Si tamburët e mbretit Yu…

June 5, 2014 09:50

Si tamburët e mbretit Yu…

Letër e nënshkruar

Besnik Tërpollari

 

Media e shkruar dhe ajo vizive tashmë e ka bërë zakon të ndjekin më shumë postimet e s.b. (” ajo s’ish firmë, ajo ish vetëtimë…”) në Fcb sesa konferencat për shtyp e aksionet e tjera opozitare. Kjo për faktin se shtypi e di qendrën e vërtetë të inisiativës së PD, ku pulson nervi i saj; s.b. është e mbetet Kryetari, siç pohoi duke krahasuar veten me arkivën e Tranzicionit e ndoshta ca më thellë se kaq.

Qyshkur, ende pa dorëzuar zyrën, orenditë dhe inagurimet s.b. filloi sistematikisht të lëshojë rrufetë kundër qeverisjes së re e çuditërisht këto shkëndija Fejsbuku transformoheshin shpejt në kauza të reja opozitare. Pastaj vijuan me kryepolicët e transferuar, furgonët, të shkarkuarit nga administrata, droga, aviodroga e përsëri të shkarkuarit, protestat & Gëzim Kalatë e pluhurt në sirtarë (apo Arkivë), grevat e urisë e plot gjëra të këtij lloji.

E qartë që s.b. njeh metodë të vetme politike luftën permanente; të ndodhte ndryshe do zbulonim alienët ose do binte shi i kuq…Po mjerisht, këto kauza ngjajnë me produktet e manifakturës që shëtisin në rripa transportues për t’u etiketuar, të paralajmëruara si gjithnjë në bllokfaqen e regjentit. Duke shpërdorur frenetikisht instrumentin demokratik të opozitarizmit, kjo opozitë po humb seriozitetin, duke e pësuar si mbreti Yu i tregimit të nobelistit gjerman Herman Hes, që fatalitetin e gjeti nga mekanizmi që zgjodhi për t’u mbrojtur. Diku, në Kinën antike mbreti Yu qe këshilluar me gjeneralët e po ndërtonte një sistem efiçent alarmi me tamburë, që nëse kufijtë dhunoheshin sinjali do pasonte nga një kullë në tjetrën e kështu e gjithë mbrojtja do mobilizohej në kohë rekord. Mirëpo dikush i bëri mbretëreshës një lodër identike në miniaturë prej argjile të pjekur, me të cilën ajo argëtohej në dhomë.

Me kohë kjo lojë iu kthye në pasion të shfrenuar, saqë kur u inagurua sistemi i vërtetë i mbrojtës ajo filloi t’i lutej mbretit që t’a vinte në funksionim. Pas aq e aq tentimesh arriti t’a bindë mbretin që urdhëroi të përdorej mekanizmi i tamburëve. Për tre ditë rrahën tamburët në kufij e tre ditë u deshën që të rreshtohej para pallatit mbretëror ushtria me prijës dhe ushtarë, gjithë pluhur,djersë, karro dhe armatime, të gatshëm për luftë. I gjendur ngushtë mbreti tha se alarmi qe i rremë e thjesht kish vënë në provë sistemin dhe besimin e prijësve me ushtritë e tyre, mirëpo në veshët e prijësve u pëshpërit se kjo kish ndodhur për t’i plotësuar tekën mbretëreshës e kështu prijësit vendosën që herës tjetër të mos luanin këmbën për shakara të tilla. Ndodhi vërtet që mongolët sulmuan e tamburët oshëtinë, por askush nuk luajti vendit. Pas një beteje dëshpëruese mbreti Yu u vra dhe gradualisht mbretëria humbi nam e nishan. Pak a shumë kështu ndodh me kauzat e opozitës, që i bie tamburëve për çdo alarm në faqen e Fejsbukut të s.b.,që i apasionuar pas lojës së opozitarit veç po e shpërdoron këtë mekanizëm.

June 5, 2014 09:50
Komento

1 Koment

  1. alfa June 5, 11:15

    ”Rrote k….ri” ! Ky eshte S.B !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*