Si i ngjiti shkallët presidenti, katër miqtë e Metës rrëfejnë të fshehtat e tij

August 12, 2017 19:35

Si i ngjiti shkallët presidenti, katër miqtë e Metës rrëfejnë të fshehtat e tij

Më poshtë, mund të “njihni” Presidentin Ilir Meta, rrëfyer prej katër miqve të tij të kohëve të shkuara: Ilir Zela, Haki Morina, Luan Hajdaraga dhe Koço Danaj, në një rrëfim për revistën “Mapo”.

“U nisëm drejt Poliçanit bashkë me Ilirin. U ndeshëm në dhjetra postblloqe policie sepse ishte një situatë shumë e rënduar pas protestës së Poliçanit. Njerëzit atje ishin në mungesë informacioni dhe kishin nevojë medoemos ta shihnin fizikisht Ilir Metën, për t’u bindur se nuk i kishte ndodhur asgjë veçse PD kishte vendosur ta linte pa imunitet. Padyshim e pritën si hero dhe aty në atë udhëtim kam parë se si një djalë i ri si ai, i kishte të gjitha tiparet e një burri të fortë në politikë”, e rrëfen kështu përvojën e tij të parë me Ilir Metën, Luan Hajdaraga, një prej bashkëpunëtorëve e miqve të tij më të ngushtë në PS, prej fillimeve e deri sa u largua nga kjo parti.

Për të rrëfyer se sa e madhe ishte pesha politike që kishte fituar i riu, Ilir Meta, Luan Hajdaraga, rrëfen një histori interesante.

“Isha në kafe me Ilirin dhe më pas erdhi e na u bashkua edhe bashkëshortja ime. Nuk e njihte Ilirin, kishte dëgjuar shumë për të por nuk ishte nga ato tipat që shihte shumë televizor e aq më pak politikë. Nuk ishte takuar me Ilirin e as e kishte parë në televizor. Kur u ul në tavolinë e prezantova dhe i thashë ky është Ilir Meta… pati një reagim befasues… ‘pse mo ky është Ilir Meta.. po ky qenka kalama…”, d.m.th. pesha politike e Ilir Metës ishte shumë më e madhe se sa tregonte pamja e tij prej të riu”, rrëfen Hajdaraga.

Fillimtarët…

I pari ishte Ilir Zela, një student dhjetori që kishte marrë nismën për krijimin e forumit rinor të socialistëve, që do të quhej FRESSH, (Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë).

“Ka ndodhur në shtator 1991. Asokohe Fatos Nano kishte pak muaj që ishte zgjedhur Kryetar i PSSH në kongresin e “mitrës së përgjakur” siç e ka thëne Dritëroi. PD u largua nga idealet e lëvizjes së dhjetorit dhe protagonistët e tij dhe unë isha i prirur t’i besoja përpjekjet e Fatosit, Dritëroit dhe të tjerëve për një të majtë të re në Shqipërinë që nuk mund të bëhej vetiu si Europa, por duhet ta bënim ne të tillë”, kështu kishte vendosur Ilir Zela t’i largohej lëvizjes së dhjetorit për të themeluar FRESSH, i sugjestionuar nga Fatos Nano..

Një vizitë e Fatos Nanos kryetar i PS-së së paragjykuar, në Qytetin Studenti do të ishte lajm për kohën. Ishte si sfidë që i bëhej dhjetoristëve. Atje nisi edhe organizimi i FRESSH-it të Tiranës ku do të shfaqej Ilir Meta. “Kur erdhi momenti që të propozoheshin personat për grupin përgjegjës për organizimin e degës së Tiranës, Arjan Kokoshi më dërgoi një shënim dhe më thoshte se mendonte se duhet të përfshija personin që ishte i teti nga e majta, i cili kishte folur në takim. Kështu u përfshi Ilir Meta në këtë grup ku bënte pjese edhe Monika dhe 6 persona të tjerë. Në takimin kombëtar që mbajtëm më datë 15 janar 1992, unë e propozova Ilir Metën për nënkryetar të FRESSH por ai mendonte qe Maksim Caslli të behej Nënkryetar dhe Iliri të ishte në Kryesinë e FRESSH”, kështu e kujton Ilir Zela, takimin e parë me Ilir Metën.

