Si të dallojmë në kohë çrregullimet e funksionimit të zemrës

August 24, 2017 11:26

Si të dallojmë në kohë çrregullimet e funksionimit të zemrës

Për të dalluar në kohë çrregullimin e funksionit të zemrës, përdoret elektrokardiograma (EKG). Çdo njeri duhet t’i nënshtrohet vazhdimisht kontrolleve rutinë. Hipertensioni arterial është një nga sëmundjet që bashkë me të tjerat shkakton numrin më të madh të vdekjeve tek njerëzit.

Përgjithësisht, kjo patologji sot luftohet nëpërmjet medikamenteve. Një pjesë e madhe e sëmundjeve të zemrës janë të lindura, dhe në këto raste është e nevojshme ndërhyrje kirurgjikale. Ataket në zemër vijnë si rezultat i mospërputhjes së kërkesës së miokardit për oksigjen dhe ofertës.

Shkaqet që e krijojnë janë arteriet e bllokuara nga ruptura e pllakës aterosklerotike, agregimi trombocitar dhe formimi i trombit.

Stadi i fundit i sëmundjes së zemrës është insuficienca kardiake, në të cilën zemra është e paaftë për të pompuar gjak në përputhje me kërkesat e indeve.

Ndaj, në rastet kur përballeni me simptoma të tilla: Vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje gjoksi, të cilat shtohen me kalimin e kohës, vështirësi në frymëmarrje në ngjitjen e shkallëve, edema të këmbëve dhe cianoza”, shkoni menjëherë tek mjeku specialist për konfirmura në kohë se çfarë shqetësimesh po pengojnë funksionimin normal të zemrës tuaj.

Simptomat dalluese

Simptomat përcaktuese për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës janë të ndryshme, sipas kategorive të prekura. Mjekët thonë se shpesh herë ka ndodhur që pacienti të ketë trashëguar këto sëmundje që nga fëmijëria dhe në shumicën e rasteve ka ndodhur që këto patologji të jenë simptomatike (pra pa shenja të dallueshme që në stadet më të hershme).

Megjithatë, i sëmuri duhet të tregohet vigjilent në disa situata si për shembull kur vëren sa ka dhimbje të kraharorit në rastin kur është duke ngjitur shkallët. Edhe në rastet kur i sëmuri del në ambient të ftohtë, mund të shfaqet dhimbja e gjoksit.

Që një pacient të kuptojë se vuan nga zemra duhet të ketë shenja të tilla dalluese si: “Vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje gjoksi, të cilat shtohen me kalimin e kohës. Të tjera simptoma domethënëse janë: vështirësia në frymëmarrje (dispnea), edemat e këmbëve dhe cianoza”.

Ekzaminimet që duhet të kryhen

Që nga fazat e para të sëmundjes është e nevojshme që pacienti të paraqitet pranë mjekut specialist për të bërë “EKG” e zemrës. Ky ekzaminim është edhe hapi fillestar që shërben për përcaktimin e një prognoze të saktë të sëmundjes.

Më pas duhet bërë një ekokardiogramë. Nëpërmjet këtij ekzaminimi, mund të përftohen imazhe të aktivitetit të strukturave kardiake përgjatë ciklit kardiak. Ekokardiograma jep të dhëna lidhur me dhomat kardiake (madhësinë e tyre, dimensionet, volumet e kavitetit dhe trashësinë e mureve), valvulat si dhe vazat e mëdha që dalin përkatësisht nga ventrikuli i majtë dhe ai i djathtë.

Gjithashtu, përmes matjes së fraksionit të ejeksionit gjatë këtij ekzaminimi bëhet i mundur vlerësimi i funksionit pompë të zemrës dhe shkalla e dëmtimit të këtij funksioni. Cikloergometria është një tjetër lloj ekzaminimi që shërben për të parë sesa ka avancuar sëmundja e arterieve koronare.

Njihet ndryshe dhe si prova ushtrimore. Në përqindjen më të madhe të rasteve ajo jep edhe diagnozën e saktë të sëmundjes. Ekzaminimi tjetër që vlerëson arteriet koronare, shkallën e ngushtimit të tyre dhe përcakton trajtimin e mëtejshëm, është koronarografia.

Kategoritë më të rrezikuara

Sëmundjet e zemrës prekin të gjitha moshat. Përgjithësisht sëmundja është më e shprehur në moshat e mëdha, por fatkeqësisht ky raport ka filluar të marrë përmasa të tjera. Kohët e fundit i janë shtuar listës së të prekurve nga sëmundjet e zemrës edhe moshat e reja.

Ndryshe ndodh për sëmundjet e lindura të zemrës. Ato takohen që në fëmijëri, por këto patologji janë asimptomatike në moshë të vogël, duke çuar në mosdiagnostikim të tyre. Këto të fundit të lëna pa kurim, për shkak të mungesës së shenjave klinike kanë rezultuar shumë të dëmshme për shëndetin, duke sjellë dhe pasoja fatale për jetën.

Trajtimet mjekësore, ndikojnë pozitivisht në pjesën e madhe të rasteve të sëmura. Trajtimi konsiderohet shpëtimi më i madh për të sëmurët kardiak. Një trajtim sa më i rreptë medikamentoz është dhe çelësi kryesor për mbajtjen e sëmundjes nën kontroll.

Kujdes duhet të bëhet edhe me stilin e jetesës, regjimin ushqimor, duke shkuar drejt një diete të shëndetshme me më pak yndyra të rënda, kripë si dhe shtim të frutave dhe perimeve. Nuk duhet të neglizhohet as kryerja e aktiviteteve fizike. Por që të gjitha këto është mirë të ndiqen sipas rekomandimeve të lëshuara nga mjekët specialistë.

Pranvera Kola – DITA

August 24, 2017 11:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*