuk ndjehen me , se aq tru kane dhe akoma me pak kane moral..

    Keshtu qe , pasurite tona natyrore , me keta intelektuale dhe drejtues qe kemi ne media e ne politike ,
    jane kthyer ne fatkeqsine tone

    Nderkaq ju ketu ne gazete jepni shembullin qe beri ne Norvegji ai Ing Iraken–Por ai nuk beri gje tjeter,
    vecse i beri shteterore ndemrarjet e nxjerjes se naftes–Keshtu ti bejme edhe ne

    Nqs duhet teknologji e perparuar ,shteti le ta bleje teknologjine e perparuar, sepse nga shitja e naftes i shlyen ato leke
    Edhe po te te duhet ndonje inxhinjer i afte shume, E mer nje te huaj dhe e puneson ne ndermarjen tende shteterore te naftes –I jep atij nje roge dyfish qe ai mer ne vendin e tij , dhe ai punon per ty…

    Por jo te japesh gjithe pasruine tende te naftes ta shfrytezoje i huaji, dhe ti te maresh nje takse te saj
    Kjo eshte njelloj si nje individ te shesi shtepine e tij dhe pastaj te jetoje me qera ne po ate shtepi te tij
    Kete e ben vetem nje budalla…..Besoj se ne kete menyre eshte sjelle edhe shteti jone keto 23 vjet

    Reply to this comment
  2. nje i interesuar March 13, 10:44

    zoti (te themi) raimondi Vlonjati! kam pershtypjen se je ngutur shume ne gjykimin tend lidhur me problemet qe ngrihen ne artikullin e mesiperm. sado te jene rezervat dhe pasurite e nentokes, vete vendi yne, nuk mund t’i vere ne shfrytezim per shkak te kostos teper te larte dhe sidomos teknikave dhe teknologjive bashkekohore, te cilat asnjehere nuk mund te behen prone e shtetit tone. e vetmja rruge, eshte investimi i te huajve (te pasur) dhe ndarja e prodhimit te siguruar me vendin tone. do te ishim shume te lumtur qe ata (te huajt) te “zbarkonin” ne vendin tone, me investimet dhe teknologjine e tyre dhe te benin sa me shume zbulime jo vetem per naften por edhe per te gjitha burimet potenciale qe i ka falur natyra vendit tone por qe ne nuk mund t’i veme teresisht ne pune. se cfare nuk kemi bere mire gjate ketyre dy dekadave dhe se cfare duhet te bejme per ti shfrytezuar e perfituar nga to, vazhdo leximin e artikullit qe megjith problemet e shumta qe ka evidentuar eshte i moderuar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*