Kosovari që pikasi talentin politik të Ilir Metës

Historia ka ndryshuar për mirë në fund të shekullit që shkoi. Të rinjtë që do të udhëhiqnin të majtën e re shqiptare, nuk do të asistoheshin më nga një serb si Miladin Popoviçi i vitit 1944, i cili ndihmonte të riun komunist Enver Hoxha, për të hedhur themelet e diktaturës. Në fillim të viteve ’90 ishin kosovarët që e ndikuan politikën e re shqiptare postkomuniste. Një ndër ta është kosovari Haki Morina, i riu nga Klina që u bë aktiv në zhvillimet e para të FRESSH në vitet 1991-1992. Është detaj mjaft interesant që ndërthuret me fillimet politike të Ilir Metës. Ishte detyruar të largohej nga Kosova për të shmangur burgosjen nga policia serbe. Kishte mbërritur në Shqipëri përmes maleve të thepisura të Tropojës! Ishte një ndër të rinjtë kosovar të aktivizuar në lëvizjet politike në Kosovë.

Kishte simpatizuar Marksin e Enverin por kur erdhi në Shqipëri, i kishte hedhur tutje për të përqafuar idetë socialdemokrate. U ndodh në Shqipërinë e vitit 1990 dhe ëndrra e tij ishte të bashkonte idealet kombëtare me ato socialdemokrate. Kjo ëndërr e Hakiut gjeti “konak” në selinë e rëndë të ish-KQ të PPSH.

“Pas ardhjes në Shqipëri, u drejtova në zyrat e PS-së së sapokrijuar, ku kërkova mbështetjen e kësaj partie, për të formuar një mekanizëm rinor, prosocialist! Natyrisht, që unë zotëroja, njohje bazë të teknikës organizative, për shkak të veprimtarisë së mëparshme politike në Kosovë!”. Atje pikasi si të ndryshëm ndër të tjerë, Ilir Metën.

“Tek Ilir Meta, më intrigoi më së shumti, qetësia e tij në komunikim! Pastaj potenciali intelektual dhe ekuilibri në vlerësimin e situatave politike, që po kalonte atëherë Shqipëria! Natyrisht, edhe fakti që ai ishte njëri nga përfaqësuesit e zgjedhur nga rinia studentore, në kërkesat politike që u shtruan gjatë procesit të përmbysjes së diktaturës komuniste! Mund të them lirishte se, si rrallëkush, atë e karakterizonte qetësia mahnitëse dhe mendimi i gdhendur politik, pa asnjë lloj ekstremizmi, në raport me ashpërsinë e madhe politike, që e sundonte në atë kohë shoqërinë shqiptare! Por, ajo çka e veçonte më së shumti, ishte fakti se kërkonte vazhdimisht përvojën time politike dhe rekomandimet, i vlerësonte dhe analizonte seriozisht, gjë që kjo, nuk ndodhte me të tjerët! Dua të them se, Ilir Meta, nuk ishte rast i shpeshtë, në atë kohë!”, rrëfen Morina. 

Kryeministri

“Të gjithë e këshilluam të mos shkojë në Tropojë sepse situata ishte e tensionuar. Por ai vendosi vetë dhe shkoi në Tropojë dhe atje pastaj është ajo shprehja e tij që ka mbetur në kujtesën politike: unë po ju drejtohem juve si burri-burrit, si Riza Cerova Bajram Currit. Pas kësaj pasoi heshtja dhe ra tensioni. Ishte viti 2000 dhe Meta ishte kryeministër”, rrëfen Koço Danaj, këshilltari dhe bashkëpunëtori i Ilir Metës për disa vite.

E ka parë Ilir Metën tek merrte vendime të rëndësishme dhe zgjedh të rrëfejë një pjesë të historisë së Metës si kryeministër, rolin në kryengritjen që shpërtheu në Maqedoni në vitin 2001.

“Në qoftë se p.sh., Robert Frouik, që ishte asokohe ambasador në OSBE, ka rolin kryesor, Ali Ahmeti në atë kohë me pseudonimin Abaz Xhuka, kishte rol kryesor, Arbën Xhaferri kishte rol kryesor, por një rol shumë kryesor kishte Ilir Meta, i cili për herë të parë bashkoi në Tiranë të gjithë faktorin politik shqiptar nga Kosova në Maqedoni.

Ilir Meta thirri në Tiranë Partinë e Prosperitetit demokratik, PDK e Arbën Xhaferrit, PDK e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ajo që është më kryesorja organizoi dhe bashkoi në të vetëm krahun e luftës me krahun e paqes. Thirri dhe i takoi me njëri-tjetrin Arbën Xhaferrin dhe Ali Ahmetin. Shmangu ato fërkime që ndodhën në Kosovë kur ishte lufta e UÇK-së. Shkoi deri atje sa dolën në një deklaratë të përbashkët, gjë që çoi në një vizitë shumë të rëndësishme në SHBA, ku u takua me personalitetet më të rëndësishme dhe më kryesori me presidentin e zgjedhur vetëm 100 ditë më herët, Xhorxh W Bush”, rrëfen Koço Danaj.

