Si duhet të jetë piramida e ushqimit gjatë shtatzanisë

August 11, 2017 22:34

Si duhet të jetë piramida e ushqimit gjatë shtatzanisë

Pranvera Kola

Përzgjedhja e duhur e ushqimeve që duhen konsumuar gjatë përditshmërisë është një ndër këshillat bazë, për të cilën duhet të kujdeset çdo grua gjatë ndjekjes së shtatzanisë. Madje ku kujdes duhet të nisë që para konceptimit të një shtatzanie të mundshme. Dihet tashmë se kequshqyerja sjell dëmtime të shumta jo vetëm në zhvillimin e fetusit, por edhe për shëndetin e nënës. Kequshqyerja tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël është një faktor kyç që ndikon në sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë foshnjore, si dhe në performancën e individëve në shkollë dhe punë. Përveç këtyre, kequshqyerja mund të çojë në: “Ulje të imunitetit, rritje të mundësisë për t’u sëmurur, sëmundje të dhëmbëve, ulje të prodhimtarisë dhe përqendrimit në shkollë, shfaqjen e sëmundjeve të zemrës, kancer, diabet, mbipeshë, etj, me rritjen e fëmijës deri në moshë të rritur. Në udhëzuesin e përgatitur nga ekspertët e dikasterit të shëndetësisë për praktikat e shëndetshme të ushqyerjes gjatë shtatzanisë, sqarohet se kequshqyerja përfshin si rastet e nën-ushqyerjes, ashtu edhe ato të mbi-ushqyerjen. E para ka të bëjë një gjendje e shkaktuar nga mungesa e lëndëve ushqyese dhe energjisë që merren nga ushqimet, dhe ndahet më tej sipas llojit të lëndës ushqyese që mungon, për shembull kequshqyerja nga mungesa e jodit, hekurit, etj. Kur një grua shtatzënë është e nënushqyer, ose kur një fëmijë ekspozohet ndaj këtij fenomeni gjatë dy viteve të para të jetës, rritja dhe zhvillimi i fetusit dhe i fëmijës ngadalësohen, duke dhënë dëme të pakthyeshme mendore dhe fizike. Po sipas këtij udhëzuesi, gratë shtatzëna me kequshqyerje kanë gjithashtu rrezikshmëri më të lartë për të dështuar, për lindur një foshnjë me peshë të vogël lindjeje. Pas 2 viteve të para të lindjes, nën-ushqyerja do të shkaktojë dëmtime të pakthyeshme për zhvillimin drejt moshës së rritur. Ndaj mjekët thonë se është shumë e rëndësishme që fëmijët, që në moshë shumë të vogël të mësojnë zakonet e shëndetshme të ushqyerjes dhe që prindërit e tyre të kenë informacionin dhe aftësinë të bëjnë zgjedhjet e duhura ushqimore për fëmijët e tyre. Po ashtu, dëmtime të shumta shkaktohen edhe nga mbi-ushqyerja, e cila është një gjendje e shkaktuar nga ngrënia e tepërt e ushqimeve të pasura me energji, ose lëndëve të tjera ushqyese, në kushtet e mungesës së aktivitetit fizik.

Si duhet të jetë kujdesi për ushqimin gjatë shtatzanisë

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar piramidën e ushqimeve që duhet të konsumojë një grua gjatë shtatzënisë, për të shmangur të gjitha ndërlikimet që mund t’i shfaqen asaj, si dhe fëmijës. “Piramida ushqimore e gruas shtatzënë” përshkruan llojet e ushqimeve dhe një sërë racionesh që gratë shtatzëna duhet të marrin nga secili grup ushqimi. Duke ndjekur piramidën një grua do të marrë lëndët ushqyese të tjera që ajo ka nevojë për vete dhe foshnjën e saj të ardhshme. Për secilin grup tregohet sasia e porcioneve që çdo njeri duhet të hajë nga ky grup. Në bazë të piramidës përcaktohen ushqimet që mundet të përdoren më lehtë dhe më shpesh, ndërsa në majë të saj janë vendosur ato ushqime që është më mirë të kufizohen, ose të merren në sasi të pakët. Referuar këtij përcaktimi, gratë shtatzëna duhet të mënjanojnë, ngrënien e djathërave të shkrirë,mishit të gjallë, vezës së pa-gatuar, etj, të cilat ndodhen në majë të piramidës.

