e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Si të mbrohemi nga infeksionet parazitare të zorrëve

8
Postuar më: 22 Nëntor, 2013 tek Komunitet
dhimbje-barku

Ndotja e ushqimeve, mungesa e higjienës vetjake, sëmundje të ndryshme infektive, klima e faktorë të tjerë ndihmojnë shfaqjen e parazitëve, ose siç njihen ndryshe krimbave, kryesisht në zorrë. Fëmijët mbeten më të prekurit. Kujdesi që duhet të tregojmë gjatë stinës për të shmangur ndërlikimet e këtyre infeksioneve në organizëm

Parazitozat zënë një vend të rëndësishëm në tërësinë e sëmundjeve infektive që trajtohen kryesisht në shërbimin tonë ambulator. Infeksionet parazitare kanë një prevalencë të lartë në vendin tonë. Kushtet klimaterike, pozita gjeografike, lëvizjet e pakontrolluara të popullsisë, probleme të infrastrukturës, mosfunksionimi si duhet i hallkave të shërbimit shëndetësor, thyerja në hallka të ndryshme e higjienës ushqimore, favorizojnë përhapjen e këtyre sëmundjeve në popullatën shqiptare. Megjithatë, ky nuk është vetëm problem i vendeve në zhvillim. Edhe vendet e zhvilluara preken nga këto sëmundje. Të dhënat e literaturës referojnë se në SHBA dhe Kanada, lamblia rezulton si paraziti më i shpeshtë, kurse nga askaridi rezulton e prekur rreth 1/5 e botës (afërsisht 1 bilion njerëz). Në vijim të shkrimit doktoresha Ilda Xhelili tregon rrugët e shfaqjes së këtyre infeksioneve, shkaqet që ndikojnë, simptomat dhe këshillat për të shmangur ndërlikimet që mund të vijnë prej tyre.

 

Ç’farë është Lamblia intenstinalis ose lambliaza dhe si përhapet ajo?

Lamblia është një ndër parazitët njëqelizorë (protozoarët) që parazitojnë në trupin e njeriut. Më shpesh është e përhapur në vendet me klimë të nxehtë dhe mesatare, është e pranishme edhe në vendet e ftohta. Ky parazit shkakton sëmundje që prek kryesisht zorrët, por mund të shkaktojë edhe sëmundje të përgjithshme. Ky parazit paraziton në zorrët e holla, në rrugët e tëmthit dhe zorrën e trashë. Paraziti gjendet në formën vegjetative që është përgjegjëse për shumimin në organizmin e njeriut dhe në formën cistike, e cila është përgjegjëse për infektimin e mjedisit dhe transmetimin e këtij paraziti. Si burim infeksioni shërben njeriu i sëmurë ose bartës, kurse përhapja bëhet me rrugë fekalo-orale nëpërmjet faktorëve të ndryshëm si për shembull ushqimet e ndotura, uji i ndotur ose nëpërmjet ndotjes midis njerëzve (duart e palara) etj. Cistet e parazitit lamblia mund të jetojnë në ujë për disa javë dhe janë të qëndrueshëm ndaj klorifikimit të tij. Më shpesh njeriu gëlltit cistet, pasi këta janë më të qëndrueshëm në mjedisin e jashtëm. Cistet pasi kalojnë stomakun, shumëzohen dhe kalojnë në zorrët e holla, në rrugët e tëmthit e mund të arrijnë deri në mëlçi. Pra është një parazitozë e kudondodhur që prek veçanërisht fëmijët.

 

Simptomat që shoqërojnë parazitozat e zorrëve

  • Më shpesh infeksioni është asimptomatik (pa shenja të dukshme klinike) dhe këta pacientë zbulohen rastësisht gjatë në ekzaminimi rutinë të feçes që bëhet në terren të ndonjë sëmundjeje tjetër, si për shembull kur kërkojmë shkakun e një anemie që në rastin konkret është pasojë e mbartjes së këtij paraziti në zorrë.
  • Lambliaza shkakton çrregullime të aparatit tretës, fryrje barku, dhimbje në regjionin e stomakut që imitojnë ulcerën, të përziera, të vjella, shkarkime diarreike disa herë në ditë, sidomos në mëngjes, me feçe të bollshme, të verdha e me erë të keqe. Karakteristike është se kjo diarre nuk ndikohet nga mjekimet e zakonshme.
  • Paraziti shkakton çrregullime në murin e brendshëm të zorrëve duke shkaktuar probleme në thithjen e lëndëve ushqyese e sidomos të vitaminës B12 duke shkaktuar rënie në peshë dhe dobësim të organizmit dhe për pasojë anemizimin e organizmit.
  • Këto shenja mund të zgjasin për disa javë. Këto shenja klinike mund të pasohen me kapsllëk ose vetëshërim, por përsëriten disa here në formë ciklike.
  • Përveç kësaj klinike mjaft specifike, nuk janë të pakta rastet me temperature subfebrile të zgjatur (temperature që shkon deri në 37.5 gradë C).
  • Shumë pacientë kanë fenomene të shprehura alergjike, siç janë urtikariet. Kjo vjen si rezultat i çlirimit të toksinave alergjizuese (substanca alergjizuese) nga paraziti e që mund të shkojnë deri në kriza astmatike.
  • Gjithashtu kemi ndeshur në praktikën tonë të përditshme edhe raste me simptoma nervore që shoqërohen me lipotimi (gjendje të fikëti), ngacmueshmëri e tepruar nervore, kriza epileptike apo edhe shenja të ndryshme psikotike (pacientët ankohen se u lëviz lamblia në sy apo u del nga veshët etj).
  • Kur lamblia përqendrohet kryesisht në rrugët e tëmthit situata është më komplekse. Në këtë rast fshikëza e tëmthit është një terren mjaft i përshtatshëm për shumimin e parazitëve dhe shërben si depo për to. Në këto raste pacientët ankojnë për të vjella dhe hidhërim të gojës, të përziera sidomos në mëngjes kur zgjohen nga gjumi, dhimbje në anën e djathtë të barkut që korrespondon me tëmthin dhe mëlçinë. Këto raste mund të shkojnë deri në hepatite dhe janë ndër format më të vështira sa i takon mjekimit të tyre i cili është mjaft kompleks.