Presidenti

Askush më mirë se sa bashkëkohësit e tij të fillimeve nuk mund t’ia përcaktojë profilin politik, sot pas 25 vitesh intensive politikanit Ilir Meta.

Në presidencë është strehuar karriera “e rëndë” e Ilir Metës, siç e quan mentori i tij i fillimeve, Haki Morina. “Karriera politike e Ilir Metës, është karrierë e rëndë, e realizuar në rrethana të vështira politike dhe ekonomike, në rrethana të humbjes së referencave morale, ku e mira dhe e keqja, asnjëherë nuk ishin më të “vëllazëruara”, të mos them

aq defensive, sa nganjëherë dukej sikur kishte vdekur tërësisht! Ilir Meta, mund të themi, pa asnjë hezitim, se shkëlqeu në horizontin shqiptar, dhe kontributi i tij, pa diskutim, është kontribut historik!”.

“Një njeri i cili iu fut politikës fillimisht me institutin dhe idealizimin për një vend sa më demokratik dhe sa më të zhvilluar që më vonë i kaloi nga instinkt në botëkuptim dhe koncept politik e që vazhdon edhe sot në vijimësi”, e përshkruan kështu Koço Danaj.

Luan Hajdaraga e veçon si karriera fenomenale, për rrugën që ka ndjekur duke ndalur në çdo stacion, deri te ky i fundit, presidenca. “Një personalitet politik në një kohë të shkurtër që i jepen të gjithë gurët kilometrikë, deputet ministër, kryeministër dhe president. Është i vetmi personalitet që ka përshkuar të gjitha këto stacione në një kohë kaq të shkurtër. Presidenca është stacioni i fundit. Do t’i këshilloja që në këtë stacion të fundit t’i përmbahej shprehjes së tij tipike “me qetësi dhe dashuri”. Kam përshtypjen se kohët e fundit e ka humbur qetësinë dhe duhet ta rivendosë atë”.

Ndërsa FRESSH-isti i parë, Ilir Zela, veçon eficiencën në funksion të karrierës personale dhe pragmatizmin e Ilir Metës, por edhe bindjes se do të dalë mbi “veset” e tij për të realizuar në mënyrë të shkëlqyer detyrën e presidentit: “Meta për mua është politikani më eficient sa u takon arritjeve personale në karriere, është ndëshkuesi i lidhjeve të kastës së PPSH dhe përzierjes së saj ne zhvillimet e pas ‘90-ës, është mbijetuesi i përpjekjeve për eliminimin politik të tij dhe njëkohësisht një person pragmatist që shpeshherë harron miqësitë kur nuk i përdor dot politikisht në funksion të qëllimeve të tij. Mendoj se do të arrijë të kapitalizojë mbi këto cilësi për të kryer në mënyrë të shkëlqyeshme detyrën e kryetarit të shtetit”.

Nga Luljeta Progni, Revista Mapo

August 12, 2017 19:35
Komento

2 Komente

  1. 3milion koke palaret August 12, 20:10

    Kur do jape doreheqje para se te shkoje per lesh nga bvetting_u

    Reply to this comment
  2. MH August 12, 20:16

    Ne fakt politikani ma i arritshem deri me sot e kam vlersue dhe ma pare, keti mendi jam dhe sot.
    Iliri ka nji te met qe rregjistrimi ne videon e Priftit mbetet nji shenje teper negative per shperdorim detyret ne interres xhepit.Sikur kjo te mos ekzistonte Ai do ishte asi i politikes shqiptare.
    Ne kohen e cadrizmit Basha punonte brenda.Iliri punonte jasht.Pikrisht se kishte detyrime ndaj Berishes njikohesisht dhe friken nga vettingu per levizje buzesh ne videon e Priftit.”Ndera” e Berishes per kete detyrim qe kishte Meta.Berisha ma shume donte pushtetin se sa Meten.Ndaj bani cdo perpjekje nen rrogoze qe te mbahesh koalicioni me LSI per te mos ra qeveria dhe per te kalue ne zgjedhje te parakoheshme ku me garanci mbi 100 % do fitonte bindshem e majta socialiste.
    Ju faleminderit !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*