Llogaritja e kalorive

Gratë shtatzëna, tek të cilat nevojat për kalori janë të ulëta, ose mesatare (të tilla, si gratë që nuk janë fizikisht aktive) duhet të hanë sipas pjesës së fundit të kufirit të racioneve. Për shembull nëse thuhet 2-4 racione, ato duhet të marrin 2 të tilla. Ndërsa femrat tek të cilat nevojat për kalori janë më të larta, ose janë me peshë më të ulët, siç janë  gratë që janë fizikisht aktive, duhet të zgjedhin më shumë racione nga grupet e ushqimit. Po sipas rekomandimeve të detajuara në udhëzuesin përkatës, gratë shtatzëna nën moshën 24 vjeç kanë nevoja pak më të mëdha ushqyese se gratë mbi këtë moshë. Gratë shtatzëna nën moshën 24 vjeç duhet të marrin 4 racione të ushqimeve nga grupi i produkteve të qumështit për të marrë kalciumin që kanë nevojë për rritjen e kockave. Piramida e grupeve ushqimore për gruan shtatzënë rekomandon një shtesë prej dy, ose tre racionesh nga grupet ushqimore nga çdo grup ushqimi. Femrat mund të zgjedhin ushqime nga çdo grup ushqimi bazuar në ato që u pëlqen të hanë.

Sasia e ushqimit shtesë

Sasia e ushqimit shtesë në përgjithësi është e barabartë me një vakt zemër shtesë, ose një vakt të vogël. Gratë shtatzëna duhet të zgjedhin ushqime të pasura në kalori nga të gjitha grupet e ushqimeve për të marrë kaloritë e tyre shtesë. Në vijim janë shembujt e ushqimeve shtesë, ose zemër që mund të shtohen në një vakt që mund të jetë:“Të marrin një shtesë në mëngjes me fruta, kos dhe një racion shtesë të perimeve me darkën, të marrin një gotë shtesë me qumësht në drekë dhe darkë, të marrin një shtesë pasdite, ose në darkë me drithëra integrale dhe fruta të thata (arra), ose fara kungulli, lule dielli, etj), të marrin një shtesë zemër paradite me një gjysmë sandviçi, ose tosti me bukë të zezë, me djathë dhe një gotë të vogël me 100 për qind lëng portokalli, të marrin një shtesë zemër pasdite me mish, apo peshk dhe një copë të

vogël pice”. Zgjedhja varet prej tyre.

Nevojat për kalcium

Pavarësisht nga kërkesat e larta për kalcium për rritjen e fëmijës, nuk është e nevojshme që të rritet marrja e kalciumit tek gratë shtatzana. Nevoja ditore e kalciumit sigurohet nga marrja e 2-3 porcioneve të përditshme të disa prej ushqimeve të mëposhtme: “Qumësht 200 ml që është një gotë, 25 gram djathë, 120-150 gram kos, tofu që është zëvendësues i djathit për gratë me probleme të laktozës deri në 50, qumësht soje i pasur me kalcium 200 ml. Adoleshentet shtatzëna kanë nevoja më të larta për kalcium, pasi ato nuk e kanë arritur rritjen maksimale të masës kockore. Adoleshentet duhet të nxiten që të hanë të paktën 3 porcione në ditë ushqime të pasura me kalcium.

Ndikimi i ushqyerjes së varfër në shtatzani

Ushqyerja e varfër gjatë shtatzënisë ka lidhje me rrezikun e lartë të lindjes së fëmijëve me peshë të vogël. Sipas studimeve të kryera në këtë drejtim, lidhja midis peshës së vogël dhe vdekshmërisë foshnjore mbetet e fortë nëse ato mbijetojnë, dhe fëmijët me peshë të vogël vuajnë nga një rrezik më i madh për sëmundje të fëmijërisë, të tilla si: dëmtim të dëgjimit dhe shikimit, vonesa në zhvillimet e neuronit-zhvillimin mendor, dhe çrregullime të sjelljes. Disa studime të tjera të kryera tek fëmijët e moshës shkollore, të cilët kanë pasur peshë të ulët në lindje kanë treguar një zhvillim të pakët në lidhje me aftësitë sociale dhe gjuhësore, probleme të shumta me sjelljen, vëmendjen, dhe aftësi të ulëta njohëse, teste inteligjence dhe arritje akademike të ulëta

 

Si të lehtësoni të përzierat dhe të vjellat

Të përzierat dhe të vjellat janë dukuri të zakonshme në fillimin e shtatzënisë deri në javën e 14-15 të saj. Të përzierat mendohet se shkaktohen nga ndryshimet hormonale të shtatzënisë, dhe mund të shkaktohen nga ushqime të caktuara dhe aromat. Ato mund të shkaktohet nga uria dhe kur stomaku është bosh. Gratë me të vjella të shumta duhet të informohen dhe

duhet drejtohen tek personeli që ndjek shtatzëninë e tyre, pasi mund të kenë rrezik edhe për dehidratim. Në rastet kur gruaja shtatzënë ka të vjella të shumta mbi 10-15 herë në ditë dhe

të zgjatura, mjekët thonë se ajo duhet të referohet detyrimisht që të marrë trajtim spitalor. Në vijim të shkrimit gjenden të detajuara disa këshilla se si mund të veproni për të lehtësuar gjendjen shëndetësore në rastet kur keni të bëni me të vjella të shumta.

