Si të llogarisni vetë masën e pensionit që ju takon

March 20, 2015 16:39

Si të llogarisni vetë masën e pensionit që ju takon

Mjaftojnë vetëm pak minuta që çdo individ të përfundojë llogaritjen e masës së pensionit që do të marrë, në varësi të vjetërsisë kontributive dhe moshës së kërkuar në skemën e përfitimit. Organet e sigurimeve shoqërore kanë bërë tashmë të aksesueshëm programin online, ku gjithkush mund të njihet me masën e pensionit që i takon. Për të kryer llogaritjen e masës së pensionit duhet të ndiqni faqen online http://www.cit.edu.al/pension, ku duke plotësuar vjetërsinë e punës, si dhe pagën bruto sipas viteve, programi llogarit sipas formulës përkatëse pensionin që duhet të merrni.

Kështu, në bazë të viteve që keni punuar llogaritet masa e pensionit të pleqërisë duke i shtuar edhe pensionin social. Aplikacioni që ka realizuar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, mund të përllogarisë afërsisht sa është masa e pensionit që përfiton një individ, ndërsa kategoritë që sapo kanë hyrë në tregun e punës mund të mësojnë se sa duhet të jetë vlera e kontributeve që duhet të derdhin, për të përfituar pensionin që dëshirojnë. Autoritetet e sigurimeve sqarojnë se programi është funksional vetëm për llogaritjen e pensionit të pleqërisë, duke mos përfshire rastet e veçanta apo llojeve të tjera të pensioneve.

Kundrejt përfitimeve që po sjell reforma e ndërmarrë në skemën e pensioneve, kryeministri Edi Rama, ka theksuar ditën e djeshme se pas eliminimit të tavanit për përfitimet maksimale të pensioneve, skema zgjerohet edhe me përfitues të rinj, duke veçuar këtu punonjëset shtëpiake. Sipas përcaktimeve të bëra, kjo kategori trajtohet me pension social, ndërkohë që me ligjin e parë, këto pensione nuk ekzistonin.

“Kemi rrëzuar tavanin e përfitimeve të skemës, përmes Reformës së Pensioneve, një nga reformat më të mëdha të 25 viteve të fundit, që qeveritë e mëparshme nuk patën kurajon ta bëjnë. Falë kësaj reforme, secili e vendos përmes kontributeve të veta në vite, pensionin që merr. Po falë kësaj reforme dhe gratë shtëpiake që me ligjin e vjetër nuk merrnin asnjë qindarkë, tashmë marrin një pension social. Reforma siguron rritjen e të gjitha llojeve të përfitimeve që përfshin skema, dhe kush ka kontribuar më shumë gjatë viteve të punës, merr pension më të madh se sa merrte me ligjin e vjetër, ku ligji i mbante të gjithë nën tavanin e pakalueshëm të padrejtësisë mbytëse”, ka deklaruar kryeministri Rama.

Duke u ndalur tek ndryshimet që po sjell reforma, autoritetet e sigurimeve deklarojnë se zbatimi i saj ka nisur të japë efektet e para pozitive, të cilat janë reflektuar në rritjen e përfitimeve. Përveç rritjes së numrit të kontribuuesve në skemë, të cilës vetëm vitin e kaluar iu shtuan rreth 93 mijë persona duke derdhur një shumë prej rreth 100 milionë dollarë, janë shpërndarë edhe pensionet e para sociale për të moshuarit mbi 75 vjeç, të cilët me ligjin e vjetër nuk mund të përfitonin asgjë.

Pensionet e plota të pleqërisë

Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar sipas ligjit. Nënat, që kanë lindur 6 apo më shumë fëmijë, të cilët janë rritur me shume se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim”. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe një shtesë.

Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në pune dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve

March 20, 2015 16:39
Komento

1 Koment

  1. Sotir Zafiri July 11, 13:50

    PERSHENDETJE ZOTERIJ
    Jam emigrant .
    Jam 74 vjec dhe dua te bej dekumentat per pension.
    Kam punuar 30 vjet ne Shqiperi
    Fillova punen ne 1961 deri me 1964
    Me 1965 fillova studimet ne universitet deri me 1967.
    I nderpreva studimet per 1vit dhe punova.
    Pastaj i vazhdova dhe i perfundova me 1971.
    Punova deri me 1991 dhe emigrova.
    E gjithe vazhdimesija e punes dhe e studimeve jane pasqyruar ne libreze pa nderprerje
    Ju lutem me skjaroni,ne se LIGJERISHT:
    1.Me takojne si kohe pensioni 5 vitet e studimit ne Universitet.
    2.Me takojne te marr pensionin per vitet qe kane kaluar/
    Ju falinderoj pezemersisht.
    Me respekt per punen tuaj

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*