Si një dhuratë perëndish

June 18, 2017 00:46

Si një dhuratë perëndish

 

Lirikë-sipas A. S. Pushkinit)

Kujtoj at’ çast të paharruar,
kur ti m’u shfaqe para sysh,
gjer në detaj e pikturuar,
si një dhuratë perëndish!

Mundim e lodhe se ç’m’u tretën,
më ikën krejt si me magji,
të shtangur sytë tek ty më mbetën,
se s’kishin parë një Perëndi!

Këtë magji-këtë finesë,
këtë shkëlqim që të merr sytë,
njeriu shekuj mund të presë,
dhe s’e sheh dot për herë të dytë!

Tek një e vetme janë mbledhur,
gjithë mrekullitë e njerëzimit,
në çast kjo xhinde më ka hedhur,
poshtë-në greminë të frymëzimit!

Ti s’mund ta fshihje bukurinë,
dhe ndryshe krejt tek unë të vije,
pa u gremisur në greminë,
s’mund t’i këndosh një Perëndie!

Dhe kritizeri më i çmëndur,
tek ti nuk gjen dot një difekt,
se ti e gjitha je e gdhëndur,
se ti e gjitha je perfekt!

Të adhuroj-po nuk të dua,
kjo do të ish një marrëzi,
se mëndja s’më ka ikur mua,
të dashuroj një Perëndi!

Kur para syve ti m’u shfaqe,
krejt madhështore si kështjellë,
në shpirtin tim nuk kish më paqe,
dhe rashë në honin më të thellë!

M’u shfaqe ti e s’jam i bindur,
në ishte verë-apo vjeshtë,
po jam i bindur që s’ke lindur,
për një njeri fare të thjeshtë!

Që nga ai çast i paharruar,
kur ti m’u shfaqe si magji,
i kaloj ditët i hutuar,
e kaloj jetën në mërzi!

Se që kur gdhin e gjersa muget,
e kaloj ditën katrahurë,
përpara teje sot më duket,
çdo grua një karikaturë!

Nuk është çudi të më shikoni,
gjithnjë të vetëm si kukuth,
mbas gjithë atij nur-perfeksioni,
një tjetër femër s’mund të puth!

Vetëm një çast e ti më çmënde,
kometë që shndrite krejt papritur,
unë ëndërroj veç buzën tënde,
ndaj do të vdes krejt i zhuritur!

A. Duka

June 18, 2017 00:46
Komento

5 Komente

  1. albani June 18, 03:28

    E bukur apo me mire poezi e mahniteshme.

    Reply to this comment
  2. Guri Shyti June 18, 06:54

    T’u lumte pena Arben Duka! Qe lexuesit ta dine se nga cila poezi e Pushkinit eshte frymezuar Arbeni per te shkruar kete perle, po sjell ketu poezine origjinale te poetit te madh rus, perkthyer modestisht nga une.

    KUSHTUAR A. P. KERNIT

    Un’ sjell në mend një çast magjie,
    Kur para meje u shfaqe ti.
    Si një vegim prej Perëndie,
    Si një gjeniale bukuri.

    Midis vuajtjesh, i pashpresë,
    Në mes zhurmash pa dobi,
    Një zë i ëmbël më dha besë
    Dhe ëndërrova dashuri.

    U mpakën ëndrrat e kahershme,
    Me vitet bashkë dhe me furi.
    Harrova zërin tënd t’hareshëm
    Edhe tiparet si perri.

    I humbur si në burg të thellë,
    Unë shtyja vitet kob e zi.
    Pa Zot që frymëzim të sjellë,
    Pa lotë, pa jetë, pa dashuri.

    Por shpirti im sërish u zgjua,
    Teksa sërish m’u shfaqe ti,
    Si një vegim i pakuptuar,
    Si një gjeniale bukuri.

    Dhe zemra rreh si e panginjur,
    Se u ringjall dhe u përtri.
    Erdh’ prej hyjnisë frymëzimi,
    Me lotë, jetë dhe dashuri.
    Perkth. G. Shyti

    Reply to this comment
  3. nokdomonitci June 18, 12:36

    E shkelqyer i dashtun Arben. Vazhdon penda yte te gdhende perla poetike. Ja keto perla nuk vdesin kurre. Urime i nderuar poeti i zemrave te dashuruara. Jete te gjate!

    Reply to this comment
  4. betixho June 19, 09:00

    Interesant shume kjo poezi e Arben Dukes,nuk e di në se është një version i poezisë së A.Pushkinit për femren e bukur A.P.Kernes,i perkthyer direkt nga Arben Duka,mbasi kjo poezi eshte përkthyer me sa me kujtohet nga tre perkthyes,Kadare,Kolevica dhe Faik Ballanca dhe .me siper del edhe Shyti,apo Arbeni e merr atë subjekt per te na thene diçka tjetër. Ndoshta Arbeni do të na thotë diçka dhe ketu ben nje “piruetë” siç e ka Ai zakon,sidoqofte nese eshte perkthimi i asaj poezie ketu del me permbajtje tjeter qe nuk e kane perkthyer keshtu te tjeret.Je i madh Arben Duka,Pershendetje.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*