Si të jetosh deri në 100 vjet

June 17, 2013 12:56

Si të jetosh deri në 100 vjet

25 këshilla të fshehura në jetën e 12 mijë personave që i kanë kaluar të 100-tat dhe të aprovuara nga studime të kryera në vende të ndryshme të botës. Ja disa veprimtari të thjeshta, që midis të qeshurave dhe seksit  zbulojnë “recetën e 100-vjeçarit”

Çohu çdo mëngjes nga krevati mbi një këmbë. Sipas fizioterapistit, Tom Salzman: “Ky veprim i thjeshtë dhe i përditshëm e ndihmon trupin të ruajë ekuilibrin, forcon shtyllën kurrizore dhe eshtrat e legenit, duke ju mbrojtur nga thyerja e kockave gjatë rënieve kur të jeni në moshë të thyer.

Ha tre arra në ditë. Ato zotërojnë pjesën më të madhe të vetive që luftojnë sëmundjet, e midis tyre edhe substancat kundër plakjes. Spas Universitetit Scranton në Shtetet e Bashkuara, tre arra në ditë janë të mjaftueshme për të pasur përfitimet kryesore të cilësive të këtij fryti.

Bëj seks të paktën dy herë në javë. Përveç të mirave që i sjell shëndetit, një çift me jetë të shëndetshme seksuale, mund ta ngadalësojë plakjen me 7 vjet. Kjo, pasi seksi redukton stresin, krijon sadisfaksion më të madh dhe ndihmon në një gjumë më të mirë. Ky është përfundimi i studimit të ndërmarrë nga “Royal Hospital” në Edinburg.

Zëvendësoje qumështin me një filxhan çaj. Është i pasur me antioksidantë të quajtura polifenole, që ndihmojnë organizmin të luftojë sëmundjet kardiake, kancerin dhe plakjen e parakohshme. Një studim izraelit zbuloi se çaji është një faktor i rëndësishëm i jetëgjatësisë.

Hiqni dorë nga qarravitjet. Optimistët jetojnë 12 vjet më shumë se pesimistët. Kështu thonë kërkimet e klinikës amerikane “Mayo”. Pesimistët janë më të brishtë kryesisht ndaj sëmundjeve virale.

Qëndro 15 minuta në diell. Rezultatet e qendrës kërkimore “Cancer Research UK” në Britaninë e Madhe tregojnë se rreth 50% e personave në Mbretërinë e Bashkuar kanë mungesa të theksura të vitaminës D. Mungesa e kësaj vitamine në përqindje të madhe ndikon në rritjen e rrezikshmërisë të sëmundjeve kardiake, osteoporozës dhe tumoreve të ndryshme.

Gjej miq të mirë. Sipas një studimi australian, mbajtja e lidhjeve familjare dhe shoqërore është një ndër faktorët kyçë për një jetë të gjatë. Miqtë dhe të afërmit ju ofrojnë një mbështetje emotive gjë që ndihmon në menaxhimin e stresit, si dhe në rritjen e prodhimit të dopaminës dhe oksitocinës, homone që rigjenerojnë trurin.

Mat belin. Shkencëtarët kanë zbuluar se matja e belit, është treguesi më i mirë për sëmundjet kardiake, madje edhe më i mirë se treguesi i masës trupore, sepse nëpërmjet saj ne arrijmë të mësojmë praninë e yndyrës rreth organeve jetësore. Beli i burrave duhet të jetë më pak se 94 cm, ndërsa i grave më pak se 80 cm.

Shmang tejngopjen. Ndalo së ngrëni kur të kuptosh se jesh ngopur në masën 80%. Banorët e Okinavas, në Japoni, kanë nivelin më të ulët të obezitetit në botë, si dhe më të lartin e jetëgjatësisë. Kështu, përveçse do të keni një peshë e shëndetshme, metabolizmi juaj do të punojë më pak dhe trupi po ashtu do të stresohet më pak.

Shko në krevat një orë më herët. Mungesa e gjumit mund ta ekspozojë shëndetin tuaj ndaj depresionit dhe sëmundjeve kardiake. Një modifikim i vogël mund të bëjë diferencën. Një studim nga “Harvard Business School”, në Shtete e Bashkuara, tregoi se personat që zakonisht flenë më pak se shtatë orë në natë, janë më të rrezikuar nga infarktet dhe trompoza në tru.

Lajini dhëmbët çdo mbrëmje dhe përdorni fillin ndërdhëmbor. “Sëmundjet e dhëmbëve janë më të përhapurat në planet. Studimet e dhjetë viteve kanë treguar se ato kanë lidhje me rritjen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe disa lloj tumoresh”, thotë dentisti James Rusell.

