A po krijojnë Blushi e Bojaxhi dy parti të reja?

June 2, 2016 10:15

A po krijojnë Blushi e Bojaxhi dy parti të reja?

Deklarimi i djeshëm për media i deputetes (ende) socialiste Mimoza Hafizi, se ajo dhe kolegu Ben Blushi janë tashmë vetëm formalisht në PS dhe se po zhvillojnë takime e biseda të ngjeshura me shumë njerëz “që na kërkojnë të ndërtojmë një lëvizje të re”, ishte thjesht njoftimi i zërave që qarkullonin prej kohësh.

Po prej kohësh ishin bërë publike dhe përplasjet e Blushit me kryetarin e PS-së dhe kryeministrin Edi Rama, por zor se mund të flitej për largime apo përjashtime. Edhe pse së fundi Blushi e kërkoi me të tepërt protagonizmin mediatik, për të ekspozuar pakënaqësitë dhe kritikat e tij ndaj qeverisjes dhe Ramës, shumëkush që e ndjek jetën politike shqiptare për zanat apo për lezet, ka menduar se deputeti-shkrimtar nuk bën gjë tjetër veçse po profilizohet si kritiku dhe rivali i Ramës brenda partisë, ai që pret rradhën pasi drejtuesi aktual për një ose tjetrën arsye, të largohet.

Bathët po tregojnë se Blushi nuk paska ndërmend “të presë rradhën”. Burime për DITA-n, pohojnë se në fakt prej kohësh deputeti takon mjaft njerëz me profil publik ose më pak të tillë, tek e tek ose në grupe, për t’u kërkuar atyre mendime por edhe kontributin e mundshëm nëse një lëvizje e re politike do të vihej në jetë. Ashtu siç ka kërkuar edhe ndihmë e mbështetje nga biznesmenë të ndryshëm, që gjithnjë janë “të nevojshëm” në të tilla raste. Nëse ai mund ta ketë testuar terrenin edhe më herët, aktiviteti i ngjeshur i kohëve të fundit dëshmon se gjasat janë që ky projekt të jetë më afër realizimit se kurrë. Zgjedhjet e reja parlamentare 2017 po afrohen dhe nëse kjo verë do të jetë relativisht e qetë sa i takon klimës politike, nuk është çudi që me fillimin e vjeshtës Blushi dhe mbështetësit të kryejnë hapa konkrete. Por nuk përjashtohet që kjo të ndodhë edhe më herët.

 

Boja e Bojaxhiut

Nga krahu tjetër, Gjergj Bojaxhi e ka konkretizuar më herët nismën e tij politike. “I padëshiruari” i PD-së, i cili edhe gjatë karrierës politike nuk i fshehu interesat e tij për çështjet e trashëgimisë kulturore, turizmit, apo edhe pasionet sportive si alpinizmin, ndërtoi një profil publik që tek mjaft njerëz u pikas si ai lloj elementi që i mungonte Partisë Demokratike si hekuri në gjak. Por rezultoi se një personazh publik që tenton të ndërtojë një profil politik të vetin, jo-militant, me artikulim të qetë dhe të ekuilibruar, që nuk e sheh si sakrilegj të thotë edhe ndonjë mendim kundër linjës së partisë, është gjëja më e huaj për trupin e PD-së. Bojaxhiu bëri një testim lokal me zgjedhjet e bashkisë së Tiranës, që në vija të trasha mund të quhet inkurajues: Mori rreth 16 mijë vota. U pa qartë se lëvizja “Ne Tirana” do të kthehej në ent politik. Nuk dihet nëse lëvizja “Ne Shqipëria” do ta ruajë emrin deri në zgjedhjet e ardhshme, por Bojaxhi ka ndërmend të garojë. Edhe pse operacioni i tij politik ka nisur më herët, ai është ende në proces kolaudimi,

Gjergj Bojaxhi

Gjergj Bojaxhi

njësoj si Blushi; në kërkim të njerëzve të vlefshëm dhe ideve që do ta ndihmonin në ngritjen e strukturave.