 

Cila është terapia e kësaj sëmundjeje?

Siç e theksova dhe më sipër trajtimi i kësaj sëmundjeje është mjaft kompleks. Mjekimi kryesor është ai antiparazitar që është mjaft i njohur për të gjithë (Flagyli, si edhe mjaft preparate të tjerë që i përkasin këtij grupi). Përveç mjekimit specifik mjaft i rëndësishëm është edhe mjekimi simptomatik si për shembull kundër të vjellave, dhimbjes së barkut, mjekimi me hekur dhe acid folik për korrigjimin e anemisë etj. Por, e theksoj se gjithçka është kompetencë e mjekut dhe jo të shkojmë direkt në farmaci. Theksoj se me fillimin e mjekimit kemi një përmirësim mjaft të dukshëm të shenjave klinike. Teksa nuk janë të rralla edhe format rezistente ndaj mjekimit. Në këtë rast praktikohet ndryshimi i protokollit të mjekimit. Mjekimi i parazitozave në përgjithësi kryhet me cikle përsëritëse që përcaktohen nga mjeku. Rekomandohet edhe ekzaminimi i familjarëve apo në disa raste edhe mjekimi i tyre apriori.

Cila është profilaksia dhe rekomandimet?

Ashtu si edhe për të gjitha sëmundjet e tjera infektive, edhe për lambliazën, një vend të veçantë zë higjiena personale dhe ajo ushqimore. Sidomos për fëmijët e vegjël që bëjnë jetë kolektive është e këshillueshme nga ana e prindërve dhe edukatorëve larja e shpeshtë e duarve, sidomos kur dalin nga tualeti, prerja rregullisht e thonjve, mosfutja e sendeve në gojë si për shembull lodrave, lapsave apo sendeve të ndryshme. Kujdes duhet të bëjmë me ujin e pijshëm, i cili duhet të jetë i kontrolluar, larjen e zarzavateve, sidomos e sallatave të ndryshme me ujë të bollshëm e të rrjedhshëm. E rëndësishme është dhe blerja e produkteve ushqimore në dyqane më kushte të mira higjieno-sanitare dhe jo në rrugë. Nga ana e personelit shëndetësor do të ishte me mjaft vlerë sensibilizimi i popullatës për këto sëmundje, rritja e kontrollit nga ana e inspektoratit sanitar në të gjitha hallkat e higjienës ushqimore. Një vlerë mjaft të madhe ka edhe përmirësimi i infrastrukturës së zonave informale.

 


8 Komente


  1.  
    ARUSHA

    HUDHRA ; SPEC DJEGES;TARATOR ME SHUME HUDHRA DHE SHUME VAJ ULLIRI ; ;LIMON; VAJ ULLIRI ;UTHULLNE CDO GJELLE DHE SUPE E SALLATE




  2.  

    a mund te kete nje i ritur lambje kam bere analizat dhe me dolen me lambje, a ka lambja keto shenja dhimbje te forta koke dhe vjella me pas me behen syte me pika te kuqe poshte vetlles




  3.  
    lili

    Edhe filloni nga e para:nevojtore qe nuk derdhen baqes apo rrugeve! Nevojtore si duhet ne per shkolla,spirale,qytete,fshatra!
    Kjo do te zvogeloje rezikun e infektimit…




  4.  

    jam monda 30 vjece ju lutem jam shum e intersuar per pergjigjen tuaj jam operuar 5 vjec na patrazitet e vuaj akoma kam 5 vjet tani me behet alergji me dalin pulla te medhaja jam me lambje tani te lutem shum zhduket lambja dhe me ca mjekimi jam shum nevrike ,kam dhimbje koke,shum gjum,dhe ha shum ushqim
    me respekt monda




    •  
      lina

      bona.Jam 44 vjec dhe po me behet jeta e padurueshme nga lambia. Qetesohem duke filluar flagylet per 1 jave dhe 10 dite pushim . Kjo perseritet 3 here. Kjo me qeteson per 1 vit.pastaj filloj prap. simtomat jane: dhimje te tmershme te barkut me kriza te forta, pastaj vjell dhe ndjenj te fiket nga dhimbjet.dhe pas 3-4 gjilpera qetesuese ne spital mund te qetesohem.




  5.  
    lina

    jam 44 vjc. kam dhimbje te forta ne bark deri sa me bie te fiket. Nuk me zene qetesuesit dhe kur shkoj ne spital. Jam me mire tani nga perdorimi i flagylit tre here cdo 10 dite pushim . Flagylin e pi 2 x nga 500 mg ne dite per nje jave rrjesht.




  6.  
    arjan

    jam 42 vjec dhe kam dal me lambje si mund te gjej sherim .kam dhimbje barku djegie .nga dhimbja nuk fle dot gjume .kam bere analizat dhe mjeku me ka dhene disa tableta qe treten ne uje.por asgje ju lute me ndihmoni.ju lute me ktheni pergjigje……………





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)