Ja si lindën protestat në Venezuelë

February 28, 2014 16:21

Ja si lindën protestat në Venezuelë

Gjithçka nisi nga një përdhunim dhe tani Maduro është në telashe

Protestat në Venezuelë janë të vështira për t’u deshifruar edhe sepse qeveri dhe opozitë, të  përqendruara në sfidën për pushtet, nuk i kanë të qarta idetë se si ta nxjerrin vendin nga situata e krizës.

Në fillim të vitit ministrat venezuelianë i paraqitën dorëheqjen presidentit Nicolas Maduro në një reagim të përbashkët për vrasjen e ish-Miss Venezuelës, Monica Spear, e cila humbi jetën gjatë një grabitjeje me armë. Vdekja e saj solli gjendjen e emergjencës kombëtare mbi sigurinë dhe ekonominë. Dorëheqja në grup duhej t’i shërbente formimit të një ekzekutivi më të përshtatshëm për të përballuar tensionin që përfshiu vendin, por e kundërta ndodhi.

Venezuela ka pasur gjithnjë statistika kriminale impresionuese aq sa me 25.000 vrasjet në vit lë pas në klasifikim edhe vende si Pakistani, Afganistani dhe Iraku. Vrasësit në këtë vend jetojnë në një farë qetësie relative sepse 97% e krimeve mbeten të pazbardhura.

Ndonëse e pasur me naftë, në Venezuelë inflacioni arrin në 56% dhe monedha vendase bolivar është praktikisht e pamundur të konvertohet në dollar, situatë që ka shkaktuar mungesën e shumë të mirave të domosdoshme si buka, mielli, letra për gazetë, letra higjenike. Ndërsa linjat ajrore kërcënojnë të pezullojnë shërbimet sepse qeveria nuk iu ka paguar më shumë se 3 miliardë dollarë borxhe.

Grevat dhe protestat  e vartësve të kompanive shtetërore që me pagat e tyre nuk e ndjekin dot koston e lartë të jetesës, e kanë vënë edhe më në vështirësi qeverinë socialiste të udhëhequr nga Maduro.

Hugo Chavez nuk njihej për ndonjë zotësi të veçantë në administrim, por natyra e tij karizmatike e ka ndihmuar gjithnjë të kalojë kriza të tilla. Maduro kokëfortë nuk ka të njëjtin sharm edhe pse është treguar më pak shtypës ndaj protestave të dhunshme. Bilanci zyrtar i viktimave të tre javëve të fundit nga manifestimet anti-qeveritare është me 14 persona, por duke folur të enjten para një tubimi pro-qeveritar jashtë pallatit presidencial, presidenti deklaroi se të vdekurit janë mbi 50.

Ka një veçori në protestat venezueliane: ato janë shumë më të dukshme në rrjetet sociale nga sa janë në televizione dhe gazeta dhe ka pak vend për  krahasime me  protestat në Ukrainë.

Gjithçka filloi për një përdhunim

Nisën në qytezën San Cristobal më 4 shkurt, kur studentët zbritën në shesh duke kërkuar më shumë siguri pas grabitjes dhe përdhunimit të një studenteje brenda universitetit. Përgjigja e dhunshme e autoriteteve lokale që e shpërndanë protestën, solli manifestime solidariteti në pjesën tjetër të vendit, të shoqëruara me një fushatë të fortë në rrjetet sociale, e drejtuar kryesisht nga studentët dhe nga emigrantët, shpesh herë duke shpërndarë imazhe false të përleshjeve dhe duke gjeneruar shqetësim të madh.

Prokuroria kombëtare ka shpërndarë një tjetër bilanc prej 45 të arrestuarish, përgjegjës të dhunës së ditëve të kaluara, midis tyre tre policë dhe tre oficerë të shërbimeve sekrete (SEBIN). Këta më 12 shkurt hapën zjarr  para bashkisë së Karakasit duke vrarë dy manifestues. Tre ushtarakë të tjerë mbahen në paraburgim në Valencia të akuzuar së kanë përdorur armët duke shkaktuar të lënduar, por nuk ka arrestime në masë të civilëve, përveç faktit të ndalimit dhe më pas lirimit të dhjetëra prej tyre.

Lopez rrëmben skenën

Largimi i çavistëve – një kërkesë e mëshiruar nga opozitari Leopoldo Lopez, i cili u hodh në sulm ballor kundër qeverisë dhe u arrestua për nxitje të revoltave. Lopez me studentët e tij të Juva-s (një organizatë e djathtë që besohet të financohet nga amerikanët) ka shpërndarë manifeste të tipit “vrit një çavist”, por për shkak të ekstremizmit që reflekton mund të arrijë efektin e kundërt: shfuqizimin e protestave.

Opozita e Henrique Capriles-it kishte fituar te të djathtët shumë mbështetje, por nxitja e manifestuesve për përleshje fizike me forcat e sigurisë, ka shumë gjasa të largojë votat e atyre që mendojnë se një taktikë e tillë është sinjal se këta njerëz në pushtet mund t’i shtypin më keq masat.

Kundër Kastros

Një rast që ia vlen të citohet është ai i ish-gjeneralit Angel Vivas, që sipas akuzave kishte inkurajuar studentët të vinin në zbatim një plan  të rrezikshëm. Në krah të policisë operojnë çavistët që mobilizohen me motorë për të mbrojtur territorin e tyre. Vivas sugjeroi që studentët të lidhnin fille nëpër rrugë për të penguar kalimin e motoçiklistëve dhe në fakt për shkak të kësaj marrëzie një prej tyre humbi jetën.

Vivas dha dorëheqjen në vitin 2007 nga kreu i Departamentit të Inxhinierisë në Ministrinë e Mbrojtjes kur refuzoi një betim në stilin kuban për “atdheun, socializmin ose vdekjen”. Prej së dielës është izoluar në shtëpi dhe iu drejton thirrje ushtarakëve për revoltë, duke refuzuar të dorëzohet. Kërcënon të qëllojë këdo që do përpiqet ta kapë. Historia e këtij anti-kastristi krenar ka tërhequr vëmendjen e mediave, ndërsa jashtë shtëpisë së tij dhjetëra persona dhe policë qëndrojnë në pritje të konfrontimit final apo dorëzimit. Vetë Maduro e ftoi të dorëzohet duke thënë se askush nuk do të qëllojë mbi të për ta kthyer në martir.

Figura si ajo e Vivas e forcojnë edhe më tepër propagandën çaviste se kërkesa për zgjedhje të parakohshme (pasojë e situatës ekonomike dhe vlerësimit të ulët të Maduros si udhëheqës) është vetëm një tentativë për grusht shteti. Zbutja e protestave duke ndëshkuar përgjegjësit e dhunës dhe hapja e bursës shtetërore mund të jetë reagimi i duhur në një periudhë të shkurtër, por nuk i zgjidh problemet që kanë prodhuar situatën e krizës dhe nuk e zgjidh çështjen e sigurisë./ Dorina Gjuzi

VENEZUELA-POLITICS-OPPOSITION-PROTEST

VENEZUELA-POLITICS-OPPOSITION-PROTEST

February 28, 2014 16:21
Komento

1 Koment

  1. Davidi March 1, 09:59

    Te veshtira per tu deshifruar?!
    Po CIA?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*