Sigurisht, siç doli së fundmi, krahas profilit të tij publik si zyrtar i lartë i qeverisjes së PD-së, Gjergj Bojaxhi ndërtoi edhe diçka tjetër: Një kompani biznesi me profil nafte që ka xhiruar miliona euro. A e kanë ndihmuar postet zyrtare në këtë drejtim? A do kishte të njëjtat shanse suksesi personi i shkolluar Bojaxhi, nëse do vinte nga SHBA si njeri anonim për t’u marrë me naftën? Pak si zor, do thonin ata që e dinë si funksionojnë këto gjëra në Shqipëri. Por siç pohojnë burime për DITA-n, e sigurtë është që çështjen e milionave të naftës, Bojaxhiut ja ekspozuan në shtyp, thënë popullorçe “ja nxorrën bojën”, njerëz që i kishte patur afër në aventurën e re politike, me të cilët kishte përplasje për konceptimin dhe mënyrën e funksionimit të organizatës së re politike që po ngrihet. Dhe, ironi e fatit, pikërisht këta njerëz “që dinë si bëhen partitë dhe si ngrihen strukturat”, janë afruar me Blushin.

 

Avaz i ri, apo i vjetër?

A ka vend pra, shprehja “ditë e re, avaz i vjetër”? Le të arsyetojmë pak mbi zhvillimet politike dhe skenën aktuale. Një skenë e mbushur me shumë parti e partiçka, ku padyshim tre janë ato që diktojnë zhvillimet e vendit. PS e LSI në qeverisje, po mbushin një trevjeçar të vështirë që për hir të së vërtetës, mund të kishte qenë shumë më dramatik duke patur parasysh se çfarë trashëguan nga qeverisja e mëparshme në aspektin financiar, tatimor, të krimit dhe rendit, ligjshmërisë etj. Përballë pakënaqësive të natyrshme ndaj qeverisjes, megjithatë ndodhi dhe po ndodh një dukuri e pahasur më parë në terrenin politik shqiptar: Opozita zyrtare, pra PD, kuotohet gjithnjë shumë më poshtë nga publiku, sesa mazhoranca!

Mjafton ky fakt për të krijuar përshtypjen se vendi ka nevojë për forca e figura të reja politike që do mbushin vakumin e mosbesimit. Gjasat janë, që pikërisht ky të jetë basti i Blushit dhe i Bojaxhiut. I pari, duke tentuar të mbledhë kredi politike me kritikat ndaj PS-së dhe Ramës, dhe duke shpallur dramatikisht se nëse dikush në PS do ta detyronte të zgjidhte mes partisë dhe Shqipërisë, ai do zgjidhte Shqipërinë. I dyti, duke e fshirë karrierën politike në PD, (pa të cilën sigurisht nuk do kishte këtë profil që ka) dhe duke e rivizatuar veten gati-gati si prurje e shoqërisë civile. I pari, duke qenë vazhdimisht pjesë e hierarkisë së lartë në PS por i patestuar vetë elektoralisht, dhe i dyti me një sprovë simpatike në Tiranë, por ende me “krahë të prera” nga nevoja për riorganizimin e asaj çka kishte ndërtuar deri më tash.

Ben Blushi

Ben Blushi

Por a janë dy B-të e reja ajo çka vërtet do ta mbushte vakumin për të cilin folëm më lart? Për këtë po japim një detaj interesant: Mësohet se Blushi i ka kërkuar një biznesmeni me interesa në shumë fusha, që ta ndihmojë. Dhe ky ka pranuar me të dyja duart, vetëm me një kusht: Të marrë në parti një ish-aktivist ish-zyrtar i dyshuar dhe larguar, e-së-fundmi-sërish-aktivist. Thënë ndryshe, një kalë troje që Blushi nuk është çudi ta pranojë. Avazi, pra, nuk duket dhe aq i ri…

 

 

Teori konspiracioni (por jo vetëm)

Partitë e reja politike të paketuara si shpresa e vërtetë e vendit, nuk janë ndonjë gjë… e re në politikën e Tiranës. Sidomos për njerëz, “serioziteti” fillestar i të cilëve këmbehet kaq shpejt me sharlatanizmin qesharak saqë kthehen në barcaletë. Për të mos shkuar larg, për këtë mjafton ilustrimi i aventurave qesharake të një personazhi që deri dje promovonte rikthimin e Fatos Nanos në politikë, dhe sot shpall me bujë “aleancën e pathyeshme” me Lulzim Bashën.