Saktësi. Një studim i psikologut amerikan, dr. Howard Friedman, zbuloi se njerëzit që janë meditues, të rregullt dhe më të kujdesshëm me paratë kanë tendencën që të jetojnë më gjatë. Kjo për shkak të prodhimit të serotoninës në tru që përmirëson gjumin dhe të ushqyerit.

Bli një kafshë shtëpiake, mundësisht një qen. Kafshët ushtrojnë efekt qetësues, duke sjellë rënien e tensionit të gjakut. Një studimi nga Universiteti i Minesotas në SHBA pohon se njerëzit që shëtisin me kafshët e tyre jetojnë mesatarisht 7 vjet më shumë se ata që nuk kanë një “shok katërkëmbësh”.

Ndihmo. Tregohu i sjellshëm dhe “jepu një dorë” të tjerëve. Një studim amerikan thotë se personat bujarë jetojnë më gjatë se indiferentët sepse përjetojnë më pak depresion, më pak dhimbje dhe një shëndet të përgjithshëm më të mirë.

Fruta dhe perime. Një raport i fundit nga “European Heart Journal” zbuloi se personat që hanë tetë racione fruta dhe perime në ditë, kanë 75% mundësi më pak të vdesin nga sëmundjet kardiake në krahasim me ata që hanë vetëm një racion. Vitaminat dhe antioksidantët që zotërojnë, stimulojnë sistemin imunitar dhe luftojnë dëmet e plakjes së parakohëshme.

Mos i mbaj frutat në frigorifer. Vlerat ushqyese durojnë më shumë nëse frutat dhe perimet ruhen në temperaturat e ambientit.

Lëngu i mollës. Ndihmon për ta mbajtur trurin të ri. Sipas një studimi të fundit të publikuar në “Journal of Alzheimer”, mjaftojnë vetëm dy gota lëng molle në ditë që të pengojnë formimin e pllakëzave në trurin e pacientëve të prekur nga kjo sindromë.

Vizato pemën tënde gjenealogjike. “Zbulimi i historisë familjare mund të të ndihmojë të parashikosh të ardhmen e shëndetit tënd. Disa sëmundje kardiake dhe tumoret kanë faktorë gjenetikë”, thotë specialisti i gjenetikës, Anand Saggar. Me identifikimin e kushteve gjenetike do të jeni në gjendje të perceptoni simptomat e para të sëmundjeve.

Shiko një orë më pak televizion natën. Çdo orë dedikuar ekranit të vogël, mund t’ju vjedhë 20 minuta të jetës suaj, pohojnë shkencëtarët e Institutit Kombëtar të Kancerit në Amerikë. Sa më shumë shohim Tv, aq më shumë qëndrojmë pa lëvizur dhe aq më pak kalori djegim.

Martesa. Burrat e martuar kanë tre herë më pak mundësi që të vdesin nga sëmundjet kardiake, në krahasim me beqarët. Sipas një studimi amerikan të vitit 2009, martesa përgjysmon rrezikun e vdekjeve kardiake.

Qesh të paktën 20 herë në ditë. E qeshura forcon sistemin imunitar, bllokon prodhimin e hormoneve të stresit dhe stimulon qelizat që luftojnë kancerin. Të rriturit qeshin me një mesatare nga 5 deri në 15 herë në ditë. Ndërsa fëmijët mund ta bëjnë lehtësisht këtë, duke tejkaluar 100 buzëqeshje të përditshme.

Mos konsumo duhan. Sipas një studimi finlandez, duahnpirja, jo vetëm shkurton jetën me të paktën 10 vjet, por edhe e ul cilësinë e saj në moshë të thyer. Duhanpirësit kanë më shumë mundësi të vuajnë nga dobësimi i sistemit imunitar.

Këndo në dush. Ndoshta stononi, por kënga e shoqëruar me një dush relaksues, ndihmon më shumë se një policë shëndetësore sigurimi. Ky është përfundimi i një studimi të kombinuar midis universiteteve “Harvard” dhe “Yale”. Këndimi redukton stresin dhe parandalon depresionin.

Provo të besosh… në diçka. Më shumë se 1.000 studime kanë gjetur një lidhje midis besimit dhe jetëgjatësisë. Mendohet se pasja e bindjeve të konsoliduara, i ndihmon personat të menaxhojnë më mirë problemet emotive, duke përmirësuar njëkohësisht problemet e zemrës, të frymëmarrjes dhe ato të tretjes./Dorina Gjuzi

June 17, 2013 12:56
Komento

1 Koment

  1. linda June 17, 18:52

    sa e veshtir ti besh te gjitha keto

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*