  • Këshillohet ushqyerje të shpeshta në sasi të vogël, me interval çdo dy orë duke përfshirë dhe kohën para gjumit, ose gjatë gjithë ditës. Këtu duhet të përfshini: frutat, ose ushqime me amidon, drithëra integrale, ushqime të tjera që mund të ndihmojnë, siç janë buka, tosti, biskotat e thjeshta, drithërat integrale, etj.
  • Mënjanoni marrjen e tepërt të lëngjeve veçanërisht në mëngjes dhe me stomakun bosh. Lëngjet duhet të pihen midis vakteve dhe jo gjatë vaktit të ngrënies, e nuk duhet të jenë shumë të nxehta.
  • Ngritja në mëngjes duhet të bëhet me ngadalë nga shtrati, jo menjëherë. Sapo të zgjoheni,
  • gjithashtu mund të hani në shtrat edhe një biskotë, apo një fetë bukë të thekur.
  • Duhet të konsumoni ushqime të thata, si: biskota, bukë e thekur dhe të mënjanoni ushqimet pikante, me yndyrë, të skuqurat, etj.
  • Këshillohet mënjanimin e larjes së dhëmbëve menjëherë mbas zgjimit (futja e sendeve
  • në gojë mund të shkaktojë nausea).
  • Mos neglizhoni marrjen e vitaminave të grupit B, sidomos B.6, si shtesë sepse mund të lehtësojë ndjenjën e përzierjes.
  • Duhet të merrni më shumë ushqime me përmbajtje karbohidratesh (buka, orizi, patate) dhe më pak ushqime me yndyrë.
  • Nuk duhet të lini pas dore ngrënien e ushqimeve ndërmjet vakteve zemër të cilat përfshijnë gjëra të vogla, ose gatime të preferuara.

Si mund të lehtësohen simptomat e konstipacionit

Konstipacioni, ose siç njihet ndryshe në gjuhën e përditshme “kapsllëku”, është një problem pak a shumë i shpeshtë që zakonisht vërehet që në fillim të shtatzënisë dhe më tej mund të pakësohet. Kapsllëku që takohet gjatë shtatzënisë është me origjinë hormonale. Rritja e nivelit të progresteronit ndikon në pakësimin e lëvizjes së zorrëve. Gjithashtu me ecurinë e shtatzënisë, rritet uterusi që fillon të ushtroj një shtypje mbi zorrët dhe mund të shtoj edhe më shumë kapsllëkun. Po kështu, kapsllëku mund të ndikohet edhe nga marrja e hekurit gjatë shtatzënisë. Arsye të tjera të mundshme, mund të jenë marrje e pakët e fibrave me ushqime, pakësimi i aktivitetit fizik, rritja e thithjes të ujit në zorrë, stresi dhe ankthi. Rreth 35-40 për qind e të gjitha grave shtatzëna vuajnë nga konstipacioni. Për të shmangur krijimin e konstipacionit gruaja shtatzanë duhet të shtojë konsumin e fibrave ushqimore, për këtë arsye duhen marrë rregullisht çdo ditë drithëra, patate, e bishtaja, të konsumohen më shumë fruta dhe zarzavateve me ngjyrë të gjelbër, të merren drithëra që kanë fibra, si: buka e zezë, makarona, orizi, etj. Të tjera këshilla që ndihmojnë në këtë drejtim janë edhe mënjanimi I përdorimit të shumtë të orizit, çokollatës, bananes kur ka kapsllëk, të shtohet marrja e lëngjeve. Fibrat ushqimore thithin ujin në zorrë dhe fryhen. Për këtë arsye duhet të pihet ujë gjatë ditës (rreth 2 litra në ditë)për të mënjanuar çrregullimet e tretjes. Gjithashtu duhet të lëvizni më shumë. Një gjimnastikë e përshtatshme ndihmon punën e zorrëve. Rekomandohen ushtrime të lehta për tonizimin e muskujve. Veçanërisht të efektshme në rast kapsllëku janë frutat e thata, si: kumbullat e thata (fiqtë, kajsitë) të cilat këshillohet të lihen në ujë 1 orë përpara së të përdoren. Nuk këshillohet që të veproni me marrjen e barnave që lehtësojnë jashtëqitjen.

August 11, 2017 22:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*