Por kjo nuk do të thotë se shpresa vërtet duhet bjerrur. Dhe as duhen paragjykuar apriori tentativat në këtë drejtim. Por çdo tentativë shoqërohet me zëra, teori e thashetheme ku është vështirë të ndash të vërtetën nga sajesat. Në rastin e Blushit e Bojaxhiut, për shembull, ka disa të tilla.

Fjala vjen, teoritë e konspiracionit thonë se edhe PS-ja do ishte interesuar për një parti të Blushit, pasi këtu do kanalizohej vota e të pakënaqurve nga PS, atyre që “Rama s’u ka gjetur punë, apo u ka çuar tatimorët ke lokali etj etj”. Më herët, i ngjashëm ishte komploti i kandidimit të Bojaxhiut për Tiranën, që u paskësh leverdisur të majtëve sepse do mblidhte vota nga PD-ja.

Ajo që nuk është konspiracion, është fakti që Ben Blushit dhe Gjergj Bojaxhiut, siç mëson DITA, u është sugjeruar në trajtë hipoteze mundësia e bashkëpunimit mes të dyve, por secili syresh ka qenë i ftohtë ndaj kësaj hipoteze. Dy gjela në një kotec, thonë, nuk i bëjnë mirë shëndetit të pulave…

 

Erion Habilaj – DITA

June 2, 2016 10:15
Komento

7 Komente

  1. demo June 2, 10:45

    Ne rast zgjedhjesh partia e Blushit do te mbledhe jo vetem votat e te pakenaqurve te PS,por te gjithe te pakenaqurve nga ftyrat e urryera te politikes,sepse eshte me qytetari,me intelektuali,me i pakorruptuari

    Reply to this comment
  2. perkthyesi June 2, 10:56

    Shume mire po veproni! Vetem se per Bojaxhiun kam rezerva te medha, pasi, qofsha i gabuar, ka pervehtesuar para jo te vogel, duke bere nje vila ultra moderne ne Farke! Per Blushin, nuk e di se cfare te them, por duket mjaft bindes ne argumentat e tij! Nje rekomandim: Mos fto delenxhiun Nanon ne parti, pasi do e kesh jeten politike mjaft te shkurter!

    Reply to this comment
  3. info analitike June 2, 11:09

    Dita po mban krahun e drejtimit te dhhur rilindjes se krimit. Blushi dhe Hafizi jane socialiste te vertete dhe jo krkminele pazarxhi apo servile deri ne peshtirosje.

    Reply to this comment
  4. ela June 2, 14:01

    thjesht per fitime personale asgje tjeter,jane be si kurvat kush e kush te kap klientin me me me pare

    Reply to this comment
  5. rilindja jote June 2, 14:47

    Kemi shume besim te Blushi e Mimoza .Ta krijoni Partine tone soc qe na e vodhi Rama.Do te vijne shume njerez te PS qe jane flakur ne rruge nga Rama.Ky nuk ka bere kurgje per soc e vertete ,vec LSI-ine dhe Pd-istete i ka shume merak,ne fund te fundit ata na drejtojne,.socialistet jane te pakte ne nr ne drejtimin e ketij vendi .

    Reply to this comment
  6. gjermani i fundit June 2, 15:53

    Ne fakt ne kotecin me dy gjela pulat bejne veze me dy te kuqe brenda. Blushi dhe ky robi tjeter nuk jane outsider, nuk vijne nga sheshi si Tsipras. Mundohen kot, dy parti me shume.

    Reply to this comment
  7. brave June 3, 13:57

    Aman ore se vetem kur shtohet numri i partive humbet dicka nga Shqiperia.
    A kemi vertete nevoje per parti te reja??????
    pse nuk mblidhen brenda partive keta “mbeshtetes” dhe meqe jane kaq shume te ndryshojne drejtuesit qe nuk i pergjigjen “frymes” se partise? Apo eshte e nevojshme qe te rishihen parametrat numerike per aprovimin dhe njohjen e cdo partie te re.
    A ben kush ndonje analize se sa duhet te ishte ne numer popullsia qe cdo kryetar familje (burre apo grua) te ishte anetar te pakten ne nje nga partite ekzistuese.
    Cdo kush qe kerkon mbeshtetjen e nje biznesmeni “qe ve kushte” apo qe ve ne emer te vjehres miliona para biznesi nuk mund te sjelle asgje te re per kete vend.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*