Si ndikon duhanpirja në shfaqjen e kancerit të mushkërive?

March 7, 2018 20:30

Si ndikon duhanpirja në shfaqjen e kancerit të mushkërive?

Studime të shumta të kryera gjatë viteve të fundit nga strukturat e shëndetit tregojnë se duhanpirja konsiderohet si shkaku kryesor i kancerit të mushkërive, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), bëjnë me dije për “Dita” se të dhënat e raportuara nga këto studime, tregojnë se 9 nga 10 persona me kancer të mushkërive janë duhanpirës.

“Është përllogaritur se rreziku që ka një duhanpirës për të shfaqur kancer të mushkërive është 10-30 herë më i madh se rreziku i joduhanpirësve. Rreziku rritet me sasinë e cigareve që konsumohen brenda ditës dhe me kohëzgjatjen në vite. Nga ana tjetër, edhe duhanpirja pasive (qëndrimi në ambientet me tym duhani) rrit shanset me 20-30 për qind për të zhvilluar kancer të mushkërive”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së.

Ndikimi i duhanit në shfaqjen e kancerit?

Më shumë se 40 lëndë kimike që shkaktojnë kancer ndodhen në tymin e cigareve. Duhani përmban substanca kancerogjene, të cilat ndikojnë në materialin gjenetik të qelizave të ADN-së, material i cili është rregullator i funksionit të duhur të tyre. Dëmtimet e ADN-së shkaktojnë shumëfishim dhe përhapje të pakontrolluar të qelizave, ku për pasojë shfaqet kanceri. Duhanpirja e dëmton sistemin imunitar dhe mekanizmat mbrojtës bien.

Për të shmangur këto ndërlikime, ekspertët e shëndetit thonë se lënia e duhanit përmirëson reagimin e organizmit ndaj terapisë trajtuese, si për kimioterapinë, ashtu edhe për radioterapinë, si dhe redukton efektet anësore, ndërkohë që plagët kirurgjike shërohen më lehtë. Gjithashtu, rreziku i rikthimit të kancerit dhe shfaqja e një forme kanceri tjetër në organizëm ulet.

“Lënia e duhanit sigurisht është veprimi më i mirë që mund të bëhet sa i përket parandalimit të kancerit. Nëse ju lini duhanin, në çdo lloj moshe, rreziku për shfaqjen e kancerit të mushkërive reduktohet vazhdimisht me kalimin e viteve. Dhjetë vjet pas lënies së duhanit, rreziku i prekjes nga kanceri i mushkërive përgjysmohet. Kurrë nuk është vonë!”, vënë në dukje ekspertët e ISHP-së.

p.k/dita

March 7, 2018 20:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*